Kerko: a
Romeo Gurakuqi: Metoda e kerkimit dhe analizat e një Mohësi
E shtune, 11.07.2020, 10:55 AM
Metoda e kerkimit dhe analizat e një Mohësi
Nga
Romeo Gurakuqi
Këto
ditë, në një portal të letrave shqipe, u shfaq një artikulli i Auron Tares, i
titulluar “Mite të rreme”, kushtuar asaj çfarë ai e konsideron veprimtari
poliagjenturore të dy shkrimtarëve desidentë Ernest Koliqit dhe Martin Camaj.
Kam studiuar me vemendje përpilimin prej 37 faqesh të tij, me kuriozitetin e
një njeriu, që ka lexuar me dhjetra letra private të Koliqit dhe Camajt, që nuk
njihen nga publiku i gjerë dhe që kërkon të mësojë diçka më shumë edhe për anët
e padukshme të jetës personale të këtyre gjigandeve të letrave dhe të kulturës
shqiptare.
Si
burime faktike për argumentimin e hipotezës së tij, autori ka përdorur dosjen
numër 456 të Arkivit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të Drejtorisë së
Dytë me dokumenta edhe të Drejtorisë së Tretë të Sigurimit të Shtetit,
përgatitur nga ky institucion për dekada me radhë për shkrimtarin Martin Camaj.
Dokumentacioni fillon me arrestimin e tij në vitin 1948 dhe përfundon në vitin
1990. Po ashtu, Tare ka përdorur në mënyrën e tij edhe një numër dokumentash të
deklasifikuara, që gjenden online të CIA-as.
Le
ta nisim vlerësimin e koleksionit prej mënyrës se si i ka përdorur zoti Tare
burimet shqiptare. Së pari, konstatoj, që autori ka shkëputur veç disa
dokumente/fragmente nga përreth 163 fletë dokumentacion, duke mos e vlerësuar
dosjen në tërësi. Së dyti, konstatoj, se ai nuk zotëron dhe nuk njeh rregullën
bazë të leximit të dokumentit si burim parësor, shqyrtimin me sy kritik të tij,
si dhe nuk e ka të qartë, se një
studiues kur merret me dokumentin, ka në vetëdijen e tij disa pyetje bazore të
gatshme, që i bën vetes për të qenë profesionalisht korrekt në analizë. Për
shembull, ai duhet të pyes, cili është sfondi personal i autorit të tekstit, në
këtë rast, të rreth 42 punonjësve operativë të Sigurimit, që janë marrë me
përpunimin e të dhënave të Martin Camajt nga sektorë të ndryshëm në 42 vite ?
Nga cili pozicion funksional shkruajnë operativët? Cila është linja e
argumentimit të fakteve të mbledhura? Mbi çfarë burimesh informative janë të
bazuara parashtrimet e dokumentave? Cili është opinioni personal i studiuesit
mbi vërtetësinë dhe kapacitetin e burimeve? Cilat konkluzione të autorit të
tekstit dokumentar janë të justifikuara dhe cilat janë të pajustifikuara? Cilat
janë linjat kryesore të mendimit të autorit për dokumentin e shkruar? A duhet
të fillojë shpjegimi i dokumentave mbi misionin e autorëve të dosjes dhe
institucionit, që ato përfaqësonin, apo duhet t’i marrim si të mirëqena, si
shëmbullore, kombëtare demokratike, sjelljet e hordhive të armës së besueshme
të partisë? A ka bërë një vlerësim kompleks të dosjes autori i kompilimit?
Mirëpo
shkrimi që pretendon të jetë kërkim, mbetet në nivelin diletant, për sa i
përket metodës të hulumtimit. Ngjan që autori, jo vetëm nuk e njeh teknikën e
studimit të një teksti, por ai ka dëshirë të pamatë ta paracaktojë, me pasionin
e një urrejtësi dhe mohësi, fatin e subjekteve të targetuara. Gjithshka kumtohet në titullin e paracaktuem:
“mite të rremë”.
Për
të ndërmarrë një shkrim me pretendime të tilla, autori do të duhej të zotëronte
njohuri të veçanta historike mbi kërkimin e ndërmarrë, të cilat do ta
ndihmonin, në qoftë se ai ishte i sinqertë dhe serioz, për të përftuar detajet.
Si mundet një autor serioz të ndërmarrë një studim nisur nga dyshimet dhe hamendësimet e
formuluara në “kuzhinën” e ish-Sigurimit të Shtetit dhe në shtratin e
familjeve, që bashkëpunuan në vrasjen e shqiptarëve të Kosovës 70 vite më parë,
se komuniteti katolik i Shqipërisë ka luajtur në çdo kohë një rol reaksionar në
jetën e kombit dhe shtetit shqiptar dhe detyrimisht, dy shkrimtarët e mëdhenj,
që ky komuniteti i ka dhënë kombit, janë pjesë e agjenturës ndërkombëtare?!
