E merkure, 30.04.2025, 05:14 AM (GMT+1)

Kulturë

Mihal Gjergji: Natyra dhe njeriu

E marte, 08.04.2025, 06:50 PM


NATYRA DHE NJERIU

Nga Mihal Gjergji

Pak njerëz jetojnë në Kurvelesh, dhe ata të paktë që kanë mbetur, tashmë s’luftojnë me njeri-tjetrin, përkundrazi, rebelohen ndaj autoritetit imponues të maleve hijerënda; Këndrevica, Këbuzi, Trushnica, Kanatai, Maja e bukur, Mali i Thatë, Bohotina….Seicili nxiton për ta ngritur stanin sa më afër majave. Egoizmi e shoqëron njeriun në çdo hap, si hija e trupit të tij. Doemos dhe krenaria. E kjo luftë e heshtur vazhdon gjer në fundin e gjalljes së tyre, ku treten supevarur nën peshën e vetmisë pikëlluese. Banorët, aq shumë të lodhur nga litarët e padukshëm që i tërhoqën zvarrë për dekada të tëra, patën fatin e keq dhe provuan gjer në dhimbje frymën e nënshtrimit, të frikës, të përuljes gjer në kufijtë e shenjtë të moralit. Për të mos humbur madhështinë e trashëguar hoqën dorë nga lufta me të pabarabartët, sepse ndryshe do humbisnin dinjitetin. Askush s’e njohu dobishmërinë e tyre dhe liria në skamje qënka e pamendueshme. E megjithatë, asnjë sundimtar s’mundi t’ua shembë kullat e bujarisë që lartësohen brenda shpirtit të këtyre njërëzve, bashkëjetues me shkrepat dhe egërsirat e dheut. Më ka ndodhur të shikoj me kurreshtje plisat e arave, të ndjej fëshfërimën e barit që përcjell kumte me gjuhë misteresh. Parmenda hapte brazdat e ugarit, ndërsa bujkesha me duart e argasura nga puna, hidhte farën e re në emër të jetës. Edhe gurët e këtij trualli janë madhështorë, si statuja luftëtarësh të gdhendura nga duar të padukshme. E çuditërisht, këta gurë ngjasojnë me diamantet dhe ruajnë brenda vetes histori të pafundme e gjurmë gjaku të shekujve të shkuar. Kështu janë gdhendur e përcjellë legjendat për të mbritur gjer në ditët tona. Tashmë kujtohen rrallë bëmat e atyre që bënë histori dhe derdhën gjakun për të mbrojtur vatrat dhe ruajtur nderin, jo vetëm të tyre. Gjithsesi, ata jetojnë. Leshrat ibërshimë që u vareshin mbi supe dhe jataganët e stolisur kanë mbetur në të shkuarën e largët.

Kurvelesh, Prill 2024.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx