Kulturë
Albert Zholi: Mbyllet edicioni i 24 i Panairit të librit, enigma ndarja e çmimeve
E hene, 22.11.2021, 08:10 PM
Mbyllet edicioni i 24 i Panairit të librit, enigma ndarja e çmimeve
Nga
Albert Z. ZHOLI
Dje
u mbyll edicioni i 24-ër, i Panairit të Librit në Tiranë. Pas 5 ditësh dhe pas
një vit ndërprerjeje mund të themi se ky Panair solli një atmosferë të re në
Tiranë. Pas një ndërprerjeje për shkak të Pandemisë Panairi gjallëroi Tiranën
si ansnjëherë këto dy vitet e fundit, por edhe frenoi shumë veta për të qenë
pjesë e vizitës së Panairit për shkak të Covid-19. Dy ditët e fundit e shtuna
dhe e diela ishin ditët me një pjesëmarrje të madhe të dashamirësve të librit.
Thuajse të gjithë vizitorët dilnin nga Panairi me çanta në duar çka do të thotë
që dëshira për librin është rritur. Për pesë ditë numri i pjesëmarrësve erdhi
në rritje edhe pse nuk është arritur numri i tre viteve më parë. Dhe pse numri
i vizitorëve nuk është ai i pritshmi, sërish ky Panair mund të quhet i
suksesshëm pasi pjesëmarrja më e madhe ishte nga të rinjtë. Me dy kënde për të
biseduar mbi letërsinë, risia e këtij edicioni ishte sofaja, këndi tjetër i
panairit. Në panair ishin zvogëluar
stendat e botuesve në raport me vitet e tjera në mënyrë që vizitorëve t’u
ofrohej më shumë hapësirë në koridoret e Pallatit të Kongreseve. Kështu ishte
menduar që të shmangeshin edhe pasojat që mund të lërë pandemia. Këtë vit ishin
plot 95 shtëpi botuese nga Shqipëria, Kosova , Mali i Zi, Maqedonia e Veriut,
që afruan dhjetëra botime të reja për 5 ditë me radhë. Ky event përveç titujve
të rinj solli takime me autorë e përkthyes, tryeza diskutimi, seminare etj.
Çmimet
Si
çdo vit edhe çmimet e ndara këtë vit kanë ngjallur habi. Pyetjet vijnë vetiu.
Kush dhe si formohet Juria? Si mund të
njihet Juria me të gjithë titujt e rinj? Si mund t’i lexojë Juria gjithë titujt
brenda 5 ditëve? Përse vazhdohet me të nëjtat metoda të heshtjes për mënyrën e
ndarjes së çmimeve?! Çfarë formati përdoret për përcaktimin e Jurisë apo janë
prefernca të kryetarit të Shoqatës së botuesve?! Si ka bashkëpunuar kjo Juri
për t’u njohur me të gjitha botimet e Panairit? Si i merr Juria librat për
konkurim, ku e merr informacionin dhe cilat libra zgjidhen për çmime? A ka një
rregull apo formular për t’u njohur të gjithë krijuesit për të qenë pjesë e
konkurimit?! Janë dhe shumë pse-ra të tjera. Janë dhe shumë enigma të tjera. Që
të japësh çmime pa ditur sa libra me tregime janë, sa romane janë në treg, kush
ka të drejtë të konkurojë etj etj… Pra çmimet jepen për fasadë. Jepen për të
qenë Brenda: se u bë Panairi det duhej të jepeshin dhe çmime. Sigurisht çmime
marrin ata që njohin drejtuesit e Panairit. Me dhjetëra autorë as nuk e dinin
se zhvillohej konkurimi për panair!! Iku dhe ky Panair. Dolën shumë libra të
rinj, por askush nuk e di se cilët ishin. Në fund vetëm fituesit e çmimeve
morën vesh se kishin libra në Panair dhe që zhvillohej një konkurs?
Pra Panair i ri dhe
këngë e vjetër….Si çdo panair tjetër edhe këtë vit u ndanë çmime sipas
kategorive nga organizatorët. Ja cilët ishin fituesit…
Juria
e panairit e përbërë nga Anila Mullahi (kryetare), Enkel Demi, Albana Nexhipi,
Aida Tuci dhe Xhimi Lazri nga librat e botuar nga mesi i nëntorit të vitit 2020
e deri tani, vlerësuan:
“Përkthimi
më i mirë i 2021” vlerësuar për prurjen shumë cilësore të sjelljes në gjuhën
shqipe i është dhënë Flavia Kaba, për Librin “Qyteti i avullit”.
Çmimin
“Autori më i mirë 2021”e ka marrë Virgjil Muçi për vëllimin histori me tregime
fantastike “Fajin ma ka gjuha”. Ky cikël tregimesh fantastike është pjesë e një
trilogjie narrative që zë fill me “Përralla shqiptare 100+1 netë”, vijon me
“Erotikoni e Satirikoni” dhe përmbyllet me “Fajin ma ka gjuha”. Libri “Fajin ma
ka gjuha” përmban 14 tregime dhe 1 novelë. Çmimi “Studimi më i mirë” iu nda
Uran Butkës për vëllimin e gjashtë të Mithat Frashërit.
Ambasada
franceze për “përkthimin më të mirë nga frëngjishtja”, vlerësoi me çmim Mirela
Kumbaron për përkthimin e “Ngadalësisë” nga Milan Kundera.
I
pranishëm ishte edhe kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i cili
vlerësoi shkrimtarët për veprimtarinë e tyre.
Panairi
i 24-ër i librit edhe këtë vit u organizua me mbështetjen e Bashkisë të Tiranës
dhe të Qendrës Kombëtare të Librit e Leximit: institucion në varësi të
Ministrisë së Kulturës.