Mendime
Florim Zeqa: Ku ka zë nuk është pa gjë!
E shtune, 17.07.2021, 04:59 PM
Ku ka zë nuk është pa
gjë!
Shkruan:
Florim Zeqa
Sikurse
që askush nuk mund ta mohoj helmimin e qytetarëve të Deçanit, nuk mund ta mohoj
as mosinteresimin e kryeministrit Kurti për shëndetin e qytetarëve të vendit.
Sikurse që janë të arsyeshme hipotezat e helmimit të rreth 1500 qytetarëve të
Deçanit, të arsyeshme janë edhe hipotezat e qëndrimit të Albin Kurtit në Greqi!
Sikurse
që është shqetësuese epidemia e ditëve të fundit në komunën e Deçanit,
shqetësues është edhe injorimi që iu bëri kryeministri i vendit qytetarëve të
helmuar. Vizita e gjatë, e paçertifikuar si zyrtare e Albin Kurtit në Greqi, me
të drejtë ka hapur dilema të shumta, nëse kjo ishte vizitë zyrtare, private apo
krejt diçka tjetër!
Sadoqë
zyrtarët e LVV-së po mundohen ta arsyetojnë mungesën e Albin Kurtit, Greqia nuk
është në tjetër kontinent dhe as tjetër planet, por vetëm disa qindra kilometra
nga Kosova. Në kohën kur qytetarët e Deçanit u përballen me një helmim
misterioz dhe të rrezikshëm, mosprezenca në vend e kryeministrit Albin Kurti
është pak më tepër sesa papërgjegjësi shtetërore!
Helmimi
misterioz në Deçan nuk është i rastësishëm dhe as nuk është i qëllimshëm, por mund
të jetë pasojë e pakujdesisë njerëzore apo e keq-menaxhimit të resurseve ujore!
Analizat
parciale dhe preliminare tregojnë se kemi të bëjmë me një infeksion bakterial e
më pak viral, i ardhur si produkt i disa faktorëve të kombinuar!
T’i
kthehemi edhe njëherë arsyetimeve të zyrtarëve të LVV-së për vizitën e Kurtit
në Greqi. Disa thonë se ka shkuar për t’i siguruar Kosovës njohjen nga Greqia,
sa të tjerë thonë se ndodhet në një ‘samit njëjavorë”, e disa të tjerë e thonë
se Kurti paska shkuar për ‘punë e jo për pushime’ siq ishte deklarata e
deputetit Enver Dugolli; “kryeministri është jashtë vendit në samite dhe
konferenca me një agjendë zyrtare që janë shumë të rëndësishme, kryeministri po
e tregon të vërtetën për Kosovën. Në procesin e dialogut që jemi futur nuk
mjafton të thuhet diçka vetëm kur shkohet në Bruksel, duhet në çdo forum të
thuhet e vërteta për Kosovën. Këtë po e bën Kurti, ai nuk është me pushime, ai
është më agjendë pune”.
Mirëpo,
bazuar në konsistencën e Albin Kurtit për të mos u kthyer për një vizitë të
shkurtër në Kosovë edhe përkundër hemlmimit të 1500 qytetarëve, atëherë nuk
kemi të bëjmë fare me vizitë zyrtare, por me pushime të hareshme në Greqi!
Kjo
situatë të kujton kohën e luftës në Kosovë, derisa në një zonë lufte vriteshin ushtarët
në pikat e pozicionuara, komandanti i tyre nuk e kishte prish qetësinë
shpirtërore…, edhe Albin Kurti u tregua i vendosur për të mos e prishur
qetësinë shpirtërore në ishujt e bukur grek!
Për
fat të mirë, pasojat e helmimit nuk janë fatale, ndryshe as njohja nga Greqia
nuk do ta arsyetonte indiferencën dhe as pastronte fytyrën e kryeministrit
Albin Kurti!
Qytetarët,
në veçanti votuesit, kanë të drejtë ta pyesin kryeministrin e tyre, pse nuk ka
shkuar për pushime në Shqipëri por në Greqi, pse nuk ka shkuar në Ulqin por në
ishujt grek!?
Sadoqë
disa po mundohen t’i kamuflojnë me gënjeshtra pushimet e hareshme të Albin
Kurtit në ishujt grek, e kanë të pamundur! “Ku ka zë nuk është pa gjë” e thotë
një fjalë e urtë popullore. Do të jetë ‘abbronzatura’ apo lëkura e djegur nga
dielli që do ta dëshmojë të vërtetën e ‘vizitave’ të Albin Kurtit në Greqi!