E diele, 28.04.2024, 11:49 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Evropa e bashkuar lindi në kohën e Charlemagne

E shtune, 13.12.2008, 09:13 PM


MESJETA/Një periudhë historike që jo pak e konsiderojnë të errët, të egër dhe regresive nga ana kulturore. E megjithatë...

ELENA BELLOMO

Periudhat historike nuk janë gjë tjetër veçse ritmi i frymëmarrjes së shpirtit që mendon historinë, pohonte Benedeto Kroçe dhe në fakt është e pamundur të këmbëngulësh se kqyrja e përvojave njerëzore është një element i brendshëm dhe jo një sajim i atyre që i kanë kushtuar energjitë e tyre studimit të evolucionit të qytetërimit në planetin tonë. Me këtë nuk duam të themi se në momente të caktuara njerëzit e të kaluarës dhe të së tashmes nuk kanë thënë me zë të lartë se kanë jetuar në ngjarje të jashtëzakonshme, të cilat do të ndryshonin përgjithmonë ecurinë e njerëzimit, por që në realitet shumë pak prej ngjarjeve të tilla janë konsideruar si vendimtare në ndjekjen skematike të periudhave historike që mësojmë në shkolla.

Një vëzhgim i tillë është i vlefshëm për vetë epokën e Mesjetës, që nëpër manualë tregohet se ka nisur në 476, vit kur Odoakri ridërgoi në Kostandinopojë simbolet e Perandorisë Romake të perëndimit dhe kjo pushoi së ekzistuari institucionalisht. Në ndërgjegjen e bashkëkohësve, një fakt i tillë kishte shkaktuar megjithatë një lloj ankthi apo ndoshta edhe agoni. Ishte perceptuar vërtet si një flamur ushtarak i historisë? Në fakt, nuk na rezulton që pikërisht në atë vit ndokush u nxit prej ngjarjeve që të dekretonte fundin e epokës antike. Ndryshimet kishin kohë që kishin nisur me asimilimin në rritje të popujve barbarë në brendësi të perandorisë dhe më pas me vërshimin e tyre përtej kufijve të saj. Më vendimtare dukej si ngjarje penetrimi i Romës nga vandalët, që kishte thyer një herë e mirë mitin e paprekshmërisë së Qytetit të Përjetshëm dhe që i kish lënë shumë mbresa mendjeve të mëdha si Shën Agustini apo Shën Zherolemi. Pra, shpesh herë vetëdija e qartë se lindja e një epoke të re është e pranishme vetëm në mendjet e historianëve dhe jo në mendjen e bashkëkohësve. Megjithatë, shpesh herë edhe vetë studiuesit nuk janë shumë dakord me të tjerët. Pikërisht sepse është shpesh herë fryt i mendimit, kufiri historik i një epoke mund të spostohet lehtësisht. Ndërkohë që, kush e vlerëson Mesjetën pikësëpari si një epokë kristiane vendos 313-ën, vit i Dekretit të Kostandinit, i cili liberalizon këtë fe si datë e fillimit të një epoke të re.

Ndërkohë, ata që konsiderojnë si element karakterizues të epokës antike unitetin e Mesdheut, përcaktojnë se një periudhë e re ka nisur vetëm në shekullin VI, atëherë kur invazioni arab shkatërroi një unitet kulturor dhe tregtar, të cilin edhe barbarët e kishin lënë të paprekur. Ndërkohë, ata që konsiderojnë të domosdoshëm kushtin e vendosr nga popullsitë gjermanike, atë të krijimit të një qytetërimi të ri mesjetar, paraqet si çast vendimtar vitin 406, vit në të cilin ndodhi hyrja e tyre deçizive në perandori.

