Editorial
Rexhep Shahu: 33 numra të revistës Illz, shtet ku je!?
E enjte, 18.11.2021, 08:16 PM
33 NUMRA TË REVISTËS
ILLZ U BOTUAN, SHTET, KU JE !?
U botua numri 33 i revistës illz, revistë letrare e Tiranës, tetor 2021
NGA
REXHEP SHAHU
Si botues
dhe kryeredaktor i saj krenohem
që arritëm të
botojmë 33 numra reviste, 33 numra të illz që janë shumë
e janë pak. Krenohem dhe nuk e fsheh gëzimin e krenarinë. Bile e shkruaj edhe
pse mund të qortohem nga miqtë për mungesë përulësie. Por nuk i bëj dot ballë
tundimit. Sepse e çmoj si një arritje të madhe për veten e grupin që bëjmë
revistën, për miqtë, për shkrimtarët, për letërsinë shqipe, për kulturën kombëtare,
për historinë e letërsisë, për shtetin dhe gjithë njerzit e “republikës” së
letrave shqipe.
33
numrat e revistës illz janë gjerdani më i bukur në qafën e letrave shqipe.
33
numra reviste me rreth 8500 faqe B/5 me shkrim 11, ku për 64 muaj shkruan e
përkthyen rreth 2500 autorë nga gjithë bota e gjithë kohërat letërsi të
zgjedhur, janë pak e janë shumë, por është një punë shumë e madhe.
33
numra të revistes illz, sa vitet e Krishtit. Për Krishtin që jetoi 33 vjet janë
e vetmja jetë që pati ndonëse ai vazhdon të jetojë. Revista illz do të jetojë
sa shkrimi.
E
ideuar dhe pagëzuar me këtë emër të bukur 5 vjet e gjysmë më parë nga miku im
Izet Duraku që
është drejtor i
revistës, e sponsorizuar
pa kushte, diktime
e imponime nga miku im humanist deputeti Flamur Hoxha që e ndjen se një
vend pa letërsi e arte është i shkretë, e mbështetur dhe kuruar nga figura të
rëndësishme të letrave shqipe që u ulën në sofrën e bordit të saj, revista illz
u bë qiell për shkrimtarë shqiptarë, ballkanas, europianë e botërorë të të
gjitha kohërave edhe përmes përkthyesve të mrekulleshëm që na ndihmojnë, u bë
bulevardi më elitar që ka aktualisht letersia shqipe, apo siç thotë miku i madh
i revistës akademik Shaban Sinani ““Koleksioni i revistës "illz"
është sot trashëgimi… dhe lexuesi e njeh si tribunë mendimi e krijimtarie për
gjithë "republikën" e gjuhës shqipe.” Faleminderit për të gjithë
kontribuesit e kësaj reviste, për shkrimtarët që sjellin shkrime, për
përkthyesit që zgjedhin e përkthejnë për ne, për miqtë, lexuesit e të
interesuarit që na përkrahin e nxisin.
Në
33 numra të illz janë botuar e janë në radhë botimi pothuajse shkrimtarët më me
emër pa përjashtuar askënd, ani se ende nuk është kompletuar konstelacioni i
menduar prej nesh.
S’kemi
përfillë asnjëherë kritere ideologjike, nuk kemi shkrimtarë partie e shkrimtarë
armiq, shkrimtarë të ndarë në breza të vjetër a të rinj. Për ne më i riu e më
moderni është Homeri. Shkrimtarët e kanë parë revistën të hapur, lexuesit po
ashtu. S’na ka shqetësuar pse shkrimtari është i bardhë a i zi, vjen nga burgu
a liria, nga vendi a diaspora, nga Shqipëria a nga hapsirat e tjera shqiptare,
nga gjuha standarte a dialektet, nga Ballkani a Europa etj.
Jemi
përpjekë me ikë si prej kolerës prej mediokërve e anonimëve të bujshëm, ndonëse
ata kanë pushtetin edhe në planetin e letrave. Dhe do të përpiqemi.
Po
për shtetin shqiptar a janë, sa janë, çfarë janë 33 numra të një reviste
letrare periodike dy mujore
elitare me numër
mesatar faqesh 240
e me dy
numra antologjikë me nga 500 faqe për Skenderbeun e shkrimtarët martirë.
Shteti,
shteti si nuk e pa as nuk po e sheh revistën illz dhe dritën që bën ajo. Një
revistë letrare që është e vetmja në gjuhën shqipe që gjithë numrat e së cilës
gjenden në gjithë libraritë dixhitale në botë. Shtet, a je, ku je shtet?
Është
provuar se revista illz bën pa shtetin, i jep dinjitet gjuhës e letrave shqipe.
Revista deri sot nuk krenohet me shtetin, por shteti, në mos sot, nesër e
gjithmonë do të krenohet e do të mburret me këtë revistë illzish.
Revista
illz nuk është letra xhepi, revistë qokash, buzëqeshje ekranesh. Është e rendë
për të hyrë ne zarfa, sirtare e nën tavolina zyrash. Koleksionin e saj nuk e
ngrenë dot duar zyrtarësh, përfituesish
projektesh, të zgjedhur e të begenisur ministrash a zyrtarësh partiakë e
mediokër. S’e lexojnë as kuptojnë dot gjysmë a çerek të
diturit që vendosin
ta përçudnojnë dinjitetin
e shtetit me autorët
që zgjedhin e shpikin për shkrimtarë dhe i rekomandojnë për librin
shkollor, për qoka shtetërore dhe për emancipim shoqëror, duke harruar si thotë
Fishta se një liber i keq ashtë më i rrezikshëm e i më damshëm për shtetin se
një kryengritje… Le të ndiçojë, le të na iluminojë shteti që drejtohet nga një
njeri arti. Revista illz ka illzit e saj që bëjnë dritën e tyre. Shteti merr
dritë prej saj, merr krenari e dinjitet dhe nuk kujtohet për këtë revistë yjesh
të pangjashme, të pakrahasueshme me asgjë në përditshmërinë letrare të vendit.
Ndjesë, por illz , revistë letrare e Tiranës bën diferencë në botimet shqipe.
Dhe më shumë se sa ka nevojë revista illz për shtetin, është shteti ai që ka
nevoje të madhe për revistën illz sot e mot, pasi revista illz tashmë është si
Drini, nuk di të ndalet…
Ne,
që e bëjmë revistën illz, na mungon dora e lypjes për ta shtri. Nga krenaria
për çfarë kemi bërë, liria, pavarësia e dinjiteti. Por shteti për ta zbardhë
fytyrën e vet e për t’ia “rritë mendjen” vetes mendoj se duhet t’u ofrohet vetë
me elegance e përulësi vlerave të tilla.
Shteti
nuk i sheh shkrimtarët edhe pse drejtohet nga një njeri arti që shquhet për
fjalime nekrologjie për shkrimtarët e artistët, nuk e sheh revistën illz që
tashmë është një histori e rrallë suksesi.
Ne
nuk kemi mbajtë kurrë qëndrime si revistë dhe ndoshta nuk kemi bërë mirë.
Ndoshta duhet t’i ngjajmë më shumë kohës e të shqetësohemi më hapur për të ardhmen
dhe fatin e shkrimtarëve pasi siç thotë shkrimtari Ethem Haxhiademi të cilin e
mbytën në burg “Mprojtja mâ e madhe qi munt t’i bahet nji shkrimtari asht t’a
çojnë mësuës asè sekretar në ndonji zyrë të vogël. Nga nji herë ngjanë qi e
qisin jasht fare dhe nga kjo punë e thjeshtë dhe e lanë pa bukë në të katër
rrugët.
Po
a munt të lulëzojë në këtë mënyrë literatura shqiptare?”.
33
numra të revistës illz dolën, janë te lexuesi, te biblioteka. Janë shumë dhe pak.
Shpresoj
t’ju shkruaj kështu për numrin 66 e 99.