Shtesë » Lajme
Drejtori i Arkivit: Dosjet nuk janë zhdukur, kemi emrat e 15 mijë spiunëve
E enjte, 23.10.2008, 05:41 PM
Nga Fatos Mahmutaj
Drejtori i Arkivit të Ministrisë së Bren-dshme, Kastriot Dervishi, përmes një interviste ekskluzive me gazetën "Panorama", jep komentin e tij në lidhje me gjendjen e arkivit të Ministrisë së Brendshme në të cilën përfshihen dhe dosje të ish-sigurimit të shtetit. Ai hedh poshtë deklaratat e ish-kreut të SHISH-it, Fatos Klosi, sipas të cilit një numër i madh dosjesh janë zhdukur gjatë trazirave të 1997-ës. Dervishi këmbëngul se një pjesë e konsiderueshme e dosjeve të ish-sigurimit të shtetit janë asgjësuar nga kryetarët e degëve të punëve të brendshme pas heqjes nga Kodi Penal i ligjit të agjitacion propagandës.
Dy ditë më parë, ish-kreu i SHISH-it, zoti Fatos Klosi u shpreh se gjatë trazirave të 1997-ës janë plaçkitur dhe keqpërdorur objektet e arkivave të Ministrisë së Brendshme dhe bashkë me to janë zhdukur dhe dosje të këtij shërbimi? Si i vlerësoni ju këto pohime?
Nga shtypi mësova se ish-kryetari i SHISH-it në një konferencë për dosjet e Sigurimit të Shtetit ka bërë deklarata të pavërteta, duke shkelur në ndonjë rast edhe etikën si ish-zyrtar i lartë i shtetit. Z.Klosi më ka befasuar me lirshmërinë e tij për të treguar e dekonspiruar vendndodhjen e dokumentacionit të Arkivit të Ministrisë së Brendshme. Së paku, si zyrtar i dikurshëm i punëve sekrete nuk duhej të joshej nga shprehja e kafeneve se "në Shqipëri nuk ka më sekrete", por të qëndronte në parametrat e një zyrtari serioz. Duke dashur të merret kot së koti me një informacion që nuk ka pse i jepet publikut dhe që mesa duket ai e zotëron shumë pak, z.Klosi arrin të dezinformojë duke thënë se njëri nga objektet e Arkivit të Ministrisë së Brendshme (që njihej dikur me kodin "Shqiponja") qenka djegur. I bëj të ditur z.Klosi që ky objekt (i dekonspiruar publikisht prej tij) i ndodhur në periferi të largët të Tiranës, prej ku ruhen materiale të një rëndësie të papërsëritshme me vlera historike, nuk është prekur aspak në ngjarjet e 1997-s. Objekti në fjalë është tradicionali dhe themelori i Arkivit të Ministrisë së Brendshme. Ajo që ndodhi dhe ishte tragjike ishte me objektin "Lumi", i cili pësoi një shkatërrim në ditët e marsit 1997. Por materiali u risistemua nga arkivistët mes vështirësish të shumta të asaj kohe. Nuk ishte e nevojshme që nga një objekt, z.Klosi të "digjte" edhe një tjetër.
Më ka habitur edhe "konstatimi" tjetër se SHISH nuk e di çfarë ka marrë nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme. Procesi është kryer më 1993 dhe ka pasur një inventar që duhet të gjendet në institucionin që bëri tërheqjen.
Zoti Klosi është shprehur kohë më parë se një pjesë e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit janë djegur gjatë viteve 1992-1993 dhe se ato pak dosje që kanë mbetur nuk janë të ndonjë rëndësie të veçantë. Cili është mendimi juaj për këtë akuzë?
Problemet e dokumentacionit të Sigurimit të Shtetit, pikësëpari i takojnë papërgjegjshmërisë së kryetarëve të degëve të punëve të brendshme në rrethe dhe jo arkivave, të cilat përgjigjen për atë material që hyn aty dhe jo për atë që nuk hyn. Duke lënë mënjanë atë që lejohej me rregulla të qarta në atë kohë që të asgjësohej, mua më habit avokatia që z.Klosi i bën djegies së dosjeve në shkurt - prill 1991. Z.Klosi ka përsëritur për të disatën herë se dosjet e personave që ndiqeshin janë djegur për arsye se figurat kryesore të krimit, sipas asaj kohe, si agjitacioni dhe tendenca për arratisje ishin hequr nga Kodi Penal. Do të bënte mirë të jepte të dhëna të sakta në kohë dhe hapësirë. Pastaj nuk kishin vetëm këto dy figura që përbënin ato që z.Klosi i quan "figura krimi". Janë edhe drejtimet e agjenturave të huaja, organizatave kundërrevolucionare, grupeve antiparti, që kanë pësuar të njëjtin fat asgjësimi. Pasaktësia e madhe e z.Klosi qëndron në faktin se ai disa herë ka thënë se djegia e 1991-t përligjej me heqjen e neneve të mësipërme nga Kodi Penal. Dokumentacioni i Ministrisë së Punëve të Brendshme nuk kushtëzohej nga Kodi Penal, por nga "Rregullorja e evidencës agjenturialo - operative e organeve të Punëve të Brendshme", e cila e ndalonte kategorikisht asgjësimin e materialeve me vlerë historike, sidomos të atyre personave të ndjekur në kategorinë 2A. Ministria e Punëve të Brendshme ka pasur disa të tilla. E fundit, "Rregullore e evidencës agjenturialo - operative e organeve të Punëve të Brendshme", është e vitit 1986. Në maj 1991 ka nisur një projekt që diskutonte këtë rregullore, në kohën kur shumica e dosjeve të personave që ndiqeshin ishin asgjësuar në shkurt - prill 1991. Të gjithë ata kryetarë degësh të punëve të brendshme që kanë nënshkruar djegien e dosjeve operative, edhe sot mund të procedohen penalisht, sepse kanë shkelur rregulloren në fjalë. Nuk mund të justifikohet, për shembull, që kryetari i degës së punëve të brendshme në Elbasan, me një shkresë prej 3 rreshtash në prill 1991, të nënshkruajë pa shkak asgjësimin e 1080 dosjeve të personave që ndiqeshin nga Sigurimi i Shtetit në këtë rreth jo vetëm për agjitacion e propagandë apo kalim kufiri. Për të kundërshtuar "argumentet" e z.Klosi për të famshmet "dy figura krimi", po kujtoj kategoritë e dosjeve si ishin:
-Dosjet që i takonin sektorit të kundërzbulimit hapeshin për "çdo zbulim kapitalisto-revizionist që kishte vepruar apo vepronte në Shqipëri; për drejtime të veprimtarisë armiqësore të zbulimeve të huaja nëpërmjet kanaleve legale si turistëve; tregtarëve, specialistëve, të ftuarve, vizitorëve; grupeve kulturalo-sportive, shoferëve; studentëve të huaj që mësonin në Shqipëri; për parkun e shoferëve shqiptarë të eksportit, si dhe për organizimin e kërkimit".
-Dosjet që i takonin sektorit ekonomik hapeshin për "veprimtarinë armiqësore e keqbërëse në sektorët e ekonomisë (industri e rëndë, industri e lehtë, bujqësi, tregti, ndërtim; komunikacion, ndërlidhje; financë-bankë; komunale)".
-Dosjet që i takonin sektorit të grupeve kundërrevolucionar e hapeshin "për zbulimin e veprimtarisë armiqësorë në drejtim të elementit antiparti; të propagandës armiqësore; në radhët e rinisë dhe inteligjencës; dokumenteve' anonime përmbajtje armiqësore; internim dëbimet (vetëm dega përkatëse në aparatin qendror); për repartet e riedukimit, burgjet, ruajtjen e pastërtisë së policisë e reparteve të MPB-së si dhe për vërtetimin biografik".
Të gjitha janë futur në një thes dhe janë djegur në periudhën shkurt - prill 1991. Arkivi i Ministrisë së Brendshme ruan procesverbalet e djegies së këtyre dosjeve në këtë periudhë.
Duke kaluar në një temë tjetër, unë nuk di se nga e ka nxjerrë z.Klosi (përderisa qahet se nuk ka parë materialet e duhura) shifrën se "vetëm 14% e dosjeve u iniciuan nga Sigurimi i Shtetit". Në pjesën më të madhe janë iniciuar nga ky organ.
Sipas zotit Klosi, e vetmja pjesë që është ruajtur e paprekur nga arkivat e Ministrisë së Brendshme është regjistri i bashkëpunëtorëve. Në ç'formë ekziston sot ky regjistër?
Regjistri i agjenturës ruhet sot në Arkivin e SHISH-it. Ka vetëm gjeneralitetet e personit (bashkëpunëtorit), pseudonimin etj.
Në trashëgiminë e SHISH-it pas trazirave të 1997, sipas Fatos Klosit janë zhdukur shumë dosje dhe këtë e mbështet tek mosekzistenca e dosjeve të sigurimit jugosllav, UDB-së. Cili është komenti juaj për këtë?
Nuk mund të prononcohem shumë për këtë temë. Është temë e gjatë që i prek të gjitha realitetet. Nuk mund të thuash se nuk ka material. Nuk mund të thuash po ashtu se nuk është cenuar material. Çështja e ndërmarrjeve të përbashkëta, e punëtorëve të dypunësuar, gjithnjë këtë produkt ka. OZN-ja ishte mamia e Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit (paraardhësja e Sigurimit të Shtetit). Punë ndërmarrjesh.
Zoti Klosi është shprehur se ka pasur 1200 zyrtarë të punësuar në ish-sigurimin e shtetit dhe 3000 bashkëpunëtorë në terren. Sa informatorë kanë qenë sipas informacioneve që ju dispononi?
Sigurimi i Shtetit ka qenë i organizuar në 3 drejtori. Më e rëndësishmja është e para. Nga një studim që unë kam bërë, më rezulton se në vitet 1950-1980 vetëm për Drejtorinë e Parë kanë qenë në shërbim aktiv një shifër bashkëpunëtorësh në shifrat 7 - 15 mijë persona për çdo vit.
Klosi për dosjet: Në 1997 u vodhën shumica e tyre
Ish-drejtori i Shërbimit Informativ Kombëtar, Fatos Klosi, në lidhje me ekzistencën e dosjeve të ish-sigurimit të shtetit tha se një pjesë e madhe e tyre u zhdukën gjatë trazirave të vitit '97. Këtë deklaratë Klosi e bëri në konferencën me temë "Kapërcimi i së kaluarës, zgjidhja e çështjes së dosjeve të sigurimit të shtetit në Gjermani dhe Shqipëri", ku tha se pas ndarjes së SHIK-ut nga Ministria e Brendshme, shërbimi mori një pjesë të arkivit. "Në fazën e parë pas ndarjes, SHIK nuk kishte ambiente për arkivin dhe e la atë atje ku kish qenë, te depot e thesarit në Kërrabë, te shkolla e qenve dhe në ministri. Kur SHIK-u mori godinat e reja, e mblodhi pjesën e tij të arkivit tek arkiva e re, pranë godinave të tij. Gjatë trazirave të vitit 1997, të dy arkivat në Kërrabë dhe te shkolla e qenve u plaçkitën, prandaj askush nuk mund të thotë se çfarë mori vetë SHIK-u nga arkivat e sigurimit", theksoi Klosi.