Mendime
Uran Butka: A duhet peruruar busti i Aqif Lleshit në Dibër të Madhe?
E merkure, 16.09.2020, 08:33 PM
A DUHET PERURUAR BUSTI I AQIF LLESHIT NË DIBËR TË MADHE?
Reagim
Nga Uran
Butka
Më datë 23 shtator 2020, në Dibër të Madhe do të
inagurohet busti i Aqif Lleshit, njërit ndër bashkëpunëtorët e kauzës
shoviniste serbo-madhe në gjysmën e parë të shekullit të kaluar, jo vetëm në
krahinën e Dibrës, por në mbarë hapësirën shqiptare. Që ironia të jetë edhe më
e madhe, pas tërë kësaj ceremonie të shëmtuar qëndron Këshilli komunal i
Dibrës. Nuk e kemi të qartë se cilët kanë qenë arsyet, dhe mbi cilët fakte
është mbështetur, kur ka vendosur të marrë një hap të tillë, kur dihet
mirëfilli se të gjitha burimet arkivore në Tiranë, Prishtinë, Shkup dhe Beograd
tregojnë se Aqif Lleshi së bashku me vellanë e tij, Halit Leshin, ishin zbatues
te vendosur të politikave antishqiptare të Nikolla Pashiqit, S.Vukmanoviç
Tempos, Rankoviçit etj. Por, kush ishin
vëllezërit Lleshi dhe çfarë thonë burimet relevante të kohës.
Vëllezërit Halit e Aqif Lleshi në historiografinë
shqiptare e më gjerë konsiderohen si dy figurat më të besuara të politikës
serbomadhe. Miqësia e tyre me Beogradin daton që nga viti 1915, kur para
Milisav Jeliç (bashkëpunëtor i Nikolla Pashiqit) betohen se do t’i zbatojnë në
përpikmëri detyrat e dhëna nga Qeveria e Mbretërisë Serbe. (Milisav Jeliç: Halit
Lleshi ka qenë vazhdimisht për bashkëpunim më të ngushtë me Serbinë dhe i
qëndronte gjithmonë rob ndaj fjalës së dhënë.). Që të dy, gjatë Luftës së I
Botërore u rreshtuan në rradhët e ushtrisë serbe dhe për dy vjet rresht
(1916-1918) si ushtarë të Esat Pashë Toptanit së bashku me ushtrinë serbe
qëndruan në ishullin e Korfuzit. Pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, kur
ushtria serbo-malaziaze pushtoi Dibrën e Poshtme, Lumën dhe Hasin, në këto krahina,
krahas vendosjes së administratës së dhunshme civile, pushtuesit serb themeluan
edhe një këshill me emrin “Këshilli i shqiptarëve të organizuar”, në krye të të
cilit qëndronin disa mercenarë (esadistë), si Ymer Efendiu, Halit e Aqif
Lleshi, Taf Kaziu, Alush aga i Lumës etj.
Në kuadër të këtij këshilli, u formuan njësi të xhandarmërisë”, të cilat
qenë nën patronazhin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë SKS-së,
përkatësisht, të konsullit të saj në Dibër, Nikolla Jovanoviç. Të tilla batalione
u formuan dy në Dibër nën komandën e Halit Lleshit dhe të Tafë Kaziut si dhe
një në Lumë, që drejtohej nga Alush Aga i Bicajve. Ndër këta batalione,
besueshmëri më të madhe tek autoritetet politike e ushtarake serbe, pati
batalioni që udhëhiqej nga Halit Lleshi. Këtë e pohonte komandanti i Armatës së
III, i cili përmes një letre, kërkonte nga Ministria për Punë të Jashtme, që
batalioni i Halit Lleshit, të shpërblehej për besueshmërinë e dhënë ndaj
politikës serbe:
“...Te batalioni i Halit Lleshit nuk mbisundon
çrregullimi dhe disciplina. Batalioni i Halitit jo vetëm se nuk duhet
çarmatosur e të konsiderohet si i rrezikshëm për rendin dhe sigurinë në front,
porse duhet shpërblyer dhe të pranohet haptazi besueshmëria, lojaliteti dhe
gatishmëria që me urdhërin tonë të futet menjëherë në aksion dhe të njëjtin ta
kryejë me dëshirën më të madhe. Në këtë pikëpamje batalioni i Halitit është më
i mirë dhe më i sigurt se të tjerët, sepse nuk ka tradhëtuar, siç është rasti
me batalionin e krahut të djathtë...”.
Në gusht të vitit 1920 kur paria e Dibrës dhe e Lumës në
krye me Elez Isufin organizoi kryengritje të përgjithshme për çlirimin e këtyre
krahinave shqiptare, thuajse tërë paria e Dibrës u rreshtua përkrah
kryengritësve në përjashtim të dy vëllezërve Lleshi, Haliti dhe Aqifi, të cilët
si agjentë të politikës serbe, me batalionin e tyre qenë rreshtuar përkrah
ushtrisë armike, përkatësisht asaj SKS-së. Siç është e njohur botërisht pas
shuarjes së kryengritjes, ushtria serbe së bashku me mercenarët shqiptarë, përfshi
këtu edhe dy vëllezërit Lleshi, dëbuan mbi 40.000 banorë shqiptarë nga këto dy
krahina, të cilët u vendosën në Tiranë, Elbasan e Shkodër, dogjën e shkatërruan
mbi 140 fshatra, 738 persona (gra, fëmijë, pleq, burra) u vranë apo u dogjën të
gjallë; u shkatërruan tërësisht 6.248
shtëpi, 101 magazina dhe dy dyqane, 113 mullinj, 50 teqe, 18 xhami; u plaçkit
apo u shkatërrua 11.057.750 kg drithë, u rrëmbyen 6.228 bagëti të imët e të
trashë dhe 1.535 kuaj.
Si rrjedhojë të asaj dhe të veprimeve te tjera antishqiptare,
Halit Leshi u vra si tradhtar i kombit në vitin 1923 nga ana e disa atdhetarëve shqiptarë të Dibrës së
Poshtme. I vëllai i tij, Aqifi vrasjen e Halitit e konsideroi si një vrasje e
“porositur” drejtpërdrejt nga Ahmet Zogu. Menjëherë pas kësaj, Aqifi së bashku
me familjen e tij e të vëllaut u arratis në Beograd, ku vazhdoi t’i shërbente
politikës serbo-madhe, për të cilën ai qe betuar. Kjo dëshmohet edhe në
Elaboratin e hartuar në vitin 1929 nga atasheu ushtarak jugosllav në Tiranë, në
të cilin ndër të tjerave thuhet: “Aqif Lleshi – i njohur si kundërshtar i A.
Beut dhe miku i ynë...”. Falë kësaj miqësie, qeveria e atëhershme
Mbretërore Jugosllave me fondet e veta shkolloi të birin e Aqifit, Mustafën,
dhe të birin e Halitit, Haxhi Lleshin. Pas pushtimit të Shqipërisë nga ushtria
fashiste italiane, me urdhër të qeverisë jugosllave, Aqifi së bashku më të
birin dhe nipin e tij vendoset në Dibër të Madhe, nga ku përpiqen të krijojnë
klimë për një kryengritje të financuar dhe menaxhuar nga jugosllavët. Më vonë,
përkatësisht pas kapitullimit të Italisë dhe formimit të organizatës
nacionaliste shqiptare “Lidhja Dibrane”, në të cilën u kyç thuajse e tërë paria
e atëhershme dibrane, në përjashtim të Aqifit e të Haxhiut, të cilët vazhdonin
t’i shërbenin Ozna-s (UDB-së), vetëm se tash e kishin ndërruar gëzofin, duke u
shndërruar në komunistë. Ata me urdhër të Svetozar Vukmanoviq – Tempo (i
deleguari special i KQ LKJ-së dhe i Titos për Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe
Greqi), në tetor të vitit 1943 arritën ta dëbojnë udhëheqjen politike e
ushtarake shqiptare nga Dibra e Madhe për ta vendosur atë jugosllave. Menjëherë
pas kësaj në Dibër erdhi Tempo, i cili në fjalimin e tij të gjatë, Dibrën e
Madhe e shpalli si një “Zonë të lirë jugosllave”. Rrjedhimisht u vendos
administra jugosllave në vend të asaj shqiptare si dhe në vend të shkollave
shqipe u hapën shkollat jugosllave. Një dukuri e tillë zgjati deri në nëntor të
vitit 1943, kur paria dibrane në krye me
Ali Maliqin, Uk Camin, Hysni Demën, Fiqiri Dinen, Shemsi Hatipin etj.,
pas një kryengritje të shpejtë arritën t’i dëbojnë komunistët jugosllavë dhe
ata shqiptarë me në krye Haxhi e Aqif Lleshin, me çka Dibra e Madhe sërish u
shpall qendra politike, kulturore dhe arsimore e prefekturës.
Mirëpo gjatë luftës se Dyte Botërore, Aqif Lleshi, i
dërguar nga jugosllavët, veproi aktivisht në prefektuatën e Dibrës, për të
nisur dhe shperthyer atje luftën civile mes shqiptarëve dhe për ngritjen atje
të pushtetit komunist jugosllav. Në arkivat e shqipërisë ka fakte të shumta per
ketë veprimtari. Po përmendim vetem dy ngjarje në Peshkopi dhe në Dibër të
Madhe, në vitin 1943. Në betejen e Peshkopisë, 19 tetor 1943, mes forcave
nacionaliste, ku merrte pjesë gjithë paria e Dibres nga njera anë, dhe nga ana
tjetër forcat nacionalçlirimtare, ku merrte pjesë batalioni i rekrutuar nga
Aqif Lleshi prej 100 mercenarësh, bashkëngjitur
edhe batalioni serbo-maqedonas prej 60 vetësh i komanduar nga
ultra-shovinisti Peter Brajeviç ( i cili më vonë mori pjesë në betejën e
Drenicës kundër Shaban Polluzhës, ku bumbi edhe njerën këmbë, si edhe më pas
kryegjyqtar në qyqin kundër Gani Kryeziut në Beograd për ta dënuar atë me
vdekje, por nuk e lejuan britanikët). Paria e Dibrës kërkoi vetem që të
largohej batalioni i huaj nga Peshkopia dhe te mos kishte luftë mes
shqiptarëve. Por shtabi komunist refuzoi. Ndërhyri eshe oficeri britanik Hends,
por nuk u dëgjua. Në raportin e Njazi Islamit, komisar i batalionit partizan të
Dibrës, drejtuar Shtabit të përgjithshëm NÇ, më 24.10.1943, lexojmë “Parija, tue
pa se ne mbanim gjithënjë pozitat tona e tue marrë si pretekst që ne s’e kishim
mbajtur fjalën që kishim dhanë se do të largojshim partizanët jabanxhinj,
rrethojnë Pëshkopinë. Tue e pa këtë gja, zëmë prita luftimi. Puna u ashpërsue
keq. Atëhere del përsëri kapiteni anglez, i cili kërkon me kambëngulje që të
mbajmë fjalën e dhanë dhe t’i heqim partizanët e huaj”.
Në këtë luftë u vranë dhe u plagosën 60 nacionalistë, dhe
disa partizanë, mes tyre u vra edhe edhe malazezi Vllado Rakoceviç, i
batalionit serbo- maqedonas, që më në fund u largua për në qytetin e Dibrës.
Sipas Lutfi Rusit, agjent i Beogradit, i ngarkuar per te mbikëqyrur Strugën “çeta
partizane e Sharrit, nën komandën e Petar Brajoviç- Gjuro, ndërhyri menjëherë
në luftimet e Peshkopisë dhe partizanët e kësaj çete treguan trimëri të rallë,
duke kontribuar që të thehet rrethimi i qytetit dhe të zmbrapsen forcat
mercenare të bajraktarëve”!( Botimi “Lufta civile ne Shqipëri 1943-1945”).
Beteja tjetër e përgjakshme u bë më 27-31 tetor 1943 në
qytetin e Dibrës. Edhe këtu merrnin pjesë batalioni i Aqif Lleshit si edhe
batalioni serbo-maqedonas i Peter Brajeviç. Gjatë luftimeve në Dibër, forcat
nacionaliste humbën 70 luftëtarë, ndërsa forcat partizane 5 të vrarë dhe 12 të
plagosur. Një luftë civile e nxitur dhe e realizuar nga sllavo-komunistët dhe
veglat e tyre shqiptare, si Aqif Lleshi etj.
Haxhi Lleshi i shkruante Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH
më 21 tetor 1943, pra dy ditë pas betejës së Peshkopisë: “Një fjalim që
mbajti Tempo në Kërçovë drejt vijës së luftës sonë, tha se së shpejti edhe në
Dibër do të ngrehim flamurin maqedonas dhe në rast se do të kundërshtojnë
reaksionarët, do ta ngrehin Ushtria Nacionalçlirimtare shqiptare. Kjo, shumë me
vend”- shkruante me dorën e tij Haxhi Lleshi.
Pas mbarimit të LDB-së, Haxhi Lleshi u emërua ministër i
Punëve të Brendshme të Qeverisë së RP të Shqipërisë(1944-1946).Si ministër i
Punëve të Brendshme ai bashkëpunoi ngushtë me qeverinë Jugosllave dhe në
marrëveshje me ministrin e Brendshëm të Jugosllavisë Rankovic realizuan vrasjen
e 1000 shqiptarëve të Kosovës dhe të Maqedonisë, që kaloninin nëpër Shqipëri
dhe brenda teritorit të Shqipërisë (Kukës, Pukë, Shkodër, Ulqin) gjatë muajve
mars-prill 1945 , kur kolonat me shqiptarë të rekrutuar edhe nga trevat
shqiptare te Tetoves, Shkupit, Dibres, (eshaloni i dytë) shkonin per t’u
asgjesuar në Tivar për spastrim etnik të Kosovës dhe trevave shqiptare në
Maqedoni. (Masakra e Tivarit ku u vranë pabesisht 3447 shqiptarë të
pafajshëm dhe u zhdukën shumë të tjerë).
E pohojë këtë dokumentet jugosllave (Arkivi i LNÇJ nr.9/4
K1411; Arkivi I Kosovës, F OKKM-k10/29, 335
dhe dokumentet shqiptare(AQSH, F206, v 1945) Në një dokument të
Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë lexojmë: “Me mijëra kosovarë të
pafajshëm janë pushkatuar në masë, ilegalisht dhe pa gjyq, nga organet e UDB-ë
. Në këto masakra të pashëmbullta ndaj
popullsisë së Kosovës, ka marrë pjesë
Koci Xoxe, në fillim të vitit 1945, kur
në cilësinë si ministër i Brendshëm i Shqipërisë, ai autorizoi oficerët
e UDB-së që të pushkatonin ilegalisht dhe pa gjyq , në tokën shqiptare, më
tepër se 1000 kosovarë të pafajshëm”(Arkivi I MJ të Shqipërisë dosja 191,
v.1949),
Në të vërtetë
ministër I brendshëm në virtin 1945, kur u realizua masakra e Tivarit ka
qene Haxhi Lleshi, jo Koci Xoxe, por qeveria shqiptare e fshehu emrin e Haxhi
Lleshit. Ndersa Aqif Lleshi ka qenë rekrutuesi i shqiptarëve në krahinën e
Dibrës për t’i çuar ata si mish për top në Tivar.
Për këto shërbime dhe shumë të tjera, Aqif Lleshi u
shpërblye nga padronët e tij jugosllavë fillimisht me postin e kryetarit të
rrethit të Dibrës, e më pas edhe të deputetit republikan e federativ. I biri i
tij, Mustafa Lleshi u emërua kryeshef (naçallnik) i OZN-ës, më vonë i UDB-ës
dhe përgjegjës kryesor i brezit kufitar Ohër-Tetovë. Roli i tij antishqiptar
erdhi në shprehje veçmas pas Informbyrosë (korrik 1948), ku në emër të
“zbulimit” të informbyroistëve shqiptarë, kreu arrestime e vrasje të shumta në
Dibër, Strugë e më gjerë. Burimet arkivore hedhin dritë se autoritet e atëhershme
komuniste jugosllave kishin hapur disa qendra të spiunazhit në brezin kufitar
me shtetin shqiptar, përfshi edhe në Dibër të Madhe, me të cilën qendër
udhëhiqte pikërisht i biri i Aqifit,
Mustafa Lleshi.
Më 4 shtator të vitit 1950, Aqifi së bashku me të birin e
tij Mustafën dhe me anëtarët tjerë të familjes, u arratisën në Shqipëri.
Burimet e proviniencës policore hedhin dritë se arratisja e tyre qe organizuar
nga anae vet UDB-së, me të cilën udhëhiqte Mustafa Lleshi. Ky shërbim sekret
jugosllav-maqedonas, menjëherë pas “arratisjes” së Lleshajve, ndërmorri një
aksion të dhunshëm në Dibër të Madhe dhe fshatrat shqiptare përreth, me ç’rast
arrestoi 38 persona, gjoja si bashkëpunëtorë të ngushtë të Aqif Lleshit, të
cilët u dërguan në burgun famëkeq jugosllav Goli Otok. Ndërkohë familjarët e
tyre në numër 262 u internuan në Gradsko të Velesit.
Lidhur me figurën e Aqif Lleshit, gazeta e atëhershme në
gjuhën Shqipe “Flaka e Vëllazërimit”, gjatë vitit 1950 ka shkruar në dy raste.
Përderisa në korrik të atij viti, Aqifi konsiderohej si “burështetas i vërtetë
jugosllav”,menjëherë pas largimit do të etiketohet si “kulak, bajraktar dhe
spiun i hegjemonisë serbe”. Ja se si kjo gazetë e përshkruante atë në dy pamje
te ndryshme:
“...Një ndër kandidatët që gjendet
në listën e Frontit Populluer të Maqedonisë për deputetë në parlamentin e RFPJ,
asht edhe Aqif Lleshi, të cilin rrallë ka njerëz në vendin tonë që të mos e
njofin ose të mos kenë ndigjue për te. Qysh në vitin 1941, Aqifi megjithse
plak, së bashku me familjen e tij, rroku armën dhe filloi luftën kundër
okupatorit... Në vjetin 1943 Aqifi u lidh dhe u bashkua me Lëvizjen Nacjonal
Çlirimtare dhe prej atëherë punonte dhe luftonte simbas udhëzimeve të saj... Ai
sikurse edhe në kohën e luftës edhe tashti mbas çlirimit, në kohën e drejtimit
të vendit tonë dhe të një jete ma të lumtun për njerëzit tonë punues punën e
vetë nuk ka ndërpremun, por gjithnji pa kursye kurgja e vazhdon prej çlirimit
për çdo aksjon gjindesh për ballë
popullit dibran.. Për të gjithë këto merita që ka Aqifi, populli i
Dibrës që në ditët e para mbas çlirimit i besoi detyrën me rëndësi dhe e
zgjodhi si kryetar të këshillit të rrethit të Pushtetit Populluer të
Dibrës...”, - thuhej në shkrimin e parë të gazetës, ndërsa, në
shkrimin tjetër tre muaj më vonë: “Polit emigrantat në vende inform-byroiste
dhe zotnit e tyne të udhëheqjevet të partivet inform-byroiste fituen edhe një
forcë të shëndoshtë - kullakun bajraktar, njeriun e pallatit dhe spiunin në
shërbim të klikës hegjemoniste serbomadhe të paraluftës dhe të organeve
fashiste italjane gjatë okupacjonit të vendit tonë, Aqif Lleshin, që para do
kohe hiku në Shqipnin Enveriste...”.
Mund të paraqisnim edhe argumente të tjerë, por mendojmë
se janë të mjaftueshëm dhe shpresojmë për një reflektim te Këshillit Komunal
Dibër si edhe të qytetarëve të saj, për të mos e lejuar inagurimin e një busti
për antikombëtarin Aqif Lleshi.
Uran Butka, studiues, Tiranë
Qerim Lita, studiues, Shkup
Saimir Lolja, studiues, SHBA
Shoqata “Bashkësia Dibra”: Tofik Jegeni, kryetari
Këshillit, Saimir Shatku, sekretar i Pergjithshem, Prof.Bujar Kapexhiu,
kryetar.
13 shtator 2020
*
Disa dokumente arkivore per
ilustrim:
Ministria e Ushtrisë dhe e Marinës
Njësia e përgjithshme ushtarake
Proc. Xh. Nr. 48.425
28 janar 1920, Shkup
KOMANDANTIT TË ARMATËS SË QARKUT TË III
Komandanti i krahut të majtë të Frontit Shqiptar përmes
Procedimit Nr. 92 nga data 17 të këtij muaji ma dërgoi raportin me sa më poshtë
vijon:
“Vice Konsulli z. Nikolla Jovanoviq më njoftoi se, ka
hyrë në negociata me Shaqir Demën parinë e Hemeshit, i cili më herët është
arratisur te italianët, ndërsa tash dëshiron kthimin e sërishëm në anën tonë
dhe ta ndihmoj çështjen tonë. Kushtet e
Shaqir Demës janë: Të largohet Halit Lleshi nga Bulqiza dhe t’i jepen 300
napolona për shpenzimet që i ka pasur deri më tash. Z. Jovanoviq ia ka dhënë
besën të qëndrroj në Homesh përderisa nuk merr përgjigje nga Ministria për Punë
të Jashtme. Z. Jovanoviq mori përgjigje se mund të pranohet dhe t’i jepen para sa
është e mundur….”
*
KOMANDANTIT TË ARMATËS SË QARKUT TË III
Halit Lleshi e ka marrë Çafë Bulqizën, dogji 3 shtëpi,
ende po zhvillon luftime.
Kolonel, Mihajlloviq
(????. ?. ???, ?. 342, ???. ??. 210)
*
….Në Mirditë shpërtheu kryengritja e përgjithshme kundër
Qeverisë së Tiranës dhe në përgjithësi kundër unitetit të Shqipërisë.
Bajraktari i Mirditës, Marka Gjoni, më 17 korrik 1921 shpall Republikën e
Mirditës, me qendër në Shkodër dhe themelon qeverinë e republikës së re, e cila
në Paris dërgoi delegacionin e saj. Kryengritjes i bashkëngjiten ish
përkrahësit e Esat Pashës, Osman Bali dhe Halit Lleshi ....Që nga viti 1915
Halit dhe Aqif Lleshi ishin të lidhur me Serbinë dhe kjo miqësi e Llesheve
ishte e njohur. Pas vrasjes së tij, Aqifi kaloi kufirin dhe u vendos në
Beograd, ndërsa te Lleshët arrinin lajmet se ka pasur pritje miqësore si mik i
vjetër dhe i besueshëm. Në Shqipërinë e atëhershme, kjo pati rëndësi të madhe
për çka gjatë kohë kjo është përfolur....”.
(????.?. ???.?.349, Beograd, 11 maja
1952 godine)