E shtune, 26.07.2025, 12:06 AM (GMT+1)

Kulturë

Ago Nezha: Albert Zholi na sjell historinë e vërtetë të këngës labe

E marte, 08.07.2025, 06:57 PM


ALBERT ZHOLI NA SJELL HISTORINË E VËRTETË TË KËNGËS LABE

Nga Prof. Ago Nezha - "Mjeshtër i Madh" dhe "Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut"

"Kënga labe është shembulli më i ndritshëm i vetëdijes kombëtare shqiptare. Dhe kjo është e kuptueshme. Ajo është këngë e fuqisë morale, shpirtërore të Labërisë, e cila, për gati njëqind vjet është faktor kryesor kombëtar, që e lëviz historinë shqiptare të Labërisë, që është bërë thelbi i ekzistencës shqiptare"- Profesor Rexhep Qosja

Kur shkrimtari dhe publicisti Albert Zholi më besoi në dorëshkrim këtë libër dhe dëshironte ti bëja parathënien në fillim hezitova. Kjo për shumë arsye, por kryesorja ishte se Polifonia Shqiptare apo më mirë kënga labe, ka brenda aq thesare sa është e vështirë ti nxjerrësh në pah. Por duke lexuar librin edhe mendimi im kthjellohej....Labëria është një minierë e madhe, që brenda vetes ka pasuri të rralla, si patriotizmin, atdhetarizmin, trimërinë, bujarinë e mençurinë popullore, dhe i ka dhënë kombit shqiptar shumë gurë të çmuar në historinë e saj shumëshekullore. Por, një nga xhevahiret unikale me shumë vlera të pavdekshme, që e kanë shoqëruar trevën e Labërisë, në tërë jetën dhe veprimtarinë e saj, është polifonia labe, pjesë e polifonisë shqiptare. Polifonia labe, është një burim i kristaltë, që rrjedh nga malet e serta të kësaj krahine epike dhe lirike. Ajo, me harmoninë e saj rrënqethëse, të tundon ndjenjat dhe shpirtin për ta dëgjuar pa mbarim, ashtu si uji i kristaltë i gurrave tona, që, sa më shumë të pish, aq më shumë të shtohet etja. Kjo, është magjia e polifonisë labe. Në konstelacionin e yjeve të polifonisë shqiptare, kënga labe shndrit me një ndriçim vezullues, që ka ndezur flakë skenat e shumë festivaleve, brenda dhe jashtë vendit. Ajo, ka përcjellë në shekuj ngjarjet madhore, si luftërat për liri, pavarësi, çlirim kombëtar e shoqëror. Ka përjetësuar në vargje, gëzimet, dashurinë, hidhërimet, trimëritë, besën, bukuritë natyrore dhe veprimtaritë shoqërore. Në këngët labe nuk mungojnë as humori, as sarkazma, as epitetet e as metaforat, të cilat krijojnë një mozaik shumëngjyrësh. Kënga labe i ngjan një sorkadheje çapkëne, që kërcen nga brigjet e Jonit, përbri maleve Akrokeraune dhe ngjitet në vargmalet e Kurveleshit. Por kufijtë e saj nuk janë mbyllur brenda trevës së Labërisë. Ajo i ka kapërcyer kufijtë etnikë, duke u bërë pronë edhe e krahinës së Lunxhërisë, Zagorisë, Dëshnicës së Përmetit, si dhe në fshatrat përreth Malëshovës, duke zbritur si zonjë e rëndë në Mallakastrën e sipërme. Kjo tregon se kënga labe, rrok tërë universin e krahinës së Labërisë dhe më gjerë, duke e përcjellë si një enciklopedi brezash, që kanë përjetësuar doket, zakonet, traditat dhe dukuritë e veçanta të personalitetit unikal të labit. Edhe kur nuk shkruhej e mësohej shqip, polifonia ishte një formë komunikimi mes njerëzve. Fillimisht, ajo ka lindur si nevojë për të transmetuar mesazhet, ndjenjat dhe marrëdhëniet e ndërsjellta, mes grupeve minore, shoqërore. Kur dëgjon këngën e Kallaratit, monofoninë " Ç'u këput një këmbë mali", të kënduar