E premte, 01.11.2024, 12:13 AM (GMT)

Sport » Legjenda

Dinastitë beratase brenda "kështjellës" së futbollit

E marte, 24.04.2007, 06:32 PM


Familjet e futbollistëve që lanë jo vetëm emrat e mirë te "Tomori"

Historia e futbollit beratas, si pjesë e historisë së futbollit kombëtar, meriton të nderohet e respektohet me të gjitha dimensionet që ai ka shpalosur te brezat që vazhdojnë të ruajnë thesare që vështirë se mund të çmohen për nga vlerat që kanë.

Aktorët dhe regjisorët që kanë bërë skenarët e këtij sporti magjik, ata që nuk jetojnë dhe ata që vazhdojnë të përjetojnë dramat e futbollit të sotëm, ndoshta janë më të privilegjuarit për faktin që kanë qenë ose janë persona publikë.

Berati, në ndryshim nga shumë qytete të tjera ka një të veçantë, që gjithsesi meriton vëmendje të veçantë, që sportin e ka bërë (në kuptimin e mirë të fjalës), "monopol" të "dinastive" ku babai, apo vëllezërit, ia kanë përcjellë stafetën djemve, apo dhe nipërve, duke krijuar kështu një "muze" të rrallë që mbart vlera të patjetërsueshme. Dhe pjesëtarët e këtyre "dinastive", që fatmirësisht shtrihen nga koha e zhvillimit të futbollit deri në ditët tona, kanë të drejtë që këtë pasuri të hipotekojnë si të paluajtshme e të patjetërsueshme nga askush.

Në këtë rubrikë "dosje", do të njohim lexuesin e gazetës "Metropol" me të gjithë ata që përbëjnë "dinastinë" beratase brenda "kështjellës" së futbollit, bashkë edhe me të gjithë aktorët që kanë bërë historinë e futbollit në Berat...

Babai që nuk e la të birin të bëhej futbollist

Pirro Xheblati, kapiteni "xhongler" që refuzoi "Partizanin"

Pirro Xheblati është ndër futbollistët e parë që kontribuoi për futbollin dhe atletikën, fill pas çlirimit të vendit.

Djali i tij, Andrea, përveç aktivitetit si gjimnast, prej tri dekada përgatit futbollistë për "Tomorin"...

Ishte viti 1944, kur bashkë me lajmin e çlirimit të Shqipërisë, në Berat kishin nisur lëvizjet për organizimin e veprimtarive sportive, me qëllim që festa të bëhej më e plotë. Qendra e aktiviteteve u bë Berati i çliruar dhe ditët e tetorit u shpallën ditë sportive.

Kalendari i veprimtarive ishte i pasur me sporte të ndryshme dhe me pjesëmarrje të skuadrave të ndryshme.

Sportdashësit beratas ende ruajnë në kujtesë ndeshjet e futbollit, volejbollit, garat atletike, ushtrimet gjimnastikore etj.

Për futbollin u organizua një kupë e emëruar "Berati" ku morën pjesë "Tomori", skuadra ushtarake e Skraparit, skuadra e Brigadës së VII-të e Brigadës së VIII-të. Kjo kupë u fitua nga Tomori.

Në formacionin e beratasve të porsadalë nga lufta, ra në sy dhe tërhoqi vëmendjen një sulmues i talentuar që luante i barabartë me më "veteranët" si Liko Kuçova, Ibrahim Hoxha, Stavër Janinoti etj. Ky djalosh ishte Pirro Xheblati, i cili më pas do të bëhej lojtari më i mirë dhe kapiteni që dinte të jepte drejtim në situata të vështira.

Pirro Xheblati, refuzon "Partizanin"

Nuk është rastësi që në vitet 1944-1956, kohë me të cilën përkon karriera sportive e mjeshtrit Pirro Xheblati, ky futbollist bënte pjesë në grupin e sportistëve më të dalluar dhe së bashku me Liko Kuçovën (trajner e futbollist), Fiqiri Kazazin, Spiro Vallen, Eqrem Berberin dhe Zoi Gjikën, të ftoheshin në Ballkaniadë nga FSHF-ja.

Pirro Xheblati ishte nga ata futbollistë që dinte të bënte diferencën, veçanërisht në drejtimin e skuadrës gjatë lojës, pasi ai pjesën më të madhe ka qenë kapiten i skuadrës së "Tomorit".

Ai kishte rënë në sy të autoriteteve të kohës, të cilat mezi po gjenin një rast që ta tërhiqnin me ekipet e kryeqytetit, e veçanërisht me "Partizanin".

Oferta e parë ju bë në vitin 1945-1946, kur Pirroja kryente shërbimin ushtarak në Gjirokastër dhe në atë kohë u organizua një kampionat midis garnizoneve ushtarake. Me lojën e tij virtuoze e me xhonglimet perfekte, futbollisti i "Tomorit" tërhoqi vëmendjen e titullarëve të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, të cilët i kërkuan që ai të luante me "Partizanin".

"Edhe pse babai kishte dëshirë të bëhej i njohur te një skuadër si “Partizani”, ai preferoi që të shërbente për ngjyrat e “Tomorit” të cilin e deshi deri në fund të jetës së tij", tregon djali Pirros, sot trajner me grupmoshat, Andrea Xheblati.

Më tej, Andrea kujton modestinë me të cilën i ati përcillte ngjarjet sportive të jetës së tij, duke mos folur kurrë për meritat e tij.

Pirro Xheblati "xhongleri" i "Tomorit"

Gjithsesi shokët dhe miqtë e tij, gjejnë kohë e rast që të sjellin në "ekran" sekuenca nga jeta sportive e Pirros..., si ajo në ndeshjen me "Besën", kur "xhongleri" i “Tomorit” kishte si barrikadë në mbrojtje të të madhit Teliti, i cili ishte edhe futbollist i ekipit tonë përfaqësues. Në këtë ndeshje, Pirroja, jo vetëm arriti ta neutralizonte mbrojtësin e shquar, por arriti edhe të shënonte dhe që nga ky moment në stadium thirrej vetëm një emër, ai i Pirro Xheblatit.

Pirroja, përveç shumë karakteristikave që e kompletonin atë si futbollist, kishte edhe një të veçantë që nuk e ka pasur asnjë futbollist në kohën e tij. Ai kishte një mënyrë origjinale të marrjes dhe mbajtjes së topit me gjoks, e cila e bënte atë një "xhongler" të tipit artistik. Kjo është dhe arsyeja që ai thirrej me nofkën "xhongleri", gjë që e meritonte plotësisht.

"Pirro ishte dhe një kapiten i madh, kujton një nga bashkëkohësit e tij. Sapo mbaronim stërvitjen apo ndeshjen, fëmijët vraponin se kush të merrte i pari çantën e Pirros apo siç thoshin ata, 'çantën e kapitenit'".

Pirro Xheblati ishte një kapiten që për skuadrën sakrifikonte gjithçka.

"Në atë kohë kishim një shoqëri ideale dhe pa hile, vazhdon bashkëkohësi, dhe i ndodheshim pranë njëri-tjetrit, veçanërisht në hidhërime. Pikërisht, kjo frymë e bënte futbollin më të bukur se sa ishte në të vërtetë. Si gjithmonë, në krye të shoqërisë kishim kapitenin Pirro Xheblati".

Gjithë jetën tifo për "Tomorin"

Pirro Xheblati, një atlet i mirë dhe kampion noti

Përveç kontributit në futboll si futbollist, Pirroja ka qenë dhe një atlet e notar i shkëlqyer. Mjafton të kujtohet që në një kampionat noti në qytetin e Pogradecit, ai zuri vendin e parë. Deri në fund të jetës së tij, ai e ndoqi skuadrën e "Tomorit" nga shkallët e stadiumit, me dhimbjen që futbolli ka nevojë për më shumë përkujdesje.

Mik me Spiro Vallen, Thoma Koxhakun, Zoi Konomin, ai vlerësonte talentin e papërsëritshëm të Përparim Kovaçit dhe Robert Kokalarit, të cilët i konsideronte si më të paarritshmit në kohëra.

Prej tri dekadash, ka nxjerrë dhjetëra futbollistë

Andrea, i biri Pirros, gjimnasti trajner futbolli

Pirro Xheblati edhe pse ia përkushtoi jetën pasionit për futbollin, për djalin e tij Andrea nuk e dha asnjëherë "ok"-ein që ai të bëhej futbollist.

"Madje, kujton Andrea, babai nuk donte që unë të bëhesha as trajner, jo se nuk kishte besim te unë, por sepse ai vetë ishte një tip sensibël dhe nuk duronte dot përgojimet apo tymnajat e kohës... Megjithatë, vazhdon të tregojë Andrea, specialisti i njohur i futbollit, sa herë që në kronikat radiofonike përmendej mbiemri Xheblati, njerëzit kujtonin se bëhej fjalë për Pirron dhe kjo për mua ishte një kënaqësi e veçantë".

Andrea në rininë e tij ishte një talent në futboll.

Një nga trajnerët më të shquar që ka pasur ndonjëherë Tomori, Thanas Jançe, kishte tentuar disa herë që ta merrte me ekipin, por këmbëngulja e të atit ishte "jo" e madhe. Ai kërkonte që i biri të bëhej dikush në fusha të tjera të jetës, por jo në sport.

Gjithsesi, Andrea, krahas shkollës, u morr me gjimnastikë duke qenë një nga gjimnastët më cilësorë të "Tomorit".

Në vitin 1976 përfundoi Institutin e Kulturës Fizike e Sporteve në specialitetin e futbollit duke u diplomuar për trajner. Edhe në këtë rast, udhëheqës shpirtëror për të, bëhet mjeshtri Thanas Jançe.

Pas shkollës kthehet në Berat dhe së bashku me të mirënjohurin Luke Hodo drejton ekipin e të rinjve, të cilin brenda një sezoni e nxorën, nga vendi i fundit ku ishte, në kategorinë e parë. Më 1977, Andrea merr drejtimin e ekipit të të rinjve dhe në përfundim e renditi “Tomorin” në vend të dytë. Ishin pikërisht futbollistët e përgatitur nga ai ata që bën plejadën më të ndritur në historinë e futbollit të Tomorit, A. Kokalari, P. Kovaçi, N. Kule, A. Thiraj, A. Tahiraj, A. Bilibashi, L. Mino, etj.

Që në moshën 23-vjeçare trajneri i futbolli, Andrea Xheblati, punon prej tri dekadash, ku ai veçon periudhën e ndritur (deri në vitin 1988), kur ai punonte së bashku me trajnerin e apasionuar Guxim Mulki. Kjo dyshe ka qenë unikale dhe ndoshta e vetmja në Shqipëri që ka punuar kaq gjatë e në marrëdhënie shumë korrekte pune.

Në punën e tij si trajner, Andrea Xheblati, ka ndjerë dhe ndjen shumë kënaqësi, por nuk do të harroj kurrë atë fitore të "Tomorit" ndaj "Partizanit" në Berat me rezultatin 4-0, apo zbulimet e tij që vazhdojnë të kontribuojnë edhe sot siç janë Kliton Bozgo, Ilir Caushllari e deri te më të rinjtë Karamani, Lala, Malasi, Mali etj, të cilët të gjithë kanë kaluar nëpër duart e Andrea Xheblatit.

Aktualisht, Andrea drejton ekipin e para të të rinjve "Tomori" dhe është i vetmi specialist futbolli që kontribuon realisht për futbollin e qytetit të tij.

