Mendime
Florim Zeqa: Dialog me agjendë shtetërore!
E diele, 27.06.2021, 11:53 AM
Dialog me agjendë shtetërore!
Shkruan:
Florim Zeqa
Nga
paslufta e këndej politik-bërja kosovare e ka ndjekur rrugën e gabuar sa i
përket shtetndërtimit, raporteve pozitë-opozitë dhe çasjes ndaj qytetarëve të
vendit, përderisa këta të fundit (qytetarët) nga asnjëra qeveri nuk janë
trajtuar me dinjitet dhe përkushtim të duhur.
Shpeshëherë
rivaliteti mes forcave politike i ka kaluar kufijtë e normales, duke mos
zgjedhur mjetet për ta luftuar njëra-tjetrën, qoftë përmes gjuhës së urrejtjes,
ashtu edhe përmes ndërskamcave dhe formave më të ulëta të shantazhit politik, e
deri tek eliminimi fizik i kundërshtarëve politik!
Por,
padyshim kundërshtimet më të ashpra mes pozitës dhe opozitës janë evidente në
këtë dhjetvjetshin e fundit, apo më mirë të themi nga momenti i fillimit të
dialogut Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e Brukselit dhe mbështetjen e
Washingtonit.
Përderisa
pushtetarët kanë qenë të detyruar (nga bashkësia ndërkombëtare) që të
dialogojnë, opozita e ka shfrytëzuar dialogun për ta kundërshtuar pozitën për
gjithçka dhe për çdo gjë, madje edhe pa qenë fare në korrent të zhvillimeve
politike në dialogun e Brukselit.
Për
ata që janë kyqyr me vonesë në shkrimet e mia, unë vazhdimësi kam kërkuar që
opozita dhe shoqëria civile t’i bashkangjitet pozitës në dialog me Serbinë, për
arsye se interesi i shtetit nuk i përket vetëm pushtetarëve dhe as një krahu të
vetëm politik, por i përket e gjithë skenës politike dhe të gjithë qytetarëve
të vendit pa dallim partie politike, etnie apo feje.
Për
realitetin e hidhur, të krijuar 22 vjet nga përfundimi i luftës, fajin nuk mund
t’ia hedhim shtetit serb, por politik-bërjes kosovare në përgjithësi dhe pa
dallim pushtet-opozitë, për shkak të luftës së ashpër për pushtet në gjysëm
shtet!
E
quaj kështu gjysëm shtet, për shkak të mosfunksionimit të shumë hallkave të
sistemit politik, të mosfunksionimit të sistemit të drejtësisë, të sistemit
gjysmak të arsimit dhe shëndetësisë, të mungesës së sigurimeve shëndetësore, të
skemave tepër të ulëta sociale dhe pabarazisë së lartë qytetare…, por edhe për
shkak të mospërmbylljes së shtetësisë sonë, respektivisht të mospërmbylljes së
temave të hapura me Serbinë, nga të cilat varet pranimi dhe anëtarësimi i
Republikës së Kosovës në OKB dhe BE, në UNESCO dhe INTERPOL.
Edhe
pse nuk e thonë hapur politikanët tonë, pushtetarët paraprakë dhe këta aktualë,
liberalizimi i vizave apo lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës është peng i
dialogut të papërmbyllur me Serbinë!
I
kam quajtur dhe i quaj kusarë politikë të gjithë ata politikanë që janë
pasuruar dhe pasurohen “brenda natës” nga buxheti i shtetit, respektivisht mbi
kurrizin e taksapaguesve të varfër kosovar!
Politikanët
e papërgjegjshëm e të gjitha llojeve e ngjyrave pa asnjë problem bashkëpunojnë
me njëri-tjetrin kur është në pyetje zhvatja e shtetit, por, po e kanë të
vështirë të bashkëpunojnë për të mirën e shtetit dhe qytetarëve!
Kur
këtyre ju shtohen korrupsioni dhe nepotizmi në nivelet e larta shtetërore,
atëherë qytetarët me të drejtë e kanë
humbur besimin në shtetin e tyre shkaku i politikanëve të pandërgjegjshëm në
krye të institucioneve të shtetit.
Kjo
situatë nuk është e ditëve dhe e as e muajve të fundit, por tani e 13 vjet e më
shumë në shtetin e pavarur.
Mjafton
ta kthejmë kujtesën se çfarë ka ndodhur në Kosovën tonë pas 17 shkurtit 2008.
Më
të privilegjuarit në punësime kanë qenë familjarët e politikanëve dhe
militantët partiakë, ku si gjithnjë, bashkëshortët(et) e liderëve shtetërorë
janë emëruar në poste të larta nëpër ministri apo staf diplomatik (ambasador
apo konsuj), janë emëruar në krye të institucioneve, bordeve dhe agjencioneve
(pa)varura!
Pa
dashur ta personalizojë me emra të përveqëm, të njëjtën situatë e kemi edhe me
pushtetarët e rinjë, të tillë do ta kemi edhe pas tyre…!
Pa
ndërrimin e çasjes tonë si shoqëri ndaj shtetit, pavarësisht ndërrimit të
pushteteve, mentaliteti qeverisës do të mbetet i njëjtë!
Nuk
bëhet shteti me agjenda individuale dhe partiake, bëni dialog me agjendë
shtetërore!