Limiti fillestar i Mesjetës qëndron kështu si dytësor sa i përket problemit që kemi më për zemër. E njëjta gjë vlen për limitin përfundimtar, duke patur parasysh që shumë njerëz ofrojnë ngjarje të ndryshme, Ndarjen e Madhe të Perëndimit (1404-1414), Jubileun e 1300, ndryshimet kulturore të shekullit XIV, apo zbulimi i Amerikës lajmëtare të fundit të epokës mesjetare dhe të lindjes së një ndjeshmërie të re. E vetmja e dhënë e pakundërshtueshme mbetet ekzistenca në brendësi të këtyre dy limiteve të debatueshëm e një epokë të caktuar historike, e cila ka në vetvete karakteristika të sakta që e diversifikojnë dhe e dallojnë nga çdo lloj momenti tjetër në historinë e njerëzimit. Po kush e ka zbuluar apo krijuar për herë të parë? Kush i ka dhënë një emër? Ishte Kristofor Keller, emri i latinizuar i të cilit ishte Cellarius, që në vitin 1688 shkroi i pari për një "Historia Medii Aevi".

Kështu që, duket se Mesjeta ka lindur disa shekuj pas vdekjes së saj!? Keller, në veprën e tij na flet për një epokë ndërmjet viteve 326 (transferimi i kapitalit perandorak në Kostandinopojë) dhe 1453 (rënia e Bizantit në duar të turqve), duke e konsideruar qartë si atë periudhë që ishte gjendur ndërmjet zhvillimit të qytetërimit klasik dhe epokës së re që ai vetë po përjetonte. Pra, Mesjeta nuk dukej se kish tipare të sajat të caktuara, por ngjante më shumë si një intermexo, ndoshta jo shumë e lumtur, mes dy periudhave vendimtare të historisë. Në të vërtetë, ideja e Keller nuk ishte aspak e re.

Prania e kësaj epoke ndërmjetëse, një hibrid i çuditshëm i arsyes dhe supersticionit, i brutalitetit dhe papërvojës, ishte shfaqur ndërkohë qartë tek humanistët italianë, të cilët përtej saj shihnin me admirin mrekullinë e artit klasik. Një ndjesi të ngjashme kishin paralajmëruar edhe reformatorët protestantë, të cilët në Epokën e Mesit kishin njohur atë moment lehtëbesimi dhe braktisjeje, korruptimi dhe vesi, i cili ndante Kishën e tyre të reformuar nga ajo primitive me origjinë kristiane.

Në bazë të këtyre gjykimeve, duket se Mesjeta përcaktohet vetëm në bazë të karakteristikave të saj negative, vetëm për atë që nuk ishte në gjendje të ishte. Prej këtu lind imazhi i zakonshëm i një epoke të errët, të prapambetur dhe obskurantiste, kotësisht e dhunshme dhe e paaftë për çdo lloj forme bukurie reale. Në të vërtetë, që me një vështrim të parë, një siguri e tillë nis të lëkundet. Me të vërtetë qytetërimi mesjetar korrespondonte vetëm me një gabim të gjatë e të përsëritur? Kulmet e katedraleve gotike duket se sugjerojnë krejt tjetër. Ngjyrat e gjalla të abacive të harruara, vargjet e çiltër të rapsodëve provansalë, mirësia e admirueshme e Shën Franceskos së Asisit konfirmojnë dyshimet tona. Në të vërtetë, ajo që duhet të bëjmë është që të braktisim çdo lloj paragjykimi dhe çdo nocion modern për të zbritur në këtë epokë të largët, e cila ka një joshje të parezistueshme. Eshtë e vështirë dhe e rrezikshme që të rikthehemi në fëmijëri, por është njëkohësisht një udhëtim ekzaltues në zbulim të vetvetes, të fantazive tona dhe të pavetëdijshmes, të intuitave brilante dhe pafajësisë, mbushur me përgjigje për atë që ne jemi.

Mesjeta lind kështu nga një përzierje komplekse elementësh romakë, kristianë e gjermanikë. Sofistikimi dhe madhështia e Romës, letërsia dhe shkëlqimi i artit të saj shkrihen me një besim të ri, në gjendje të ndezë edhe më tej zhvillimin. Kësaj i shtohet më pas forca e popujve të rinj gjermanikë, shpesh herë të turpshëm e hezitues përpara dijes romake dhe të frikësuar prej saj deri në dhunë, por megjithatë përçues të një limfe të re brenda perandorisë. Prej këtyre, Mesjeta merr nderimin për vlerat luftarake, kompanitë e luftëtarëve të çimentuara me lidhje të forta personale, të kurorëzuara me një betim. Nga kjo përzierje lind Evropa e shekujve të parë të Mesjetës, e angazhuar në gjetjen e stabilitetit të saj përmes luftërave të vazhdueshme për të dominuar trashëgiminë e copëtuar të Romës.

Dhe është kjo Evropë, shpesh herë ende pagane në zemër dhe kristiane në supersticione, në të cilën do të mbretëronte Charlemagne. Do t'i takonte pikërisht këtij luftëtari analfabet që jetoi mes shekujve VIII dhe IX fati për të bërë atë që Presidentë e ministra po luftojnë prej dekadash: bashkimin e Evropës. Qeverisur përmes një sistemi feudal, një derivat pikërisht i lidhjeve të betuara të luftëtarëve gjermanikë, të cilët kompensohen me të drejta përdorimi të pronave për besnikërinë dhe punën e tyre, Evropa nis të bëjë tregti me monedhat e saj, respekton të njëjtat ligje, praktikon të njëjtën liturgji, shkruan me të njëjtin shkrim. E megjithatë, bëhet fjalë për një krijesë të brishtë, e destinuar të shpërbëhet pas vdekjes së krijuesit të saj. Fillon kështu ai që është përcaktuar si shekulli i hekurit, për arsye se janë vetëm armët dhe forca ushtarake që imponojnë ligjin.

Përmes tyre, një feudal imponon mbrojtjen e tij, apo më mirë domenin e tij tek ata që nuk janë në gjendje të mbrohen vetë. Pronarët e vegjël, karakteristikë të traditës gjermanike, zhduken me shpejtësi. Preferojnë t'ua japin tokat e tyre zotërinjve, për t'i marrë sërish me të drejtën e përdorimit. Me një ngathtësi shumë të madhe, raportet e forcës dhe pushtetit mbi territorin arrijnë të gjejnë një farë ekuilibri. Në këtë rast, nuk bëhet fjalë për një periudhë dhune të qëllimshme, por për kohën e domosdoshme për gjestimin e një moduli të ri qeverisjeje dhe gjestimin e pushtetit që duhet të formohet në mes destabilitetit dhe luftës. Do të dalë që këtu një Evropë e dominuar nga një koncept feudal, i cili karakterizohet nga përdorimi i armëve, që i garanton asaj edhe proriogativin e administrimit të drejtësisë dhe funksioneve të tjerë publikë dhe që, me pak fjalë, i garanton asaj pasuri dhe pushtet. E dominon këtë klasë perandori, guvernanti suprem, figurë me një aureolë pamposhtësie gjermanike dhe mbrojtës i fesë kristiane. Pushteti tjetër suprem që mbizotëron në Evropën mesjetare është Kisha, udhëheqëse e grigjës së Krishtit drejt shpëtimit të përjetshëm. E megjithatë, kjo Kishë është një realitet krejt mondan, shpesh herë pre e pasioneve tokësorë.

E thirrur për të mbrojtur besimtarët e vet, atëherë kur Perandoria Romake është tashmë e pafuqishme, ajo sheh peshkopët e saj të shndërrohen në administratorë qytetarë dhe komandantë ushtarakë, vëzhgon abatët e vet teksa ruajnë reliket e qytetërimit klasik dhe që në ndërkohë grumbullojnë pasuri të mëdha, duke u ofruar qytetarëve mbrojtjen e tyre autoritare. Babëzia dhe korrupsioni i presin megjithatë në shteg klerikët dhe, teksa interesat e tyre bëhen gjithnjë e më mondanë, u hidhen sipër e i bëjnë preh, duke i bërë të harrojnë qëllimin, duke i bërë të jetojnë sikur janë ende laikë.

Kisha bie në skandale dhe nuk janë vetëm perandorët dhe baronët që e zhysin, por vetë peshkopët dhe klerikët e çdo lloj rangu. Pushteti që ata gëzojnë ka përfunduar me natyralizimin e vetë karakterit të Kishës, e shndërruar në një institucion thuajse laik ku janë laikët që vendosin se kush do të jetë Papë, abat apo peshkop.

Vetëm në shekullin XI lind rebelimi ndaj kësaj gjendjeje, nën nxitjen e një libertas ecclesiae të rinovuar. Rinis kështu lufta, edhe këtë herë pa përjashtuar asnjë lloj goditjeje. Kisha mund të mbështetet në një ushtri shumë të ushqyer, mijëra e mijëra besimtarë, që mezi presin të arrijnë përsosmërinë evangjeliste, që të jenë të pastër e të gatshëm për fundin e botës, i cili në Mesjetë besohej se ishte gjithnjë pranë dhe që do i jepte fund historisë. Ky fluks besimi do të përshkojë të gjithë Mesjetën, duke marrë forma nga më të ndryshmet, që nga ashpërsia e kryqëzatave, tek tërheqja në vetmi e jeremitëve, që nga furia e fanatikëve fetarë që fshikullonin vetveten, deri tek ligështia apasionante e mistikëve.

Shpesh herë, Kisha nuk do të dijë ta kuptojë dhe do ta etiketojë si herezi dhe mashtrim, por ai në thelb përbën një prej elementëve më të pastër të frymës mesjetare, shpesh herë i pafajshëm ndoshta si një fëmijë, por që është i pajisur me energji, forcë dhe bindje të jashtëzakonshme. Nëse nga lufta mes laikëve dhe perandorisë për të rifituar pavarësinë e vet Kisha del fitimtare, është megjithatë fatale që armiku antik i lë diçka nga vetja të ngjitur.

 

 

Karakteri i vërtetë i Mesjetës

Pikërisht me këtë fitore vendimtare, Kisha romane merr përfundimisht tiparet e një monarkie, shtrirja e pushtetit të së cilës është megjithatë universale. Kjo do të shënojë vazhdimin e përplasjeve me perandorinë për të fituar dominimin e krishtërimit dhe rritjen e largësisë së besimtarëve nga spiritualiteti i tyre, nga dëshira e tyre për t'u udhëhequr prej një Kishe të largët prej ndikimeve tokësore. Ai shekull XI, në të cilin nis rinovimi i Kishës, është në të vërtetë një periudhë zhvillimi e lulëzuar për të gjithë Evropën. Popullsia rritet, përmirësohen teknikat e kultivimit, rritet prodhimi. Qytetet rinisin popullimin, zbulohen toka të reja. Qytetërimi perëndimor zgjerohet në mënyrë prepotente. Në perëndim nis ripushtimi, në lindje lindin principatat latine të Tokës së shenjtë dhe kolonizohen territoret sllavë. Panairet e Champaigne janë gjithnjë e më të mbushur, ndërkohë që tregtarët zgjerojnë flota të tëra detare. Lindin letrat e këmbimit dhe institutet e parë të kredive.

Progresi sjell megjithatë edhe varfëri në rritje, pabarazi, ndërkohë që të pasurit e rinj riorganizohen për të udhëhequr të vetëm. Janë borgjezët, tregtarët e pasuruar që përmes shoqatave të tyre synojnë të bëhen të pavarur nga qeverisja feudale apo ta zëvendësojnë atë. Epoka e bashkësive është tek porta. Dikush ka folur për sythin e parë të një shoqërie barazitiste në luftë për afirmimin e vet, ndërkohë që në realitet bëhet fjalë për ndërgjegjësimin e klasave që duan të futen në menaxhimin e pushtetit. Dialektika historike bëhet kështu edhe më komplekse dhe lindja e një konflikti të ri është fatale. Do të jenë komunët që dalin fitimtarë, duke siguruar autonominë e tyre nga perandoria, parim suprem i çdo fuqie të përkohshme. Megjithatë, pas fitores historia e tyre do të jetë gjithnjë e më e dhimbshme. Të munduar nga luftëra të brendshme të vazhdueshme, ata duhet në fakt të përballen me zgjerimin e vazhdueshëm të pjesëmarrjes në jetën politike. Revolta, dëbime e komplote i hapin më në fund rrugën qeverisjes së një të vetmi, pronësisë feudale, shpesh herë e brohoritur jo si diktaturë, por si një risi që sjell paqe dhe bashkëpunim.

Ky vështrim pra që i kemi hedhur deri tani Mesjetës na ka paraqitur ndoshta një periudhë jo të errët e të prapambetur, por me siguri një botë në luftë të pafundme, e konsumuar nga mosmarrëveshjet dhe intrigat, e aftë të angazhojë vitalitetin e vet vetëm në agresion dhe konflikt. Ekziston megjithatë edhe një tjetër Mesjetë, ajo e qetësisë së padhunuar të manastireve, e vallëzimit plot hare të oborreve. Mesjeta e mantelit të bardhë të kishave, një mantel që shumë kronistë të kohës shihnin të mbulonte Evropën. Eshtë Mesjeta e melodive komplekse gregoriane dhe soliditetit të Romanikos. Eshtë Mesjeta e katedraleve të mrekullueshme gotike dhe himneve heroikë. Eshtë edhe Mesjeta e leksioneve të tejmbushura universitare, ku debatohet deri përtej dogmës. Edhe në botën e kulturës romane, krishtërimi dhe vlerat gjermanike bashkohen për të ndërtuar një të përbashkët në harmoni dhe unike, e rafinuar në romancën e vet, por e jetësuar nga besimi dhe forca gjermanike. Dhe nëse kërkimi i dëshpëruar për një ekuilibër të vetin politik dhe institucional na ka demonstruar ndoshta anën më luftëdashëse të Mesjetës, këtu ne zbulojmë shpirtin e urtë dhe delikat, në gjendje të dëgjojë të gjithë sugjerimet e shpirtit, pa patur frikë nga asnjë lloj animi.

Në këtë pikë, tingëllon e lodhshme që të ulesh e të ofrosh një definicion për epokën mesjetare. Në të vërtetë është e pamundur të burgosësh karakteret e shumëllojshëm e shumë të ndryshëm të kësaj epoke në një frazë të thjeshtë. Ndoshta, duke cituar një studiues bashkëkohor, zgjidhja qëndron në përcaktimin e Mesjetës pikërisht në bazë të ndryshueshmërisë së saj. Domethënë, epoka e ndërmjetme dhe "era e eksperimentimit" në fushën "politike sociale: pa paragjykime, pa principe, apo më mirë me principe të shtrembëruara, por gjithmonë e pasur. Eshtë një fazë e gjatë historike ku nuk besohet besnikërisht tek arsyeja, por as edhe ekskluzivisht tek magjia. Nuk besohet tek shteti, por u bëhet vazhdimisht thirrje idealeve të res publica-s apo Perandorisë së shenjtë Romake. Teorizohet për një rend hyjnor që relektohet në Tokë, në një lloj lëvizshmërie të ftohtë, por është normale të gjesh një peshkop të Mille, i cili rrëfen për karriera që bëjnë që brenda tre brezash, një familje të shndërrohet nga një familje shërbyesish, në një familje kavalierësh.

Revolucioni francez, duke hedhur tej feudalizmin, mendonte se i kish dhënë goditjen përfundimtare Mesjetës. Në të vërtetë, kishte mposhtur vetëm karikaturën e Mesjetës: një shoqëri e palëvizshme, piramidale. Dhe duket se ky është karakteri i vërtetë i Mesjetës: aftësia për të ripërpunuar elementët që i janë transmetuar nga e shkuara në zgjidhje të panjohura e origjinale, me qëllimin për t'iu përgjigjur nevojave të së tashmes, pa asnjë lloj ndjesie inferioriteti ndaj të kaluarës, por shpresëplotë për të prodhuar mbi tokë rendin e përsosur, të formësuar prej vullnetit hyjnor.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora