Mendime
Kastriot Myftaraj: Dikush duhet t’ ia shpjegojë Kurtit se Serbia e ka nënshkruar një marrëveshje mos-sulmimi për Kosovën
E marte, 15.06.2021, 06:18 PM
Dikush duhet t’ ia shpjegojë Albin Kurtit se Serbia e ka nënshkruar një marrëveshje mos-sulmimi për Kosovën, me Marrëveshjen e Kumanovës të 9 qershorit 1999
Nga
Kastriot Myftaraj
Kryeministri
i Kosovës Kurti bëri të ditur sot se në takimin që ka patur me Presidentin e
Serbisë Vuçiç, ndër të tjera i ka kërkuar që mes Serbisë dhe Kosovës të arrihet
një marrëveshje mos-sulmimi, kërkesë të cilën Presidenti Vuçiç e ka
kundërshtuar.
Në
të vërtetë Serbia ka nënshkruar një marrëveshje mos-sulmimi për Kosovën me KFOR-in,
e mandatuar nga OKB në Kumanovë në 9 qershor 1999, një ditë para hyrjes së
forcave ndërkombëtare Kosovë. Marrëveshja e Kumanovës i përmban të gjithë
elementët e një pakti mos-sulmimi. (Marrëveshja e Komanovës ka plot 2048 fjalë,
për ata që nuk e dijnë.) Në këtë marrëveshje Kosova përfaqësohet nga KFOR-i i
cili kishte dhe ka ende mandatin e Këshillit të Sigurimit të OKB për sigurinë e
Kosovës.
Që
të nënshkruhet një pakt mos-sulmimi mes Serbisë dhe Kosovës duhet që të
shfuqizohet në tërësi Marrëveshja e Kumanovës dhe madje duhet të anulohet
mandati i KFOR-it në Kosovë.
Unë
jam i sigurt se ideja e marrëveshjes së mos-sulmimit Kosovë-Serbi ka dalë nga
mendja e këshilltarit të Kurtit Hysamedin Feraj, ish-profesor
marksizëm-lenizimit në Shqipërinë komuniste ku kishte ardhur si i arratisur nga
Jugosllavia. E njoh mirë mënyrën e të menduarit të Ferajt dhe di të them madje
edhe mënyrën sesi ia ka arsyetuar idenë Kurtit si një kurth për Vuçiçin. Feraj
i ka thënë kështu:
Vuçiçi
do ta kundërshtojë ofertën por kështu ti nesër fiton të drejtën të thuash se
Serbia ka ndërmend që ta sulmojë Kosovën në të ardhmen. Meqënëse Feraj i njeh
marrëdhëniet ndërkombëtare ashtu siç përthyhen nën prizmin marksist-leninist
atij nuk i shkon në mendje se një shtetar mund ta refuzojë një ide për një
marrëveshje sepse ajo prek detyrimet që ka shteti i tij me një marrëveshje më
madhore.
Feraj
dhe Kurti bashkë me të, nuk kanë njohuritë e nevojshme për të kuptuar se ajo që
ata i kërkuan Vuçiç quhet në fjalorin e marrëdhënieve ndërkombëtare
“marrëveshje risigurimi” dhe mund të arrihet, përveç rasti kur largohet KFOR-i
vetëm nëse Kosova ve në dyshim mjaftueshmërinë e rolit të KFOR-it për sigurinë e Kosovës.
Albin
Kurti bën gabime të tillë qesharakë sepse ai nuk di ta bëjë dallimin mes politikës
të llojit të asaj që bëhet në marrëdhëniet ndërkombëtare, nga njëra anë dhe
politikës zgjedhore (popullaritetit të tij te zgjedhësit) brenda vendit, nga
ana tjetër. Më e keqja është se Kurti e shikon politikën në marrëdhëniet
ndërkombëtare si të indeksuar dhe në shërbim të politikës zgjedhore brenda
Kosovës.
Nëse
Vuçiç do të kishte pasur pak më tepër ndjenjë ironie do t’ i kishte thënë
Kurtit se a po kërkonte largimin e KFOR-it nga Kosova, apo së paku ta pyeste
nëse nuk ka besim te KFOR-i I cili ka dhe një marrëveshje me Serbinë për
Kosovën. Dhe nëse largohet KFOR-i, a thua e mbron Pakti i Mos-sulmimit
“Kurti-Vuçiç” Kosovën nga Serbia?
Vështirë
që Vuçiçit të mos i jetë ndezur një llampë në tru kur dëgjoi ofertën e Kurtit
për marrëveshje mos-sulmimi dhe të mos e ketë kuptuar se çfarë përfitimi kishte
nëse luante me këtë ide. Merret vesh, Vuçiçi e ka mbrojtur Kurtin në këtë rast
dhe shkakun pse e kurseu do ta zbulojë koha.