E diele, 28.04.2024, 03:47 PM (GMT+1)

Kulturë

Gladiola Busulla: Poezia është njëlloj si dielli, ajri, uji

E diele, 14.12.2008, 12:23 PM


Gladiola Busulla: Të vetmet gjëra që kam botuar në prozë kanë qenë ese dhe kritika mbi romane apo piktura.

Poezia është njëlloj si dielli, ajri, uji

Nga Albert Zholi
 
E qeshur dhe plot dinamizëm. Pasioni i saj letërsia dhe vetëm letërsia. Shkruan kryesisht poezi dhe ese. Por në raste të veçanta merret dhe me kritikë letrare. Lindur më 13.04.1983 në Durrës. Jeton dhe punon po aty. Ka përfunduar studimet për gjuhë-letërsi më 2005, në UT. Ka botuar vëllim poetik "Dëshire përsosmërie".Merret me gjithçka që relacionohet me letërsinë.Në këtë pronocmim për Telegaf ajo tregon rrugën drejt krijimtarisë dhe emocionet në Poeteka 5 që u zhvillua para disa ditësh në qytetin bregdetar të Durrësit
 
Gladiola emër interant. Kush ishte personi që ju ka vendosur këtë emër të rrallë dhe interesant ?

- Emri Gladiola (i frymëzuar nga lulja meqë kam lindur në pranverë) iu duk i përshtatshëm dhe interesant prindërve të mi. Shqipërohet shpatëz dhe mendoj se kjo ishte arsyeja që i nxiti ata më fort të më quanin kështu. Besoj se emri, shpeshherë dekodifikon personalitetin e njeriut që e gëzon atë.

Kur ka filluar të shkruajë Gladiola dhe çfarë ka botuar për herë të parë?


Kam shkruar gjithmonë dhe mendoj se do të vazhdoj të shkruaj përgjatë gjithë jetës sime. Nuk varet nga unë, është përtej empirikes, një lloj lirie absolute. Për më tepër, unë poezinë e pëkufizoj një "res comunes", njëlloj si diellin, ajrin, ujin; pra dhurata të të gjithëve dhe pronë të askujt.
 
Mendimi juaj për krijuesit dhe kush e zbuloi si talent Gladiolën në letërsi?

Sipas meje nuk ka njerëz të talentuar, por ekzistojnë njerëz me zemër të madhe e të ndjeshëm; të aftë për të transmetuar emocionet e tyre dhe për të depërtuar pa frikë, pa ndrojtje dhe komplekse tek të tjerët. Këta janë krijuesit. Sa për pyetjen, kushdo që më njeh, e di që shkruaj.

A funksionon Lidhja e Shkrimtarëve apo shoqata e krijuesve në Durrës dhe çfarë aktivitetesh ka kryer?

Për mua është një lidhje - zgjidhje shkrimtarësh. Nuk jam pjesë e saj dhe vërtet që s'kam shfaqur as në trajtat më minimale, kuriozitet apo interes për të ditur më shumë se kaq. Megjitahtë në Durrës ka Lidhje Shkrimtarësh.
 
Impresionet tuaja të Poeteka IV që u zhvillua në Durrës?

Unë isha pjesëmarrëse për herë të parë në Poeteka IV, pra "neë entry". Një eksperiencë që më dha shumë gjallëri, emocione, njohje të reja me poetë të shkëlqyer nga Portugalia, Belgjika, Kroacia dhe lista vazhdon e vazhdon. Një tour i jashtëzakonshëm i poezisë, i kulturave dhe i shpirtit njerëzor. Meritat janë të drejtorit te festivalit, të cilin mund ta përgëzoj vetëm në një mënyrë" Të jesh i zakonshëm është një kualitet i jashtëzakonshëm". Në mënyrën më të natyrshme, poetët e huaj u njohën me mikpritjen dhe fisnikërinë që na karakterizon. Përmes artit prekën një dimension tjetër të Shqiperisë, atë të vërtetin.
 
A ka pasur kontestime për çmimet?

- Poezia nuk ka çmime, është koha që vendos për të. Por më lejoni disa vargje:
Tashmë e kuptoj
që s'e ndryshoj
dot botën.
Më ler të shkund rërën
nga sandalet e tua.

U dashurova me to, fill pasi i dëgjova. Autori i tyre ishte Casimiro do Brito, poeti i mirënjohur portugez që fitoi çmimin e parë.

Sipas jush cilat janë problemet që i shqetësojnë më shumë krijuesit e Durrësit sot
Nuk duhet të ketë asnjë lloj shqetësimi. Përsa më përket: nëse dua të botoj diçka, e botoj. Kjo është e gjitha.

Pranë kujt është më pranë Gladiola, poezisë apo prozës?

Absolutisht poezisë. Të tëra artet ( poezia, piktura, vallëzimi, muzika) krijohen përmes meditimit. Ky i fundit na mundëson sipas Osho - s, hyrjen në përjetësinë dhe lumturinë e pafundme. Psh., vibrimi i yjeve në qiell është një muzikë hyjnore, por fatkeqësisht jo të gjithë mund ta perceptojnë. Të vetmet gjëra që kam botuar në prozë kanë qenë ese dhe kritika mbi romane apo piktura. 

Shkrimtarët tuaj të preferuar brenda dhe jashtë Shqipërisë?

Lexoj shumë. Derivat i këtij fakti është renditja e pareshtur e një sërë emrash të letërsisë shqiptare dhe të huaj. Ne mund të shijojmë nga secili autor që lexojmë, pa u privuar nga roli i selektimit. Mendoj se ka të pavdekshëm si Tagora dhe Neruda, pa anashkaluar dhe poetët shqiptarë e që shkruajnë shqip si Podrimja e Serembe, prej të cilit kam huazuar krahasimin më të shkëlqyer për të evidentuar diçka apo dikë, "ishte si dashuri".
 
Aktualisht çfarë ka në dorë Gladiola?

Po vazhdoj të shkruaj poezi. Kjo është më e rëndësishmja për mua. Sa për librin, përmbajtja do të jetë me poezi, kurse titullin nuk e di. Atë e përcaktoj në momentin e fundit. Carpe diem, thonin latinët. Le të jetë çasti, ai që do ta zgjedhë. 


Lumturinë prekim

Nën vorbullën e ndjenjës
lumturinë prekim.
Pikëllimin dhe vuajtjen
sakaq i harrojmë.
Majat e gishtërinjve
qiellin arrijnë.
Dashuria ngashënjyese
vrullshëm na pushton.
E krejt befas,
ajo tretet.
Kujtimi i saj,
shpirtin-plagë miklon. 
 

Çastet e bukura

Format e përsosura të jetës
ngjizen.
Zgjasin
sa një pulitje sysh.
Gjithmonë na duhet
ta rishpikim lumturinë.
Në mbretërinë e Amave
hyjneshat e thurën për ne.
Ajo jeton pak,
Sa një pulitje sysh.
Ashtu si frymëmarrjet e Euforionit,
e destinuar të mbarojë shpejt.
Çastet e bukura
nuk zgjasin përgjithmonë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora