Kerko: a
Mero Baze: Vjosa Osmani si “Vetvetja” ose si “Vetvendosja” në LDK
E hene, 22.06.2020, 09:44 AM
Vjosa Osmani si “Vetvetja” ose si “Vetvendosja” në LDK
Nga
Mero BAZE
Ka
një lexim jorealist të asaj që ka ndodhur me shkarkimin e Vjosa Osmanit nga
postet drejtuese në LDK. Dhe leximi jorealist nuk vjen aq shumë nga dashuria
për Vjosa Osmanin e idhtarëve të partive të tjera, por nga urrejtja që kanë për
LDK ose më mirë të themi, nga rasti që kanë për të hedhur një gur më shumë mbi
LDK.
Së
pari është rezultati i votave që e shkarkuan. Rezultati 70 me 53 për shkarkimin
e Vjosa Osmanit nga postet drejtuese është rezultati më demokratik që unë kam
ndeshur këtu e 30 vjet në çdo parti shqiptare, andej e këtej kufirit.
Në
Shqipëri dhe Kosovë kur shkarkohet një drejtues politik që bie ndesh me vijën
politike të partisë, rezultati është zakonisht 99 për qind. Kur është shkarkuar
Eduard Selami nga Sali Berisha vetëm dy vetë ngritën dorën pro tij, Mustafa
Nano dhe Edi Paloka. Pastaj Edi Paloka e mohoi dhe tha se “po kruaja veshin”.
Mos
të shkojmë pastaj në Kosovë tek partia e Albin Kurtit, e cila pas një gjyqi
enverist ndaj kundërshtarëve në parti dhe ndaj ish kryetarit të partisë, i linçoi
ata si armiq historik të Vetvendosjes, Kosovës dhe çështjes shqiptare dhe
vazhdon t’i linçojë akoma. Dhe paradoksi është se këta që po vajtojnë për
Vjosën janë shumica anëtarë të Vetvendosjes që sapo lavërojnë Vjosën, nuk
harrojnë të shajnë ata që linçuan në partinë e tyre se i bën hije “liderit
suprem”.
Fakti
që LDK arriti të krijojë këtë rezultat, tregon se Vjosa Osmani ka rrënjë në
LDK, dhe duhet të forcojë rrënjët e saj dhe jo të shkulet prej andej, siç
ëndërrojnë këta që e duartrokasin si viktimë. Ajo nuk ka dalë viktimë nga
votimi, por e fituar. Dhe e fituar falë kulturës politike të LDK-së.
Ata
thjesht e duan LDK edhe pa Vjosa Osmanin që ta kenë më të lehtë në të ardhmen.
Së
dyti është debati i pjekur politik i LDK rreth këtij zhvillimi. Përveç rivalëve
të saj që kanë lëshuar herë pas here deklarata politike, dhe asaj shëmtisë për
babain e saj si ish polic i Kosovës nën Serbi, nuk shikoj ndonjë përbalje apo
gjuhë urrejtje siç ndodh me armiqtë e Vetvendosjes, të cilëve Albin Kurti u
përndjek edhe familjarët. Kujto rastin e Gent Cakajt e Besa Shahinit për të
cilët erdhi deri në Shqipëri të bënte protestë kundër tyre, vetëm pse njëra e
ka pasur burrin kundërshtar politik të tij e tjetri e kishte motrën në Gjykatën
Kushtetuese që kishte dosjen e tij.
Kjo
është një tjetër maturi e LDK dhe identitet i kulturës demokratike të saj.
Së
treti çka është dhe më e rëndësishme nga ana politike, unë nuk shikoj ndonjë
dramë pse LDK e shkarkon Vjosën nga kryesia për shkak të qasjes së saj krejt të
kundërt me vendimet politike të LDK. Në këtë rast do të ishte normale që Vjosa
të jepje dorëheqje nga postet drejtuese të LDK dhe të ishte anëtare e saj në
pritje të kohës së saj.
Vjosa
bëri betejë kundër LDK. E drejtë apo jo, kjo është çështje strategjie politike,
por LDK, nuk ishte dakord me Vjosën dhe bëri mirë që nuk ishte, që Albin Kurti
ta poshtëronte atë si parti dhe ajo ta duartrokiste në emër të LDK. Ajo duhet
të jepte dorëheqje dhe t’i hapte rrugë vendimeve politike të shumicës së LDK.
Nuk
e bëri për aryset e saj, po do të ishte shumë e fuqishme brenda LDK po ta
bënte. Tani që i vuri në provë ta shkarkonin, sërish ka treguar se është e
rëndësishme për LDK.
Në
asnjë parti tjetër nuk kam parë që një drejtuese politike të jetë haptazi
kundër qëndrimeve politike të partisë dhe pastaj të kërkojë të qëndrojë në krye
të saj.
Beteja
reale e Vjoses duhet të ishte kandidimi për kryetare të LDK, dhe jo lejimi i
rizgjedhjes së Isa Mustafës pa garë me duartrokitje. Kur e ka pranuar atë
standard nuk ka pse të mos pranojë këtë vendim.
Për
më tepër që ky vendim edhe ky rezultat, e nderon dhe nuk e turpëron.
Do
ta kishte turpëruar sikur të kishte dalë 99 për qind kundër saj, siç dalin
“armiqtë” në partinë e Albin Kurtit.
Vjosa
Osmanin e ka respektuar më shumë LDK duke e shkarkuar me atë rezultat, se sa
përpiqën ta “respektojnë” idhtarët e linçimeve partiake në Kosovë dhe Shqipëri
duke e marrë në mbrojtje. Ky votim ka treguar se ajo ka rrënjë në LDK, dhe se
LDK ka hapësirë për mendimin ndryshe. Nga aftësia që ajo ka për ta lexuar realisht
këtë situatë do të varet dhe e ardhmja e saj politike, nëse ajo do të jetë
“Vetvetja” apo “Vetvendosja” në LDK!
Marrë
nga gazetatema.net