E enjte, 10.10.2024, 09:30 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Aleksandër Biberaj: Krimet e komunizmit dhe dënimi ndërkombëtar i tyre

E enjte, 27.11.2008, 02:49 PM


Krimet e komunizmit dhe dënimi ndërkombëtar i tyre

 

Nga Dr. Aleksandër Biberaj

 

Ideologjia komuniste që lindi në Europë në shekullin XIX, arriti shumë shpejt të bëhej ideologji sunduese në një sërë vendesh të Europës dhe botës, duke bërë që popujt e këtyre vendeve të përjetonin për dekada me radhë gjatë shekullit XX diktaturën komuniste, diktaturë kjo ndër më çnjerëzoret që ka njohur historia e njerëzimit. Diktatura komuniste u vendos fillimisht në Rusi (ish-Bashkimi Sovjetik) në vitin 1917, ku dhe pati jetëgjatësinë më të madhe prej rreth 85 vjetësh, ndërsa në vendet e tjera evropiane ajo u vendos pas Luftës së Dytë Botërore dhe zgjati rreth 45 vjet. Jashtë Evropës partitë komuniste drejtuan për më shumë se 50 vjet në Kinë, Korenë e Veriut dhe Vietnam, për rreth 50 vjet në Kubë dhe 30 vjet në Laos. Nën influencën e Bashkimit Sovjetik komunistët drejtuan për disa kohë në disa shtete të Afrikës, Azisë dhe Amerikës së Jugut, ku vlerësohet se më shumë se 20 vende në këto kontinente u drejtuan nga komunistët në periudha të ndryshme kohore. Përveç Bashkimit Sovjetik dhe vendeve të tjera të Evropës Juglindore komunizmi sundoi edhe në Kinë, Korenë e Veriut, Vietnam, Kamboxhia, Laos, Mongoli, Afganistan, Kubë, Angola, Benine, Etiopi, Mozambik, Jemen të Jugut etj. Popullsia që jetonte nën regjimet komuniste deri në vitin 1990, arrinte mbi një bilion. Gjithsesi, me gjithë përmbysjet e mëdha të regjimeve komuniste që ndodhën në Evropën Juglindore në fillim të viteve ’90, akoma sot ka vende që vuajnë nga diktatura komuniste, sikurse ka vende ish-komuniste që vuajnë pasojat e komunizmit.

 

Tiparet e regjimeve komuniste

 

Regjimet komuniste të shtrira në vende, kultura dhe kohë të ndryshme, kanë diktuar ndryshime dhe modifikime në praktikën e drejtimit komunist, por përveç këtyre ndryshimeve apo modifikimeve të gjitha regjimet komuniste kanë pasur qartësisht tipare të përbashkëta.

 

Pa përjashtim të gjitha regjimet komuniste kanë aplikuar monizmin partiak (sistem një partiak), rregull themelor ky për ideologjinë komuniste. Pushteti është përqendruar në një grup të vogël të drejtueseve të partisë, të cilët nuk detyrohen nga ligji. Partia kontrollon gjithë shtetin, pasi nuk ka kufij të ndarë ndërmjet partisë dhe shtetit, ose këta kufij janë të papërcaktuar. Gjithashtu partia e shtrin dhe ushtron kontrollin e saj mbi popullsinë në çdo aspekt të jetës së përditshme dhe në një nivel të paprecedent. E drejta e organizatave nuk ekziston, pluralizmi politik është i shfuqizuar dhe çdo opozitë, si dhe çdo orvatje për ngritjen e ndonjë organizate të pavarur ndëshkohet rëndë. Nga ana tjetër, mobilizimi masiv në parti apo në organizatat e saj satelite inkurajohet dhe madje disa herë edhe detyrohet. Për të forcuar kontrollin mbi publikun si dhe për të penguar çdo mundësi organizimi me karakter jokomunist, regjimet komuniste organizojnë dhe mbajnë forca policore, përfshirë edhe policinë sekrete, në një shkallë të paprecedentë, si dhe ngrenë rrjete informatorësh dhe inkurajojnë denoncimet. Mjetet e komunikimit masiv janë të monopolizuara dhe të kontrolluara nga shteti, ndërsa censura aplikohet si rregull. E drejta e informimit është e dhunuar dhe shtypi i lirë nuk ekziston. Prona dhe aktivitetet private gradualisht shtetëzohen dhe ekonomia centralizohet, gjë që sjell edhe dobësimin e qytetarëve përballë shtetit dhe varësinë e plotë të tyre ndaj shtetit, pasi shteti bëhet punëdhënësi i vetëm dhe i vetmi burim i të ardhurave. Feja dhe besimi fetar konsiderohen herezi dhe shpeshherë ndalohen edhe me ligj. Sistemi politik bazohet në dy parimet bazë të filozofisë marksiste-leniniste: diktatura e proletariatit dhe lufta e klasave, parime diktatoriale këto, që përligjin diktaturën e një pakice të vogël ndaj shumicës, si dhe dënimet e njerëzve që u përkasin kategorive (“klasave”) të ndryshme të shoqërisë, "krimi" i të cilëve ishte vetëm prania në këto kategori (“klasa”). Teoria e luftës së klasave, e cila diktonte nevojën e eliminimit të njerëzve që nuk konsideroheshin si të dobishëm për ndërtimin e shoqërisë së re, justifikoi represionin e drejtpërdrejtë kundër dhjetëra mijëra milionë kulakëve, fisnikëve, borgjezëve apo grupeve të tjera shoqërore. Regjimet komuniste karakterizohen nga dhunimi masiv dhe flagrant i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, pasi këto regjime kanë integruar dhe ngritur krimin në sistemin drejtues. Pavarësisht se disa vjet pas vendosjes së regjimeve komuniste në pjesën më të madhe të shteteve evropiane si dhe pas dhjetëra vjetësh në Bashkimin Sovjetik dhe në Kinë terrori humbi një pjesë të madhe të vrullit të fillimit dhe dhunimi i të drejtave të njeriut u bë më pak flagrant, kujtesa e terrorit dhe mekanizimi i tij vazhdoi të luante një rol të madh në këto shoqëri, ku kërcënimi potencial zëvendësoi barbarizmin real. Regjimet komuniste vazhdonin të mbeteshin të orientuara drejt përdorimit të terrorit, dhe kjo mund të ilustrohet me Çekosllovakinë në vitin 1968, Poloninë në vitin 1971, 1976 dhe 1981 apo Kinën në vitin 1989. Këto rregulla, që mund të quhen universale për regjimet komuniste, janë aplikuar dhe aplikohen në të gjitha regjimet komuniste, ato historike apo edhe këto aktuale.

 

Përmasat e krimit komunist

 

Ndonëse nuk ka informacione ekzakte për përmasat e krimit komunist, për numrin e të vrarëve nga regjimet komuniste, gjithsesi duke iu referuar raporteve të kujdesshme, situata mund të paraqitet si më poshtë, e ndarë kjo sipas shteteve:

 

Bashkimi Sovjetik - 20 milionë viktima

 

Kina - 65 milionë

 

Vietnami - 1 milion

 

Koreja e Veriut - 2 milionë

 

Kamboxhia - 2 milionë

 

Afganistani - 1.5 milion

 

Amerika Latine - 150 000

 

Afrika - 1.7 milion

 

Evropa Lindore - 1 milion

 

Pengesa e aksesit në arkiva e bën të pamundur dhënien e shifrave të sakta, por numri i viktimave me siguri e kalon shifrën e 100 milionëve, ku përfshihen ekzekutimet individuale apo kolektive (me gjyqe arbitrare apo edhe pa gjyqe), vrasjet në burgje apo kampe përqendrimi, viktimat e urisë, dëbimeve etj. Gjithsesi, shifrat e dhëna më lart janë të dokumentuara dhe, nëse ato janë vetëm vlerësime, kjo ndodh sepse ka pasur rrethana të justifikuara për dyshime, por realisht numri i saktë mund të jetë edhe më i lartë. Fatkeqësisht, ka shumë pengesa në arkiva, sidomos në Rusi, por edhe në ish-republikat e tjera sovjetike, pasi Rusia dhe këto vende nuk lejojnë verifikimin e numrit të saktë të viktimave të komunizmit.

 

Dënimi ndërkombëtar i krimeve të komunizmit

 

Domosdoshmëria për dënimin ndërkombëtar të krimeve të komunizmit është shumë e rëndësishme jo vetëm për të dënuar krime të së kaluarës, por gjithashtu është shumë e rëndësishme për të dënuar vazhdimisht krimet që vazhdojnë të ndodhin në vendet komuniste në emër të ideologjisë komuniste. Deri tani, me përjashtim të Këshillit të Evropës dhe të ndonjë institucioni apo organizatë tjetër ndërkombëtare, në përgjithësi nuk është marrë seriozisht dënimi ndërkombëtar i krimeve të komunizmit si dhe denoncimi publik i tyre. Realisht, megjithëse është e vështirë për tu kuptuar, nuk ka pasur një debat të thellë ndërkombëtar mbi ideologjinë komuniste, e cila ka qenë dhe është baza e terrorit masiv, e dhunimit të të drejtave të njeriut, e vdekjes së miliona e miliona njerëzve dhe fatkeqësia e shumë kombeve. Ndërkohë që një regjim tjetër totalitar i shekullit XX, i quajtur nazizëm, është investiguar, është dënuar në arenën ndërkombëtare dhe autorët e krimit janë vënë në bankën e të akuzuarve, krime të ngjashme që janë kryer në emër të komunizmit, nuk janë investiguar akoma dhe nuk kanë marrë ndonjë dënim ndërkombëtar. Mungesa e dënimit ndërkombëtar mund të jetë pjesërisht e shpjeguar nga ekzistenca akoma e shteteve, ligjet e të cilave janë të bazuar në ideologjinë komuniste dhe dëshira e disa politikanëve për të mbajtur marrëdhënie të mira me këto shtete. Gjithashtu fatkeqësisht ka akoma politikanë aktivë, të cilët kanë mbështetur në një mënyrë apo në një tjetër, regjimet e mëparshme komuniste. Në shumë vende evropiane ka akoma parti komuniste apo trashëgimtare juridike të tyre, të cilat nuk i kanë dënuar zyrtarisht krimet e komunizmit. E fundit, por jo më pak e rëndësishmja, disa elemente të ideologjisë komuniste, si barazia apo drejtësia sociale, akoma mund të joshin shumë politikanë të majtë. Gjithsesi, është e domosdoshme hapja e një debati publik mbi krimet e komunizmit dhe dënimin e tyre në nivel ndërkombëtar, gjë që duhet bërë pa asnjë vonesë. Kjo duhet bërë për shumë arsye, por ndër të tjera do të veçoja këto tri arsye:

 

Së pari, për hir të perceptimit të përgjithshëm duhet të bëhet e qartë se të gjitha krimet, duke përfshirë edhe ato të kryera në emër të ideologjisë, duhet të dënohen dhe nuk duhet të ketë përjashtim nga ky parim. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për brezat e rinj, të cilët nuk kanë asnjë eksperiencë nga komunizmi.

 

Së dyti, duke qenë se viktimat e regjimit komunist apo familjet e tyre janë akoma gjallë, nuk është shumë vonë për tu dhënë atyre kompensimin moral apo material për vuajtjet e tyre. Regjimet komuniste janë akoma aktive në disa vende të botës dhe krimet e kryera në emër të ideologjisë komuniste ende vazhdojnë. Prandaj politika ndërkombëtare si dhe organizatat që merren me të drejtat e njeriut, nuk duhet të qëndrojnë indiferente dhe në heshtje.

 

Së treti, dënimi nga komuniteti ndërkombëtar i regjimeve komuniste do ti jepte më shumë besueshmëri dhe argumente opozitës së brendshme këtyre vendeve dhe mund të kontribuojë në zhvillime demokratike pozitive. Kjo është më e pakta që Evropa, burimi i ideologjisë komuniste, mund të bëjë për këto vende.

 

Krimet e komunizmit në ish-Bashkimin Sovjetik

 

Në Evropë, kuptohet se vendi që vuajti më shumë dhe më gjatë diktaturën komuniste ishte Bashkimi Sovjetik, i cili pati një regjim komunist për rreth 85 vjet, gjë që solli edhe përmasat më të mëdha të represionit komunist. Kampet e përqendrimit ishin një ndër format e para të represionit që u aplikua nga regjimi leninist në vitin 1918 dhe u bënë më vonë një nga simbolet më të turpshme të të gjitha regjimeve komuniste. Në vitin 1921 ishin 107 kampe, të cilat kishin mbi 50.000 të dënuar. Shkalla e lartë e vdekshmërisë në këto kampe mund të ilustrohet nga situata në kampin “Kronstadt”: mbi 6.500 të dënuar u vendosën në këtë kamp në mars të vitit 1921, vetëm 1.500 mbetën gjallë një vit më vonë. Vdekjet nga uria u përdorën si një armë politike nga regjimi komunist i Stalinit, duke sjellë me miliona viktima sidomos në Ukrainë, por edhe në Rusinë Qendrore, në Kazakistan etj. Rreth 30 mijë kulakë janë vrarë gjatë kolektivizimit me dhunë në vitet 1929-1933 dhe më tepër se 2 milionë janë dëbuar.