At e bir, Llukani dhe Miltua, të dy sulmues të majtë, stafetën ia kanë lenë Abertit dhe Altinit

Llukan Monka, këpucari me "sallaken" e thatë që provoi edhe burgun e Spaçit

Në historikun e futbollit beratas, që nga momentet e para, kur nisi të luhej loja që pushtoi mijëra zemra sportdashëse të këtij sporti popullor, janë të shumtë emrat e futbollistëve të së njëjtës familje, të cilët përfaqësojnë epoka të ndryshme, dhe secili ka kontributin e veçantë në evoluimin e futbollit në qytetin e lashtë. Kjo dukuri nuk mund të quhet kurrsesi një rastësi, se sa një traditë që vazhdon edhe në ditët e sotme, dhe është shembulli më unikal i dashurisë së familjeve beratase për sportin më të dashur, futbollin.

Që nga vitet 1934 e deri në ditët tona numri i futbollistëve, pjesëtarë të së njëjtës familje ose siç quhen "dinasti" i kalon të 50 sportistë.

Një ndër këto familje me tradita në futboll, është familja e njohur, autoktone beratase me mbiemrin "Monka".

Llukani i pari i “Monkave", përveçse ishte një golashënues i aftë, kur në tre kampionate 1948, 1949, 1950 ai ishte midis golashënuesve më të mirë të "Tomorit", u shfaq edhe si një atlet e pingpongist i zoti.

Futbollisti me profesionin këpucar, edhe pasi provoi padrejtësisht burgun e Spaçit, plot 5 vjet, deri në momentet e fundit të jetës nuk ju nda futbollit.

Llukan Monka, "sallakja" e thatë e "Tomorit"

Ishte Kampionati Kombëtar i vitit 1947, kur skuadra e Beratit "Tomori" konkurronte me skuadrat më të mira të Kategorisë së Parë, në kampionatin Kombëtar të Futbollit. Në këtë kampionat, atë vit, bënin pjesë 9 skuadra, "Vllaznia", "Tomori", "Skënderbeu", "Teuta", "Flamurtari", "Bashkimi", "Shqiponja", "Tirana" dhe "Partizani".

Ky kampionat, për beratasit konsiderohet nga më të suksesshmit, jo vetëm për faktin se "Tomori" u rendit në vendin e 6-të, por edhe sepse reparti më i mirë ishte ai i sulmit ku midis emrave të njohur, Spiro Valle, Ibrahim Hoxha, Bajram Qojle, u aktivizua edhe një emër i ri.

Ishte sulmuesi i krahut të majtë Llukan Monka, i cili gati do të shënonte në çdo ndeshje.

"sallakja", nofkë që Llukan Monkas, i mbeti për goditjet e forta e të thata, ishte lojtari kryesor i sulmit në formacionin e trajnerit Liko Kuçova, ndërsa do të ishte ai lojtari deçiziv për skuadrën në momentet më të vështira.

Bashkëkohësit e tij, e kujtojnë Llukanin, si lojtarin më të fuqishëm të "Tomorit" të viteve 1947-1952 si dhe si sportistin që mbante gjallë frymën e kolektivitetit, aq e domosdoshme për atë kohë...

I biri i tij, pasardhës i denjë i familjes Monka, Miltua, thotë se, gjithçka ka arritur në futboll, e ka trashëguar nga pasioni i të atit.

"Unë kam luajtur fillimisht me këmbën e majtë, por babai që më qëndronte gjithmonë afër, nuk më linte kurrë që të stërvitesha vetëm me këmbën e majtë, duke më detyruar që të godisja edhe me të djathtën. Është meritë e tij që unë kam luajtur me të dyja këmbët".

Ai konkurroi edhe si trajner i "Tomorit 2" dhe nxori një skuadër që kishte elementë më të mirë se skuadra kryesore e ekipit kryesor "Tomori".

Llukan Monka mbylli sytë në vitin 1986 duke lënë pas kujtimet e një njeriu të mirë dhe një sportisti plot pasione.

