Kerko: a
Resmi Osmani: Mbretëresha Olimpia (IV)
E marte, 02.06.2020, 08:46 PM
Resmi Osmani
Roman
MBRETËRESHA OLIMPIA
(Fragment)
Fundi i udhës së mundimeve.
Ishte dita e fundit e javës së parë të
prillit.
Kasandri u dha fund mëdyshjeve. Bëri fli në
altarin e Zeusit dhe shortarët shqyrtuan dhe shtjelluan shenjat.Ishin të
mbara.Edhe orakulli i Apolonit të Delfit, bënte fjalë për një zjarr që shuhej
dhe një dritë që fikej. Shpatullat e flive rrëfenin një kafaz dhe një pellg
gjaku. Zotat e kishin përcaktuar fundin: mbretëresha duhet të vdiste.Thirri
dyqind ushtarë të rinj e besnikë. Porosia ishte e prerë:
-Mbretëreshës Olimpia i ka ardhur fundi.Edhe
vdekja është pak për të këqiat që ka bërë. Maqedonia duhet të shpëtojë nga
intrigat dhe hakmarrjet e saj të përgjakshme. Erdhi ora e shpagimit.I pari që
do të sjellë lajmin do të ketë shpërblesë. Bëni detyrën!
Ushtarët e armatosur me shtiza të shkurtra
dhe kama majëmprehta, u drejtuan për në pallat. Ecnin me hap të rëndë, të zymtë,
të menduar e të tronditur, si në një
procesion të përzishëm, që mbante mbi supe një tabut.
Oficeri trokiti disa herë në portë, por mga brenda
askush nuk u përgjigj dhe nuk e hapën.
-Shkallmojeni portën,-urdhëroi ai.
Pas disa goditjeve me dash dhe sëpata të rënda
porta u copëtua dhe u hap kanat më kanat.
U bë një përleshje e shkurtër me rojet e
brendshme, që u çarmatosën ose u vranë. Kalimi ishte i lirë.Ushtarët u vunë në
radhë dhe me hap të shpejtë hynë në sallën e madhe me ushtat gati për të
goditur, por u shtangën: kundruall tyre, të ulur në poltronën e lartë, kishin
mbretëreshën. Grua e hijshme dhe e hirshme, krenare, me sy shqiponje e vështrim
të guximshëm. Kurora e artë mbi ballin e lartë dhe manteli i purport arqëndisur, hedhur mbi
supe e që i mbulonte pëqinjtë, i jepte pamjen e një perëndeshe, para së cilës
duhej rënë në gjunjë dhe jo të ngrije armën për ta goditur. Kjo ishte gruaja e mbretit Filip, e ëma e Aleksandrit
te Madh. Për të kishin dëgjuar, por ishte hera e parë që e shihnin dhe pamja e
saj i goditi në shpirt. E gjitha dukej si e qarkuar me një brerore drite,
rrezatonte hir dhe madhështi. Prapa saj ishin rreshtuar zonjat e shoqërimit,
Thesalonika dhe Roksana, të gjitha të veshur me të bardha, në një qëndrim të
ngrirë. Ajri ermironte temjan, atmosfera e heshtur dhe flaka e pishtarëve,
ngjallnin në shpirt një ndjenjë mistike, si në një tempull në pritje të një
ceremonie të shënjtë.
Pas asaj stepjeje të vetvetishme, oficeri që
printe e mblodhi veten;
-Madhëri, bëhuni gati të largoheni nga kjo
jetë dhe shpirtin t’ua drëzoni zotave. Kemi ardhur të zbatojmë vendimin!
Ajo u ngrit më këmbë dhe i kundroi vëmendshëm
e me keqardhje ushtarët.
-Jeni kaq të rinj e kaq të hijshëm. Në moshën
tuaj ishte edhe Leka, kur u nis për luftën në Azi,- u tha ushtarëve me zë të
qetë e të pikëlluar.
-Po u bën dora, goditmëni. Është si të vrisni
nënat tuaja. Po a e vret biri nënën?Ja ku më keni. Bëni detyrën për të cilën ju
kanë dërguar. Bindja është vyrtyt i ushtarit.
Nga pamja dhe fjalët e saj, ushtarët u
pushtuan nga një trazim shpirtëror. Jo. Ata nuk mund t’a vrisnin nënën e
Aleksandrit. Ajo vdekje do t’I ndiqte si mallkim tërë jetën. Ulën shtizat, bënë
prapaktheu dhe dolën të heshtur nga pallati.
*
* *
Çeta e ushtarëve u paraqit kryeulur para
gjeneralit. Detyra nuk ishte kryer. Kasandrit i hipi një tërbim i egër, aq sa
vuri dorën në shpatë dhe ata pandehën se do të bënie ndonjë hata, por ai e
derdhi furinë e zemërimit me të shara të ndyra dhe fyerje që ata s’i kishin dëgjuar
më parë prej tij: i quajti bajga, burracakë, frikacakë zemërlepuj,zuzarë,
doçër, që kishin mbushur brekët para një gruaje, që tashmë ishte askushi, veç
hije e vetvetes.
Dërgoi kalorës lajmëtarë që të sillnin në
Pidna të afërmit, etërit dhe vëllezërit e të vrarëve nga Olimpia-Stratonika.
Ata do të dinin përse ta vrisnin dhe si ta vrisnin: me gurë, që shpirti t’i
delte me dhimbje e mundim.
* * *
Koha nuk priste. Ata, të afërmit e të vrarëve
nga hakmarrja e saj, që i kishte thirrur Kasandri, kërkonin shpagë. Të ngarkuar
me gurë dhe të vberbuar nga urrejtja, duke sokëllitur si lukuni e qenve të tërbuar,
ishin sulur dhe ngarendnin drejt pallatit. Ndjehej zallahia dhe trokëllima e
shurdhër e gjurmëve të tyre në kalldrëm. Nga gurmazet e ngjirura delte me gulç
thirrja:”Me vdekje, me vdekje!”.Vraponin të shfrynin urrejtjen dhe të shuanin
etjen e tyre për gjak.
Ajo e dinte: turma ishte e egër si lukunia e
ulqërve të uritur.
Thirri Kadmenë.
-Kadme fisnike, bija ime, që më ke shërbyer
kaq vite, merre këtë unazë që të më kujtosh.
Hoqi nga gishti unazën e rëndë, të artë, në
mesin e së cilës ishte ngallmuar një gur rubini I kuq si gjaku, në formë vezake
me vulën e saj.
-Ma jep gishtin,- i tha dhe pastaj i vuri
unazën.
-Bëji edhe shërbimin e fundit mbretëreshës tënde.Ndihmomë
të vdes!
Mori nga tryeza një thikë, dorezëargjendtë, të
stolisur me gurë të ndritur, tehu i mprehtë i së cilës lëshone reflakse të
kaltra- mavi. Ishte një dhuratë që Leka ia kishte dërguar nga Fenikia.
-Mbaje fort me të dy duart, në mes të gjoksit
tënd.
Pastaj ajo iu lut zotave:”Goditja qoftë e
saktë, maja e thikës shkoftë drejt e në zemër, që pa vuajtje e përpëlitje, në
pellgun e gjakut tim te shuhem, të shuhem e të mbyll unë sytë e qetë!….”
Kadmeja, me pavetëdije, mëndje çakërdisur, bëri
siç e urdhëruan, por duart i dridheshin dhe maja e thikës vibronte si gjuhë
gjarpri. Mbretëresha u afrua përballë qetësisht dhe e p[ërqafoi Kadmenë. Majën
e ftohtë të thikës e ndjeu në gjoks pranë zemrës. Mbylli sytë dhe gjithë forcë,
me vrull të befasishëm e shtrëngoi Kadmenë në shpatulla, drejt vetes. Ishte përqafimi
i vdekjes. Maja e thikës kishte depërtuar në zemër. Pa asnjë rënkim, jetëfikur,
trupi rrëshqiti ngadalë teposhtë.
Kadmeja e lemerisur ja hoqi thikën nga
gjoksi. Gjaku shpërtheu me gulçe. Mbretëresha kishte vdekur. Kadmeja, leshraprishur,
mendjeçartur vuri kujen. Shkuli flokët,
rrahu gjoksin, çorri faqet dhe ia nisi vajit me dënesa. Në çast ia behën
Thesalonika, Roksana, zonjat e shoqërimit dhe skllavet e shtëpisë. Plasi vaji.
Fill pas tyre, nga dyert e hapura e të
shqyera, turma e harbuar dhe çakërdisur, gojëshqyer e pamje handakosur, hyri në
tremen e pallatit dhe pastaj kërkoi nëpër salla e dhoma deri sa arritën në sallën
e armëve. Gulçonin. Në duar mbanin gurë të rëndë. Ishin gati ta vrisnin mbretëreshën
me gurë, që të mbaronte me vdekje të mundimshme. Kjo do të ishte shpaga e tyre.
Sytë u feksnin nga ligësia. Ishin si në jerm. Ngadalësuan hapat dhe u stepën
kur e panë fronin bosh. Nuk vonoi dhe e panë trupin e shtrirë e të pajetë të
mbretëreshës të zhyer në gjak.
Për Thesalonikën ishte si të kishte ardhur
fundi i botës. Pas Leonatit, dashurisë së saj të pafat, që luftoi e vdiq si
trim, vdekja e mbretëreshës e la vërtet jetime, të pambrojtur, në dorën e fatit
mizor. E mbytur nga lotët e dhimbjes, e mbuloi me pelerinë dhe I mbylli sytë e
pajetë. Fytyrën ia la zbuluar. Dukej sikur flinte. Kishte rënë në gjumin e përjetshëm.
Pjesëtarët e turmës së ndërkryer, u bënë gati
t’I vërvitnin papërdhokët, por i pari i tyre i ndali.
-Jo, - u tha ai, - mos ndillni mbi vete mërinë
e perëndive. Erinitë zemërohen pot ë goditet me gurë e të përdhoset një i
vdekur. Ajo u tregua më e shpejtë se ne.
Ata e shfrynë dufin duke goditur fronin sa e
shkatërruan, të tjerët i ulënj gurët përdhe, kapicë mbi mozaikun e dyshemesë
dhe u larguan të lehtësuar. Me vetvrasjen ajo i kishte shpëtuat nganjë krim.
*
* *
Kështu vdiq pas një jete të stuhishme, mbretëresha
Olimpia në një ditë pranvere të vitit 316 para erës së re, në kështjellën e
qytetit të Pidnës në moshën pesëdhjetenëntë vjeçare.
E lindur në Pasarone, Molosi, të mbretërisë
Epirote, bijë e mbretit Neoptolem, motër e mbretit Aleksandër Molosi, grua e
mbretit Filip II të Maqedonisë dhe nënë e Aleksandrit të madh. Në Tesproti e
quanin “Zonja e Madhe”, në Pasarone “Lulja e bukur “ e Epirit, në Maqedoni “Princesha
Epirote Olimpia”.Me këtë emër, ajo hyri dhe mbeti në histori. Qe mbretëresha e
katër emrave: ne fëmijëri, emrin e lindjes ia vunë Polikseni, nëvajzëri zgjodhi
të quhej Mirdala, nuseroi e mbretëroi si Olimpia dhe vdiq si Stratonka.
U përpoq dhe arriti në jetë, atë që nuk e
kishte arritur asnjë grua para saj.
Për hakmarrje, Kasandri I moho varrimin me
nderime mbretërore.
Fund
Tiranë,
Tetor 2010-mars 2011.