Kerko: a
Anton Marku: Ngjyrat e qiellit
E diele, 05.07.2020, 11:42 AM
Ngjyrat e qiellit
(vetreflektim-përmbledhje
mendimesh)
Nga
Anton Marku
‘‘Shkrimtarët
janë të fundit që heshtin’’ ishte thënia e cila mu kujtua në çastin kur një mik
poet më mori në telefon në javën e fundit të marsit. Kishte dhjetë ditë që
ishim futur në karantinë kolektive. Shteti po konfrontohej me armikun e
padukshëm, i cili kishte vënë në pikëpyetje ekzistencën tonë dhe kishte treguar
se sa të ndjeshme janë sistemet tona kur ballafaqohen me diçka që nuk e njohin.
Pothuajse gjithçka ishte ndalur së funksionuari. Në qytet endeshin vetëm
mantelbardhët dhe uniformat blu, kombinim ky i veçantë ngjyrash, thuajse qielli
kishte zbritur në tokë për të na treguar se sa afër jemi me njëri-tjetrin, se
sa pak e ndan jetën nga vdekja.
Duke
qene i vetëdijshëm se ajo që po ndodhte do të duhej të mos kalonte pa u
dokumentuar nisa të mbaj ditar.
Kisha
bërë shumë plane për këtë pranverë: takime me miq, lexime para publikut e
vizita të ekspozitave, e tash kur përnjëherë u ndal gjithçka më duhej të
rishikoja dhe reduktoja axhendën time. Por, në tërë këtë histori kishte dhe
diçka: frika. Frika se a do të ia dalim dhe nëse po si, me çfarë çmimi?
Prognozat ishin jo shumë premtuese, përkundrazi, të errëta. Se dorëzat dhe
maskat do të bëhen malli më i kërkuar, kjo do të ishte gjëja e fundit që do të
më biente ndërmend. Sidoqoftë, tregu i zi funksiononte si dhe më parë dhe ata
që ishin të interesuar gjenin mënyrën që të vinin tek ato.
Izolimi
ishte fjala që u nxorr nga bodrumi i fjalorit tonë dhe u bë e përdorshme si
asnjëherë më parë. Për të mbyllurit në shtëpi u gjet një variancion më kreativ:
vetizolim. Në këtë kohë të qetë, pa zhurmë dhe makina në rrugë mendja ime pësoi
një rigjenerim të pashembullt: truri nisi të pësojë goditje kreative duke bërë
që të jem më produktiv se asnjëherë më parë: ato që ai i prodhonte i hudhja në
letër dhe ato ishin aq shumë saqë tërë këtë fazë e emërova ‘‘rrjedhja’’ pasi që
shprehjet notonin nëpër mua si nëpër një oqean të qetë.
Corona,
një emër kaq i bukur, të sjellë kaq të këqija, këtë nuk do ta kishin
paramenduar as parashikuesit më të mëdhenj të fatit. Edhe ajo gjeti vend në
shkrimet e mia të kësaj periudhe dhe atë në formë të një letre të hapur ku i
lutesha të mos na dojë kaq shumë, pasi që ne e urrenim gjithçka në të.
Ajo
çka më mungoi më së shumti gjatë kësaj kohe ishin njerëzit dhe kontakti me ta:
shikimi në sy, lëvdatat, por edhe sharjet. Edhe ato më kanë munguar. E tëra kjo
përforcoi edhe më shumë bindjen që kisha që më parë se njeriu ka nevojë për
njeriun dhe se vetëm në bashkësi ai plotësohet.
Një
ditë bëra listen e personave të cilët do t’i thërrisja në telefon duke arritur
që të flas nga distanca në të gjithë kontinentet edhe me të tillë që kishte
vite që nuk i kisha parë. Me këtë u zgjerua gjeografia e botës sime edhe një
herë.
Duket
se ata që iu gëzuan më së shumti gjendjes së krijuar ishin librat në biblotekën
time dhe atë jo një por shumë të tillë që po prisnim tash e sa kohë që t’i
marrë në duar. Më duhet ta pranoj se asnjëherë më parë nuk kam lexuar aq shumë.
Dhe duket se nuk jam i vetmi.
Një
tjetër risi ishte leximet virtuale të cilat u bënë hit duke bërë që krijuesit
megjithatë të thonë fjalën e tyre edhe duke qenë të ngujuar mbrenda mureve të
shtëpisë. Ky trend na bëri që të çmojme edhe më shumë kutitë që çuditërisht i
quajmë kompjuterë.
Nuk
jam i sigurtë nëse tashmë mund të thuhet se kësaj radhe ia dolëm. Do të doja të
ishte ashtu. Nëse po atëherë kjo do të ishte një shenjë më tepër se qielli ende
nuk ka hequr dorë prej nesh. Ai është aty dhe na vëzhgon. E vëzhgoj dhe unë dhe
vazhdoj t’i dua ngjyrat e tij.
Vjenë, 4 korrik 2020