| E marte, 08.04.2025, 06:50 PM |
NATYRA
DHE NJERIU
Nga
Mihal Gjergji
Pak
njerëz jetojnë në Kurvelesh, dhe ata të paktë që kanë mbetur, tashmë s’luftojnë
me njeri-tjetrin, përkundrazi, rebelohen ndaj autoritetit imponues të maleve
hijerënda; Këndrevica, Këbuzi, Trushnica, Kanatai, Maja e bukur, Mali i Thatë,
Bohotina….Seicili nxiton për ta ngritur stanin sa më afër majave. Egoizmi e
shoqëron njeriun në çdo hap, si hija e trupit të tij. Doemos dhe krenaria. E
kjo luftë e heshtur vazhdon gjer në fundin e gjalljes së tyre, ku treten
supevarur nën peshën e vetmisë pikëlluese. Banorët, aq shumë të lodhur nga
litarët e padukshëm që i tërhoqën zvarrë për dekada të tëra, patën fatin e keq
dhe provuan gjer në dhimbje frymën e nënshtrimit, të frikës, të përuljes gjer
në kufijtë e shenjtë të moralit. Për të mos humbur madhështinë e trashëguar
hoqën dorë nga lufta me të pabarabartët, sepse ndryshe do humbisnin dinjitetin.
Askush s’e njohu dobishmërinë e tyre dhe liria në skamje qënka e pamendueshme.
E megjithatë, asnjë sundimtar s’mundi t’ua shembë kullat e bujarisë që
lartësohen brenda shpirtit të këtyre njërëzve, bashkëjetues me shkrepat dhe
egërsirat e dheut. Më ka ndodhur të shikoj me kurreshtje plisat e arave, të
ndjej fëshfërimën e barit që përcjell kumte me gjuhë misteresh. Parmenda hapte
brazdat e ugarit, ndërsa bujkesha me duart e argasura nga puna, hidhte farën e
re në emër të jetës. Edhe gurët e këtij trualli janë madhështorë, si statuja
luftëtarësh të gdhendura nga duar të padukshme. E çuditërisht, këta gurë
ngjasojnë me diamantet dhe ruajnë brenda vetes histori të pafundme e gjurmë
gjaku të shekujve të shkuar. Kështu janë gdhendur e përcjellë legjendat për të
mbritur gjer në ditët tona. Tashmë kujtohen rrallë bëmat e atyre që bënë
histori dhe derdhën gjakun për të mbrojtur vatrat dhe ruajtur nderin, jo vetëm
të tyre. Gjithsesi, ata jetojnë. Leshrat ibërshimë që u vareshin mbi supe dhe
jataganët e stolisur kanë mbetur në të shkuarën e largët.
Kurvelesh,
Prill 2024.