Nisur nga ky paragjykim, ai ka ndërtuar një shashkë me synime denigruese ndaj
dy prej figurave më të rëndësishme të elitës shkodrane, pikërisht në kohën kur
e vërteta shkencore historike ka sfumuar injektimet e falsifikatorëve të
shkencës puniste. Mirëpo, Tares i është ngarkuar një detyrë për të kryer dhe ai
e ka bërë me mundësitë dhe devocionin e tij, si pasardhës i pandryshuar i një
veterani të një lufte palavdi kundër
Shqipërisë së Mirëfilltë.
Vërej
me keqardhje, se në të gjithë shkrimin e zotit Tare nuk ekziston një regest i
plotë i dokumenteve të përdorura, që është alfa e studiuesit të historisë. Ka
veç copëza, por jo një vlerësim në detaje të burimit historik. Shkrimi nuk ka
një koncept organizimi dhe është shkruar jashtë mendimit, pasi kur shkruan një
punim, duhet të merren parasysh karakteristikat e burimit, autorët që në rastin
konkret janë (Kapisyzi, Proko, Josifi, Zika, Hodo, Shkodrani, Malo, Zahaj, Laçi
e sa e sa oficerë të “armës së dreqit”), si dhe dokumentat me të cilat je duke
e bërë shqyrtimin.
Punimi
nuk ka një strukturë formale. Ka veç hipoteza fillestare në lidhje me
komplikimin e Camajt me Sigurimin dhe UDB-në, të paformuluar seriozisht, të
cilat Tare, vetvetiu, i hedh poshte vetë, me ose pa vetedije, pas faqes 20.
Artikulli nuk ka një faqe titulluese dhe asnjë përmbledhje konkluzive për të
qartësuar lexuesit.
Por
jo vetëm kaq. Kur njihesh me dosjen kupton, se e gjithë fabula e ngritur nga
autori keto ditë mbi Camajn e Koliqin është një falsifikim i mirëfilltë dhe një
mashtrim publik i skajshëm. Deklaroj me përgjegjësi publike se, Dosja e Martin
Camaj është një Dosje Personi nën Hetim me datën 5 maj 1948, që vijon me 10 maj
me një deklaratë aderimi si bashkëpunëtorë, por duke qenë se Martin Camaj sapo
del nga Dega e Punëve të Brendshme Shkodër, përgatit dhe realizon ikjen brenda
3 muajsh, kjo dosje, nga 9 korriku 1948 shndërrohet në një dosje të një elementi
armik. Nga viti 1958, dosja vijon e klasifikuar si e një personi në kërkim, me
dyshimin se Martin Camaj është vendosur në shërbim të UDB-së, akuzë e rëndomtë
për çdo të arratisur nga Shqiperia në Jugosllavi. Dosja është e klasifikuar si
A2, që do të thotë person në ndjekje. Në dosje nuk ka asnjë dokument, që
kompromenton aktivitetin jetësor të Camajt. Atëherë, pyetja që bëj është : Kush
është ky studiues, që arrin të bëjë një veprim të tillë manipulues duke mos
pasur fakte dhe prova? Dhe si është e mundur, që ai nuk ka frikë nga ligji dhe
kundërpërgjigja që familjarët e Camajt
dhe Koliqit mund ta çojnë çështjen në organet e drejtësisë?! Mund t’ju them, se
ekzistojnë zero evidenca shkencore dhe faktike, që mbështesin përpjekjen e
zotit Tare.
Leximi
i dokumentëve të prodhuara në Shqipëri është i mjaftueshëm për të kuptuar
nivelin kulturor dhe profesional të operativëve të Sigurimit, që janë marrë me
përpunimin e informacionit për gati 42 vite. I mahnitshëm niveli i padijes,
paaftësisë profesionale, paranojës dhe paragjykimit të oficerëve të lartë të
“armës ës lavdishme të Partisë”, të përbërë nga funksionarë, që jetojmë në
hamendje, të cilët nuk marrin asnjë gjë të vlefshme, as për sigurinë e shtetit
diktatorial, por veç përpunojnë thashetheme të rëndomta të dhjetra
informatorëve dhe informacione të padobishme mbi veprimtarinë shkencore dhe
atdhetare të Martin Camaj, Koliqit, në Romë, Kalabri, Mynih, Bukuresht,
Innsbruck, Vjenë.
Kur
lexon dokumentet dhe ndjek fillin e mendjeve të përçydnuara të oficerëve të fanatizuar
dhe të pa-arsimuar të Drejtorisë së Tretë shikon qartë, se gjykimi i tyre ka
ende gjurmë dhe trashigimtarë në ditët e sotme.
Pyetja
që dua të bëj është kjo: A mund ta përceptojë dot mendja e një «përpiluesi»
portalesh, formësuar në shkollën e urrejtjes ndaj katolicizmit shqiptar, se
cili ishte misioni i dy gjenive të kombit ?
Qartazi
kemi të bëjmë me diletantizimin e një misionari ndaj një shërbimi ende të
paidentifikuar të sotëm, por që përdor me vrazhdësi gjithë bagazhin e shkollës
së operativëve të Zonës, të grupimit që ndërtoi nga viti 1945, të gjithë
projektin e çmontimit të kontributit të Gegnisë në Shqipëri. Një artikull i
ndërtuar mbi hamendësime dhe mbi frymën e identifikimit të patriotizimit dhe
besnikërisë shtetërore me atë të mbrojtjes së regjimit të PPSH-së. Fabulë e
rënë prej kohësh kur Shqipëria u çlirua nga frika e Bllokut.
Autori
disponon të dhëna të pamjaftueshme për të arritur në konkluzionet e tij
rroposëse. Asnjë dokument nuk disponohet nga autori, se Camaj në Jugosllavi
ushtronte aktivitet për llogari të UDB-së, ose se largimi i tij nga Jugosllavia
ishte i lidhur me një mision të ngarkuar nga ky shërbim në mërgatën shqiptare
në Romë apo në Mynih. E njëjta mund të thuhet edhe për pjesën që bën fjalë për
të ashtuquajturin rekrutim nga sherbimet amerikane dhe gjermane. Çmenduria e
operativëve shkon deri aty sa ta konsiderojnë
Sud Ost Institute në Mynih, si një krijesë e shërbimeve të fshehta
amerikane. Raportet e vitit 1973 përpiqen ta konsiderojne veprimtari
agjenturore deri edhe marrëdhëniet akademike të profesor Camajt me albanologun
Olberger të Universitetit të Innsbruck-ut, Dr, Schwanken e Institutit të
Lindjes në Vjenë, profesor Hasan Kaleshin e Uni Prishtinës, Prof. Georg
Stamuller-in e Universiteti i Mynihut, Erich Han-in e Universiteti i Chicagos,
etj.. Martin Camaj është ndjekur gjatë gjithë kohës nga sigurimi si përpunim
2/A.
Burimet
e koduara të informacionit, që kanë survejuar Camajn do t’i japim në një moment
të dytë.
Ku
është fillesa e mashtrimit dhe e fallsfikimit të së vërtetës?
E
gjithë teza e Tares është ngritur mbi hamendësime të paprovueme dhe të
mbështetura vetëm në një letër firmosur
nga Camaj, në një institucion të tmerrshëm sikurse ishte Sigurimi i Shtetit
shqiptar, para të cilit janë dorëzuar formalisht ose thelbësisht, shumë prej
viktimave të projektuara, pa ushtruar aktivitet. Ndërkohë del krejt qartë, se
Camaj pak ditë pas firmosjes ia ka arritur t’ua hedhë operativëve, të largohet
me grupin e 37 shqiptarëve të drejtuar nga Gjon Destanisha, ndaj edhe gjithë
përpjekja rekrutuese e Fadil Kapisyzit, operativit të parë që e targetoi,
dështoi, dhe Sigurimi nga kjo datë vetëm, se përpiqej ta gjurmonte ku ndodhej
dhe çfarë bënte Camaj gjatë 42 viteve me radhë.
Kalojmë
në fazën e dytë: Emigracioni në Jugosllavi.
Pyetja tjetër, që bëjmë është : A mund të ecet ende me mendjen e
oficerëve të dikurshëm të Sigurimit, se martesa me gra sllave është një mëkat
trathtie ndaj kombit shqiptar dhe sigurisht mëkatari duhet paragjykuar,
survejuar dhe siguruar, mbasi ai detyrimisht është rekrutuar tanimë nga UDB-ja
? Ky është arsyetimi i autorit për gati 20 faqe të artikullit. Ai e gjykon ende
sot Jugosllavinë e Titos me mendjen e njeriut te edukuar në familjet e
kufizuara brenda korrnizave të shkollës së Enver Hoxhës.
E
pamundur, që një historian të ndërtojë një tezë mbështetur mbi paragjykime
kulturore dhe racore. Mund të jetë një pistë hetimi shumë interesante, studimi
i ditëve të errëta të emigracionit në zyrat e UDB-së, por bashkëpunimi që
pretendon autori në asnjë rast nuk është vertetuar, përderisa nuk disponohen
dokumente të shtetit jugosllav në lidhje me Camajn. Zoti Tare duhet ta dijë, se
të gjithë emigrantët politikë të arratisur nga Shqipëria, kanë qenë nën
mbikqyrjen e rreptë të Ministrisë së Brendshme Jugosllave dhe nën asistencën
financiare jetësore të shtetit gjegjës, sikurse në mënyrë të ngjashme ka
ndodhur me të gjithë të arratisurit e tjerë
nga Jugosllavia në Shqipëri. A ka qenë një mbijetëse e lehtë për
emigrantët, çlirimi prej kthetrave të UDB-së ? Absolutisht jo ! Kanë qenë ditë
po aq të zeza mbijetese sa në Shqipëri. Disa ia arritën të çlirohen me shumë
vështirësi, të tjerë nuk ia dolën kurrë nga kapja në kurth e bishtit, por Auron
Tare nuk disponon asnjë provë se Martin Camaj mbeti nën kthetrat e shërbimit jugosllav.
Vetë sigurimsat, në dosjen në fjalë, raportime të tilla nga agjentët i
konsiderojnë të pasigurta. Por kjo nuk ndodh me studiuesin Tare. Ai prozhmon
sepse e ka të paracaktuar konkluzionin.
Nga
ana tjetër duhet të kujtojmë, se nga vitit 1949 Jugosllavia e Titos u vendos në
rreshtin e parë të përpjekjeve për
përmbysjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe sikurse ka ndodhur në çdo
rast të kundërshtive të luftrave civile në Shqipëri, jugosllavët, si mish për
top, kanë përdorur të ikurit politikë nga ky vend. Prandaj, Komiteti i
Prizrenit ka qenë normalisht një organizim i emigracionit politik, me bekimin e
sponsorizimin e shtetit të Titos dhe në funksion të qëllimit për ndryshimin e
regjimit hoxhist, që i kishte hapur portën Moskës për të dalë në Adriatik. Por,
detyrimi për t’u regjistruar në këtë rreshtim nuk përbën ndonjë kompromentim
agjenturorë. Camaj ishte një gjeni, që kuptonte fatet e ardhshme të emigrantëve
në një vend, që ç’montimin e shqiptarëve e kishte objektiv të pandryshuem nga
fillesa.
Largimi
i Martin Camaj nga Beogradi drejt emigracionit në Perëndim ka qenë e
vetmja rrugë, që kanë ndjekur të gjithë
shqiptarët e arratisur nga Shqipëria e
Veriut ne Jugosllavi. Vetë letra e tij për Malokin dhe Sheldinë, është një
kërkesë ndihme për të ikur nga kthetrat ku ndodheshin të gjithë refugjatët në
Beograd. Ky është një fakt i mirënjohur.
Nxjerrja e letrës së Camajt jashtë Jugosllavisë per t’u postuar nga
Vilach, Austri, një qytet shumë pranë kufirit slloven, nga ana e shërbimeve
amerikane, është një provë për këtë. Ikja nga ferri i shërbimit të fshehtë
jugosllav ishte një domosdoshmeri për fatin e secilit të arratisur, aq më tepër
për një intelektual si Martin Camaj, që premtonte majat e udhëhëqësisë
intelektuale për të ardhmen. Letra dërguar Lazer Sheldisë është provë për të
kundërtën e asaj çfarë pretendon Tare. Qartazi, me dokumentat që kemi në
dispozicion, Camaj u ka rrëshqitur dhe nuk ka pranuar t’u nënshtrohet dy
shërbimeve të dy vendeve komuniste Shqipërisë dhe Jugosllavise. Ai ikën sërish,
sepse e dinte fatin që e priste, në qoftë se do të qëndronte pak me gjatë në
Jugosllavi. Rasti i profesor Rizës ishte kuptimplotë. Ardhja në Itali e Camajt
ishte veprim i logjikshëm për të shpëtuar nga makthi i ditës së shkëmbimit të
dy regjimeve simotra, që urreheshin dhe flirtonin njëkohësisht, në dëm të një
Shqipërie normale dhe natyrale.
Ernest
Koliqi, personaliteti më i rëndësishëm i botës shqiptare në Romë (ishte larguar
përfundimisht nga Shqipëria pas emërimit si Kryetar i Përfaqësisë Diplomatike
Shqiptare- Delegat i Qeverisë së Tiranës, pranë qeverisë së Romës me datë 29
prill 1943 dhe jo siç thotë Tare, se Koliqi u largua nga Shqipëria në fund të
Luftës së Dytë Botërore) u bë referenti kryesor për çertifikimin e mërgatës
desidente shqiptare, luajti rolin e garantit edhe për Camajn, të riun saverian
nga Dukagjini. I bazuem në kodet shqiptare të nderit, besës, mikpritjes ai
priti Martinin, mbasi tek ai pikasi gjeninë dhe njeriun e panjollë të maleve
shqiptare. Këto kode tradicionale të të parëve tanë, nuk mund t’i kuptojë dot
përpiluesi ynë. Nga ana tjetër, duhet të pranojmë, se dyshimet në çdo rast
shoqërojnë çdo ardhje të re në mërgatën e përçarë, por Camaj dha prova, se i
përkiste një formati të dlirët, atij të formësuar në zemrën dijetare të shqiptarisë,
në Shkodër, në shkollën më të mirë, që kishte pasur Shqipnia e Parë, në zemren
e besës e nderit të Dukagjinit, të cilat nuk i njohin anëtarët e ortes së
edukimit përbuzës. Camaj ishte formuar në Kolegjin Saverian, pikërisht aty ku
ka qenë formuar një plejadë e lavdishme shqiptarësh të shquar nga Gegnia dhe
Toskënia, duke filluar me vëllezërit Konica.
Autori
mbetet nga fillimi në fund, thjesht një stërhollues fillestar dokumentesh, që
nuk di t’i lexojë, që e fillon fabulën e tij me ngatërrimin e regjioneve
etnografike të Gegnisë, për të cilat, siç duket, nuk ka asnjë njohuri. Por nuk
është vetëm kjo ngatërresë kulturore, që e çatrafilon arsyetimin e Auronit. Ai
vijon keqkuptimin e tij të paracaktuar me përkufizimet, që ai bën për Bllokun
Kombëtar Indipendent dhe misionit të të përkohshmës kulturore dhe shkencore
shqiptare, revistës Shejzat.
Tare
pretendon, se Blloku Kombëtar Indipendent ishte një krijesë e shërbimeve të
fshehta perëndimore, një krijesë e CIA-s.
Në
faqen 20, përpiluesi nxjerr një dokument, që Koliqi kishte kontakte me
shërbimin sekret amerikan, italian dhe gjerman. Autori është kaq konfuz sa
kujton, se shërbimi sekret gjerman i Hitlerit vijonte edhe në Gjermaninë e
denazifikueme. Ndërkohë, raporti amerikan është i shkruar nga një njohës jo i
mirë i historisë së ndërlidhjes së
pjesës më të përparuar të Lëvizjes Kombëtare shqiptare me themelimin e shtetit
të njohur ndërkombëtarisht në vitet ( 1913-1914). Është një raport joesencial, por që autori e
bën tërkuzë, pa arritur që ta zbërthejë.
Zoti
Tare, Ernest Koliqi ka lindë dhe ka jetu si “atdhetar, idealist, puntuer i
pashoq, prozator i zgjedhun, poet i lem, mbi të gjitha i ndershëm, madje tepër
i ndershëm për këtë botën t’onë të bastardhueme e të prishun” (Karl Gurakuqi).
Ai ishte përfaqësues i lartë politik i
organizatës me të rëndësishme pro perëndimore shqiptare në emigracion, që
kishte si objektiv përmbysjen e regjimit në Shqipëri dhe normalisht, që ishte
në kontakt me shërbimet e specializuara perëndimore, që paralelisht operonin në
të njëtin sens, së paku nga pikëpamje përgatitore. Ju duhet të dini, se BKI
lindi si modeli politik i konservatorizimit modern europianist të shqiptarëve
dhe jo si krijesë agjenturore. Anëtarë e kësaj partie politike, nga dita e parë
e themelimit, u vendosën në mbrojtje të kombit, lirisë së tij, mbrojtjes së
kulturës kombëtare, rikthimit të
kushtetutshmërisë dhe demokracisë, europianizimit dhe konfimimit praktik
politik të këtyre vlerave kulturore politike në botën shqiptare, brënda
Shqipnisë nën okupacionin e bandës së dirigjuar nga Moska. Blloku ka qenë
grupimi politik ma serioz, ma intelektual dhe ma i qartë në përcaktimin e
përspektivës së ardhshme demokratike shqiptare. Qënia e Prof. Ernest Koliqit,
Dr. Ismail Verlacit, Gjon Marka Gjonit, Prof. Namik Resulit, Kolë Bib Mirakaj e
intelektualëve e patriotëve të tjerë në berthamen drejtuese të këtij grupimi,
ose në sfondin mbështetës moral, ka qenë ndër garancitë kryesore të këtij
pozicioni të admirueshëm. Themeluesit e Bllokut vinin nga vise dhe mjedise të ndryshme
politike, por të gjithë kishin të përbashkët dhimbjen për familjet që
vriteshin, burgoseshin e internoheshin
nga regjimi, që Tare e merr si etalon matës të patriotizmit.
Themelues
të BKI kanë qenë: Gjon Marka Gjoni, Ndue Gjonmarkaj, Qazim Mulleti, Dr. Xhemil
Dino, Nebil Dino, Prof. Sotir Kozmo, Kapiten Asllan Libohova, Pandeli Papalilo,
Luigj Gjergjola, Safa Vlora, Jak Koçi, Dr. Eduard Liço, Dr. Ismail Vërlaci,
Prof. Ernest Koliqi, Nexhmedin Vrioni, Dr. Xhelal Mitrovica, Prof. Namik
Resuli, Don Frano Karma, Kapiten Jorgji Ruço, Kapiten Kapllan Libohova, Theofan
Qesari, Dr. Kadri Myftiu, Dr. Lin Shkreli, Prof. Stefan Gazulli. Ata kishin
perspektiva krejt të qarta demokratike dhe oksidentale mbi Shqipërinë e
nesërme, të çliruar nga sllavo-komunizmi dhe një konceptim krejt paqësor të
zgjidhjes së çështjes kombëtare shqiptare. “Ndjekja e kultit të vlerave
tradicionale”, “nderimi i personalitetit njerëzor”, “institutit familjar”, “i
lirive shoqnore e politike”, “respektimi i të drejtës së pronësisë private”, “i
të drejtës së popullit për vetvendosje politike” “karakteri laik i shtetit dhe
nderimi i lirisë së ndërgjegjes”, “ndalimi i hakmarrjes politike në kushtet e
një tranzicioni politik nga diktatura komuniste drejt demokracisë” etj., janë
shtyllat mbi të cilat mbështetet programi politik i Bllokut për Shqipërinë e
neserme postkomuniste.
Do
të doja të analizoja pikërisht filozofinë politike, që udhëhoqi BKI dhe
drejtuesin shpirtëror të kësaj partie, profesor Ernest Koliqin.
Themeluesit
e BKI kanë besuar historikisht në vlerat perëndimore të promovuara në fund të
shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX, fillimisht nga Austria dhe më pas nga
Italia. Ata kanë qenë modernë në mbrojtje të së shkuarës dhe krijues në
mbrojtje të traditës. BKI lindi si alternative politike neo-nonservatore, e
thënë ndryshe, e konservatorizmit reformator, karshi partive tradicionale të së
djathtës shqiptare, pak a shumë arkaike të emigracionit dhe si kundërshtare e
vendosur ndaj komunizmit revolucionar mbisundues në Shqipëri dhe në Tokat e
Okupueme në Jugosllavi. Në qoftë se duam të gjejmë fillesën e BKI brenda
historisë së pluralizmit politik shqiptar, mund të themi, se ajo për model
fillestar ka pasur Opozitën Shkodrane të viteve (1920-1924).
BKI
u themelua në kohën kur në vendin amë, të gjitha institucionet që u themeluan
nga etërit e kombit për të mirën e pasardhësve, u shkatërruan ose u sekuestruan
nga një grup politiko-krahinor aventurierësh gjysëm të shkolluar, që u vendosën
në shërbim të agjenturave të vendeve, që kishin luftuar prej dhjetra vjeçarësh
përkundër interesave të formësimit dhe konsolidimit të Shqipnisë.
Mendimi
Koliqian ka kenë bazë e konceptimit të platformës politike e BKI: Desidencë e
vetëdijshme për vlerën e kujtesës, për një sistem real europian i qeverisjes në
Shqipninë e çlirueme nga komunistët, një konceptim qytetar i organizimit,
drejtimit të partive politike. Qytetaria për të ishte kushti themelor i
shoqërizimit në jetën civile demokratike,
për njerëzit, që jetojnë në një shoqëri konsensuale individësh sovranë dhe kjo
ka qenë alfa e bazës analitike të Koliqit dhe pasuesve të tij, ndër të cilët
Camaj ka një rol kryesor. Bëhet fjalë për një kulturë civike, një sens i
procesit politik i përqasshëm me lidhjet kombëtare, që lind vetvetishëm dhe
mbështet vendin, mënyrën e jetës dhe trashëgiminë e institucioneve dhe ligjeve
me të cilat ishte i lidhur fati i qytetarit shqiptar dalë nga procesi i
shtetformimit. Dhe në qoftë se ne bëjmë një krahasim të bazës teorike të
mendimit koliqian të mishëruar në partinë politike që ai bashkëthemeloi, ne
gjejmë në fakt, një strukturë dhe platformë të pozicionimit politik mjaft të
avancuar, të cilën e lexojmë ndër ideologët e neo-konservatorizmit britanik.
Koliqi, Camaj dhe BKI u ngritën kundër diskriminimit të Gegnisë dhe
katolicizmit në mënyrë posaçme nga regjimi i Zonës së Parë, që Tare e
identifikon ende sot me patriotizmin dhe Shqipërinë. Shkatërrimi i komuniteteve
të lira, goditja e aktivitetit të qendrave të organizimit civil, kulturor në Shkodër,
ndërtuar prej shekujsh nga Kisha Katolike, përbënin ndër veprat ma të randa
regresiste, që komunistët e djeshëm dhe ithtarët e sotëm të kamufluem kanë bërë
ndaj kombit shqiptar në rrugën qytetnuese dhe europianizuese. Koliqi dhe Camaj
i përkasin atij formimi dhe grupimi të elitës shqiptare, që shpëtimin e kombit
shqiptar e shihnin në një kulturë moderne perëndimore, të ushqyer dhe brumosur
prej virtyteve arbnore. Baza orientuese e aktivitetit politik dhe kulturor të
Koliqit dhe rrethit të tij në Perëndim u bë Rikthimi i Kujtimit të Shqipërisë
Tradicionale të zhdukur nga regjistri i edukimit të rinisë prej komunistëve.
Kemi
të bëjmë me intelektualë të mirëfilltë, që pas nji jete të trazueme në vendin e
vet, të gjendur përherë pakicë elitare, e shtypun në mënyrë të kamufluar dhe të
hapun në Shqipni, sidomos pas kaosit politik të Luftës së Dytë botërore, që
përfshiu mëmëdheun, vendosën sërish të jenë aktiv dhe shërbenjës ndaj vendit,
jo vetëm kulturalisht, por edhe politikisht.
Dhe
pyetja është: Cilat janë arsyet pse shkrimtari Ernest Koliqi vazhdoi të
përfshihej në politikë, edhe pas zhgënjimeve të mëparshme politike, por edhe
gabimeve që ai i njeh vetes? Përgjigjen për këtë e marrim nga vetë Ai. Në një
letër që mban datën 21 maj 1951, Ernesti shprehet:
“Çdo
vepër e ime, ç’se kam marrë mend e shise, i âsht kushtue lulzimit të
shqiptarizmit të vërtetë, i cili, për mue, rrâjet e themelet i ka në kulturën e
në traditat t’ona. Kam mujtë me gabue, ndoshta shpesh edhe randë, sepse kush
vepron bje lehtazi në gjymtime. S’asht mjeshtri m’u paraqitë i pafajshëm kur
rrin njeríu n’ansi të plotë e të vazhdueshme. Ai qi nuk vepron, s’ban mirë as
keq. Ndiç, deshta të tham, qi ndoshta ndonji herë kam gabue, por prej zellit të
tepruem e prej bindjes se ashtu e lypte e mira e vendit. Sidoqoftë, kur të
fashiten pasjonet dhe perdja t’u ulet atyne qi sot gjikojnë jo mbas fakteve por
mbas interesave fazjoze politike, atëherë do të dali në shesh se Ernesti në
kohën kritike dishka bâni për kulturën shqiptare…… Dikush me këshillon me hjekë
dorë nga politika. Ky këshill nuk rrjedh nga një ndjesí e thjesht : Mbas sa
miqësh e dashamirësh të vrám, në kët gjendje tragjike në të cilën ndhdhet i
kaperthyem vendi i ynë, derisa të drejtat má të para njerzore mos t’i këthehen
vllazënvet t’onë të nji gjaku e të nji gjuhe, do t’ishte krim m’u hjekë në
njánë e m’u marrë vetëm me letërsí. Më mjafton me pa Kapidanin e Mirditës qi
humbi dy djelm si dy hyj drite, Kolë Bibën qí la në malet si fl?je n’elterë të Shqipnís djalin e vllán, e plot tjerë, për m’e
ndie veten të detyruem me punue pa u lodhë për lirimin e popullit tonë. Kjo e
sotëshmja nuk âsht nji fushatë politike me rrëzue nji qeverri ; kjo âsht
kryqzatë kombëtare me shpétue fisin e bâshkë me té pasuninë shpirtnore të
trashigueme. Si mundet nji intelektual m’u mënjanue e me qindrue indiferent pas
së keqës së pashoqe qi na ka zanë nën palë si individ e si pjestarë të nji
kombi ? Prandej, si këshill tash e marr parasysh vetëm kur të lirohet
Shqipnija. Sot, i armatosun me vullnet e me flakë ardhetare, e nduej për detyrë
të luftoj edhe në fushën politike”.(Letërmëmbim në Mërgim i Karl Gurakuqit,
Vellimi I, Romë, 21.V.1951). Ernest Koliqi ishte lider politik dhe nuk mund të
ishte në asnjë rast një informator i thjeshtë i sherbimeve. Ai ishte negociator,
Ministër i jashtëm, Minister i kulturës, lider i desidencës, një prind që
kujdesej emigrantët politikë, një kujdestar për kolegët e mbetun pa atdhe. Ai
ishte personaliteti më i besueshëm i kancelerive, shërbimeve diplomative dhe
agjencive të inteligjencës perëndimore, që interesoheshin për Shqipërinë dhe
çështjet shqiptare. Ai u kujdes për të gjithë ne jetën e vështirë dhe me
privacione jetësore në Itali, ashtu sikurse u kujdes për grumbullimin e fondeve
për ngritjen e Shejzave. Me dhjetra letra kam lexuar për përpjekjet e tij per
t’i siguruar bukën e përditshme ajkes së kombit të mbetur rrugëve të Italisë.
“Blloku
Indipendent” nën udhëheqjen e Koliqit e miqve të tij të ngushtë e të pandarë
(bërthama kryesore dhe më e spikatur e tij kanë qenë e përbërë prej 10
personaliteteve), bëri përpjekje e veprimtari konkrete për çlirimin e vendit,
në bashkëveprim të drejtëpërdrejt me shqiptarët e Kosovës së emigracionit të
mbledhur rreth “Lidhjes së Dytë të Prizrenit”, “Legalitetin” dhe me pjesën e
matur dhe atdhetare të “Ballit Kombëtar”, atë të paprekurën nga ajo, që Ernesti
e quan pjesa e prekur nga kanceri i shërbimeve të fshehta të vendeve komuniste.
Ky është një indikacion që Ernesti ka filtruar gjithshka dhe të gjithë, duke
filluar nga bashkëpunëtorët, dhe nuk pritet që Tare sot t’i tregojë ke ka pasur
ai pranë.
Punën
e vërtetë ky grup e ka bërë në heshtje duke i shërbye kulturës shqiptare,
lidhjeve me komunitetin arbnor në Itali dhe krijimit të një modeli teorik të
politikës dhe institucioneve të ardhshme të Shqipnisë së neserme të lirë. Dhe
mendojmë, se ai model ka qenë më i besueshmi për kanceleritë e interesuara për
ndryshimin e situatës politike në Shqipëri, me të cilat Ernesti ka mbajtë
kontaktet prej lideri të besueshëm dhe serioz dhe jo si informator i rëndomtë.
Por,
në emigracionin shqiptar në Itali ka mbisunduar përçarja dhe konsumimi i
pafrytshëm me intriga kundër njeni- tjetrit, ndërkohë, që Enver Hoxha grinte
popullin brenda Shqipnisë. Shkaqet e ngatërresave në të djathtën shqiptare në
emigracion janë, sipas këndvështrimit tim, komplekse, jo vetëm agjenturore, por
së pari të lidhura me natyrën e shoqnie të paunifikueme prej historisë,
botkuptimeve të ndryshme në vendet e origjinës, interesave të ndryshme
shoqnore, edukatës mjaft diverse mes zonave rurale dhe atyne qytetare,
diferencat mes qyteteve dhe brenda qyteteve, mbi të gjitha kultura. Varfnia në
emigracion i ban njerezit meskinë, shpifës, smirzinj, sidomos kur lideri nuk
arrin t’ua plotësojë të gjithëve nevojat dhe dëshirat.
Viti
1955 është një vit sulmi ndaj Bllokut prej anëve të ndryshme të
emigracionit. Në një letër të shkruar me
9 korrik 1955 mësojmë, se në shenjëstër të sulmeve kundër Bllokut nga ana e
elementëve të ndryshëm të mërgatës shqiptare ka qenë Ernesti:
Ernesti
shkruan këto dite. “Përditë shtohen ata që më sulmojnë. Zyret italiane,
amerikane, ingleze, vatikane etj., janë plot (kam prova) me raporte sidomos
kundra meje: mason, aventurjer, agjent zyresh sekrete, çarlatan etj., Nji amerikan tash nja dy muaj me tha: “E din
pse shumica e shqiptarvet ju lufton? Pse s’munden me ju kuptu, tue kenë ju, për
sa marr vesht vetë, ma i oksidentalizuemi ndër shqiptarë” Kjo cilsi s’asht
vetëm e imja; asht e të gjithë shkodranvet. Ai amerikani me njifte vetem mue,
por të kishte njoftun Dom Lazrin, Pader Benardinin, ty Karl, etj, do të kishte
dhanë nji gjykim ma kolektiv. Duket se
jemi ndryshe prej tjervet, Karl I dashtun, e ata burrnin t’onë e kanë mëni si
mzati pecën e kuqe.” (Letërkëmbim në Mërgim Vellimi i parë. arkivi i autorit).
Përgjigja,
që Koliqi dhe rrethi i tij elitar i paarritshëm intelektualisht, u ka dhanë
sulmeve të turmave të ç’orientueme të
shqiptarëve të emigracionit të formueme ndryshe nga Shkolla e Tij e Edukatës,
Qytetarisë, Atdhetarisë, Idealizmit dhe Europianizimit ka qenë puna vetmohuese
në Shërbim të Kulturës Shqiptare dhe ekspozimi në Kanceleritë e Vendeve
Perëndimore të përfaqësueme në Romë i aspiratës së Rithemelimit të Shtetit të
Lirë Konstitucional dhe Demokratik në Shqipninë e neserme të çlirueme nga
okupacioni i kuq.
Revista
“Shejzat” ishte udhërëfyesi kryesor i Shqipërisë së Idealeve të Rilindjes.
Ishte “ nji gur i çmueshëm që iu shtue kunorës së Ernest Koliqit, si shkrimtar
i radhës së parë të botës letrare shqipe”, si lider i emigracionit në Itali,
por jo vetëm. Shejzat udhëhoqën fatin e Shqipërisë me urimin për ditë ma të
mira. Bashkëpunimi i Camaj në këtë revistë ishte nji “lajmtar drite”,që
konstrastonte me shterpësinë mendore të njërëzve që drejtonin atdheun amë nën
pushtim. Dhe kur në vendin amë, po ndërtohej një jetë e re që nuk ishte e jona,
se larg kishte qillue prej Arbnisë, Martin Camaj me vepren e tij e gjente
landen nga kujtimi i dikurshëm i jetës
shqiptare, sepse ajo mbetej përherë e re, mbasi ndrynte brenda cilësi që nuk
njihshin mort.
Dhe
për ta përmbyllë me një ilustrim këtë që them, po paraqes një interpretim të
Karl Gurakuqit ndaj një përgjigjeje
të heshtun dhe të ditur, që Ernest
Koliqi i jep ndaj sulmuesve, me rasën e botimit të librit të hartuar nga ai.
Kjo përgjigje vlen edhe për zotin Tare, qi ka hy ndër do punë të thella:
“Poesia
Popolare Albanese: Libri yt i porsadalun,
nji xhevahir i shpirtit shqiptar…
“Qejt
lehin e karvani ecë! Kështu kanë pas thanë ata qi kanë dijtë ma shumë se na. Eh
po! Ka asish, qi nuk e kanë ngjye kurrë pendën në ngjyranë, e kanë sy e faqe të
ngrehen si gjelat në pleh, e të përbuzin ata qi
dijnë ma shumë, qi kanë dhanë ma shumë, qi e kanë shkri krejt jetën e
vet për nji ideal, qi, të frymëzueme nga ndiesi të pastra, kanë shkelë interesat
e veta vetjake në dobi t’atyne të kombit. Lehin të pandërgjegjshmit e ata qi a
kan fytyren si shuell këpuce., qi siellen si kallami kah të fryjë era, qi
s’kanë nji përsonalitet të vetin e qi kurr s’e kanë ngrejtë prej toke nji
ashkël pa pasë ma përpara sigurime të plota për të fry xhepin.
Jemi
larg, shumë larg, more Ernest: na në nji skaj dhe ata në skajin e përkundërt;
na të rritun në rrethana të pastra kur cilsit e bukura shqiptare drejtojshin
jetën e popullit; këta nuk u a dijnë shtëpin burrnis, nderit e besës arbnore”.
https://romeogurakuqi.wordpress.com/