Mendime
Kastriot Myftaraj: Një ditë “Bashbakan”, një ditë “Prothypourgos”!
E shtune, 09.01.2021, 06:58 PM
Allah-Allah, Ma to Theos, një ditë “Bashbakan”, një ditë “Prothypourgos”!
Nga
Kastriot Myftaraj
Fjala
“bashbakan” do të thotë “kryeministër” në turqisht, ndërsa fjala
“prothypourgos” do të thotë “kryeministër” në greqisht. “Ma to Theos” do të
thotë “O Zot” në greqisht.
Kryeministri
Edi Rama një ditë sillet si bashbakan në Ankara, ditën tjetër sillet si
prothypourgos në Athinë.
Edi
Rama do të na bëjë pajtimin greko-turk! Këtë gjë nuk e thotë vetë Rama, por ka
vënë sharlatanët e tij të medias që ta thonë, që nga Baton Haxhiu, te Mero
Baze, Shpëtim Nazarko. Sa keq që ka vdekur Andrea Stefani i cili në 2014 kur
nisi seria e takimeve Rama-Vuçiç tha se Rama është ngarkuar me mision nga
Perëndimi që të europianizojë Ballkanin.
Do
ta shikoni se çfarë do të ndodhë në Tiranë dhjetëditëshin e dytë të janarit,
thotë Baton Haxhiu. Dhe me këtë nënkupton një takim të rangut të lartë
greko-turk në Tiranë, nën kujdesin e Ramës. Kjo gjë edhe mund të ndodhë, por
nuk do të ketë të bëjë me konfliktin greko-turk, por me ndarjen e zonave të
ndikimit në Shqipëri mes Greqisë dhe Turqisë, me Ramën si kujdestar të ngarkuar
për zbatimin e kësaj marrëveshjeje.
Nuk
përjashtohet që për të kënaqur delirin e Ramës prej lideri global, të dy palët,
grekët dhe turqit të pajtohen për të thënë diçka për vullnetin e mirë të
dyanshëm që mosmarrëveshjet mes tyre të zgjidhen në mënyrë paqësore. Këtë
pastaj do ta marrin sharlatanët e Ramës në media dhe do ta trumbetojnë si
arritje të tij, në cilësinë e negociatorit në konfliktin greko-turk. Kaq i
duhet Ramës për kultin e tij të udhëheqësit botëror, si karikaturë e Enver
Hoxhës që e kishte shpallur veten “yll drite” të botës, me gojën e rapsodëve të
paguar dhe qeshte e duartrokiste kur në prani të tij këndohej kënga për të me
këtë përmbajtje.
Konfliktin
greko-turk nuk e ka shkaktuar Sali Berisha që të mund ta zgjidhë Edi Rama. Ky i
fundit ka mundësi dhe mandat që të zgjidhë vetëm problemet që ka lënë Sali
Berisha. Sipas logjikës së Ramës, “Fajin e ka Saliu” që konflikti greko-turk
nuk është zgjidhur deri tani, sepse Kryeministri i Shqipërisë nuk është marrë
me të si negociator mes të dy palëve.
Ditën
e mërkurë, në emisionin e Fevziut, Edi Rama udhëzonte personalisht me sms një
sharlatan të paguar të tij i cili thoshte se meqënëse presidenti i SHBA merr
përsipër rolin e negociatorit në konflikte, si në Lindjen e Mesme, atëherë ata
që nuk janë kundër që Edi Rama të marrë përsipër rolin e negociatorit në
konfliktin greko-turk janë kundër SHBA.
Ramës
që fliste me gojën e sharlatanit i dukej se kishte bërë një zbulim të madh
logjik. Sipas kësaj logjike, meqënëse SHBA ka armë bërthamore dhe anije
kozmike, qeveria e Ramës është kundër SHBA sepse nuk ka ndarë në buxhet para
për armë bërthamore dhe anije kozmike!
Sigurisht
që ne nuk mund të kemi as armë bërthamore as anije kozmike se nuk jemi as
superfuqi, madje as fuqi e madhe. Për këtë arsye as Kryeministri ynë nuk mund
të jetë negociator në konflikte ndërkombëtare.
Konflikti
greko-turk është njëmijëvjeçar sepse ka nisur me Betejën e Manzikert të vitit
1071, që u bë mes turqve dhe bizantinëve. Këtu u shënua dhe dyndja turke në
Anadollin e sotëm. Sot konflikti greko-turk ka cështje, praktikisht të
pazgjidhshme paqësisht, si ajo e Qipros, e shelfit kontinental, e militarizimit
të ishujve të Egjeut Lindor, e tempujve fetarë në Stambollin e sotëm,
ish-Konstantinopol etj. Konflikti greko-turk do të shkallëzohet në luftë me
armë dikur sepse këtu të shpie dinamika e përplasjes mes dy palëve.
Edi
Rama, në rolin e negociatorit në konfliktin greko-turk, po sillet si ai
personazhi foklorik i teatrit grek të kukullave, me prejardhje nga koha e
pushtimit osman, i quajtur “Karagjozi”, për të cilin aktorja dhe politikania
greke Melina Mërkuri shkruan në kujtimet e veta: “Karagjozi ishte një formë
teatri me marioneta që shfaqen në hije mbi një ekran. Marionetat janë
karakteret e përhershme dhe tema ishte gjithnjë e njëjtë: rezistenca greke
kundër turqve. Teatri e ka marrë emrin nga karakteri më tërheqës i tij, Karagjozi.
Gjithmonë nën thonjtë e sulltanit të keq dhe rojeve të tij të ashpër. Por
përfundimisht Karagjozi dilte fitimtar në çdo situatë me dinakërinë greke,
zgjuarsinë dhe nënkuptimet e tij gazmore”. (Melina Mërkuri, “Kam lindur greke”,
Shtëpia botuese “Albin”, Tiranë 1996, f. 23)
Rama
nuk është karagjozi grek që lufton kundër turqve, por karagjozi shqiptar që e
shet Shqipërinë sot te turqit dhe nesër te grekët, vetëm që të mund të sundojë
vendin si kujdestar i interesave të tyre.
Në
ndërkohë, Shqipërinë e ndarë në zona ndikimi greke dhe turke, Rama e ka shitur
më parë në tërësi, në Beograd, me projektin e Jugosllavisë së Re, duke u bërë
edhe “predsednik vlade” (serbisht: kryeministër) i republikës neojugosllave të
Shqipërisë, përveçse “bashbakan” dhe “prothypourgos”.