Kulturë
Albert Zholi: Flet Jorgo Papingji
E diele, 19.09.2021, 12:43 PM
Flet poeti dhe autori i teksteve për muzikën popullore dhe muzikën e lehtë, Jorgo Papingji
-
Vlora është një magji, është diell, hënë, është det, hapësirë, është e tëra
histori
-
Politika më e mirë për vendim tim, për kombin tim është poezia, arti
-
Një poezi për Atdheun është sa mijëra fjalë boshe të politikanëve
-.
Krijimtaria më largon nga ky terr që e ka çuar vendin politika. Dëgjoj në
televizione lajme të pabesueshme dhe marr lapsin
-Sot
më tepër se kurrë politika shqiptare duhet t’i thërrasë mendjes për të qenë e
qetë, gjakftohtë, korrekte me ligjin dhe Kushtetutën
-Politika
duhet t’i shërbejë sa më mirë vendit të saj
-
Politikanët bëjnë ligjet, ata tensionojnë situatën me korrupsion pasojat i vuan
populli
-
Për mendimin tim kjo klasë politike duhet të largohet pasi janë të njëjtat
fytyra për shumë e shumë vjet
Nga
Albert Z. ZHOLI
Jorgo
Papingji (Vlorë, 10 qershor 1942) është një autor dhe poet shqiptar, i njohur
për këngët e tij të shumta që morën pjesë në "Festivali i Këngës në
RTSH". Ai ka shkruar 5 këngë
fituese në "Festivali i Këngës", njëri prej të cilave ka marrë pjesë
edhe në Festivalin Evropian në vitin
2014. Mban titullin "Mjeshtri i Madh". Jorgo Papingji ka shkruar mbi
5000 këngë në arkivin e tij.
-Ku ndodhet këto ditë
Papingji?
Kam
disa muaj që jam në vendlindje, në Vlorën heroike. Jam në Vlorën e Ismail
Qemalit aty ku hodha hapat e parë dhe mora aromën e detit që më nxiti për
krijimtarinë. Ishte ky qytet fisnik që m’i fali të tëra që unë të merrja penën
dhe të krijoja. Vlora është një magji, është diell, hënë, është det, hapësirë,
mbushur me stoli dhe vende piktoreske. Vlora më çlodh, më emocionon, më jep
krahë dhe më lehtëson nga çdo dhimbje. Ka burra të mençur dhe natyrë
përrallore. Nuk do isha ky që jam besoj nëse nuk do të kisha lindur në këtë
qytet historik, ku çdo gur ka një ngjarje, ku çdo ditë ka një histori.
Situata e Covit-19 ka
bërë që arti në përgjithësi të jetë në situatë të vakët. Me se është marrë
gjatë kësaj periudhe Jorgua? Ka qëndruar vetëm në Tiranë apo ka lëvizur?
Kjo
situatë ka qenë tepër e vështirë, tepër e dhimbëshme. Kjo situatë as që ishte
menduar. Na ndau nga shokët, nga miqtë nga aktivitetet, nga krijimtaria e
mirëfilltë, nga dasmat, fejesat, nga lëvizjet jashtë atdheut. Këtë verë 2021
pati disi lëvizje, por nuk është më ajo gjallëria e viteve të mëparshme. Kudo
ka lëvizje të kufizuara dhe mbi të gjitha na janë larguar shumë shokë, shumë.
Na janë larguar pa u dhënë lamtumirën si duhet.
Çdo ditë po dëgjojmë lajme nga më të trishtat, vrasje, zjarre, vdekje,
vjedhje, grabitje, largim të rinisë. Shqipëria po varfërohet dhe po plaket. Në
disa momente nuk dimë as si të veprojmë. Na ka ikur ajo iniciativa e dikurshme
për të bërë vepra të bukura. Por megjithatë në çdo ditë ka pak diell, ka
momente të bukura, ka situatë që na gëzojnë. Jo çdo gjë është gri, pasi kemi të
afërmit, nipër, mbesa dhe miq të shumtë, që nuk na lënë vetëm. Dhe pse kjo
situatë sërish kam lëvizur në disa aktivitete në Shqipëri. Por jam marrë dhe me
poezi. Janë shumë këngëtarë, që ende punojnë, krijojnë dhe aktivizohen. Madje
mund të them se në këto momente në drejtim të poezive kërkesat janë rritur pasi
këngëtarët brenda shtëpive janë mundur të sjellin këngë të reja: është i vetmi
ngushëllim. Krijimtaria më largon nga ky terr që e ka çuar vendin politika.
Dëgjoj në televizione lajme të pabesueshme dhe marr lapsin. Aty gjej
ngushëllim. Aty sikur largoj hallet. Tashmë po përgatitem për tekstet e disa
këngëtarëve të njohur, të cilët kanë pak kohë që janë shkëputur nga pjaca e
këngës
-Pena juaj gjithmonë ka
sjellë aromë rinie, dashurie, dhembshurie, por me politikë a është marrë Jorgua
dhe si do ta cilësojë Papingji politikën shqiptare 30-vjeçare?
Politika
jo vetëm si concept, por edhe si profesion është jashtë çdo shije tek unë. Kjo
s’do të thotë që s’e ndjek politikën që nuk njoh politikanë. Jo! Përkundrazi,
çdo poet është një ndjekës i rregullt i politikës, pasi me krijimet e tij
jep një nxitje ndaj popullit ndryshe nga
ajo që bën politika. Por tjetër të miresh dhe tjetër ta ndjekësh. Çdo
intelektual duhet ta ndjekë me vëmëndje politikën e vendit të vet. Aq më tepër
poetët. Në shumë vende të botës poetët e mëdhenj edhe me tre vargje kanë qenë
burim frymëzimi për masat popullore, për të drejtat e tyre dhe për t’i nxitur
ata kundër shfrytëzimit. Por nuk jam marrë direkt me politikë, pasi politika më
e mirë për vendim tim, për kombin tim është poezia, arti. Një poezi për Atdheun
është sa mijëra fjalë boshe të politikanëve. Sot më tepër se kurrë politika
shqiptare duhet t’i thërrasë mendjes për të qenë e qetë, gjakftohtë, korrekte
me ligjin dhe Kushtetutën që t’i shërbejë sa më mirë vendit të saj. Politikanët
bëjnë ligjet, ata tensionojnë situatën pasojat i vuan populli. Me ç’të drejtë
kjo klasë politike luan me fatin e popullit tonë të shumëvuajtur? Me ç’të
drejtë kjo klasë politike acaron situatën që mund të degjenerojë dhe
përkeqësohet më tej? Kush jua jep këtë të drejtë të luajnë me jetën e një
populli që iu ka besuar me dëshirë fatet e tij? Për mendimin tim kjo klasë
politike duhet të largohet pasi janë të njëjtat fytyra për shumë e shumë vjet.
Ju lutem, kujdes. Jemi në zgripin e acarimit dhe të humbjes së orientimit.
Kujdes, kujdes. Larg zjarrit dhe kokëfortësisë. Larg mendjemadhësisë dhe
arrogancës. Larg molotovëve dhe provokimeve. Zgjedhjet të zhvillohen të qeta,
sipas rregullave sipas Kushtetutës. Bibla e politikanëve është Kushtetuta. Të
zbatohet siç duhet pa anësi. Këtij populli i duhen më shumë libra, këngë, komedi,
piktura, pak politikë
-Nga
shumë krijues flitet se ka shumë tekste që nuk ngjiten në nivelin e artit
poetik. Pra poezi sidomos nga kantautorë, por edhe nga pseudopoetë…Mendimi
juaj??
Tregu
i lirë i ka prishur shumë punë poezisë. Sot shikon më shumë poetë se
kuzhinjerë. Sot kushdo që ka dëshirë boton se nuk ka filtra. Pra, ndaj sot nuk
ka tekste. Sot ka fjalë. Poezi do të thotë fjalë e bukur, fjalë e artë, fjalë
që të mbërthen. Poezi apo tekst kënge do të thotë: Fjalë magjie. Sot në një
tekst kënge ka vetëm 4 fjalë. Kaq! Ku është fjala e magjishme?! Në poezi kur
lexon të rrëqethet mishtë. Ngrihesh në këmbë nga emocionet. Kënga ka tekst, ka
muzikë, ka këngëtar. Pa tekst të bukur si do të jetë një këngë e bukur?! Poezia
ka ngritur në këmbë Perandorë, Presidentë, Kryeministra, një popull. Poezia
është fjala më e bukur e zotit.
Një nga temat e
preferuar të poezive të tua është patriotizmi. Vitet e fundit krijimtaria juaj
është përqëndruar në vargje për Çamërinë, Kosovën, por dhe Dibrën (pjesa e
Maqedonisë)? Pse kaq shumë vargje për këto krahina skajore të kombit tonë?
Një
poet ka thënë; “Ai që nuk i përket atdheut nuk i përket as njerëzimit”. Pra unë
i përkas në radhë të parë atdheut tim. Unë jam një ndjekës i rregullt i
zhvillimeve të hapësirës mbarëshqiptare. Sot, shumë gjëra nuk duan shumë
koment. Kosova e lënë në harresë nga koha, vjen një ditë dhe fiton pavarësinë
edhe pse nuk bashkohet me trungun mëmë. Çamëria është një krahinë po aq
martire, po aq e dhimbshme, po aq e
diskutueshme. Sot është koha e Çamërisë. Shoh shumë këngëtarë të njohur çamë si
Enkeljda Alushi, Sajmir Braho, etj…që i janë përkushtuar kësaj çështeje dhe ata
me zërin e tyre po e bëjnë prezent këtë çështje dhe në organizmat
ndërkombëtarë. Kërkimi i një të drejte nëpërmjet një kënge merr një
këndvështrim tjetër, paqësor, artistik, që ndoshta sjell më shumë reagim. Kënga
të çarmatos por dhe përhapet si vetëtima. Ajo është si zog shtegëtar që kalon
shumë shpejt kufijtë e vendit…