 

Pastrimi i Partisë Komuniste të BS. 690.000 njerëz janë gjykuar arbitrarisht me vdekje dhe janë ekzekutuar si pasojë e "pastrimit" të Partisë Komuniste të BS në vitet 1937-1938, ndërkohë që me mijëra të tjerë janë dëbuar apo internuar. Në total nga 1 tetori i vitit 1936 deri me 1 nëntori 1938 rreth 1.565.000 njerëz janë arrestuar dhe përveç tyre 668.305 janë ekzekutuar. Me mijëra njerëz të thjeshtë në Bashkimin Sovjetik janë akuzuar për lidhje me "armiqtë" dhe janë ekzekutuar në periudhën para dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 1937 rreth 144.000 njerëz janë arrestuar dhe përveç tyre 110.000 janë ekzekutuar me akuzën e lidhjeve me qytetarët polakë që jetonin në Bashkimin Sovjetik. Gjithashtu në vitin 1937, 42.000 njerëz janë ekzekutuar, pasi akuzoheshin se kishin lidhje me punëtorët gjermanë në BS. Ndërkohë në vitet 1939-1941 dhe 1944-1945 kanë ndodhur vrasjet dhe dëbimet e qindra dhe mijërave polakëve, ukrainasve, lituanezëve, latvianësve, estonezëve, moldavëve, dëbimi i gjermanëve të Vollgës më 1941-shin, tartarëve të Krimesë më 1943-shin, si dhe çeçenëve më 1944-ën. Në vitin 1940 numri i të dënuarve arrinte në 2.350.000 dhe ata ishin të vendosur në 53 komplekse përqendrimi, 425 koloni speciale, 50 koloni për të miturit dhe 90 shtëpi për të sapolindurit. Gjatë 1940-s kishte një shtesë prej 2,5 milionë të dënuarish çdo kohë. Në total mes 15 dhe 20 milionë njerëzve kanë kaluar në kampe mes viteve 1930 dhe 1953.

 

Invazioni nga ushtria sovjetike në disa vende gjatë Luftës së Dytë Botërore u shoqërua sistematikisht nga një terror masiv, arrestime, dëbime dhe vrasje. Vendet më të prekura ishin Polonia, me 440.000 viktima në vitin 1939, duke përfshirë edhe vrasjen e oficerëve të burgosur polakë gjatë luftës në Katyn, në vitet 1944-45, Estoni (175.000 viktima, duke përfshirë edhe vrasjen e 800 oficerëve), si dhe Lituania dhe Letonia 119.000 viktima.

 

Dëbimet e të gjitha kombësive ishin një mjet politik i përgjithshëm veçanërisht gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në vitet 1940-41 rreth 330.000 shtetas polakë, të cilët jetonin në zonat që ishin pushtuar nga ushtria sovjetike, u dëbuan në Bashkimin Sovjetik të Lindjes, kryesisht në Kazakistan, 900.000 gjermanë nga Volga janë dëbuar vjeshtën e 1941-shit; 93. 000 kalmouks janë dëbuar në dhjetor të vitit 1943; 521.000 çeçenë janë dëbuar në shkurt të 1944-ës; 180.000 tartarë të Krimesë janë dëbuar në vitin 1944. Lista nuk do të ishte e plotë, nëse nuk do përmendnim latvianët, lituanezët, estonianët, grekët, bullgarët, armenët e Krimesë, meshketinët turq dhe kurdët nga Kaukazi. Deportimet gjithashtu krijuan oponentë politikë. Që nga viti 1920 oponentët politikë në Rusi janë dëbuar në ishujt Solokovë. Në vitin 1927 kampi i ndërtuar në Solovki përmbante 13.000 të dënuar, të cilët përfaqësonin 48 kombësi të ndryshme. Krimet më të dhunshme të regjimit komunist, si vrasjet masive dhe gjenocidi, tortura, puna skllavëruese dhe forma të tjera të terrorit fizik masiv, kanë vazhduar në Bashkimin Sovjetik, duke u shtrirë edhe në vende të tjera të Evropës deri në vdekjen e Stalinit.

 

Që nga mesi i viteve ‘50 terrori në vendet komuniste evropiane u zvogëlua shumë, por persekutime të grupeve dhe individëve të ndryshëm kanë vazhduar. Kjo përfshinte survejimet policore, arrestime, burgosje, trajtime, shtrëngime të trajtimit psikik, kufizime të ndryshme të lirisë së lëvizjes, diskriminimin në punë. Gjithsesi, edhe gjatë këtyre periudhave relativisht të qeta regjimet komuniste kanë qenë të afta të tregonin violencë masive, nëse ka qenë e nevojshme. Kjo ilustrohet nga ngjarjet në Hungari në vitin 1956, në Çekosllovaki në vitin 1968, ose në Poloni në vitet 1956, 1968, 1970 dhe 1981. Shembja e komunizmit në Bashkimin Sovjetik dhe në vende të tjera evropiane ka lehtësuar aksesin në disa arkiva për të dokumentuar krimet gjatë komunizmit. Para 1990-s këto arkiva ishin krejtësisht të rezervuar. Dokumentet që mund të gjenden aty janë një burim shumë i rëndësishëm informacioni në mekanizmat e drejtimit dhe vendimmarrjes dhe plotësojnë njohjet historike të funksionimit të sistemit komunist. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora