Kerko: a
Eshref Ymeri: Nuk e kanë fajin diplomatët e huaj
E diele, 07.06.2020, 10:59 AM
Nuk e kanë fajin diplomatët e huaj
Nga
Prof. Dr. Eshref Ymeri
Perëndimi evropian e ka ditur me kohë se cila është
psikologjia e politikanëve shqiptarë, e ka njohur mirë natyrën e tyre servile
dhe mercenare, për shkak të së cilës ata nuk ushqejnë kurrfarë respekti për
popullin e vet, por ama janë gati orë e çast që të shndërrohen në rrogozë
shembullorë dhe në lepitka të zellshme të të huajve. Populli shqiptar, po
ashtu, i njeh mirë politikanët e vet se nga gjiri i tij kanë dalë. Por e keqja
është se vetë populli shqiptar, tradicionalisht, të huajin e ka respektuar dhe
vazhdon ta respektojë më shumë se vetveten. Prandaj, gjatë shekujve, jo më kot,
është krijuar në gjuhën shqipe ajo e famshmja fjalë e urtë:
“Shtëpia e shqiptarit është e mikut dhe e shtegtarit”.
Pra, shqiptari mikun, të huajin e ka bërë zot shtëpie për
shkak të mikpritjes së tij jashtë normave të etikës së komunikimit me të. Një
qytetar i nderuar kosovar, me banim në Zvicër, shkruan:
“… a na solli neve ndonjë të mirë bujaria dhe zemërgjerësia
me të huajt? Asnjëherë, kurrë! (Sokol Braha. “Vjen i
kodrës, nxjerr të votrës”. Shtypshkronja “Grafobeni”. Prishtinë, 2011, f. 56).
Duke e ngritur kaq lart kultin e të huajit dhe duke
shpërfillur kultin e vetvetes, populli shqiptar ka nxjerrë dhe vazhdon të
nxjerrë nga gjiri i vet politikanë pa kurrfarë dinjiteti kombëtar. Nënkuptohet
që politikanët tanë, pa kurrfarë dinjiteti para të huajve, nuk mund të fitonin
dot respektin e Perëndimit evropian. Për rrjedhojë, në heshtje, nuk mund ta
gëzonin, nuk mund ta gëzojnë dhe nuk kanë për ta gëzuar kurrë respektin e
diplomatëve të huaj. Sepse servilin, mercenarin të huajt e përbuzin në heshtje,
por e shfrytëzojnë vetëm për interesat e tyre dhe vetëm kaq.
Politikanët shqiptarë, të etur deri në marrëzi për të dalë
në fotografi me udhëheqës perëndimorë, sidomos me presidentë amerikanë, duke
shpenzuar shuma të mëdha parash, fotografi këto për t’ua tundur paskëtaj para
hundëve qytetarëve të vet gjatë fushatave zgjedhore, janë shndërruar në
karagjozë të vërtetë, sepse me sjellje të tilla ata nxjerrin në pah kompleksin
e inferioritetit të tyre, i cili është tepër karakteristik për njerëzit e etur
për pushtet, si edhe ulin mjaft poshtë vlerat e mbarë kombit shqiptar
Gjeste të tilla të politikanëve shqiptarë në qëndrimin plot
servilizëm dhe mercenarizëm ndaj të huajve, janë nën vëzhgimin e përhershëm të
diplomatëve perëndimorë. Dhe diplomatët e huaj, kur shikojnë që politikanët
shqiptarë, për një fotografi me presidentët amerikanë harxhojnë aq shumë para,
pse të mos bëhen ziliqarë edhe ata që të nxjerrin prej tyre ndonjë përfitim
personal nga përkrahja që do t’u japin në sytë e opinionit publik. Kjo është
arsyeja që diplomatët e huaj braktisin selitë a tyre dhe bredhin poshtë e
përpjetë nëpër Tiranë, sa nga njëra zyrë pushtetarësh të lartë në tjetrën.
Gjithmonë ka rënë në sy përkrahja që diplomatët e huaj i japin qeverisë,
partisë që është në pushtet. Se ajo i administron financat shqiptare, jo
opozita.Dhe kjo duket sheshit: diplomatët e huaj vijnë në Tiranë me këmishën të
mbërthyer dhe kravatën të shtrënguar deri në fyt. Por, gjatë ushtrimit të
mandatit, fillojnë dhe e zbërthejnë pullën e sipërme të këmishës dhe kravatën e
lirojnë fare, se qafa vjen e u bëhet si e demit. Kanë të drejtë! Shqipëria e
politikanëve në pushtet për ta është lope mjelëse, ndaj atajanë shndërruar në kadilerë.
Dhe “kadiu kur shikon paranë, ters e
vërtit sherihanë”.
Një gazetar i njohur i njërit prej kanaleve televizive, i
cili para do kohësh deklaroi se janë të panumërta kërkesat që i drejtohen
Brukselit dhe Vjenës për t’u emëruar si diplomatë në Shqipëri. Kishte shumë të
drejtë ai gazetar me brumosje nacionaliste: Shqipëria është “toka e premtuar” për diplomatët
perëndimorë.
Përkrahja e padrejtë që i jepet qeverisë është vënë re edhe
në radhët e europarlamentarëve.
Ish-europarlamentarja
Doris Pak (Pack), ka reaguar ashpër
kundër Knut
Fleckenstein-it për qëndrimin e tij skandaloz ndaj qeverisjes socialiste, gjatë
vizitës së tij me 6 europarlamentarë në Tiranë më 27 dhe 28 shkurt 2019, ku
sulmoi opozitën për djegien e mandateve të deputetëve.Ajo shkruante:
“Knut
Fleckenstein, gjykimi i opozitës në Shqipëri për sjellje jodemokratike është
hipokrizi, është një thirrje për ndihmë nga BE-ja. Asnjëherë në vitet e fundit
nuk keni kritikuar miqtë socialistë për krimin dhe qeverisjen e korruptuar. Shqiptarët
humbën shpresën, po vuajnë dhe lënë vendin. Kam turp nga ti” (Citohet sipas: “Deklaratat kundër opozitës, Doris
Pack “fshikullon” Knut Fleckenstein: Kam turp nga ti”. Faqja e
internetit “Fox Web”. 04 mars 2019).
Nga sa deklaronte zonja Doris Pak,
rezulton se Knut
Fleckenstein ishte një europarlamentar i korruptuar në Shqipëri dhe, për
pasojë, ishte një njeri i pamoralshëm. Le të flasim me gjuhën e fakteve.
Gazetari i
talentuar Elio Laze ka deklaruar publikisht si më poshtë:
“… Kjo është
historia e turpshme me ndërkombëtarët, të cilët vijnë, mbushin ca valiçe,
shijojnë benefitet që u ofrohen hoteleve të Tiranës dhe ikin dhe mbushin ca
raporte të pavërteta, të paqena… Le të marrim zotin Knut, për shembull, jo këtë
herë që ishte në Shqipëri para ca ditësh, por herën e kaluar zoti Knut ka
kaluar dy netë në hotel Rogner me një vajzë të strukturave të forumit rinor
eurosocialist shqiptar… dhe unë nuk besoj që duhen marrë seriozisht raportet që
bën Knuti, pasi ka kaluar gjithë natën pa gjumë…”(Citohet sipas: “Sa para u
ofroi mazhoranca kandidatëve të listës plotësuese të opozitës? Gazetari Elio
Laze”. Transmetuar në youtube nga “Syri.net”. Intervistues gazetari Alen
Xhelili. 05 mars 2019).
Përkrahja e diplomatëve të huaj për qeverinë dhe për partinë
socialiste ka arritur here-herë deri në atë shkallë, saqë ndokush prej tyre
ëshë etiketuar edhe si anëtar i asamblesë së partisë socialiste. Ndonjë
diplomat tjetër, përkrahjen e vet ndaj kryeministrit Rama e ka manifestuar deri
edhe në përmasa skandaloze.Rasti i mëposhtëm dëshmon më së miri se njëri nga këta
diplomatë është thjesht një rrugaç që duhej përzënë menjëherë me teneqe nga
vendi ynë. Por s’kishte kush ta përzinte, se vendi ynë nuk ka zot.
“Mbrëmë
ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Borchard, u ka ngritur gishtin e mesit
protestuesve shqiptarë që ndodheshin para Drejtorisë së Policisë në Tiranë,
ngaqë protestonin kundër arrestimeve të banorëve të “Unazës së Re” nga policia.
Kjo është e turpshme. Një akt i pastër rrugaçërie nga një përfaqësues me
imunitet diplomatik! Zhgënjim i madh që diplomacia gjermane të përfaqësohet me
një person të tillë! Gjesti i turpshëm i një ambasadori është i dënueshëm dhe
duhet ta ndëshkojë Konventa e Vjenës. Ai gisht i mesit nga ambasadori i OSBE-së
kundër shqiptarëve, në fakt, shpreh krizën spektakolare që ka drejtimi i
OSBE-së, drejtim, i cili do t’i besohet qeverisë më antidemokratike të vendeve
anëtare të OSBE-së, qeverisë së Ramës që dhunon egërsisht qytetarët e saj dhe
liritë kushtetuese” (Citohet sipas: “Turp. Ambasadori i OSBE-së në Tiranë u
ngre gishtin e mesit protestursve shqiptarë”. Faqja e internetit e gazetës
“Telegraf”. 14 tetor 2019).
Diplomati
Borchard nuk mund të mbante qëndrim tjetër ndaj protestuesve të “Unazës së Re”,
prandaj ai gishti i tij i mesit,i ngritur paturpësisht para tyre, dëshmonte më
së miri se ai ishte radhitur fuqimisht në përkrahje të kryeministrit Rama. Kur
ata protestues të gjorë i poshtëronte kryeministri i vendit, siç edhe i
poshtroi publikisht, duke i flakur si lecka nga shtëpitë e tyre, si mund të mos
i poshtëronte ai diplomat i huaj!
Por, çuditërisht,
këtë sjellje rrugaçërore të këtij diplomati të lartë evropian, Brukseli e mori
në mbrojtje. Kjo dëshmon fare shkoqurse çfarë qëndrimi “dashamirës” mban
Perëndimi evropian ndaj popullit shqiptar.
Nëse
diplomatët e huaj, kryesisht perëndimorë, do të kishin sadopak respekt për
popullin shqiptar, atyre nuk mund të mos u bënte përshtypje shpopullimi i
Shqipërisë me përmasa të frikshme këto shtatë vjetët e fundit. Dhe, si zëdhënës
të qeverive të tyre, do të kërkonin ndryshimin e stanit politik në Tiranë, në
mënyrë që njerëzit të mos braktisin vendin. Sipas disa të dhënave shifrore, të
botuara para do kohësh në gazetën “Telegraf”, rezulton se gjatë pesë vjetëve
(2012-2017) në vendet perëndimore kanë marrë azil 290 mijë shqiptarë, përfshirë
edhe kosovarët, pa llogaritur ata që kanë braktisur vendin, të cilët, në
tërësi, kapin shifrën mbi gjysmë milioni për të dyja vendet. Siç vihet re, Rama
dhe Thaçi janë në garë se kush do të arrijë ta shpopullojë më shpejt vendin
përkatës. Që të dy, duke qëndruar kaq gjatë në pushtet (Rama - 22 vjet, Thaçi -
21 vjet), domosdo që janë duke lenë gjurmë në histori me kontributin e tyre të
dukshëm për shpërbërjen e kombit shqiptar. Me sa duket, janë në garë me
Putinin, i cili, sipas disa mediave ruse, mendon të largohet nga pushteti në
vitin 2036.Dihet: një politikan mund të qëndrojë gjithë jetën në pushtet vetëm
në dy raste: ose kur vendi është mbretëri, ose kur aty është vendosur një
sistem komunist apo neokomunist, si në rastin e Shqipërisë dhe të Kosovës.
Shtetet
perëndimore, të cilat janë anëtare tëNATO-s,
nuk duhej të lejonin që Athina të vazhdojë ta mbajë në fuqi ligjin paradoksal
të luftës me Republikën e Shqipërisë, ndërkohë që kjo po bëhej gati të panohej
si anëtare e saj që në pranverën e vitit 2008 (u pranua në pranverën e vitit
2009). Mirë që Perëndimi evropian nuk e çan fort kokën për vendin tonë, por
Vashingtoni nuk duhej t’ia lejonte Athinës kurrsesi një gjë të tillë.
Nisur nga sa u
parashtrua më lart, mund të thuhet pa mëdyshje se të pretendosh që diplomatët
perëndimorë duhet të mbajnë një tjetër qëndrim në vendin tonë, pra, një qëndrim
kundër qeverisjes së keqe të vendit, është jashtë realitetit. Kur i zoti i
shtëpisë vendos kallëpet e dinamitit në themelet e saj, i huaji s’e ka për gjë
të ndezë fitilat. Praktika e deritanishme tridhjetëvjeçare ka vërtetuar me
fakte se diplomatët perëndimorë kanë shikuar dhe vazhdojnë të shikojnë vetëm
interesin personal, në mënyrë që kur të përfundojnë mandatin, të largohen me
valiçe “të majme” nga vendi ynë, domosdo, me kontributin e drejtpërdrejtë të
qeverisë. Prandaj asnjëri prej tyre nuk e ngriti kurrë zërin kundër shndërrimit
të Shqipërisë në një Kolumbi të Evropës, me kontributin e drejtpërdrejtë të
kryeministrit Rama. Se derisa qeveria nuk e çan kokën fare për popullin e vet,
si mund të mendohet që ta çajnë kokën për të diplomatët e huaj perëndimorë?!
Indianapolis, Indiana
07 qershor 2020