Kerko: a
Enver Bytyçi: Pse rrejnë kaq kollaj Edi Rama dhe Hashim Thaçi?!
E premte, 11.09.2020, 08:43 PM
Pse rrejnë kaq kollaj Edi Rama dhe Hashim Thaçi?!
Nga
Enver Bytyçi
Sapo
u mbyll takimi në Washington dolën turravrap, në fillim Rama e më pas Thaçi,
dhe kumtuan me të madhe se "Ajo që u arrit në Shtëpinë e Bardhë do ishte
arritur para dy vitesh" dhe se "Kosova humbi dy vite kohë"!
Fajësuan për këtë taksën, thikat, hartat, "shpifjet" e opozitës dhe
kundërshtarëve të ndarjes së Kosovës. Fajësuan shumicën e shqiptarëve, të cilët
ishin dhe janë kundër shkëmbimit të territoreve të Kosovës me Serbinë. Ishin
gati ta fajësonin edhe Zotin, vetëm që këta të dy të dilnin të larë nga llumi
ku hynë vullnetarisht që në bashkëpunim me presidentin serb, Vuçiç, ta ndanin
Kosovën.
Shpikën
një rrenë të madhe, shumë të madhe! Sikur këta kishin për të arritur një
marrëveshje si kjo e 4 shtatorit 2020 që para dy vjetësh. Sipas tyre, të
paudhët, d.m.th Haradinaj, Berisha, Meta e të tjerë, nuk i lanë ta bëjnë këtë!
Nuk pranojnë Rama dhe Thaçi se para dy vjetësh ishte në tavolinën e Bolton
projekti Rama-Thaçi-Vuçiç të ndarjes së Kosovës! Nuk pranojnë se edhe më 27
qershor së paku do të dilte kishte një përpjekje të tillë, ndryshe nuk kishte
pse Thaccit t'i kumtohej në avion kthimi mbrapsht. Por duan që me sulme e rrena
të hiqen se "s'kanë lidhje me atë projekt"!
Ndërkaq
deklaratat e Ramës dhe Thaçit kaluan pa ndonjë reagim. Duket sikur mediat janë
në mision për t'i rehabilituar ata për aktin e tradhtisë kombëtare në angazhim
të tjetërsimi të territorit të Kosovës. Moderatorët bëjnë pyetje të tipit - A
ishte taksa pengesë për të realizuar më herët një marrëveshje në Uashington?! Thaçistët dhe Ramistët bërtasin e thonë, se
"Shefat e tyre e përgatitëm terrenin që të vihej te marrëveshja e 4
shtatorit"! Ndërkohë e vërteta është se taksa ishte pasojë e projektit për
ndarjen e Kosovës, që do të thotë se ky projekt ishte pengesë e vazhdimit të bisedimeve.
Lufta
për merita është e njohur në mesin e shqiptarëve. Por të dalësh e të kërkosh
merita për një marrëveshje, e cila nuk ka të bëjë me protagonistët në fjalë, ky
është vërtetë një akt komik e tragjik njëkohësisht. Eshtë njësoj sikur të dalin
nxitësit e një lufte të caktuar e të thonë se "meritat për paqen ishin të
tyret"! Kësaj i thonë jo të gënjesh, por të artikulosh një rrenë e madhe,
për të mohuar një të vërtetë të dukshme në ditën me diell.
Pse
rrejnë kaq kollaj Edi Rama dhe Hashim Thaçi?
Rrejnë,
sepsë janë në siklet. Ishin nis të hynin në histori si "fitimtarë të
mëdhenj" dhe përfunduar si "tradhtarë të mëdhenj" të kombit
shqiptar! U nisën për "të marrë çmimin Nobel" dhe përfunduan skutave
të gjykatës speciale Thaçi e Rama në llogaridhënie të sigurt nesër!
Ata
rrejnë kur thonë se kishin në projekt një marrëveshje si kjo që u nënshkrua në
Uashington më 4 shtator. Projekti i tyre ishte ndarja e Kosovës. Këtë e dinë
edhe minjtë, jo më njerëzit që kanë përveç syve, veshëve dhe gojës gjithashtu
mendjen, ndërgjegjen, vetëdijen, nëndijen, ndjesinë, me të cilat i japin kuptim
të vërtetës dhe jetës mbi tokë.
Ata
rrejnë kur thonë se taksa Haradinaj ishte pengesa e dialogut midis Kosovës dhe
Serbisë! Në fakt nuk ishte taksa, por projekti i ndarjes së Kosovës i promovuar
fillimisht në Nish nga Edi Rama dhe Aleksandër Vuçic e më pas nga Hashim Thaçi
dhe homologu i tij serb në Alpach të Austrisë më 18 gusht 2018!
Ata
rrejnë se Minishengeni është ide e Edi Ramës. Vetë kryeministri i Shqipërisë
deklaroi nëntorin e vitit të kaluar se kjo ide ishte e presidentit të Serbisë e
për pasojë nuk mund të ishte në dobi të Kosovës. Në Uashington, sipas fjalëve
të kryeministrit Hoti, minishengeni hyri në marrëveshje si lëshim për Serbinë,
sepse në këmbim të vendosjes së ambasadës serbe në Jeruzalem, Aleksandër Vuçiç
insistoi në angazhimin e Kosovës për të marrë pjesë në këtë nismë të tijën!
Presidenti Trump ia kërkoi këtë Kosovës në pozitat e xhentelmenit!
Ata
rrejnë kur thonë se në Berlin ose në
Uashington nuk ka patur harta e thika kundër territorit të Kosovës. Rrejnë,
sepse përpjekjet e Ramës, Thaçit dhe Vuçiçit për ndarjen e Kosovës i ka
dekonspiruar kumbara i tyre, John Bolton, i tha troç: "Idenë e ndarjes së
Kosovës e sollën në Uashington këta protagonistë lokalë ballkanikë"! Dhe
ne na kujtohet shumë mirë se si mburrej Rama para parlamentit të Shqipërisë me
telefonatën e gjatë midis tij dhe Bolton. Në atë kohë ai thoshte se biseduam
për rajonin, duke u mburrur se ishte protagonist e ndarjes së Kosovës! Ne e
dimë shumë mirë se si Hashim Thaçi, sa kohë ishte Bolton shkoi shpesh në
Uashington dhe pasi e takonte atë dilte e thoshte se "për ta përmbyllur
konfliktin me Serbinë, Kosova ka përkrahjen e SHBA-ve dhe kjo mund të bëhet me
korrigjimin e kufijve"! Ndërsa Edi Rama në ato përpjekje mori rolin e
avokatit të Hashim Thaçit, duke iu kundërvënë publikisht me fyerje e sharje
kujtdo, edhe kryeministrit të Kosovës, pse ata kundërshtonin idenë dhe
projektin serb të shkëmbimit të territoreve me Serbinë!
Tani
del presidenti i Kosovës dhe pa pikë marreje thotë se "Po të ishim të
bashkuar, do të kishim një marrëveshe më të mirë"! Ndërkohë që ai bashkë
me Edi Ramën e përçanë politikën shqiptare dhe e bënë copë-copë, për shkak të
angazhimit që kishin për ndarjen e territorit! Përpjekjet e Hashim Thaçit për
ndarjen e Kosovës përmes skenarit të "korrigjimit të kufijve" kanë
qenë publike çdo ditë, çdo orë, gjatë më shumë se dy viteve, deri më 29 prill
2019, kur shkoi në Samitin e Berlinit dhe Angela Merkel ia ndaloi atij dhe Edi
Ramës të flisnin më për këtë projekt! Këta banditë politikë e të pacipë, të
cilët konkurojnë me vetë rrenën, së paku duhej të heshtnin! Jo më të guxonin të
vetëmburreshin, duke adresuar fyerje dhe sharje për kundërshtarët e projektit
antikombëtar të tyre të ndarjes së Kosovës!