Kerko: a
Ramiz Lushaj: Mos hapja e doganave, krizë mbi krizë për Tropojën e Hasin
E merkure, 03.06.2020, 10:22 AM
Mos hapja e doganave në Qafë Morinë e Qafë Prushi ngjan si “Perde e Hekurt”, sjell krizë mbi krizë për Tropojën e Hasin
Nga
Ramiz LUSHAJ
1. Qeveritë e Kosovës
ende nuk i kanë hapur dy pikat e kalimit kufitar e doganor në Qafë Morinë
(Tropojë) e në Qafë Prushi (Has). Ndërkohë që prej 1 qershorit 2020
funksionojnë 6 të tilla në 24/7 me status e standarde të njëjta, si ato në Vermicë
(Kukës, Shqipëri) Kullë (Mali i Zi), Hani i Elezit (Maqedoni e Veriut), Dheu i
Bardhë, Merdarë e Jarinjë (Serbi). Ndërkohë që Qeveria e Shqipërisë i ka hapur
“kufijtë me fqinjët, për të gjithë shqiptarët”. Për ma tepërt, kur edhe vet
Serbia mbrri deri aty sa lëshon deklarata politike, diplomatike e shoviniste
“do i hapim kufjtë me Shqipërinë”(!).
“Qeveria
Kurti” i hapi “100 përqind” pikat kufitare e doganore (të çertifikuara për udhëtarë
e mallra) me Republikën e Serbisë, ndërsa me Shqipërinë vetëm “30 përqind”,
vetëm atë të Morinës në Kukës, ndërkohë që vijën kufitare me Kosovën e ka 116.3
km përgjatë bashkive Tropojë, Has e Kukës.
2. Mos hapja e PKK
e PKD në Qafë Prushi e në Qafë Morinë (që janë rrugë kalimi të udhëtarëve e
karvanëve qyshce në hershmërinë antike ilire, të cilat e lidhnin bregdetin
Adriatik me Alpet), në kushtet aktuale gjeostrategjike politike e diplomatike,
përban një akt të lig përjashtimor e përveçues, një veprim antikombëtar e
prosllav të Qeverive të Kosovës (në ikje e ardhje), i damton ndjeshëm ekonomitë
private e shtetërore të Shqipërisë (Tropojës e Hasit, etj.) dhe të Kosovës
(Rrafshi i Dukagjinit, etj.), nuk mundëson lidhjet etno-historike, kulturore,
etj.
Vetëm
rregjimet e Krajlëve të Dinastive të Serbisë Mbretërore, të Enverit
izolacionist, të Titos e Millosheviçit të Jugosllavisë ia kanë mbyllun Tropojës
dhe Hasit kufijtë tokësorë me piramida e klone, në pika kalimi kufitare e
doganore.
Vetëm
këta nuk e kanë lanë Malësinë e Gjakovës (Tropojën) të lidhet me Gjakovën e saj
dhe Gjakovën të lidhet me Malësinë e vet (!) Vetëm këta nuk e kanë lanë Hasin e
Thatë të Shqipërisë të lidhet me Hasin e Rrafshit të Kosovës dhe Hasin e
Rrafshit në Kosovë të lidhet me Hasin e Thatë në Shqipëri (!)
3. Tropoja (Malësia
e Gjakovës) sëbashku me Brigadën “Agim Ramadani” të Kosovës e të tjerët, në
Luftën historike të Koshares, qyshce me 9 prill 1999, me gjak e plumba, me
sakrifica e heroizma, e kanë thye njëherë e përgjithmonë kufinin e padrejtë të Fuqive të Mëdha që i
ndante Kosovën me Shqipërinë dhe Shqipërinë me Kosovën.
Tropoja
dhe Hasi kanë ma shumë se çdo rreth (bashki) tjetër e Shqipërisë: a.-pjesmarrës
luftëtarë e kontributorë në Luftën e fundit të Kosovës (1997-’99), b.-Dëshmorë
të Luftës së Kosovës, c.-Invalid në
Luftën e fundit të Kosovës.
4. Asnji rreth
(bashki) tjetër e Shqipërisë nuk është damtue ma shumë se Tropoja e Hasi nga
Lufta e Kosovës, të cilat kanë pësue humbje me disa miliardë dollarë (USD)
përgjatë Luftës së fundit të Kosovës, aq sa dhe sot e kësaj dite i ndjejnë deri
në mbijetesë pasojat e mëdha të saj, aq sa ende ecin, mbjellin e korrin mbi
tokë të minueme nga shovinizmi gjakatar e genocidial serb, etj.
Vetëm
Tropoja (Malësia e Gjakovës) nga rreth 700 dëshmorët e saj, i ka rreth 500 prej
tyne të ramun Dëshmor i Atdheut për Kosovën, prej nga kohërat e kryengritjeve e
luftërave të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e deri tek Lufta ma e fundit e
Kosovës.
Dikur,
bashkarisht, edhe para dy-tre dekadave të fundit, e kena thye me zemër e shpirt
të pastër e “me qefin në krye” kufinin e padrejtë shqiptaro-shqiptar mes Shqipërisë
e Kosovës të vendosun prej të tjerëve në shekujt e fundit. Tropojanët e Hasianët dhe Kukësianët, (e të
tjerët) kena dhanë kontribute të mëdha nga buka tek pushka për me luftue e me
fitue lirinë e Pavarësinë Kosova dardane. E tashti padrejtësisht e pabesisht Qeveritë
e Kosovës (në ikje e ardhje) po duan me na nda ndërveti, për së gjalli e me
mjaft ligësi politike e shtetërore, me hakmarrje primitive politike, etj.
Përgjatë
historisë, në jetë e mote, Tropoja e Hasi i kanë pasë bashkarisht miqësitë e
gjakut e të pragut; i kanë pasë bashkarisht edhe lidhjet ekonomike e kulturore;
i kanë pasë bashkarisht edhe dasmat e luftërat. Haxhi Zeka aq sa është i Pejës
është dhe i Tropojës. Bajram Curri aq sa është i Gjakovës është dhe i Tropojës.
Ndaj, kush na ndaftë ndërveti si dikur, as ditë të mirë e as dritë të pastër mos
paftë!
5. Tropoja (Malësia
e Gjakovës) e ka veç një krahë e një hap larg Gjakovën, është pjesë
etno-historike e saj, janë njësh - nji e vetme.
Tropoja
e ka mbi dy herë ma afër Prishtinën (120 km) se sa Tiranën (260 km). Ma shpejt
shkojmë në Gjakovë, Pejë, Prizren e deri në Prishtinë, se sa në qytetin e
Kukësit, në kryeqëndren e Qarkut të Kukësit apo në Tiranë - në metropolin
shqiptar.
Veçanarisht
bashkia e Tropojës (Malësia e Gjakovës), po përgjithsisht dhe Bashkia e Hasit
(Hasi i Thatë) nëse nuk funksionojnë Pikat e Kalimit Kufitar e Doganor të Qafë
Morinës e të Qafë Prushit bien menjëherë në krizë të madhe ekonomike e
financiare, bien në vështirësi të jashtëzakonshme, sepse magjen e bukës,
tregtinë me mall, kuletë e çek bankar, tregtinë me çanta dore e me makina të
vogla e të tonazhit të madh, e kanë kryesisht
e përgjithsisht me Kosovën dardane.
Dihet
botnisht se tre muaj izolim pandemik e kanë lodhë së tepërmi Tropojën e Hasin,
krejt Qarkun e Kukësit, ndaj në këto çaste Kosova është frymëmarrja jonë
ekonomike, fuqia jonë ekonomike. Edhe vet Kosova, kryesisht Rrafshi i
Dukagjinit, ia ndien peshën ekonomike Qarkut të Kukësit.
6. Absurdi ma i madh
politik e diplomatik ka të bëjnë dhe me faktin se Qarku i Kukësit (ku
përfshihen tri bashkitë e sotme Tropojë, Has e Kukës) është ndër ma të pasuritë
në botë për nga pasuritë natyrore të tij, por ka mbetun Qarku ma i prapambetur
në Shqipëri e në Europë, prej politikave mbishekullore të qeverive shqiptare në
vargni, prej politikave të fqinjëve tanë ballkanikë e mesdhetarë në histori
shumëshekullore, prej mos pasjes me ose pa dashje të ndërhyrjes e të ndihmës ndërkombëtare
euro-atlantike, si dhe nga politika të tilla të izolimimit e bllokimit me PKK e
Doganor në Qafë Morinë e në Qafë Prushi të mbajtura këto ditë nga qeveritë e
Kosovës.
Sot
është dita, ora, minuta, që të ndërhyjnë edhe Ndërkombëtarët Euro-Atlantik, me
përfaqësuesit e tyre në Uashington e Bruksel, në Prishtinë, në Tiranë, duke e
vlerësuar dhe situatën e çastit dhe shkaqet e pasojat e prejkohshme, se Qarku i
Kukësit, se Tropoja e Hasi (të bllokuara me Kosovën) nuk janë larg
gjeopolitikisht, po në mesin e Europës e të Botës; nuk janë as bashki të vogla
krahasime dhe me disa shtete të Europës. Qarku i Kukësit është gati sa shteti i
Luksemburgut. Bashkia e Hasit është mbi dy herë ma e madhe se shteti i
Lehtenshtajni. Bashkia e Tropojës është mbi dy herë ma e madhe se shteti i
Andorrës.
“Perdja
e Hekurt”, jo vetëm më përngjan, por nuk ka si të jetë ndryshe, veçse me “stop”
në kufi e me “traun” e ulun të doganës edhe në Qafë Morinë të Tropojës e në
Qafë Prushi të Hasit e krahinës së Bytyçit!
“Mbi-Kriza”
(kriza mbi krizë) nuk ka si të jetë e të vijnë ndryshe veçse nga mbyllja
ngujuese prej tre muajsh në shtëpi prej situatës së fatkeqësisë natyrore
Covid-19 në Shqipëri e në Botë, prej mos-hapjes (mbylljes) së kufijve me
Kosovën; prej moskthimit në investime e vlera monetare të pasurimeve të mëdha
natyrore të hidrocentraleve, minierave, pyjeve, etj. të grabituna nga të gjitha
qeveritë shqiptare të Tiranës; prej mos shpërblimeve në investime e vlera
monetare për damet e shkaktueme nga Lufta e Dytë Botërore dhe Lufta e fundit e
Kosovës.