E shtune, 27.07.2024, 05:43 AM (GMT+1)

Kulturë

Ndue Dedaj: Bërsheni i Velës, pemë e Jezusit?

E merkure, 03.04.2024, 07:52 PM


BËRSHENI I VELËS, PEMË E JEZUSIT?

NGA NDUE DEDAJ

Sa afër i kemi visaret natyrore dhe sa të paditur e të pandjeshëm jemi ndaj tyre.

Të shkruash për drurët është si të shkruash për njerëzit, pasi janë dhe ata frymorë të një lloji tjetër; lisat e bungës, qarrit e shpardhit, frashëri e bushi, aguliçet e ilçet, pishat e ahet, arrneni e mështeknat, boshtra e dëllinja, rrapet e palmat, plepat e selvitë e të tjera që shpesh nuk ua dimë emrat. Ja dhe bërsheni, thuajse i panjohur. Me një kurorë aq të rregullt. Monument natyror i spikatur. Thua më vete për një çast, sikur të ishte në sheshin Skënderbej e ta shihnin krejt shqiptarët, si dhe turistët. Po, pse, larg është, që të mos vijnë e ta shohin aty në trollin e vet!?

Të jetë bërsheni, dru i vetëm? Si Pisha e Shën Françeskut? Siç është dhe sot një man i çuditshëm gjethebardhë në Sheshaj. Dru i rrallë po (kuptohet me dy-tre “vocrrakë” të vetët përreth), por jo domosdo i vetmi, pasi nuk mund të ketë një dru unik. Të rrallë ishin dhe ultinjtë e Oroshit, por të paktën dy erdhën deri vonë. Drurët e një lloji janë gjithsesi një familje, e vogël apo e madhe...

Në një guidë të disa viteve më parë rreth pasurive natyrore të natyrës në Mirditë, shkruhet se bërsheni (Juniperus foetidissima) gjendet në masivin e Malit të Velës, në afërsi të “Gurit të Qytetës”, lartësia e tij është rreth 13 - 15 metra, me diametër mbi 1 metër. Mosha nuk është llogaritur shkencërisht, por është sigurisht disashekullor, qoftë dhe për faktin se ashtu mbahet mend nga më të vjetrit. Ka vlera shkencore, didaktike dhe turistike. Ai shërben si pikë orientimi për udhëtarët e këtyre anëve. Bërsheni haset dhe si mbiemër në vise të Shkodrës, duke hyrë në antropologji, ashtu si mbiemri “Frashëri” në Përmet, “Pisha” në Theth etj., çka tregon për vjetërsinë e tij në hapësirën shqiptare.

Nuk kemi në raftin e librave ndonjë enciklopedi bimësh për të shfletuar dhe bëjmë atë më të kollajtën, “pyesim” në botën virtuale dhe mënjëherë buisin informacionet, sipas të cilave bërsheni është një pemë e lashtë shumëshekullore, që gjendet në një varrezë të Uellsit, pema më vjetër në Mbretërinë e Bashkuar, që vjen që nga epoka e bronzit. Një pemë jetëgjatë, që rron deri në 600 vjet e shkon duke u ripërtërirë. “Mendohet se aftësia e pemës për të jetuar për kaq shumë vite mund të jetë për shkak të klimës me shi dhe numrit të madh të ditëve të vrenjtura në Uells”, thuhet.

Po ashtu mësojmë se bërshenjtë shihen shpesh në oborret e kishave në Evropë dhe për keltet ishin pemë të shenjta. Me kalimin e kohës, pema u bë gjithashtu një simbol i fuqishëm i krishterë. Për shkak të jetëgjatësisë së tij dhe mosrënies së gjetheve, bërsheni filloi të simbolizonte ringjalljen e Jezusit. Ka dhe më, por qëllimi ynë nuk është historia e këtij druri në botë, por origjina e këtij bërshenit të vetëm në kreshtat e Velës. Ky nga ka ardhur dhe si ndodhet këtu mes nesh, gjithsesi “i panjohur”? Të ketë qenë aty ndonjë kishë dhe të jetë sjellë nga priftërnjtë? Si ultinjtë e Oroshit nga fretërit? Nuk është i rastit aty toponimi Guri i Qytetës, aq më tepër rrënojat e mureve të vjetra.

Fotot, nga Nik Nikolli, Info-Kulla Rubik.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora