Kulturë
Kadri Tarelli: Bashkim Kadiu - Enciklopedia e vlerave
E enjte, 16.09.2021, 07:00 PM
BASHKIM KADIU NË LIBRIN “ENCIKLOPEDIA E VLERAVE”
Përcjell mesazhe qytetarie, urtësie dhe pajtimi
Nga
Kadri Tarelli
Ka
vetëm pak dit, fund gushti 2021, që doli nga shtypi, libri i Bashkim Kadiut
“Enciklopedia e vlerave”. Një titull që ngacmon kureshtjen dhe fantazinë e
lexuesit dhe çdo durrsaku, që e do dhe e
ndjen pulsin e qytetit të lashtë e të ri, sepse aty përfshihen rreth 539
portrete te intelektualëve durrsak, për gjatë një harku kohor prej afro 150
vjetësh.
Me
këtë rast u bë edhe përurimi i këtij libri me shumë vlera qytetarie, që u hap
dhe u drejtua nga shkrimtari Qemal Vrioni. Nderuan këtë kuvend për librin, dhjetëra
intelektualë të Durrësit, shumica “Heronj” të kësaj enciklopedie. Nga paneli
drejtues përshëndetën autorin dhe veprën e tij Shpendi Topollaj, shkrimtar,
kritik, studiues dhe dramaturg. Më pas Monada Myshketa-Mehmetaj redaktore e
librit. Fjalë të ngrohta përdori Mujo Buçpapaj - Drejtori i gazetës kombëtare
“Nacional”, si njohës i të gjithë veprimtarisë gazetareske e letrare të
Bashkimit. Njëkohësisht përshëndeti edhe poeti Agim Bajrami. Me këtë rast edhe
unë vlerësova punën dhe veprën e Bashkimit, duke thënë:
Kushdo
që e ka ndjekur sado pak krijimtarinë e Bashkimit, nuk do të habitet, pasi ai
me shkrimet e tij ka qenë dhe është pjesë e shtypit qendror e lokal, prej gati
30 vjetësh. Më duhet të shtoj këtu, se ai, si punëtor i palodhur i letrave
shqipe, është autor i pesë librave, në të cilët në formë të zgjeruar, ka
paraqitur vlerat atdhetare dhe intelektuale të qytetarisë durrsake.
Në
një shkrim timin të disa viteve më parë, në kryetitull e pagëzova: “Bashkim
Kadiu kronikan i intelektualëve durrsak”, ishte një frymëzim çasti, pasi më
bukur do të shkonte “Kronikan i qytetarisë durrsake”. Dikush mund pyesë: Pse ke
ndërruar mendje? Do të bindet, pasi nëpër faqet e pesë librave të këtij autori,
gjallojnë portrete të qytetarëve durrsak të të gjitha shtresave, ku mund të
përmend: klerikë të nderua, atdhetarë, luftëtarë e veprimtarë, titullarë të
institucioneve shtetërore, vendore e qendrore, drejtues të sektorëve prodhues,
pedagogë, mësues e mësuese të nderuara, drejtorë shkollash, shkrimtarë, poetë,
historianë, arkeologë, agronomë e doktorë shkencash, zyrtarë, mjekë, artistë e
sportistë, ekonomistë, ushtarakë dhe juristë. Me një fjalë, lexuesi do të gjejë
të pasqyruar historinë e zhvillimit të qytetit të Durrësit, por në një formë
ndryshe nga sa jemi mësuar. Tani nëpërmjet jetës dhe veprimtarisë të secilit
nga “heronjtë” e tij. Pa i bërë bisht shakasë, lexuesi do të gjejë gjyshin,
prindin dhe veten, si vlerë dhe pjesë e qyteti.
Jo
pa qëllim i përmenda këto fjalët e fundit, pasi Bashkimi nuk u ndal këtu: Ai
botoi së fundmi librin madhor “Enciklopedia e vlerave”, ku vetë titulli tregon
vlerën dhe peshën e rëndë të qytetarisë durrsake. Një ide e kahershme e
autorit, për t’i mbledhur bashkë në një libër, të gjithë “heronjtë” e tij.
Natyrisht punë e madhe i është dashur, duke shtrydhur gjithçka shkruhet në një
shkrim, për të nxjerrë “Vajin e ullirit”, si mundim, ushqim, mjekim e detyrim,
ndaj lexuesit dhe për lexuesin. Është një formë e njohur për libra të tillë,
për të pasqyruar sa më shkurt dhe sa më realist, portretin e secilit. Është një
prej kërkesave që ka një libër që quhet enciklopedi.
Ky
libër në vetvete, përmban një punë vërtet të madhërishme në pamje, por e
vështirë në realizim dhe e dobishme në përmbajtje, që ka kërkuar mund, djersë,
lodhje, harxhim kohe disavjeçare, energji dhe shumë dashuri e frymëzim
idealisti. Dua të jem i gabuar, por nuk di që dikush tjetër në Shqipëri, të
ketë bërë kaq shumë për qytetin e tij. Në këtë rast, vepra e Bashkimit është
një shembull që meriton duartrokitje, ndaj duhet përshëndetur, përgëzuar dhe
falënderuar me mirënjohje të pakufishme.
Të
gjithë librat, kur shkojnë në dorën lexuesit, gjykohen si në formë e
përmbajtje, por ajo që mbete është vlera artistike, gjuhësore, shkencore e
qytetare, përcjellë nëpërmjet mesazheve që u duhen brezave. Këtu lexuesi jep
notën për secilin, në veçanti për libra të tillë.
Besoj
se kam të drejtë që, si njohës i të gjithë veprës së Bashkim Kadiut, t’ i çmoj
vlerat e këtij libri, në disa këndvështrime:
Së
pari: Libri “Enciklopedi e vlerave”, është një “përmendore” që u ngrihet të
gjithë atyre që vunë mendjen, shpirtin dhe fuqitë, në shërbim të qytetit dhe
qytetarisë durrsake, si një trashëgimi njerëzore, qytetare e familjare. Çdo
kush nga brezat, të sotëm e të nesërm, kanë me çka të mburren, për bëmat e të
parëve të tyre, sepse kanë në dorë një “Testament pasurie”, një emër të
ndritur, që u mbetet në shekuj, sepse nuk tretet, grabitet apo venitet. Besoj
se nuk është pak. Ndaj ky libër meriton që të jetë në çdo bibliotekë shkollash,
institucionesh dhe me çdo kusht në çdo familje, jo për të mbushur e zbukuruar
raftet, por si “Monument”, që meriton të vendoset sipër oxhakut, në “Odën e
burrave” të çdo shtëpi, si ikonë për ta parë e për t’u falur, çdo fillim e
mbarim dite.
Së
dyti: Durrësi këtu ka qenë, është dhe do të jetë në shekuj, por janë njerëzit,
intelektualët, të diturit, ata që e lartësojnë emrin dhe vlerat e tij në
përjetësi. Kështu që, ky libër, “në heshtje si durrsakët”, pa folur e pa
ngritur zërin, është një burim mësimi dhe përvoje për brezat e rinj, për ta
dashur dhe zhvilluar qytetin tonë famëmadh. Ta dush qytetin dhe të vesh
gjithçka në shërbim të tij, nuk është thjesht dëshirë, por detyrim ndaj
vendlindjes, të parëve dhe trashëgimtarëve. Le të shërbejë ky punim, si
udhërrëfyes e model për ata që do të guxojnë të nisin e të shkruajnë për vlerat
e qytetit, sepse historia e Durrësit nuk mbaron këtu.
Së
treti: Ky libër përcjell një kumt, që diku thuhet hapur nga disa intelektuale,
si nëpër romane, apo shkrime gazete, por që këtu në faqet e kësaj enciklopedie,
thuhet pa zhurmë e bujë dhe ndjehet me tepri: Është kambana e “Pajtimit të
kombit”, përkundër përçarjes dhe ndarjes: “Ne dhe ata”. Autori nuk i ka
përzgjedhur figurat sipas dëshirës dhe bindjeve të tij apo të lexuesit. Ata
janë thjesht qytetarë e intelektualë të Durrësit, pa dallim shtresash pasunore,
pozitash zyrtare, përkatësi fetare dhe bindjesh partiake, që rrinë pranë e
pranë e kuvendojnë pa ju mburrur njëri tjetrit, se kush e do më shumë
mëmëdheun.
Pa
dashje, autor Bashkimi, siç e ka edhe emrin, i mëshon në heshtje bindjes
atdhetare, se përçarja, sëmundja jonë vrastare, duhet të venitet e të shuhet
mes shqiptarëve. Të gjithë e pranojmë me zë apo pa zë, se duhet të jemi bashkë,
sepse këtë copë Shqipërie e kemi bashkë dhe duhet ta trashëgojmë së bashku.
Besoj
se Bashkim Kadiu, pavarësisht moshës, nuk do të ndalojë këtu. Për të nuk është
stacioni i fundit. Me vullnetin dhe energjinë që ka, besoj se do na sjellë
përsëri libra të rinj, shkruar e qëndisur nga penda e tij.
Kadri Tarelli
Gusht 2021.