Mendime
Albert Zholi: Flet Afrim Avdiaj, kryetar i Komunitetit të emigrantëve në Hania, Kretë
E diele, 19.06.2022, 06:09 PM
Flet Afrim Avdiaj, kryetar i Komunitetit të emigrantëve në Hania, Kretë:
Jam
ndjerë keq nga Z. Majko që na premtoi për një takim gju më gju, por na harroi
Nga
Albert Z. ZHOLI
Afrim
Avdiaj është një nga drejtuesit e shoqatave më aktive të emigrantëve shqiptarë
në Greqi. Ai ka mbi 20 vjet në Hania të Kretës ku ka bërë shumë aktivitete me
komunitetin shqiptarë mdaje duke hapur dhe një klasë të gjuhës shqipe. Ai është
gjithmonë luftarak por nuk bën kompromis me askënd në emër të së drejtës.
-Ju si kryetar i
komunitetit shqiptar në Hania, Kretë, këtë detyrë e quani nder apo përgjegjësi?
Si
kryetar i Komunitetit që jam do doja t’ju bëj me dije disa pika që ua kam bërë
të qarta të gjithëve atyre që më zgjodhën, në të cilat nuk duhet të më
keqkuptoni, por të më mirëkuptoni, sepse po shkruaj dhe unë me të njëjtin
qëllim. Kryetari i Komunitetit apo i shoqatës, quajeni si të doni, nuk ka
fuqinë të ndryshojë asnjë ligj apo asnjë nen të ndonjë ligji ose më saktë;
asnjë paragraf të ndonjë neni: me pak fjalë nuk jam i plotfuqishëm për të
zgjidhur çdo hall apo çdo problem që mund të ketë kushdo.
Dëshirat
e mia janë të mëdha, por fuqinë e kam të kufizuar.
Puna
ime si kryetar është të transmetojë të gjitha problematikat tona që na
shqetësojnë në pushtetin vendor dhe qëndror.
Por
do ju lutesha shumë të më kuptoni, se puna e kryetarit të nderuar nuk është as
të gjej vende pune, apo të gjej shtëpi për të gjithë të interesuarit.
Sa
herë që kemi ndonjë kërkesë për vende pune i shpallim në faqen tonë të fb ose
në gazetën tonë elektronike ( albcrete.gr) ose në gazetat lokale në prefekturën
e Haniasë.
Do
ju lutesha shumë të kuptoni rolin e organizatës dhe mos na shqetësoni me problem,
të cilat nuk janë të profilit tonë kombëtar.
Koha
jonë është tepër e kufizuar për t’u marrë me tema, të cilat kushdo mund t’i
zgjidhi vetë.
Koha
jonë është koha që ja shterojmë familjes sonë, fëmijëve tanë, shoqërisë dhe
miqësisë sonë për të ndihmuar në çdo lloj forme këdo që mundemi.
Do
punoj me përkushtim për çfarë jam zgjedhur dhe të jeni të sigurt, që nuk do ju
zhgënjej, por; për atë që jam zgjedhur.
-Cila është plaga më e
madhe që ndjeni në emigracion?
Plaga
më e dhimbshme që kam në jetë është largimi nga vendlindja.
Por
më e dhimbshme është kur mendon se brek grisurit, politikanët tanë të këtyre 30
vjetëve na dhanë dhjerokraci,,, na dhanë liri duke më lënë në mëshirë të fatit,
duke më marrë nderin dhe gjithçka që kisha si njeri, duke më dërguar derë më
derë të botës si derollan.
Sot
jam i boshatisur nga çdo gjë që më lidh me vendin tim, jam i boshatisur nga
ndjenja e dashurisë që kisha dikur për çdo gjë që më rrethonte, jam i
boshatisur nga çdo gjë që ka të bëjë me vendin tim falë politikanëve buth pa
larë shqiptarë.
Kështu
pra;
Politika
shqiptare e 30 viteve të fundit bëri atë që nuk ta bënte as hasmi. Më shuajti
çdo ndjenjë që kisha, më mori krenarinë, më mori djalërinë, më mori
fisnikërinë.
Sot
si emigrant që jam, si në Greqi po ashtu dhe në Shqipëri po mundohem të mbledh
copëzat e thyera, për t’i bashkuar dhe për të formuar një ikonë, e cila të
trashëgohet tek brezi i ardhshëm, tek fëmijët e mi, të cilëve nuk ua ndjen fare
për Shqipërinë, falë politikanëve brek grisur, të cilët kujtojnë se duke bërë
para do arrijnë të andrrojnë brekët e tyre.
-Duke jetuar në Greqi si
e shikoni Reformën në Drejtësi në Shqipëri?
Sot
në drejtësinë shqiptare lind ende pyetja: Sistemi gjyqësor a merr vendime të
padrejta, dhe kush është e drejta në këtë mes? Sepse e drejta jote është
padrejtësia ime.
Dhe
njëkohësisht dëgjojmë për pagesa marramendëse tek sekserë avokat, të cilët nuk
të lënë as gurin e varrit pa të marrë për gjojapafajsinë tënde.
Përse
drejtësia apo padrejtësia duhet të paguhet me vlerë monetare, kur fare thjesht
drejtësia shpërblehet me liri, dhe padrejtësia dënohet për veprën penale?
Ose
më qartë përse sistemi lejon DRITARE për të anashkaluar situatat dhe në këtë
mes të dënohen qoftë dhe moralisht të dëmtuarit?
Përse
duhet të anashkalohet ligji kur ligji mund të ndërtohet në mënyrë të tillë pa
ato DRITARE ku zakonisht nga ato vrima fryn era korrupsion. Përse ligji duhet
të krijojë dyshime për vendim-marrje në çdo seancë?
Dhe
përse politika çdo herë në këtë sistem kërkon ta kapë dhe ta ketë në dorë këtë
treshe të përbërë prej ORATORËSH juristë?
Këto
pyetje kanë vetëm një përgjigje miq të nderuar: Sepse juristët kanë qenë ORATOR
të mashtrimit. Dhe ky sistem ishte i ndërtuar mbi ORATOR mashtrimi ku gjithmonë
mashtrimi është më i bukur se e vërteta.
Sepse
e vërteta është e ëmbël, por njëkohësisht dhe e hidhur, reale, por njëkohësisht
dhe tronditëse, e brishtë, por njëkohësisht dhe shkakton dhimbje modeste, por
njëkohësisht e pamjaftueshme, bujare, por njëkohësisht dhe armiqësore.
Sepse
e vërteta nuk ka zbukurime nga mashtrimi.
Por
në kohët e sotme populli shqiptar nuk është gati për të vërtetën, sepse është
uzurpuar nga mashtrimi mbase në një të ardhme të afërt do e kuptojë dhe do
çlirohet nga ky ves i keq, i ndërtuar nga një sistem i keq, ku përdoret po nga
njerëz të këqinj.
-Keni bërë shumë takime
me politikanë shqiptarë? Nga cilat takime jeni më i indinjuar?
Një
takim, i cili u shoqërua me një premtim, i cili nuk u mbajt kurrë ai me Pandeli
Majkon.
Nuk
e di miq të nderuar përse politikanët mashtrojnë!
Premtimi
i z/Majko që do vij në Kretë dhe do bisedoj me shqiptarët e Kretës gju më gju
për hallet dhe për problemet që na shqetësojnë nuk u mbajt.
Mua
më lind e drejta sot t’i them se është një mashtrues dhe një politikan, i cili
nuk meriton respekt.
Presioni
që bëri z/ Ministër në takimin që kishim ne si përfaqësues të Komunitetit në
Ambasadë, ishte një presion nga i cili z/Majko donte të dilte nga situate, që
kishin formuar të gjitha qeveritë gjatë gjithë këtyre 30 vjetëve?
Ky
presion bëri që përfaqësuesit e Komunitetit tonë nga gjithë Greqia të heshtnin
dhe të mos kërkonin atë për çfarë kishim shkuar në atë takim.
Loja
politike nga politikanë të pazot edhe njëherë bëri punën e vet: premtimet boshe
nga politikanë me kapacitet të ulët gjunjëzuan dhe njëherë komunitetin tonë në
Greqi.
Klanet
politike dhe seksereske në ambasadën tonë vazhduan të bënin kërdinë në kurriz
të bashkëkombësve tanë.
Por
mobilizimi i Komunitetit tonë dhe fryma bashkëpunuese bëri që politika të
detyrohej për të kthyer sytë nga emigrantët shqiptarë të Greqisë.
Respekte
pa fund për të gjithë aktivistët shqiptarë që ishin pjesë e bashkimit dhe e
bashkëpunimit.
Komuniteti
shqiptar në Greqi tregoi se vetëm të bashkuar dhe pa ju lëpirë politikës ja del
mbanë.
Politika
gjunjëzohet vetëm nga bashkimi, prandaj mikesha dhe miq vetëm të tillë bëjmë që
politika t’i bëjë hesapet mirë, qoftë ajo shqiptare po ashtu dhe ajo greke.