Mendime
Florim Zeqa: Ikjet e pandalshme nga burgu kolektiv!
E shtune, 12.09.2020, 03:52 PM
Ikjet e pandalshme nga burgu kolektiv!
Shkruan:
Florim Zeqa
Nga
cilido këndvështrim ta shikojmë realitetin e sotëm kosovarë, na del të jetë i
dhimbshëm dhe i mjerë. Një vend pa funksionim të sistemit të drejtësisë, i
zhytur thellë në korrupsion dhe krim të organizuar dhe pa asnjë përspektivë
zhvillimore.
Pasojat e politikbërjes
së gabuar
Si
pasojë e keq-qeverisjes 21 vjeçare dhe izolimit ndërkombëtar të qytetarëve,
mungesës së zhvillimit ekonomik dhe krizave të njëpasnjëshme politike, e në
veçanti nga rrëshqitjet e njëpasnjëshme në dialogun e pabarabartë me Serbinë,
shteti i Kosovës është duke shkuar drejt falimentimit dhe zhbërjes fizike.
Përveç
krizës së thellë politike, në të cilën është katandisur vendi, shtetin e
Kosovës e kanë mbërthyer një varg krizash; financiare, shëndetësore, morale,
kulturore,...ku të gjitha së bashku janë pasojë e politikbërjes së gabuar për
një kohë të gjatë.
Largimi
në mënyrë masive i të rinjve dhe familjeve shqiptare nga Kosova i viteve të
fundit është duke e rrezikuar të ardhmen e vendit në periudhën e afërt, të
mesme dhe afatgjatë.
Ikja e çlirimtarëve nga
shteti për të cilin luftuan
Ikja
nga vendlindja është zgjidhja e fundit, është rruga më e rëndë dhe më e
mundimshme në jetën e njeriut.
Mallkimi
dhe rënkimi i të ikurve me shpirt të thyer nga vendlindjet e tyre është duke
ndjellur kob për shtetin e Kosovës.
Njerëzit
nuk po ikin nga dëshira, por nga pamundësia për të jetuar dinjitetshëm në
atdheun e tyre, ngase pushtetet e pasluftës ua mbyllen të gjitha dyert, ua
shuan të gjitha shpresat për jetë në vendlindjen e tyre.
Padyshim,
më të pakënaqurit janë ata që dhanë dhe sakrifikuan më së shumti nga vetja e
tyre për gjysëm shtetin dhe gjysëm lirinë që po e gëzojmë sot.
Pra,
ata janë luftëtarët e lirisë sonë, qofshin ata që ishin nën uniformën e UÇK-së
apo luftëtar pa uniformë, por që më armë
në dorë u përballen më pushtuesin serb, të cilët në shpirtë kanë lirinë dhe
pavarësinë e vendit të tyre, shtetin ligjor dhe demokratik.
E
kam përjetuar rëndë në shpirtin tim rrëfimin e ish nxënësit tim, të cilin mosha
e pjekurisë (18 vjeç) e gjeti në radhët e UÇK-së, pjesmarrësin e shumë betejave
të lavdishme, ish pjestarin e Trupave
Mbrojtëse të Kosovës (TMK), i cili për një kohë të gjatë trokiti kot
dyerve të institucioneve të shtetit, në kërkim të një vendi të punës,...të
cilin e sotmja (pas 21 vjetësh) e gjenë duke bredhur rrugëve të perëndimit në
kërkim të ekzistencës dhe të një jete më të mirë për familjen e tij, pasi
shteti nuk i ofroj asgjë!
Nuk
e di se a ka dëshpërim më të madh sesa ai i babait të një dëshmori, që e kishte
të vetmin djalë, i shkon tek varri dhe i thotë: "Lamtumirë o bir, unë po
ta kthej shpinën dhe po e lë vendin për të cilin dhe jetën ti o drita e vetme e
jetës sime...".
Jo
vetëm e dhimbshme, ky është mallkimi më i madh për politikanët që u është bërë
gjaku ujë, të cilët para vetes nuk shohin gjë tjetër përveq egos së pafundme për pasurim dhe uzurpim të
institucioneve, duke e trajtuar shtetin e Kosovës si plaçkë lufte e jo si atdhe
të tyre.
Shuarja e shpresave dhe
vrasja e ëndërrave
Shuarja
e shpresave dhe vrasja e ëndrrave për të krijuar lumturi të përbashkët
familjare në shtetin amë, në vendlindje është gjëja më e dhembshme që mund të
përjetojë njeriu në jetën e tij.
Është
tepër e dhimbshme kur dëgjon, që të rinjë dhe familje të tëra, të lodhura nga
varfëria dhe denigrimi social, nga humbja e të gjitha shpresave për një të
nesërme më të mirë në shtetin e lirë, shesin shtëpi e pasuri për të blerë
vizat..., dhe me lot në sy, me dhembje në shpirt dhe zemër të coptuar e mbyllin
pragun e shtëpisë së tyre, për t'u nisur drejt një shprese të re në vende të
panjohura, të cilat jo rralë iu sjellin dëshprim dhe përfundim fatal.
Është
shumë e dhimbshme kur fëmijëve u ndërpritet fëmijëria në vendin e lindjes; kur
nxënësit ndahen nga shokët e klasës, nga mësuesi që ua mësoi alfabetin e gjuhës
shqipe, nga familja e farefisi i gjerë, ndoshta për të mos u parë më kurrë mes
vete në këtë jetë!
Dëshprimi i
mërgimtarëve, i dhimbshëm dhe i rëndë
Por
akoma më e dhimbshme është kur dëgjon mërgimtarët e dëshpruar, me shpirtë të
thyer dhe zemër të plagosur, të thonë; “nuk do të kthehem asnjëherë në Kosovë”,
shkaku i zhgënjimit në partitë politike dhe politikanët kosovarë, pa dallim
pozitë dhe opozitë, në një shtet pa pikë perspektive dhe tërësisht në duart e krimit të organizuar e
mafio-oligarkisë kriminale.
Si
pasojë e kësaj situate, mërgimtarët nuk duan më që as eshtrat e tyre t’iu
kthehen në vndlindje.
Si
pasojë e kësaj situate, viteve të fundit janë në rritje e sipër rastet e
varrimit të mërgimtarëve në vendet ku jetojnë dhe veprojnë prej vitesh.
Nuk
e besoj të ketë gjë më të dhimbshme, se sa thyerja shpirtërore e një mërgimtari
që tërë jetën i ka kushtuar familjes, lirisë dhe pavarësisë së atdheut të vet,
e në fund të vie në situatë të braktisë vendlindjen e tij edhe për së vdekuri!
Kosova
e sotme, më tepër i gjason një burgu kolektiv sesa një shteti të pavarur, më
tepër i gjason një qeverisje provinciale sesa një shteti sovran, populli një
kopeje delesh të ngujuara, ndërsa politikanët u ngjajnë barinjëve të uritur!
Kosova
e sotme është bërë parajsë e politikanëve dhe ferr i qytetarëve!