Kerko: a
Enver Bytyçi: Sfida e dialogut për Abdullah Hotin
E merkure, 10.06.2020, 04:29 PM
Sfida e dialogut për Abdullah Hotin
Nga
Enver Bytyçi
Sot
kryeministri i Kosovës, Abdullah Hoti, shpalosi platformën e qeverisë së tij
për dialogun me Serbinë. Duke iu referuar çeshtjeve që ai i trajtoi mund të
thuhet se zoti Hoti ka reflektuar thellë rreth këtij dialogu dhe sidomos rreth
produktit të tij. Ajo që e bën këtë platformë serioze dhe të besueshme nuk
lidhet vetëm me përmbajtjen e tij, por edhe me simbolikën që u përdor. Kreu i
ekzekutivit këtë platformë e paraqiti në Akademinë e Shkencave të Republikës së
Kosovës menjëherë pasi kjo akademi kishte shpallur gjithashtu objeksionet e saj
për këtë proces. Paraqitja para akademikëve të vendit është një garanci formale
më shumë për suksesin e dialogut dhe shpreh gatishmërinë e qeverisë për të
bashkëpunuar me institucionin shkencor akademik më të besueshëm te shqiptarët
dhe qytetarët e tjerë të shtetit më të ri në Europë.
Zoti
Hoti njoftoi disa pika kyçe të skemës së dialogut Kosovë-Serbi.
Së
pari dhe kryesore është se ai rikonfirmoi që në proces të respektojë
kushtetutën e Republikës së Kosovës me theks të veçantë ruajtjen e integritetit
territorial dhe sovranitetit shtetëror të vendit. Ky parim nuk është respektuar
nga paraardhësi i kryeministrit aktual nga ana e presidentit të vendit.
Dëshmitë që vijnë për implikimin e zotit Thaçi në tregtinë e kufijve dhe të
territorit me Serbinë janë tronditëse. Ndaj angazhimi i zotit Hoti për mos
vënien në tavolinën e bisedimeve të çeshtjeve të territorit merr vlera të
dyfishta.
Së
dyti, kryeministri i Kosovës ishte i qartë kur theksoi se produkt i
marrëveshjes do të jetë njohja reciproke, duke garantuar ulëse në OKB të vendit
të tij, si dhe njohja nga ana e pesë vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Kjo
kërkesë e platformës së shpallur është më shumë kujtesë dhe paralajmërim për
ndërmjetësuesit ndërkombëtarë, me qëllim që të mos ketë dilema në këtë drejtim.
Megjithatë, ekipi negociator dhe ekspertët e tij do të duhet të bëjnë kujdes,
që në projekt-marrëveshje të mos thuhet asgjë me dy kuptime dhe në të të
precizohet qartë jo vetëm ajo që do të bëjnë vendet, por edhe klauzolat e
garancisë për këtë.
Së
treti, zoti Hoti deklaroi se në dialog do të trajtohen dhe problematikat e
tjera të marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit, duke filluar nga të
pagjeturit dhe dëmet e luftës e deri te njohja e së drejtës së pensioneve për
qytetarët, duke kërkuar kthimin e depozitave që tashmë mbahen peng në Beograd.
Në këtë aspekt qëndron një mur shumë i madh midis të dy vendeve dhe është
vështirë që të gjitha çeshtjet të adresohen gjatë këtij procesi negociatash.
Por me rëndësi është ruajtja e shtetësisë si shtet unik dhe e tërësisë
territoriale të Kosovës, afirmimi i këtij objektivi dhe disa prej çeshtjeve të
mbetura mund të adresohen pas kësaj.
Së
katërti, pjesë e rëndësishme e platformës është udhëheqja e dialogut nga ana e
kryeministrit, i cili u zotua për transparencë të plotë ndaj qytetarëve. Nëse
zoti Hoti do të garantojë transparencë të plotë, pa surpriza të çastit si
rezultat i presioneve të ndryshme, kjo do të jetë garanci për angazhimin e tij
për të respektuar parimet dhe kriteret e tjera të kësaj platforme. Unë jam i
prirur të besoj se sipas kësaj platforme Hashim Thaçi do të ketë thjesht rol
këshillues dhe honorifik, të cilin ia jep kushtetura e Republikës Parlamentare.
Por ka mundësi që ai të fusë “spec në qull”, me qëllim që ta çojë procesin në
dështimin e tij. Kam ndjesinë se zoti Thaçi, nëse nuk i udhëheq vetë këto
bisedime ose nëse nuk dikton vendimmarrjen në to, do të luajë rolin e Kalit të
Trojës, duke e sabotuar dialogun në forma të ndryshme, për t’i thënë Kosovës
dhe ndërkombëtarëve se “vetëm ai është garant i stabilitetit dhe frymës së
bashkëpunimit në rajon”. Në të gjitha iniciativat e tij anti-Kosovë, presidenti
i vendit është nisë nga kjo premisë dhe jo nga interesat e vendit të tij.
Prandaj ai duhet mbajtur larg, shumë larg dialogut dhe procesit të tij. Roli i
tij duhet të jetë thjesht institucional dhe nuk duhet t’i ngjajë vizitës së
orës një të natës të deputeti i Nismës për të kërkuar votën për kryeministrin e
tij të preferuar.
Së
pesti, Lidhja Demokratike e Kosovës ka shansin të bashkojë forcat e saj në këto
momente dhe të homogjenizohet. Ajo, nëse seriozisht e përjashton rolin e Thaçit
si kryenegociator, ka shumë mundësi të përballet me një hakmarrje të
presidentit dhe kurthet e tij të radhës për ta rrëzuar edhe qeverinë Hoti. Në
këtë kuptim LDK ka nevojë shumë më tepër për Vjosa Osmanin dhe përkrahjen e
saj, sesa për servilët e Hashim Thaçit. Kësisoj garantohet suksesi i
bisedimeve, rezultati pozitiv i tyre, si dhe suksesi i qeverisë aktuale.