Kerko: a
Ndue Dedaj: Një laps simbolik me flamurin e Kosovës
E shtune, 06.06.2020, 12:17 PM
NJË LAPS SIMBOLIK ME FLAMURIN E KOSOVËS…
(Profili
i një humanisti)
Nga
Ndue Dedaj
Gjon
Krasniqi është një shqiptar nga Lugu i Beranit, që punon e jeton familjarisht
në Zvicër prej shumë vitesh. Thotë se për herë të parë ka hyrë në Shqipëri në
vitin 1993 nga Pogradeci dhe, më të zbritur, kishte puthur “tokën e ndaluar” që
ishte i njëjti dhé me atë të Kosovës, ku ai kishte lindur. Polici i doganës i
kishte thënë se kishte një parregullsi në lejen e hyrjes, ndaj do të gjobitej.
“Nuk ka problem, - ia kishte kthyer Gjoni, - tash e pranoj me kënaqësi gjobën”.
Por
sa e sa Gjonë të tjerë, qysh nga Lidhja e Prizrenit e këndej kanë bërë të
njëjtën gjë si Gjoni i Krasniqes, që ndokush në të afërmit e tij e quan “lulja
e Fisit”, ngaqë ai është njeri human dhe dëshiron të dhurojë për të tjerët.
Shumë vite më parë pati mbledhur dy maune me ndihma mjeksore në Zvicër për t’i
çuar në Kosovë, por kur pa se atje nuk po e lejonin t’i fuste, i solli në
Shqipëri. Mbase këtu zë fill dhe titulli “Nderi i Qarkut të Lezhës”, që ai mori
në kohën kur ky institucion drejtohej nga Dr. Pashk Gjoni.
Gjoni
tashmë ka shumë miq në Lezhë e Mirditë. Nga mesi i janarit të këtij viti ai
erdhi në Rrëshën me disa veprimtarë nga Lugu i Drinit, si Pal Canaj, Dodë
Ndrecaj, Vilson Culaj, Lekë Mrijaj, si dhe famullitarin e Gllozhanit, Dom Pal
Tunaj dhe solli qindra pako me lapsa të dizenjuar/stilizuar nga i biri, Zefi me
flamurin e Republikës së Kosovës, ndërthurur me flamurin kombëtar, që Gjoni ua ka
bërë dhuratë mijëra nxënësve në Kosovë dhe Shqipëri.
Ti
e merr në dorë atë laps dhe nis e shkruan apo vizaton me të dhe të duket se ai
është lapsi me të cilin Ibrahim Rugova ka nënshkruar jo vetëm studimet e tij
letrare, monografinë e çmuar për Pjetër Bogdanin, por dhe shtetin e ardhshëm të
Kosovës. Është ai laps me të cilin udhëheqësit e rinj të Kosovës më pas
nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë në vitin 2008. Por ai laps është dhe shumë
më i “vjetër” se kaq, pasi aty është dhe dora e Ismail Qemalit e Isa Boletinit.
Ja, kështu do të niste eseja që nxënësit do të shkruanin me të...
Ka
qenë kënaqësi për mua, që me Gjonin na ka njohur fillimisht libri “Kanuni mes
kuptimit dhe keqkuptimit” (2010), që, siç thotë ai, i ka lënë mbresa të
veçanta. Pas kësaj më ka thirrur në telefon, ka ardhur dhe vetë në Mirditë, e
tash shihemi herë pas here në një shoqëri miqsh të përbashkët, nga Zvicra,
Klina, Milano, Mirdita, Lezha dhe Tirana.
Bota
sot, falë teknologjisë së komunikimit dhe qarkullimit të shpejtë, është tepër e
“vogël” për të qenë madhe.
Në
fund të janarit 2020, Gjoni na mblodhi 25 burra në Gjakovë në një darkë
“mbretërore” miqsh, ku ishin At Ndue Kajtazi, Don Fran Kola, studiues,
publicistë, veprimtarë, pjesëtarë të një familje lezhiane që kishte strehuar
njerëzit e tij gjatë luftës së Kosovës më 1999.
Këtë
maj, Gjon Krasniqi u bë 59 vjeç dhe gëzimin e tij e ndau me mirditorët, ku
përmes Karitasit Dioqezan Rrëshen shërbeu 59 pako me ndihma për familje
nevojëtare, duke pasur dhe falenderimin e Ipeshkvit të Rrëshenit, Imzot Gjergj
Meta. Gjoni e ka për zemër Mirditën, çka e dëshmon me gjeste bujarie në
vazhdimësi - ai ka dhënë ndihmesë dhe për disa restaurime në Pallatin e
Kulturës Rrëshen.
Këto
janë vetëm pak radhë për profilin e një shqiptari të mirënjohur, që nuk është
thjeshtë “lulja e fisit” të tij të Krasniqe… radhë të “nënshkruara” dhe nga
plot mirditas të tjerë, si Dr. Pashku, Gjoni, Bardhoku, Gjergji, Aleksandri,
Prenga (Milano), Gëzimi, Valentini, Viktori etj.