Kerko: a
Agron Tufa: Katër qen të bardhë
E merkure, 03.06.2020, 07:10 PM
KATËR QEN TË BARDHË
Nga Agron Tufa
I
Katër
qen lëshohen rrufeshëm drejt meje, me më prishë. Dy të mëdhenjtë më arrijnë në
mes të vreshtit. Kam veç
një shkop frashni në dorë. U hodhën në ajër, me më shqye, por i prita me shkop kresë, njenin mbas tjetrit. Ranë coftë në tokë, bashkë me copat e shkopit, që u thye në goditjen e dytë. Po atë grimë, ndjeva prapa thembrave kafshimin e qenve të vegjël. Nuk i shmanga dot...
II
Me del gjumi, por ende ka natë. Nga frëngjia e vetme e qelisë hyn thëllimi me kundërmimin e dëborës së parë. Vjen së largu, si e bjerrë, kënga e gjelave të tretë. Pas 9 muajsh hetuesi të egër po gdhin kështu dita e gjykimit tim. Me ato 4 nenet e tmerrshme... dhe atë, dëshmitarin kyç, Veli S...! Sa qen m’u shtirën në ëndërr? Katër... Të bardhë, të bardhë... Aq sa nenet e akuzës sime: dy të mëdhenj, të frikshëm, dhëmbëçataj e sykuqë, dhe dy të tjerë, të vegjël, me dhëmbët brisk. Si nenet e akuzës sime: dy që të marrin jetën, dy të tjerë që të marrin disa vite jetë. Me bashkim nenesh, të çojnë në pushkatim. Pjesa tjetër dihet: pleqtë, gruaja, pesë kalamajtë... dhe rrugët e pasosura të internimeve... Por, në qoftë se 4 qentë e ëndrrës janë 4 nenet e akuzës sime, puna nuk është keq. Kurrë nuk i kam besuar ëndrrat. Por sot...
III
- Këtë kokë, zëre se s’e ke më tënden! Do të ta shkulim prej supeve, si një rrepë! – më kërcënon ndër dhëmbë hetuesi im, kapiten Kote. Nuk i kthej përgjigje. Habitem me ndjesinë e mirë që kam përbrenda. Sallë gjyqi. Fytyra krejt të panjohura. Fillon seanca me nenet e vogla: 1. “Moskallzim bisedash armiqësore dhe pengim të organevet hetuese” dhe 2. “Armëmbajtje pa leje”. Mbrojtja ime bie ndesh me dëshmitarë dhe prova. “Dy qentë e vegjël të ëndrrës kafshuan”, - mendova. Gjithçka e vendos seanca e pasdites.
IV
Lexohet
akt-akuza: 1. “Tentativë arratisje në grupazh” dhe, njëkohësisht, 2. “Tradhëti
e lartë ndaj atdheut”.
-
Fillojmë me zbardhjen e provave dhe rrethanave, thotë kryetari. - Të hyjë
dëshmitari!Nuk ndjej asfarë paniku. Veli S., nuk po duket ndërsa koha kalon.
Pëshpërima. Hyn një police e bukur, elegante, sikur po shkel mbi vezë. Shkon
drejt bankës së akuzës. Kryetari zgjat kokën e thinjur. Qafën e ka ezmere, me
rrudha; fytin me arrëz. Si një breshkë. Policja i çuçurit në vesh. Pa gjeste.
Ai tund kokën. Mandej, fill pas largimit të vajzës police, thotë:
“Të
vazhdohet përkohësisht me të pandehurin!”. Marr krahë. Refuzoj gjithçka.
Gjithçka. Të qena e të paqena.
-
Janë shpifje të gjitha, - them, - thirreni dëshmitarin t’jua provoj!
Dëshmitari
nuk vjen. Trupa tërhiqet për të marrë vendimin.
V
- Ia hodhe, skile! Të ndihmoi fati “me pak”, - u skërmit hetuesi im në korridor. – Por, mos kujto se na shpëton, - tundi gishtin me një gjest kërcënimi të fshehtë. - Herën tjetër, kaptinën tënde do të ta shkulim supesh...
-
Si një rrepë? – e ndërpreva.
-
Pikërisht!
-
Ruaj kaptinën tënde, kapiten... Timen e ruan Zoti.
Polici
që më shoqëron mbrapsht në Degë më flet me dialektin e vendlindjes:
-
Sak ta ka ruejt Zoti kryet, or mik... Kujt i shkote ndërmend, se... dëshmitarin
tat, do ta bante petë makina, mu para gjykate?
-
E shtypi makina!?
-
Sa ka hy zotnia juej në sallë...!
-
Katër qen! - thashë nëpër dhëmbë.
-
A? - pyeti polici me dorën si hinkë në vesh.
-
Të bardhë, - i thashë.
-
Të bardhë, çfarë?
-
Dy të mëdhenj, dy të vegjël...
Polici
ndalon papritmas. Kërkon në xhepa dhe nxjerr një paqetë “DS”. Merr një cigare
dhe ma vë në buzë filtrin e verdhë. Mandej flaka e çakmakut me gaz. E thith
thellë e me afsh tymin, derisa ndeshem me vështrimin e tij të picërruar,
hetues.
-
A je mirë, or mik? – pyet serioz ai, pa m’i shqitur sytë.
-
Shëndoshë e mirë, - i them. – Gjallë!
Polici
tund kokën i kënaqur, në shenjë miratimi. Vazhdojmë rrugën, vetëm disa metra,
deri në oborrin e Degës.
-
Po, po, - miraton me zë lëvizjet e mëparshme të kokës, - S’ka me të gjallë...