Kulturë
Ilir Muharremi: I çmendur
E diele, 11.05.2025, 06:53 PM
I
çmendur
Nga
Ilir Muharremi
Po
çmendem por në këtë çmenduri gjej lirinë më të pastër të shpirtit. Si fëmijë,
horizonti më shkrihej në të kuqen e diellit, ku retë e bardha shndërroheshin në
avuj uji të ëndrrave. Sot, vetmia ime shekullore më ngërthen me përjetësi, por
në thellësi të saj zbuloj tingujt e së paralindjes, muzika e pamasë që përshkon
çdo qelizë.
Çmenduria
është fluturim mbi kodra, diku larg mizave dhe ligësisë së zakonshme, ku
shpirti jeton sipas ligjeve të veta, e mendja ngrihet përtej kufijve njerëzorë.
Njeriu shpesh vrapon pas kafshëve pas qenit, e jo qeni pas njeriut. Edhe
majmuni nuk shikon më njeriun ka mbetur vetë në lartësitë e vet, foshnje
engjëjsh artistik, me pafajësi të burgosur nga konturet e botës njerëzore.
Mendja e çmendur kërkon absolutin; është trajnim i gjatë shekujsh deri atëherë
kur lumenjtë ndalojnë rrjedhën e tyre. Çmenduria është e vërtetë, si ajo që Antonin
Artaud përjetoi; tek Van Goghu gjejmë reflekse të tij , piktori që u vetëvra, i
ndikuar nga një univers tjetër ku ngjyrat flasin gjuhë të panjohura për mendjen
e kufizuar. Van Goghu vdiq brenda përmasave njerëzore diçka që mendja çmendur
nuk e pranon dot. I çmenduri sfidon Zotin, nuk kërkon shumim fizik, sepse
bollëku është në mendje, jo në botë. Ai nuk e përshpejton njerëzimin ai e shtyn
botën me mendje, dhe gjeniu i çmendur konkuron vetë universin. Fiksioni bëhet
realitet cilit realitet? Atij që mendojmë dhe ndjejmë në thellësi të zemrës,
sepse asgjë nuk ekziston, nëse zemra ndalet.
Realiteti
në harmoni me organet tona formon një interes kolektiv, duke e veçuar
çmendurinë si dhimbje, vuajtje, liri. Në një hap të vetëm, mendja e çmendur del
jashtë kufijve: ecim me këpucë që shpërfillin baltën, por çdo hap provokon një
therje te gjunjët – dhimbje pa përkulje, përpjekje e vazhdueshme. Ka të tjerë
që, në ankth, shkruajnë "Jezus na shpëto" mbi muri, klithmë
shpirtërore që na rikujton tablonë e Edvard Munchut: qielli i kuq me pika shiu
gjaku mbi ballin e çmendurit, duke ecur mbi një urë druri përballë lumit që
rrjedh i pashoq.Çmenduria është ekstazë përtej dehjes dhe drogës, sfidë e
mendjes, një mish shpirtëror që matet me gramë dhe dritë. Dhimbja është vetë
esenca e saj, por ka edhe një çmenduri më të madhe: tejkaluese, e pafund. Unë
jam i çmendur dhe dua të çlirohem nga zinxhirët e këtij shpirti që prek akullin
me buzët e ftohta, ku rrëshqasin budallenjtë. Nuk dua as kohën, as moshën, por
qiellin dhe dritën që peshon mbi sytë e mi të vetmuar. Çmendur nga ekstaza më e
thellë, fragmente filozofësh shndërrohen në tokë të harlisur asgjë nuk
kuptohet, dhe jeta merr formën e një formule kolektive, ku moskuptimi vetë
bëhet thelbi. Kuptimi fshihet në thellësitë e çmendurisë individuale, aty ku
tingëllojnë telat më të ndjeshëm të shpirtit.Të jesh i çmendur nuk do të thotë
të jesh vulgar, as i mirëmbajtur, as artist, as filozof do të thotë të jesh i
sinqertë deri në thellësi, të përjetosh vetminë dhe dashurinë përtej çdo
rregulli. Të mendosh lirshëm, të ndjesh fort dhe të jesh i çliruar nga çdo
prangë.