| E merkure, 03.04.2024, 07:52 PM |
BËRSHENI I VELËS, PEMË E JEZUSIT?
NGA
NDUE DEDAJ
Sa
afër i kemi visaret natyrore dhe sa të paditur e të pandjeshëm jemi ndaj tyre.
Të
shkruash për drurët është si të shkruash për njerëzit, pasi janë dhe ata
frymorë të një lloji tjetër; lisat e bungës, qarrit e shpardhit, frashëri e
bushi, aguliçet e ilçet, pishat e ahet, arrneni e mështeknat, boshtra e
dëllinja, rrapet e palmat, plepat e selvitë e të tjera që shpesh nuk ua dimë
emrat. Ja dhe bërsheni, thuajse i panjohur. Me një kurorë aq të rregullt.
Monument natyror i spikatur. Thua më vete për një çast, sikur të ishte në
sheshin Skënderbej e ta shihnin krejt shqiptarët, si dhe turistët. Po, pse,
larg është, që të mos vijnë e ta shohin aty në trollin e vet!?
Të
jetë bërsheni, dru i vetëm? Si Pisha e Shën Françeskut? Siç është dhe sot një
man i çuditshëm gjethebardhë në Sheshaj. Dru i rrallë po (kuptohet me dy-tre
“vocrrakë” të vetët përreth), por jo domosdo i vetmi, pasi nuk mund të ketë një
dru unik. Të rrallë ishin dhe ultinjtë e Oroshit, por të paktën dy erdhën deri
vonë. Drurët e një lloji janë gjithsesi një familje, e vogël apo e madhe...
Në
një guidë të disa viteve më parë rreth pasurive natyrore të natyrës në Mirditë,
shkruhet se bërsheni (Juniperus foetidissima) gjendet në masivin e Malit të
Velës, në afërsi të “Gurit të Qytetës”, lartësia e tij është rreth 13 - 15
metra, me diametër mbi 1 metër. Mosha nuk është llogaritur shkencërisht, por
është sigurisht disashekullor, qoftë dhe për faktin se ashtu mbahet mend nga më
të vjetrit. Ka vlera shkencore, didaktike dhe turistike. Ai shërben si pikë
orientimi për udhëtarët e këtyre anëve. Bërsheni haset dhe si mbiemër në vise
të Shkodrës, duke hyrë në antropologji, ashtu si mbiemri “Frashëri” në Përmet,
“Pisha” në Theth etj., çka tregon për vjetërsinë e tij në hapësirën shqiptare.
Nuk
kemi në raftin e librave ndonjë enciklopedi bimësh për të shfletuar dhe bëjmë
atë më të kollajtën, “pyesim” në botën virtuale dhe mënjëherë buisin
informacionet, sipas të cilave bërsheni është një pemë e lashtë
shumëshekullore, që gjendet në një varrezë të Uellsit, pema më vjetër në
Mbretërinë e Bashkuar, që vjen që nga epoka e bronzit. Një pemë jetëgjatë, që
rron deri në 600 vjet e shkon duke u ripërtërirë. “Mendohet se aftësia e pemës
për të jetuar për kaq shumë vite mund të jetë për shkak të klimës me shi dhe numrit
të madh të ditëve të vrenjtura në Uells”, thuhet.
Po
ashtu mësojmë se bërshenjtë shihen shpesh në oborret e kishave në Evropë dhe
për keltet ishin pemë të shenjta. Me kalimin e kohës, pema u bë gjithashtu një
simbol i fuqishëm i krishterë. Për shkak të jetëgjatësisë së tij dhe mosrënies
së gjetheve, bërsheni filloi të simbolizonte ringjalljen e Jezusit. Ka dhe më,
por qëllimi ynë nuk është historia e këtij druri në botë, por origjina e këtij
bërshenit të vetëm në kreshtat e Velës. Ky nga ka ardhur dhe si ndodhet këtu
mes nesh, gjithsesi “i panjohur”? Të ketë qenë aty ndonjë kishë dhe të jetë
sjellë nga priftërnjtë? Si ultinjtë e Oroshit nga fretërit? Nuk është i rastit
aty toponimi Guri i Qytetës, aq më tepër rrënojat e mureve të vjetra.
Fotot,
nga Nik Nikolli, Info-Kulla Rubik.