Mendime
Enver Bytyçi: Rracizmi anti-shqiptar i Aleksandër Vuçiç i mbështetur nga rilindasit e Tiranës!
E enjte, 23.09.2021, 07:40 PM
Rracizmi anti-shqiptar i Aleksandër Vuçiç i mbështetur nga rilindasit e Tiranës!
Nga
Enver Bytyçi
Presidenti
serb, Aleksandër Vuçiç, gjatë një debati me politikanë autokratë të Europës në
Budapest, e ka quajtur Albin Kurtin "qibritxhi"! Me siguri ka dashur
të thotë se luan lojën e tre qibritëve, ku në njërën prej tyre fshihet një
kokërr. Por kjo është loja e njerëzve, që Vuçiç i konsideron si të dorës së
tretë. Pa dashur të fyej askënd, në mendjen e Vuçiç Albin Kurti është
"jevg", "rom", e
gjithçka tjetër, përveçse europian dhe lider modern jo.
Duket
se në personin e Vuçiç rritet dhe zhvillohet instikti dhe subkoshienca e
urrejtjes dhe hakmarrjes ndaj shqiptareve dhe kryeministrit të Kosovës, Albin
Kurti. Sipas presidentit të Serbisë, shqiptarët, madje udhëheqësit e tyre, janë
"njerëz me bisht", siç i ka përshkruar ish-kryesimistri serb i fillimit
të shekullit XX, Vladan Gjorgjeviç. Për Beogradin shqiptarët janë "dru me
pre", pra qymyrxhij. Dhe jo rastësisht ata e përdorin bukë-pjekjen me
qymyr si simbolikën e profesionit të shqiptarëve. Por metafora është përtej
këtij profesioni. Ajo shkon te përçudnimi rracor dhe fashist i shqiptarëve. Në
këtë kontekst Vuçiç përdor gjithashtu fjalën qibritxhi.
Dhe
nëse ndjekim historikun e shfaqjes raciste të Aleksandër Vuçiç, atëherë
kujtojmë shumë e shumë gjëra të tjera. Më i spikaturi është përdorimi fyes i
emërtimit të Kosovës si "Kosovo-Metohi", madje një përdorim i
sanksionuar në kushtetutën e Serbisë. Edhe kjo të kujton jo aq Milosheviçin, sa
Aleksandër Rankoviçin! Ndërkaq vetë presidenti i Serbisë e kishte shfaqur
racizmin e tij edhe në rastin kur ai nisi trenin e tij për ta çuar në Mitrovicë
dhe u detyrua ta ndalonte në Rashkë. Asokohe pati thënë se po e çonte trenin në
Mitrovicë, sepse shqiptarët nuk kanë parë tren me sy! Kësisoj ai i krahasonte
shqiptarët me indianët, afrikanët dhe popuj të tjerë jo europianë, njëjtë siç i
quante Gjorgjeviç si "lëkurëkuqtë e Europës"!
Në
këtë atmosferë raciste zhvillohet në Serbi tifozllëku në futboll dhe sporte të
tjera. Në stadiumet e Serbisë bëhet thirrje "Vriteni shqiptarin që kroati
të mbetet pa vëlla"! Ndërkohë që për kryeministrin e Shqipërisë vëllai më
i dashur është dhe mbetet rracisti dhe fashisti anti-shqiptar, Aleksandër
Vuçiç! Për Vuçiç dhe serbët në përgjithësi, Rita Ora, Dua Lipa, Bebe Rexha,
Shaqiri, Xhafa e shumë personalitete botërore të artit, muzikës dhe sportit me
origjinë nga Kosova, janë të huaj e të panjohur. Atyre u grisen posteret e
reklamave në Beograd e kudo në Serbi. Sepse i përkasin "një rrace
tjetër", rracës së shqiptarëve, të cilën Vuçiç dhe shumë serbë e përbuzin.
Në
këtë lloj skenari u paraqit presidenti i Serbisë në Budapest para dy ditësh. Ai
e konsideroi praninë e forcave policore të Kosovës në Jarinjë e Bërnjak si akt
fashist të "qibritxhiut", Albin Kurti. Ndërkohë që në shpirtin e tij
rron dhe herë pas here zgjohet sentimenti fashist anti-shqiptar. Fashizmi dhe
rracizmi nuk lidhen me patriotizmin, por me ideologjinë e asaj që Vuçiç, Vulin
e të tjerë e quajnë "bashkimi i botës serbe", pra me konceptet
ultranacionaliste. Bota dhe Europa duhet të mësojnë se në krye të shtetit të
Serbisë drejton një model lideri i mbushur me urrejtje dhe i etur për hakmarrje
bazuar në ideologjinë fashiste të rracizmit. Ky është Aleksandër Vuçiç.
Ndërsa
ne shqiptarët duhet të dijmë se ky Aleksandër Vuçiç gjen mbështetje te
ekstremistët e majtë e të djathtë të Europës si dhe te njerëzit e afërt të
kryeministrit të Shqipërisë në Tiranë. Gazeta Tema dhe botuesi i saj, Mero
Baze, shumë të afërt me Edi Ramën, e quanin vendosjen e reciprocitetit për
targat dhe prezencën e policisë së Kosovës në veri si akt të njëjtë me veprimet
e Milosheviçit në Kosovë. Ndërkohë që e etiketonin Albin Kurtin si
"fashist"! Shumë njerëz të afërt të Rilindjes e të angazhuar në
forume të ndryshme politike të saj, në vend që ta mbrojnë aksionin politik e
policor për vendosjen e reciprocitetit në përdorimin e targave, e kanë
kritikuar ashpër aktin e zotit Kurti. Po jap vetëm një shembull, por të tillë
gjenden me shumicë në portalet dhe adresat elektronike të këtyre eksponentëve.
Juxhin
Çela është një nga drejtuesit kryesorë të Forumit Rinor të Partisë Socialiste.
Ai ka shkruar me dhjetra statuse kundër qeverisë së Kosovës dhe veprimeve të
policisë në veri të vendit. Në to dominon mentaliteti dhe propaganda për
ndarjen e Kosovës. Ja çfarë shkruante me datën 21 shtator në llogarinë e tij të
Twiterit: Qeveria e Kosovës me dërgimin e autoriteteve të veta "në veri ku
banojnë serbët, që s'e ka bërë asnjëherë, do përballet me mosbindje nga serbët
e ndikuar prej Beogradit dhe kjo mund të nxisi cënim të paqes, sigurisë, ky
është FAKT! Vetëm ndarja e Kosovës me baza etnike do sjell mbylljen finale të
çdo burimi"!
Më
pas, në të njëjtën datë ky Juxhin Çela shkruan se "Ne s'duam që serbët e
ardhur nga Beogradi të shkojnë të armatosur në Preshevë për të zbatuar
autoritetin e një shteti që shqiptarët aty se duan. Nga ana tjetër refuzojmë të
kuptojmë se është e gabuar të dërgohen shqiptarë me armë nga Prishtina në zonat
e civilëve serbë në veri"! Dhe nuk po citoj më shumë se kaq, as të tjerë
kalemxhinj dhe sahanlëpirës të ideve dhe projekteve të Beogradit. Ndër më të
dalluarit mbetet Baton Haxhiu edhe në këtë rast. Shqiptarët serbo-filë i njeh
thjesht nga përdorimi i fjalës "Prishtinë" në vend të fjalës
"Kosovë". Ata e mënjanojnë gjithnjë këtë të dytën, duke imituar
presidentin serb Aleksandër Vuçiç!
Duke
shënuar këto deklarime të sinkronizuara (Te Rilindja asgjë nuk thuhet kot,
asgjë nuk nxitet pa një synim të caktuar) duhet të kuptojmë se ato i shkojnë në
dihmë presidentit të Serbisë dhe qeverisë së këtij vendi në pretendimet kundër
Kosovës dhe kundër kryeministrit të saj. Në thelb edhe rilindasit po e
etiketojnë Albin Kurtin si "fashist"! Po e kritikojnë atë për
dërgimin e policisë për ruajtjen e rendit në territorin e shtetit të tij.
Njësoj si Aleksandër Vuçiç, madje me më shumë agresivitet dhe përpjekje për të
provuar se "Vuçiç ka të drejtë në rracizmin anti-shqiptar të tij dhe Albin
Kurti po sillet si fashist"! Fatkeqësisht të njëjtën gjë bëjnë edhe disa
"rilindas" në Prishtinë!