Kulturë
Kadri Tarelli: Dr. Enver Isufi dhe 'Bujqësia Biologjike'
E premte, 30.05.2025, 06:56 PM
Kadri Tarelli
shkruan:
Maj 2025.
Qëllimi i jetës është të jesh dikushi,
të përfaqësosh diçka, që jeta që jetuam të sjellë një ndryshim, qoftë edhe të
vogël në këtë botë. - Leo Rosten.
DR.
ENVER ISUFI dhe “BUJQËSIA BIOLOGJIKE”
Në vend të intervistës
Ka kohë që i
kërkova mikut tonë Enver Isufi, (shkurt i thërrasim Veri), Prof. Dr. Shkencash
në mbrojtje të bimëve, një intervistë jete, pune dhe krijimtarie. Dr. Enveri
nuk më dha përgjigje, por pas ca ditësh më solli dy libra:
I pari: libri “Njerëz
të mirë”, (intervista, mbresa, kujtime), 2013, me autor Jorgji Muzaka, ku në
afro 27 faqe libri, (143–147), përshkruhet e gjithë biseda mes tyre, duke
prekur hollësisht të gjitha kohët e jetës dhe shkallët e arsimimit, specializimit,
kulturës dhe punës të dr. Enver Isufit.
I dyti: libri
“Kapedanë të bujqësisë”, (Publicistikë). 2021. me autor Bashkim Koçi, ku në 16
faqe, (61–77), jepet shkurt jetëshkrimi dhe më shumë përqendrohet te “Bujqësia
Biologjike”, ku idealizmi i specialistit Enver Isufi arrin kulmin, kur
shprehet: - Po të kisha fuqi vendimarrëse, do ta shpallja vendin tim
“Shqipëria biologjike”.
Më pëlqeu veprimi
i z. Isufi, sepse me heshtjen mësova një të vërtetë që nuk e dija më parë: Në dy
librat shkruhej gjerë e gjatë, mbi jetën dhe punën e këtij specialisti, apo siç
i thërrasin shkurt, kolegët dhe miqtë e tij, “Doktori” i mbrojtjes së bimëve.
Kështu shtyhem
të mendoj, se kush i ka lexuar këto libra, vetiu do të shprehej, se autorët me shumë
dashuri e përkushtim, kanë bërë secili nga një monografi apo përmbledhje të të
gjithë personaliteteve që kanë dhënë mendjen, mundin dhe djersën në zhvillimin
e bujqësisë shqiptare, si në drejtimin dhe organizimin e punimeve bujqësore,
ashtu edhe në mbrojtje të bimëve, që vetiu kërkon njohje, dije dhe punë
shkencore.
Për këta specialistë,
si diçka e veçantë dhe me shumë peshë mbetet për t’u vlerësuar ngritja e “Institutit
të mbrojtjes së bimëve”, në Durrës, personeli i kualifikuar, pajisja me
laboratorë dhe mjete teknike, e shikuar më tej, jo thjesht si qendër studimore
shkencore, por më shumë si qendër e përhapjes së dijeve, se si të mund të
mbrohen bimët e kulturave bujqësore. Krahasimi është i thjeshtë: Ashtu si mjeku
kujdeset dhe mjekon të sëmurin, ashtu edhe specialistët e këtij instituti ishin
përherë në lëvizje, në terren, aty ku prodhohej gruri, misri, duhani, panxhari,
pemët frutore, ulliri dhe perimet, ..... etj, etj. Pikërisht në këtë institut
punoi për një kohë të gjatë edhe Dr. Enver Isufi, në fillim si specialist, e më
pas edhe drejtues i këtij institucioni.
Nuk kam ndërmend
të përsëris autorët e nderuar, sepse kështu edhe shkrimi nuk ka vlerë, ndaj po
përqendrohem te figura e mikut tonë, si mik, shok e njeri i ditur, tepër
energjik, pse jo edhe poet. E them këtë, pasi jo vetëm në muhabet e biseda të
zakonshme, ndodh që në shumicën e herëve shoqërohen me vargje apo shprehje që
rimojnë bukur, të gjetura nga miku ynë Veri, duke i shtuar bisedës edhe pak
muzikë dhe shumë ngrohtësi fjale dhe mendimi.
Më bën
përshtypje një shprehje që dr. Veri e përsërit shpesh, madje e ka bërë si shoqëruese
dhe udhërrëfyese në jetën dhe veprimtarinë e tij, kur thotë: - Shkencore
thoshte Prof. Abdulla Kapidani: “Trajtimet sipas afateve kalendarike nuk janë
shkencore. Po ashtu edhe kur bëhen sipas fazave të zhvillimit të bimëve, nuk
janë racionale dhe të efektshme. Shkencore: - “Është trajtimi bazuar mbi
biologjinë e parazitëve dhe dendësinë e tyre për njësi të kontrollit”. Dhe
mendimi vazhdon, si këshillë për vete dhe të rinjtë që duan të bëhen
specialistë të mirë të bujqësisë. Ardhur si porosi e një plaku të moçëm, të
mësuar më shumë nga përvoja në jetë, ashtu edhe nga mësimi në shkollën e mesme
bujqësore në Golem të Kavajës: “Nuk bëhesh dot usta, nëse nuk ke kryer punët e
çirakut. Shqip: do të bësh punët e bujkut, që nesër të bëhesh agronom dhe
specialist i mirë”.
Dr. Veri, nuk i
pëlqen të mburret, kështu thotë dhe unë e besoj, por kur shikoj që ka botuar
një sërë librash, (mbi dhjetë), dhe qindra artikuj, referate në konferenca
shkencore, reportazhe të takimeve të ndryshme si brenda dhe jashtë vendit, pyes
veten: Pse vazhdon që edhe tani në pension nuk pushon, por lëviz e këndon, sa
në pemëtore, vreshta e ullishta dhe parcelat e mbjella, sa në konferenca dhe
takime specialistësh, këtu dhe në botë......? Përgjigjen e kam në majë të
gjuhës, sepse jam në një mendje me të: - Një intelektual i kompletuar siç është
dr. Ver Isufi, nuk mund të hiqet e të rrijë mënjanë, duke bërë sehir për
problemet që ka bujqësia, vendi dhe shoqëria. Dhe, forma më e gjetur është
shkrimi dhe libri, ndryshe fjalët i merr era. Më pëlqejnë këto pak falë që Dr.
Veri i shpreh në bisedat tona: - Botimet janë gjurmë-lënia më e dukshme e
çdo shkencëtari, shkrimtari, madje e çdo qytetari që ka pasion, mendon dhe
shkruan. Besoj se nuk ka më bukur, një filozofi e gjallë e çdo kohe..!
Përvoja e tij
shumë vjeçare hedhur në libra e artikuj studimor, është dhe mbetet kurdoherë e
dobishme si për bujkun apo “fermerin”, (një emër i ri, i ardhur nga jashtë),
ashtu edhe për agronomët dhe specialistët e bujqësisë. Libri apo “Arka e
kujtesës”, siç e quaj unë, i vlen të sotmes, njëkohësisht mbetet trashëgimi
edhe për të ardhmen e brezave, pasi bujqësia është baza ku mbështetet dhe
mbahet gjallë e gjithë jeta e njerëzimit.
Dhe pa dyshim,
libri më i arrirë shkencërisht dhe artistikisht është “Bujqësia biologjike”, ku
në tetë kapitujt, mbërthyer në 361 faqe, ngërthehet shkenca, përvoja dhe
letërsia. Kjo e fundit pak si e çuditshme, do të mendojë dikush, por ja që është
e vërtetë.
Mbase të tjerë
lexues e specialistë të bujqësisë, kanë folur më gjatë, duke vlerësuar
materiali studimor shkencor, ndërsa unë do të përpiqem që me pak fjalë të
përmbledh përshtypjet e mia:
Së pari: Literatura e
përdorur në 8 faqe, (353 – 3060), ku përfshihen studiues nga vendi dhe bota.
Besoj nuk është pak.
Së dyti: Në këtë libër e
gjen veten e dhe një nxënës i shkollës 9-vjeçare, kur sheh në çdo faqe figurën
e bletës dhe të krimbit të shiut, që duket si një gjetje artistike: por e
vërteta është se këto dy gjallesa të vogla, janë bashkëpunëtorët dhe ndihmësit
më të mirë që ka njeriu. Duket si çudi, por është një e vërtetë e pamohueshme.
Pikërisht në libër sqarohet edhe puna që bëjnë bleta dhe krimbi i shiut, si dy
gjallesa që pa zhurmë e bujë kontrollojnë dhe vlerësojnë, (testojnë), veprimtarinë
e njeriut mbi bimët, tokën, larminë biologjike, (biodiversiteti), dhe në fund
edhe mbi prodhimin, për të cilin është e interesuar e gjithë shoqëria. Ndaj
autori thekson: “Nderim për këto gjallesa me ndikim të madh mbi jetën tonë”.
Faqe, 128-131. Duke shtuar mes të tjerave edhe një kuriozitet: “Bleta
ka vizituar dy milion lule për të prodhuar një kg. Mjaltë”. Faqe 129.
Së treti: Nëse më pyesni
për gjuhë që përdor, u them shkurt: gjuhë e thjeshtë, por me mendim të
ngjeshur, (bëhet fjalë për një libër shkencor), aq sa mund ta lexojë e ta
kuptojë jo vetëm specialisti, por cilido nga ne, pavarësisht nga shkalla e
arsimit dhe kulturës që ka. Kjo përbën një vlerë të shtuar që ka libri dhe
autori i tij. Nuk e teproj me lavdërimet që po i shtoj si pa doganë, por vetëm
diagramet apo tabelat shoqëruese dhe sqaruese, (të gjitha me ngjyra), të
mbushin mendjen se mendimet kanë një bazë të qëndrueshme, ndaj duhen parë me
kujdes, për të dalluar e penguar edhe gabimet që mund të bëhen në praktikë.
Mjafton të lexoni tabelën Faqe 23, më pas “Shtatë rreziqet që kërcënojnë
njerëzimin”. Faqe 27, dhe do të binden të gjithë këndonjësit e zellshëm,
madje edhe për ata me arsim minimal, sepse forma dhe gjuha e përdorur,
zëvendësojnë faqe të tëra leksionesh.
Së katërti: Autori përdor krahasimin
si metodë studimi me shumë vlerë njohëse dhe edukative, pasi vë në punë mendjen
e gjithsecilit, për të gjetur e përvetësuar më të mirën dhe të dobishmen.
Gjykoni këto pak radhë, lidhur me Konceptin universal “Qëndrueshmëria”, ku ka brumë
jete, mendim të qartë, por edhe mjaft filozofi. Dr. Veri, pasi na jep kuptimin
praktik të fjalës “Qëndrueshmëri”, te të gjitha gjallesat, që është “Lakmia për
jetëgjatësi”, ndërkohë në dallim: “Te njeriu qëndrueshmëria dhe jetëgjatësia
nuk është qëllim në vetvete, pasi jetëgjatësia kërkohet të shoqërohet me
cilësinë e jetës. Sa bukur......! Të jetosh gjatë dhe me shëndet të dobët .....
nuk është qëndrueshmëri e lakmuar......! Ajo që kërkohet dhe dëshirohet është
jeta e gjatë dhe cilësore....!”, Faqe 22.
Ç’mund të themi
më shumë...? Me veprat e shkruara dhe të zbatuara në praktikë, Prof. Enver Isufi
është njëri nga këshilltarët më të mirë për bujqit shqiptarë. Ai në udhëtime
pune ka vizituar 19 shtete të botës, më shumë ka qëndruar në Zvicër, Hollandë
dhe Gjermani, duke përfituar nga përvoja e tyre dhe arritjet shkencore. Njohës
shumë i mirë i gjermanishtes. Ka vizituar 90 qytete dhe ka qëndruar jashtë
shtetit për kualifikim, studim e shkëmbim përvoje, një periudhë afro tre
vjeçare. I gjithë ky investim pune, përmblidhet në këto pak fjalë, që dr. Veri
i thotë qetësisht; “Diku kam lexuar se teknologjia mundëson shërbime të reja
dhe zgjeron kufij. I mbetet njeriut, që pastaj t’i përdorë ato me përgjegjësi e
zgjuarsi”.
.
Ka botuar 10 libra profesionalë në sferën e mbrojtjes së bimëve. Në këtë udhë
mendimi, them se ndjehen tepër interesante gjetjet shkrimore plot fantazi
letrare, siç janë: Intervistë me bimën e ullirit. Përkthyer e botuar në gjashtë
gjuhë të huaja. Intervistë me revistën “Bujqësia”, intervistë me bimën e
hardhisë dhe intervistë me bletën.
. Është anëtar i
ISOFAR dhe Shoqatës Entomologeve të Gjermanisë.
. Ka kryer
studime pasuniversitare në Gjermani, me një periudhë rreth dy vite, përfshirë këtu
edhe kurset e shkurtra në Itali, Spanjë, Greqi.
Për të njohur më
mirë mendimin dhe shpirtin e dr. Verit, po sjell në kujtesë tri-katër thënie të
tij, ku gërshetohet shkenca, përvoja, arti, mendimi për të bukurën...... etj,
etj. Të tjerë këndonjës do të mund të gjejnë edhe plot “xhevahire” nëpër faqet
e këtij libri do ta quaja “magjik”:
. Toka është një
organizëm i gjallë dhe duhet trajtuar si të gjithë gjallesat e tjera të gjalla
. E rëndësishme
është që njeriu të shijojë të bukurën. E bukura ndodhet kudo, në art, në muzikë,
sport, teatër, në film, në natyrë në shoqëri e kudo. Ndjenja ndaj të bukurës
është universale. Shijet janë individuale.
. Unë në jetë kam
pasur si model insektin e bletës: Të punoj si ajo, të jetoj në shoqëri si ajo,
të prodhoj punë të ëmbla si ajo, të jem ekologjik si ajo. Unë e di që nuk e
arrij kurrë bletën, por si model e kam pasur dhe e kam.
. Për një
specialist si puna ime, kur flet për librat e tij, është po aq i padurueshëm sa
një nënë që flet e mburr fëmijët e saj.
Këndonjësi i
zellshëm nuk duhet të çuditet, kur dëgjon dhe lexon, se dr. Veri shkruan edhe
poezi, madje ka botuar librin: “Thellësitë e thjeshtësisë”. Janë bindëse këto
pak fjalë të thëna pa u mburrur nga dr. Veri: “Shkenca më ka nxitur të shkruaj
poezi”. Ndaj në fund po e mbyll shkrimin tim me pak vargje të shkruara plot
frymëzim, të vendosura në librin “Bujqësia Biologjike”, si porosi të një
mjeshtri të fjalës dhe specialisti të shërbimit ndaj bimëve, për ta dashur
tokën dhe për t’i shërbyer asaj, se vetëm kështu do të mund të sigurohet jeta
dhe mirëqenia:
LUTJA E TOKËS.
Mund të më lini
pa punuar,
Mund të më lini
me shkurre e ferra
Dhe nëse kini me
bollëk bukë e gjellë,
Mund të më lini
edhe pa mbjellë.
...............
Bujku im i
dashur,
Për të më kulluar,
të lutem bëj
përpjekje!
Mos më lë mbuluar,
Mos më ço në
vdekje....! Faqe 126.
Urime dr. Enver
Isufi! Jetë dhe shëndet, për t’i shërbyer jetës dhe bimëve, duke zbatuar e shkruar
përvojën shkencore në praktikën bujqësore.
Miqësisht!
Kadri Tarelli
Durrës. Maj
2025.
Shënim: Libri ”Bujqësia biologjike”, është përuruar në Akademinë e shkencave të Shqipërisë. Në Tiranë