Milto Monka, "Bëmë baba, të të ngjaj...!"

Milto Monka është djali i futbollistit të shquar Llukanit.

Ai ka luajtur në formacionin e "Tomorit" në vitet 1969-1976, në rolin e sulmuesit të krahut të majtë. Me Milton në sulm, "Tomori" po përsëriste, pak a shumë, vitet kur luante i mirënjohuri babai i tij, Llukan Monka, pasi këtu u sintetizua plotësisht shprehja e urtë popullore, "bëmë baba, të të ngjaj...!".

Për këtë moment të jetës së tij, Miltua tashmë mbi 50-vjeçar, tregon...

"Unë, është e vërtetë që kam luajtur sulmues i krahut të majtë, por mund të luaja njësoj edhe në krahun e djathtë për faktin që nga babai kisha mësuar të luaja me të dy këmbët. Lojtari vetëm me një këmbë, është i paralizuar, më thoshte shpesh babai, tamam si ai njeriu intelektual që nuk di asnjë gjuhë të huaj, ndaj mësohu të stërvitesh me të dyja këmbët... E kam pasur për nder që gjatë karrierës sime sportive, kam pasqyruar disa cilësi të qenësishme të karakterit të babait tim...", shton Milto Monka.

Milto Monka bën pjesë në atë grup futbollistësh që kanë dhënë shumë për skuadrën, e cila në ato vite ka bërë pjesë në kategorinë e dytë. Ai ruan në kujtesë shumë gola që ka shënuar, por nuk harron ata të shënuar kundër Jani Ramës në Tiranë e atë kundër "Vllaznisë" në Berat, apo katërgolshin e shënuar në një ndeshje ndaj "Butrintit" të Sarandës.

Për dy vjet rresht, më 1975 e 1976 Miltua shpallet golashënuesi më i mirë i "Tomorit". Ishin vitet kur ai luante përkrah emrave të njohur si Polovina, Zinxhiria, Bakalli, Gugu, Cilingiri etj. Gjithsesi përveç babait, ai kishte idhull të tijin, të mirënjohurin Fatbardh Buzi te "Tomori", Panajot Panon në shkallë kombëtare, për të cilin thotë se nuk kishte asnjë mbrojtës që ta mbante.

Gjatë gjithë karrierës së tij sportive nga mbrojtësit më të vështirë vlerëson Perikli Dhalesin dhe Safet Berishën. Respektin më të veçantë e ruan për Sabri Behrin dhe Thanas Jancen, të cilët kanë qenë trajner të tij.

Stafeta, në duart të sigurta

Alberti dhe Altini, dy pinjollët e fundit

Alberti është vëllai i Miltos dhe si gjithë familjarët e tjerë ai u rrit nën frymën e babait dhe të vëllait. S'kishte se si t'i shpëtonte këtij pasioni për të cilin flitej nga mëngjesi në mbrëmje.

Berti e nisi futbollin në vitet '80 me ekipin e të rinjve dhe në vitin 1983 u aktivizua me ekipin e të rinjve të "Tomorit", me të cilin luajti vetëm dy vjet, për shkak të një dëmtimi që i humbi shumë kohë.

"Më vonë, thotë vetë ai, ishin kushtet ekonomike që më detyruan që të mos vazhdoja më dhe ky është një nga pengjet më të mëdha që kam në jetën time".

I fundit nga familja Monka që nisi rrugën e jetës me futbollin, është Altini, djali i Miltos, i cili ka përfunduar shkollën e mjeshtërisë sportive dhe në vitet 1989-1990 nisi aktivizimin me ekipin "Shkëndija", ku vazhdoi pak pasi shkoi në emigracion. Aktualisht ndodhet në Itali ku luan me një skuadër modeste. Ata që e kanë njohur Altinin, tregojnë se nëse ai do të kishte vazhduar futbollin, me siguri që do të ishte bërë një talent i madh për faktin që kishte të dhëna shumë të mira teknike. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora