Kerko: a
Sinan Gashi: Andon S. Frashëri - I funtmi i Kastriotëve
E diele, 26.07.2020, 03:48 PM
“I FUNTMI I KASTRIOTËVE” NJË ROMAN (JO) HISTORIK
Andon
S. Frashëri: “I funtmi i Kastriotëve”, botoi Ismail Mal’ Osmani, Tiranë, 1944.
Nga
Sinan GASHI
I
mbetur në harresë për kohë të gjatë, edhe si krijues letrar edhe si
personalitet, Andon S. Frashëri është autor i romanit “I funtmi i Kastriotëve”
që e njohim deri më tashti, i cili ishte botuar në Tiranë, në prill të vitit
1944, nga botuesi Ismail Mal’ Osmani.
Me
gjithë kërshërinë e secilit lexues e më tepër e secilit studiues që të di më
shumë për autorin e romanit, peripecitë jetësore të tij (këso radhe vjen
mendimi se kjo ‘humbje’ e këtij autori është rrjedhojë edhe e dhunës makabre,
siç kishte ndodhur shpesh në vendet me sistem komunist, pra edhe në truallin
tonë), si dhe për krijimtarinë e tij, nga se nuk pranohet e dhëna se një
krijues të botojë vetëm një vepër, pa ‘shkrime ushtrimore paraprake’, për të
dalë me një vepër serioze para lexuesve dhe madje ta ketë krijuar krejt vetëm një libër ose
edhe që të del nga një penë së pari një
vepër kaq serioze dhe madje, si meteor, gjithçka të zhdukej më pastaj,
gjithsesi të shpie mendimi te rruga e mosbesimit. Visar Zhiti, në një rast
kishte thënë: “Libri është i përtejmë, i gjallë dhe në botën e të vdekurve.”
Sido që të jetë, vepra e ruan ‘kujtesën’ për autorin, krijuesin, së pakut si emër dhe e radhitë në mes atyre që frymuan artistikisht si dhe patën ndjenjën e atdhetarisë.
Romani
“I funtmi i Kastriotëve” nënkuptohet edhe nga vetë titulli se është roman që i
kushtohet kohës skënderbeane, përkatësisht këso radhe tema është e post mortum
të heroit tonë Gjergj Kastriotit. Thënë më troç, autori provokohet nga ngjarja
e kthimit të Gjon Kastriotit, djalit të Skënderbeut nga Italia, ku ishte
strehuar, për ta luftuar sunduesin e truallit të tij, osmanlinjtë, dhe
peripecitë rreth atyre aksioneve.
Edhe pse storja është e thjeshtë, që nis me kthimin e Gjonit me një trim tjetër në portin e Durrësit, duke u prezentuar me emra të rrejshëm, kinse kanë ardhur me misionin e tregtarëve në Shqipëri, të cilët pasi njihen me një bujtinar, i cili ishte edhe ai njeri i dëshmive të sakrificës për kombëtari, mësyjnë Krujën e shenjtë dhe kontaktojnë më shumë njerëz të cilët mbeten të mahnitur nga kjo ndërmarrje e guximshme. Ata të gjithë kanë vullnetin e madh për të bërë diçka në kahe të lirimit të atdheut, të cilin e kishte pllakosur dhuna turke në mënyrën më barbare.
Përgatitjet
janë tepër të gjata, të shtrira dhe shumë sekrete.
Pas një aktiviteti të gjatë, nis një aksion i udhëhequr nga Gjoni trim e i paepur, të cilin e respektojnë të gjithë deri në himnizim, por suksesi është i vogël, ngase fuqia turke është tepër e madhe dhe mundësitë e shqiptarëve kryengritës janë tepër modeste. Mirëpo, nga ajo që dëmton më se shumti, është bashkëpunimi i disa krerëve shqiptarë me armikun, që në të vërtetë shpesh del sikur bëhej një luftë vëllavrasëse. Kjo mënyrë e zgjedhur nga sundimtarët turq, që përmes gradave dhe të mirave materiale, t’i përvetësojnë disa shqiptarë dhe ta shtrijnë informacionin, është një formë që manifestohet vazhdimisht në këto raporte shoqërore.
Edhe
pse Gjoni, në atakim me individë a grupe të tilla, mundohet të jetë zemërgjerë
dhe të këshillojë që të kthehen kah vetvetja – shqiptaria, ata as që kishin
ndjeshmërinë më të vogël, madje në raste edhe ndërronin kombëtaren me
arnautllëkun.
Gjoni, gjatë kësaj kohe të qëndrimit këtu, bie në dashuri me një vajzë të bukur, e cila e donte sa jetën, por pengesë ishin familjarët, ngase ishin konvertuar në myslimanë, që në të vërtetë tashti pengesë ishte feja.
Mbi
të gjitha fjala e dhënë – besa e vajzës mbetet e përjetshme. Ajo edhe vdekjen e
pret me mendimin e njëjtë.
Edhe
pse aksioni luftarak dështon, nxjerr në shesh
një pakënaqësi dhe një trimëri të pashuar brezash për liri, e cila
manifestohet heroikisht.
Veprat e natyrës së tillë, që vetëm njëherë janë botuar dhe në një kohë tepër të hershme e të mjegulluar, kërkojnë paksa që edhe subjekti t’u rrëfehet si përrallë, nga pamundësia e leximit nga të tjerët.
Gjon Kastrioti strumbullar i veprës
Si një pe i kuq përvijohet tej e tej romanit personi i Gjon Kastriotit, i biri i Gjergjit famëmadh, i cili, pasi kishte mbaruar shkollimin e lartë, në moshën 25 vjeçare, mësynë brigjet e Adriatikut. Ai është mjaft lëvizës në vepër, herë në linjën epike mes luftëtarëve trima dhe masivizimit për luftën e ardhshme, herë në linjën lirike tepër emociononte e romantike, me takimin e rastit dhe lindjen e dashurisë mes këtij dhe vashës hyjnore, e cila me një dashuri të pastër, humbet në andrallat për njeriun e jetës dhe trimin e shqiptarisë. Por nuk mbesin pa gjë as personazhet e tjerë në roman, si Drakuli, që është fshehur par emrit të ri Robert, ose trimi Kolë Shpata, Gjin Kasneci, Mariana, Gjon Muzaka, Pjetër Topia, Shuk Spani, ... e tjerë.
Gjoni,
veç pamjes së bukur, ka edhe fjalën e matur e shumë domethënëse, që forcojnë
ndikimin në momente të rënda, siç ishte Shqipëria.
“Me ndihmën e Zotit e me
vullnetin e atdhetaret, vendi ynë i mjerë do të shpëtojë prej zgjedhës së
huaj”, shprehet në fillim me bindjen se “Ç’ fuqi magjike ka dashuria për atdhe!
Çudi si dhe sa shpejt e merr veten një popull kur ka idealizma; qoftë ai popull
edhe në shkallën e fundit të rrënimit.”
Armiku
kishte përdorur të gjitha mjetet për mundësinë e përçarjes – sundimit më të
lehtë ndër të cilat edhe fenë.
Konvertimet e bëra kishin lozur rolin e vet negativ, madje ky ishte shkaku që Gjoni të mos mund të martohet me Marianën jetime, që e kishte konvertuar i ungji në myslimane, për karrierë. “Im atë ka qenë i krishterë, po i tërhequr prej tim ungji përqafoi muhamedanizmin dhe bashkë me të u myslimanizuan nëna dhe unë!”, shpjegon vajza me pikëllim.
Rropatjet dhe përjetimet e thella ndjenjore jepen tepër bukur në roman, që në njëfarë mënyre shpjegojnë rrymimin shpirtëror të jetës shqiptare, dashurinë që shpërthen mes vrazhdësive jetësore, realitetin e një heroi dhe natyrshmërinë e sinqeritetin e tij që bashkëjetojnë me sakrificën, e tjerë. Këtu madje dyzohen ndjenjat dhe veprimet, aksioni dhe përjetimi, që njëkohësisht janë në prani të çdo njeriu, vetëm se varet se cila nga ato është parësorja e cila është dytësorja, varësisht nga faktorët rrethanorë.
Mu
ky lirizëm që shkon krahas qëllimit çlirimtar, e bën romanin të përpjestueshëm
tematikisht dhe , sado pak ia zbeh historizmin.
Bukuria e shprehjes
Edhe
disa herë, nga studiues të ndryshëm, është theksuar se vjetërsimi i veprës
bashkë me vjetërsimin e gjuhës shprehëse, e zbeh sado pak anën aktuale e
artistike, këso radhe thyhen konstatimet e tilla, ngas e kjo vepër ruan
freskinë e çuditshme, thuaja se është shkruar sot, në këtë 600 vjetor të
lindjes së Skënderbeut, sa me mënyrën mbarështruese të veprës, aq edhe me
talentin e gjithsesi me gjuhën e mendimin shprehës.
Edhe
kur e përshkruan ngjarjen, edhe kur pasqyron bisedat e fshehta organizative,
edhe kur shpreh ndjenjat e dhembjes për shqiptarët e varfëruar ekonomikisht e
të zvetënuar moralisht, e gjithsesi edhe kur përshkruar ndjenjat erotike mes
Marianës së bukur perri dhe Gjonit shpatullgjerë e karakter fortë, gjithçka del
i pasqyruar bukur.
Ja
disa shembuj tekstualë, për të forcuar mendimin e tillë.
“Dy lotë, që u dukna nën
dritën e kandilit si dy margaritarë të zverdhur, rrodhën nga sytë e tij
tatëpjetë nën faqet dhe ranë mbi shpatën që mbante përpara.” (f. 28),
ose
“Syri i popullit që kish
përpara kallëzonte frikë; druri i ‘askerit’ e kish kalbur dhe s’i kish lënë
fuqi as në trup e as në shpirt”. (f. 32),
ose:
“Fjalën e fundit e
theksoi me një urrejtje që u duk lakuriq nër dhëmbët e tij që kërcisnin si
gurët e mullirit”. (f. 34),
ose:
“Ata sy të ndritshëm si
hyjt’ e Arabisë dhe të nxehtë si rana e Afrikës”. (f. 40);
“Ne shqiptarët e kemi
edhe në bark feudalizmin të nderojmë vetëm ata që kanë emër, që mbajnë qyrkun e
Nastradinit ose që kanë të holla dhe
tituj.”
(f. 79);
“Rafaeli nuk kish
pikturuar engjëll më të bukur. Me sy gjysmë të mbyllura, nën qepallat e
dendura, me buzët pak të lodhura e të skuqura sinjë burbuqe trëndafili ndezur
prej afshit të diellit, ajo dukej si një perëndeshë
romane posa dalë prej banjove të arta.” (f. 72); “Dhe ushtima mori tatpjetën si avalosnin i një shtrëngate dimërore,
kapërceu lisat shekullor dhe u përplas në zemrën e njomë dhe të sfilitur të
vajzës që përgjonte nga dritarja e
kështjellës me psherëtima vendin e dashurisë.”
(f.
103), e tjerë.
Andon
S. Frashëri (ndoshta edhe vetëm me këtë vepër letrare) lë përshtypjen e një
krijuesi me talent me një kaptinë të historisë sonë të lavdishme e jetëson
tepër të bukur, duke i ikur mjeshtërisht ngarkesa dokumentare historike-
kronike, dhe duke e paraqitur jetën ashtu siç është realiteti, pra duke iu
shmangur zmadhimeve e fjalëve përshkruese, qoftë të personazheve, qoftë edhe të
skenave jetësore e luftarake.
Përmbyllja
e romanit është një simbolikë e theksuar, kur këta dy të rinj (Gjoni e
Mariana), edhe pse të feve të ndryshme tashti, i pari i vdekur në Itali, siç
thotë autori:
“Këtu çlodhet fatosi i fatosëve, i funtmi i
Kastriotëve!”, vizitohet “ditën e
parë të Pashkëve çdo vit e viziton për shumë vjet me radhë një grua e re, e
veshur kurdoherë me të zeza, e cila orë të tëra qante me lotët e zemrës mbi
pllakën e mërmertë”, nga qe heret e kishin ndjerë aromën rinore e kombëtare
së bashku.
E, çfarë dimë për Andon S. Frashërin
Gjurmimet
dhe interesimet e përhershme të çojnë të disa të dhëna që, hiq më shumë, ta
heqin lëbyrjen e njohurive për të. Pra Andon Spiro Frashëri ishte i lindur në
Korçë, më 1892, nga familje frashërlinj e Përmetit.
Mësimet
e para i kishin dhënë dy mësues dëshmorë të gjuhës shqipe, Petro Nini Luarasi
dhe Nuçi Naçi. Gjimnazin e saponisur në qytetin e lindjes e për - mbylli në
Selanik të Greqisë. Mësimet i vazhdoi në Natick High School, si dhe studioi për
dy vjet letërsinë në Universitetin e Harvardit (1913 -’14), nga se kishte
migruar për në ShBA që më 1910.
Njëherë
si zv. redaktor e pastaj redaktor i organit të Federatës Panshqiptare “Vatra”,
gazetës “Dielli”, u emërua më 1915, përkatësisht 1919-1924, kur zgjidhet anëtar
i Kuvendit të “Vatrës dhe bëhet editor i gazetës që edhe e redakton. Më 1924
atë e gjejmë në Shqipëri, me shumë
veteranë të tjerë, që me pianistët e Korçës morën pjesë në Kryengritjen e
qershorit. U emërua shef i kabinetit të Fan Nolit dhe
sekretar
privat i kryeministrit. Pas rënies së qeverisë së Nolit, ai largohet nga vendi,
për t’u kthyer sërish në vendlindje, duke ushtruar detyrën e mësuesit të
gjuhë-letërsisë shqipe si dhe i gjuhëve të huaja në Korçë, ndërsa, pas vitit
1936 në Gjimnazin e Tiranës. Por, në marsin e vitit 1946 pushohet nga puna, si
i padëshirueshëm dhe gjashtë muaj më pas në të njëjtin vit, arrestohet së
bashku me bashkëshorten, të bijën e atdhetarit Thoma Avrami. Pas një vit e sa
torturash çnjerëzore, dënohet me 18 vjet burg, ndërsa Maria, e shoqja, me dy
vjet.
Përjetimet
e vuajtjeve në burgun e Tiranës,
Burrelit dhe të kampit të Maliqit, dëmtojnë së tepërmi shëndetin e këtij
intelektuali. Kështu, si pasojë e gjithë kësaj, më 1956 u sëmur keq dhe iu nënshtrua një operacioni,
pas të cilit mbet gjallë e për gazep, për ç’shkak lirohet pas 10 vjetësh
burgim.
Pason
një jetë e rëndë, pa asnjëfarë të drejte, se ishte “armik i popullit”.
Vdekja
e gjeti më 18 dhjetor 1965, siç thuhet, pas një aksidenti banal.
Për t’u futur në botën e letrave e nxitën dy eruditë shqiptarë: Fan Noli dhe Faik Konica, të cilët fillimisht e inkurajuan për të bërë përkthime nga gjuhët e huaja. Rrjedhimisht ai shqipëroi veprat “Kapedani i jeniçerëve ose Skënderbeu” i James M. Ludlov, “Pavli dhe Virgjinia” e Bernardin de Daint – Pierre, të cilat u botuan në të përkohshmen “Dielli”.
Edhe
pas kthimit në atdhe, ai nuk e ndërpreu shkrimin dhe botimin e materialeve të
ndryshme. Ribotoi romanin “Kapedani i jeniçerëve më 1934, romanin “Patrioti” më
1936 dhe “I funtmi i Kastriotëve” më 1943.
Pastaj
ka shkruar një dramë kushtuar
Themistokli Gërmenjit “Fatosat për liri” si dhe përktheu veprën e Bernard Shout
“Johana e shenjtë” dhe atë të Petër Abrahamit “Te pragu i shpërthimit të
rrufesë”, të cilat mbeten në dorëshkrim.
Nga
e gjithë kjo punë intelektuale dhe kjo përvojë e pasur jetësore, rrumbullakon
mendimin se Andon Sotir Frashëri ishte një krijues me talent letrar, të cilën
dhunti në të shumtën ia mori përkthimi i sa veprave, e mos të përmenden vitet e
rënda burgjeve.
Për
ta kthyer tek te përjetshmit, mundësoi vetëm romani i tij “I funtmi i
Kastriotëve”.