Kerko: a
Ramiz Lushaj: Bisedë me kryetarin e Shoqatës “Skivjani” në Zvicër
E hene, 22.06.2020, 08:09 AM
KONTRIBUOJMË PËR SHTËPINË TONË: SKIVJANIN
-Bisedë
me shkas, me kryetarin e Shoqatës së mirënjohur “Skivjani” në Zvicër, zotin
Bashkim KASUMAJ –
Me rastin e vazhdimit të punës në qendër të Skivjanit, për
rrumbullakësimin infatsrukturor të qendrës së fshatit Skivjan në Gjakovë, punë
kjo që po bëhet me financimin e Shoqatës “SKIVJANI” me seli në Zvicër, Gazeta e shfytëzoi rastin e mirë për të zhvilluar një
intervistë me kryetarin e Shoqatës “Skivjani” në Zvicër, zotni Bashkim Kasumaj,
veprimtar i njohur atdhetar, kulturor e humanitar.
-Zotni Kasumaj, kush
është Shoqata “Skivjani”?
-Shoqata “Skivjani”
është grumbullim i vullnetit të qytetarëve të fshatit Skivjanj, të emigruar që
prej dhjetra vitesh në të katër anët e botës; është bashkim vullnetar i
mërgimtarëve të Skivjanit, të cilët nëpërmes kësaj strukture dëshirojnë që
vendin e tyre ta bëjnë të mirë e miqësor edhe për vete, edhe për qytetarët e Skivjanit
në Skivjan.
Përfundimisht, Shoqata “Skivjani” është zëri i mërgimtarëve
të Skivjanit që nëpërmes punës së saj dëshiron që ta bëjë më të mirë
vendlindjen e vetë dhe, e them me kompetencë, se ështe zë i respektuar.
-Zotni Kasumaj, cila
është historia e Shoqatës “Skivjani”?
-Si strukturë e Shoqërisë Civile, Shoqata jonë “Skivjani”, është ndërtuar në
kohen e okupimit të vendit tonë, saktësisht me 07.02.1993 në Schafhausen të
Zvicrres.
Ndihma e Shoqatës “Skivjani’ ka qenë në shumë drejtime: është
ndihmuar fshati, shkolla, arsimtarët. Po ashtu janë ndihmuar të varfërit. Është
ndihmuar infrastruktura e fshatit tonë.
Dhe, në fund, po ashtu, nga Shoqata “Skivjani” është
ndihmuar popullsia gjatë kohës së Luftës në Kosovë me mjete materiale, sikurse
që edhe menjëherë pas Luftës, pas fitores së saj, shoqata ka ndihmuar
financiarisht në ngritjen e placës përkujtimore të Dëshmorëve dhe Martirëve të
Luftës të fshatit Skivjan të Gjakovës.
-Zotni Kasumaj, pas nji
pauze të gjatë Shoqata “Skivjani”, e rinisi punën e saj përsëri, pse?
-Më lejoni t’iu them menjëherë se rifillimi i punës së Shoqates
“Skivjani” në vitin 2018 e, saktësisht, me 28.04.2018, ka ardhur si kërkesë e
shumë qytetarëve nga Skivjani e specifikisht nga KF “Rilindja” në Skivjan, sikurse dhe nga vet
skivjanasit e emigruar në botën e jashtme.
Në Kuvendin e Shoqatës u konstatua nga pjesmarrësit se
fshati ynë ka kërkesa të ndryshme që duheshin plotësuar përsa i përket ngritjes
së infrastrukturës së fshatit, prandaj edhe të gjithë kuvendarët ranë dakord që
Shoqata të rinisë punën e saj me qëllim mbështetjen e projektve të ndyshme,
kryesisht në infrastrukturë, në mënyrë që jeta e banorëve të përmirësohet në këtë
drejtim.
Kuvendi e aprovoi Statutin, nxori Kryesinë e Shoqatës dhe komisionet
e saj, hapi konton e Shoqates tek banka dhe kështu struktura e Shoqatës “Skivjani”
e filloi punën e vet.
-Zotni Kasumaj, cilat
kanë qenë objektivat e Shoqatës “Skivjani” në kuvendin rifillues?
-Do ta them
këtu se objektivi i parë i kryesisë së Shoqatës ka qënë që t’ i kontaktojmë, t’i
gjejmë, ta bisedojmë me të gjithë mërgimtarët idenë e rifillimit të punës së Shoqates.
Për më tutje, objektiv i Shoqatës ka qenë që të ndihmohen të
gjitha subjektet në Skivjan e të cilat për një arsye ose një tjeter nuk kanë mjaftueshëm
buxhet për ekzekutimin (kryerjen/realizimin) e punëve të tyre të përditshme.
-Zonti Kasumaj, cili
është numri i antarëve të Shoqatës “Skivjani” sot, aktualisht?
-Deri më sot
Shoqata “Skivjani” numëron 180 antarë të rregullt dhe besojmë se do të kemi
edhe shumë të tjerë në të ardhmen, por çfarë dua të them është se besimi i
deleguar nga të gjithë këta antarë tek struktura drejtuese e Shoqatës dhe tek fondi
i Shoqatës, e bënë kryesinë e Shoqatës serioze, të përgjegjshme, shumë
transparente. Duhet shtuar menjiherë këtu se Shoqata e ka standard të veçantë
punën e saj me dokumente dhe vetëm me to.
-Zotni Kasumaj, çfarë
keni bërë deri më sot në Skivjan pas rinisjes së punës së Shoqatës?
-Tani e kam
pak të vështirë t’i numroj të gjitha punët tona edhe pse ka nji listë të
veprimeve aktive të Shoqatës “Skivjani”, të veprimtarisë së saj, në këto dy vite të rinisjes së aktivitetit të
saj.
Po e provoj t’i radhisë një nga një punët e kryera deri më
sot:
-Ndihmë KF “Rilindja”
në Skivjan. Pranverë, 2018
-Ndihmë në teknikë Qendrës së Mjekësisë Familjare (QMF-8) në
Skivjan.
-Ndihmë në teknikë dhe rroba sportive për shkollën SHMU “Ukshin
Miftari” në Skivjan.
-Ndërtimi i “Sheshit të Dëshmorve dhe Martirëve” në Skivjan,
2019.
-Organizimi i
Akademisë Përkujtimore për Dëshmorët,
2019.
-Kontraktimi i punëtorit për mirëmbajtjen e “Sheshit të Dëshmorëve
dhe Martirëve”, 2019
-Ndihmë për
ngritjen e Lapidarit të Dëshmorëve, 2019.
-Ndihmë për të
dyten herë Qendrës së Mjekësisë Familjare (QMF-8).
-Ndihmë për ShQipërinë,
me rastin e Tërmetit të Nëntorit 2019.
-Organizimi i
pritjes së Vitit të Ri 2019-2020 në “Sheshin e Dëshmorëve e Martirëve”, ndërtuar
në Skivjan.
-Ndihmë
financiare për KF “Rilindja” në Skivjan.
-Financimi i
ndrresave për KF “Rilindja”.
-Ndihmë për Qendrën
e Mjekësisë Familjare (QMF-8), materiale shpenzues, me rastin e Pandemisë
“Covid-19”.
-Aktualisht
ndërtimi i pjesës së dytë të Qendrës në Skivjan.
Shpresoj të mos kem harruar ndonjë punë tjetër në këtë rradhitje
të kryer nga Shoqata jonë “Skivjani” për Skivjanin.
-Zotni Kasumaj, pse
duhet t’iu besojnë mërgimtarët e Skivjanit Shoqatës tuaj “Skivjani”?
-Me të drejtë, ne duhet ta dimë në fillim se si ndërtohet ky
besim dhe si delegohet po ashtu: Për më tutje, Shoqata “Skivjani” në thelb të
veprimtarisë së saj e ka pasur dhe e ka në fakt ndertimin e këtij besimi, ndaj
kemi deklaruar e këmbëngulim në maksimën tonë se besimi ndërtohet dhe ruhet
vetëm me veprim, me angazhim, me kontribut konkret, e që në këtë rast është
pagesa vjetore e antarësisë së Shoqatës e vendosur nga Kuvendi i saj apo edhe
donacionet e tjera jashtë antarësisë që jipen nga qytetarët tanë në botën e
jashtme, por edhe nga vet banorët e Skivjanit në Skivjan.
Shoqata “Skivjani” e vlerëson lart kontributin dhe
angazhimin e secilit, qoftë në Skivjan, qoftë në Mërgatë, dhe këtë e bënë të
njohur edhe nëpërmejt mjeteve të komunikimit masiv, si gazetat, televizionet e
rrjetet sociale, sikurse edhe para Kuvendit të Shoqatës. Pra, ka tranparencë
totale përkundrejt kontributeve të qytetarëve.
Ky është rrugëtimi ynë përsa i përket krijmit të besimit për
qytetarët tanë kontributorë.
-Zotni Kasumaj, sa keni
arritur t’a krijoni këtë besim tek antarësia e Shoqatës dhe tek qytetarët e tjerë
skivjanas të mërguar në botën e jashtme?
-Për këtë
ndoshta do të duhej pyetur anëtarët e Shoqatës, por ajo çfarë mund të them është
kjo: përkushtimi, devotshmëria dhe angazhimi i tërë Kryesisë së Shoqatës e ka
ndërtuar këtë besim, dhe do të ju japin gjithnjë shembullin e parë.
Shkëlzen Fetahaj, pronar i Firmës “SF Bau GmbH” në Gjermani është
referencë besimi e Shoqatës “Skivjani”, kontributori më i madh në fondin e
Shoqatës, me kontributin e tij prej 10.000 Euro për ndërtimin e “Sheshit të Dëshmorëve
dhe Martirëve”, dëshmon më së miri se cili është besimi midis antarëve dhe
strukturës drejtuese të Shoqates “Skivjani”.
Kemi edhe nji rast të dytë, këtu në Zvicërr, zotninë Arsen Shoshi - drejtor i investimeve
në “Benedict Schule”, me vëllaun e tij- Arbenin, që po ashtu e kanë mbështetur fondin
e Shoqatës me 4000 Franga e që është edhe nji dëshmi
tjetër se struktura e Shoqatës është e besueshme.
Qindra burra, gra, djemë e vajza të
Skivjanit kanë treguar besimin e nevojshëm te struktura e Shoqatës „Skivjani“ duke
u bërë pjesë e saj e kontribues në fondin e saj.
-Zoti Kasumaj, cili ështe
bashkëpunimi i Shoqatës „Skivjani“ me strukturat drejtuese në fshatin Skivjan?
-Shikoni, ne kemi vendosur komunikim
korrekt me Këshillin Lokal në Skivjan, si strukturë legale e zgjedhur nga
qytetarët e fshatit Skivjan. Kërkesat e arsyetuara me shkrim të përcjellura dhe
me projektet e nevojshme, si dhe kohën e zbatimit të tyre, vijnë nga atje.
Shoqata i shqyrton këto kërkesa dhe në bazë të sasisë së mjeteve finaciare që
ka në dispozicion vendos nëse është i mundur financimi i projekteve të shtruara
për realizim.
Deri më tani puna ka vajtur mirë, falë
kontributeve të Mërgatës së Skivjanit, por edhe vet banorëve të fshatit Skivjan,
Shpresojmë fort se ky komunikim e
bashkëpunim i yni do të jetë shembull edhe për fshatrat e tjera në Kosovë,
sepse Kosova e ka një mërgatë të madhe dhe njerëzit mund t’a ndihmojnë shumë
vendin e tyre nëse bëjnë organizimin e nevojshëm.
-Zotni Kasumaj, edhe çka
ka mbetur pa u thënë?
-I nderuar! Ka mbetur shumçka pa u
thënë, por unë dua që t’i falenderoi një nga një të gjithë anëtarët e Shoqatës
tonë « Skivjani », të gjithë kontributorët e saj, si në Mërgim e po
ashtu edhe në Vendlindje.
Sigurisht, në emër të Kryesisë së
Shoqatës « SKIVJANI », une- si drejtues i saj, mund t’iu them se
besimin që na keni deleguar ne si Kryesi e Shoqatës, pra si strukturë drejtuese
e saj do ta menaxhojmë me përgjegjësi e seriozitet. Punët e mira për Skivjanin
do të bëhen në vazhdimësi dhe ne si Kryesi kërkojmë që të bashkohen të gjithë
në Shoqatën « Skivjani » dhe të kontribuojnë për shtëpinë tonë, që e
ka emrin SKIVJAN. Ju faleminderit!
Bisedoi :
Ramiz LUSHAJ
Zürich, 21 qershor 2020