me mjeshtëri nga Zeqo Hoxha, apo treshen e Dukatit, "Atje, te lisi në brinjë", që ka në përbërjen e grupit, një marrës virtuoz si Bego Vangjeli, kthyesin Leko Gjoleka dhe hedhësin Sulo Bozhani, kupton qartazi, se kënga labe, ka lindur në male, në vetminë e këtyre banorëve baritorë, si një nevojë për të shprehur realitetin shoqëror, të një komuniteti të izoluar brenda rrethanave të kohës. Ajo, ka shkrepur si rrufe në dritën e vetëtimës. Dhe, më vonë, me shoqërizimin e jetës, nga monofoni, kaloi në polifoni, që mori përpjesëtime e shtrirje të gjerë. Është e kuptueshme, se në male me bagëti, ku sundonte prona private, e kishin të vështirë të gjenin shokë e të bashkoheshin në veprimtari jetësore, siç janë gëzimet dhe hidhërimet. Ndaj, ndjenjat e ndrydhura në vetminë e individit, shpërthenin përmes këngës së një bariu të vetmuar, apo një grupi të vogël barinjsh, që kishin bashkuar bagëtitë në kullotat e tyre fqinje. Polifonia labe, është tepër e larmishme, e me një kolorit befasues. Zona të ndryshme, kanë karakteristika të ndryshme. Disa fshatra të Labërisë këndojnë shtruar, me zë të ngadaltë, disa me ritëm të lartë dhe disa të tjerë, siç janë fshatrat e bregdetit, këndojnë furishëm si dallgët e detit dhe kënga shpërndahet si valët, që përplasen me njëra-tjetrën në breg të detit. Ajo çka është e përbashkët te kënga labe, është struktura. Kënga labe ka katër zëra, duke filluar me marrësin, vazhdon me kthyesin, hedhësin dhe së fundi me grupin e isos. Kjo është polifonia, që do të thotë zëra të përbashkët, ose bashkim zërash. Disa pseudostudiues, të ashtuquajtur akademikë, na e kanë emërtuar atë me termin komik "Iso Polifoni". Ky term është një plagjiaturë komerciale e disa tregtarëve të trashëgimisë kulturore. Zërat e bukur të Labërisë pëlqehen, jo vetëm nga komuniteti vendas, por edhe nga të huajt. Nuk është rastësi, që kënga e Lapardhasë "Janinës ç'i panë sytë", fitoi Çmimin e Parë në festivalin Ballkanik të Ohrit, apo treshja e Dukatit, fitoi Medaljen e Artë në festivalin e Kanës në Francë. Dhe shembuj të tillë ka plot, që tregojnë për magjinë e polifonisë labe. Kënga labe, është një pasuri e çmuar në fondin e polifonisë shqiptare. Polifonia labe, ka bërë jehonë në shumë vende të zhvilluara të qytetërimit botëror, për origjinalitetin, muzikalitetin natyror dhe veçoritë dalluese. Afirmimi i këtyre vlerave të pazëvendësueshme, mori jetë në festivalet gjigande të Gjirokastrës, që prezantoi dhuntitë e polifonisë shqiptare, nga Jugu në Veri. Ky festival unikal, ka qenë një akademi e shpalosjes së vlerave të këngëtarëve virtuozë dhe grupeve madhështore me një kolorit gjithëpërfshirës, duke filluar nga zërat e magjishëm te instrumentet popullore, si fyejt e krahinave të Jugut, çiftelia e trevave të Veriut, sazet e Përmetit, etj. Me ardhjen e demokracisë, kjo pasuri e madhe kulturore tradicionale, u zhvillua më tej. Ruajtja dhe promovimi i këtyre vlerave në ceremoni kombëtare e ndërkombëtare, është një kontribut i çmuar që kanë dhënë në vitet postkomuniste shoqatat e polifonisë. Zanafilla e festivaleve magjike të Gjirokastrës mbetet unike, ku dhe sot ka grupe të rinjsh që duan ta ruajnë dhe transmetojnë polifoninë në breza, por janë shumë pak. Nuk ka grup në Labëri pa histori. Një nga grupet, që ka sjellë risi në këngën labe është grupi i Dukatit, i drejtuar nga këngëtari virtuoz Fatosh Liko. Ai, është nderuar disa herë me çmime, duke filluar nga Çmimi i Parë, në vitin 2000, që është përsëritur edhe në festivalin e Bylysit, për interpretimin e këngës labe, i cili ka përcjellë emocion, dashuri, energji, entuziazëm, optimizëm dhe larmi zërash. Grupi i Dukatit, në vitin 1970, futi për herë të parë gruan në grupin e burrave, si marrëse të këngës, mësuesen Pika Ferruni, duke thyer tabunë, e cila nuk lejonte që gratë të bëheshin pjesë e grupit të burrave. Kënga labe këndohet pa muzikë. Për ta gjallëruar dhe instrumentalizuar këngën labe, grupi i Dukatit futi Culën Dyjare, me mjeshtrin Bejo Vangjeli, që ka marrë disa çmime të para si në Festivalin e Gjirokastrës, ashtu edhe në festivalin e Lezhës, me rastin e 500-vjetorit të vdekjes të heroit tonë kombëtar Skënderbeut, në Lushnjë me rastin e 50- vjetorit të Kongresit të Lushnjës, etj. Organizimi i festivaleve të polifonisë nga shoqatat polifonike, është një sfidë denoncuese që i bëhet Ministrisë së Kulturës dhe institucioneve kulturore shtetërore, që për 32 vjet, nën demokraci, e kanë braktisur këtë thesar shekullor të popullit tonë, polifoninë dhe e kanë zëvendësuar me "Festivalin e Miseve të Botës". Një anakronizëm fyes për traditat dhe zhvlerësim i pasurisë sonë popullore. Kënga labe ka impresionuar shumë personalitete, jo vetëm vendase, por dhe të huaj. Polifonia labe është kënga e perëndive, që s'e ka humbur origjinalitetin, edhe pse ka udhëtuar në thellësitë e shekujve, nga Kaonët, të cilët gjatë luftërave për të rritur optimizmin e luftëtarëve këndonin e hidhnin valle. Kur e dëgjon këngën labe, menjëherë të kujtohet imitimi i natyrës, fëshfërima e gjetheve të pyllit, gurgullima e ujërave të lumenjve, zhurmat e erërave të malit, simfonia e këmborëve dhe zileve, blegërimat e qengjave dhe kecave. Këtë e përligj dhe studiuesi i shquar Eqrem Çabej, që thotë se: "Melodia e këngës së vjetër labe është me burime baritore; ajo të kujton melodinë e përfituar nga tringëllima e këmborëve dhe zileve". Ndërsa Bajroni, duke parë vallen e ushtarëve të Ali Pashë Tepelenës, shkruan: "Kërcimet e bukura...janë të pirrikes së moçme, sidoqoftë, kjo është valle burrash, kërkon aftësi të madhe në lëvizjet trupore, është fare e ndryshme nga romakja stupike, me të hedhurat e të dredhurat, e grekëve". Në të gjitha gostitë dhe ceremonitë festive të pashallarëve, mbretit dhe udhëheqësve komunistë, nuk mungonte pjesëmarrja e grupeve labe. Mjafton të evidentojmë disa evente, siç është rasti i dasmës të djalit të Ali Pashë Tepelenës, ku morën pjesë mbi 3000 vetë, ku Aliu u emocionua së tepërmi dhe ngriti një dolli me kupën e verës për shëndetin e kërcimtarëve lebër. Edhe në dasmën e mbretit Zog, ku ishin të ftuar grupe këngëtarësh dhe valltarësh, nga Veriu dhe Jugu, grupi lab la mbresa për të pranishmit. Mbreti Zog, i tha Xheraldinës, se sipas zakonit shqiptar, kafen miqve duhet t'ua japë nusja. Dhe kështu u veprua. Kur u afroi tabakanë me kafe Xheraldina, njëri prej këngëtarëve dhe valltarëve virtuozë, Balil Nezhë Dukati, e uroi Xheraldinën me këtë këngë labe, vargjet e së cilës i improvizoi në çast:

Manxhare leshëra tëndë/ Qysh e shkele vëndin tënë,/Kaluar, apo në këmbë?/ Kaluar se s'dija vëndë,/ *Lanen' e pastë jot' ëmë/ Të dha në derë të rëndë.../ U trete qiri në këmbë/ Kafe miqve duke dhënë/ Manxhare qostek sahati,/ Njëzetë vjeçe te i jati,/ Njëzetë vjeçe tek e jëma,/ Në prag të derës brenda!..

*Manxhare = Magjarë = Hungarezë *Lanenë= Lanetin

Kjo këngë ka fituar qytetarinë dhe këndohet edhe në ditët e sotme në gjithë trevën e Labërisë. Magjia e polifonisë labe, ka prekur dhe impresionuar ndjenjat dhe mendjet e korifenjve të letrave shqipe, nga Jugu në Veri. Mjafton të sjellim në kujtesën tonë thënien e Nolit të madh, që kishte lënë amanet, kur të vdiste ta qanin me ligje labe. Ai shkruante se: "Shpërblimi më i mirë do të jetë një këngë prej lebërve dhe labëreshave." Por ato gra që i rrinin te koka e Nolit, të përlotura, nuk dinin gjë për këtë amanet. Akademiku kosovar Profesor Rexhep Qosja, gjatë një vizite në trevat e Labërisë, u mrekullua, jo vetëm me bukurinë natyrore të kësaj krahine historike, por dhe me bukurinë shpirtërore të këtyre njerëzve, e veçanërisht me magjinë e këngës labe. Në përshëndetjen që i bëri Kuvendit të Dytë të Labërisë në Vlorë, më 21 maj të vitit 2001, ai ndër të tjetra theksoi se: "Në të vërtetë Labëria, ashtu siç e përjetova unë, është shqiptaria. Labëria shpirtërore, është Shqipëria natyrore, e kjo domethënë Shqipëria etnike". Dhe aty, vazhdon: "Me këngën labe të djeshme e të sotme, jetojnë shqiptarët e të gjitha trojeve tona. Askund më bukur se me këngën labe, u binda dhe vetë, nuk janë kënduar kosovarët dhe shqiptarët, kudo qofshin ata. Në to, Kosova lartësohet më shumë se në çdo këngë tjetër popullore të krijuar në trevat shqiptare. Kënga labe është shembulli më i ndritshëm i vetëdijes kombëtare shqiptare. Dhe kjo është e kuptueshme. Ajo është këngë e fuqisë morale, shpirtërore të Labërisë, e cila, për gati njëqind vjet është faktor kryesor kombëtar, që e lëviz historinë shqiptare të Labërisë, që është bërë thelbi i ekzistencës shqiptare". Këto citime, s'kanë nevojë për interpretime, se do t'iu prishej bukuria e fjalës së mençur të këtyre dy gjenive të popullit tonë. Të thëna kaq bukur, s'janë përshkruar e përkufizuar nga asnjë studiues e specialist i folkut shqiptar. Ajo, që duhet theksuar në ditët e sotme, është ruajtja, pasurimi dhe transmetimi tek brezi i ri, si një pasuri kombëtare, identitare për krahinat e ndryshme të vendit tonë. Ky libër le të jetë një thirrje atdhetarie për çdo lab dhe dashamirës të këngës labe (apo Polifonisë Shqiptare), për ta ruajtur dhe lartësuar këtë këngë që e ka bekuar zoti.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx