Kerko: a
Enver Bytyçi: Akademiku autokrat i LDK-së, Isa Mustafa!
E marte, 02.06.2020, 06:36 PM
Akademiku autokrat i LDK-së, Isa Mustafa!
Nga
Enver Bytyçi
PNUD
dhe USAID-i amerikan kanë publikuar rezultatet e një sondazhi për performancën
e politikanëve të Kosovës në ditët e sotme. Anketimi ishte adresuar mbi 1300
qytetarëve dhe në përfundim del se mbi 72 për qind prej tyre e pëlqejnë punën e
krye-parlamentares, Vjosa Osmani, ndërkohë që 64 për qind shprehen pozitivisht
për punën dhe performancën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe vetëm 18
për qind në favor të presidentit Hashim Thaçi. Duke vlerësuar këto rezultate
ambasadori i RF të Gjermanisë bëri thirrje që në politikën kosovare të
vlerësohet si duhet ky fakt, duke i dhënë përkrahje të fuqishme zonjës Osmani.
Por
e i pazakontë ishte reagimi i kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa
Mustafa. Ai në vend që të ndjehej krenar për vlerësimin e publikut ndaj
nënkryetares së LDK-së, kritikoi qëndrimin e ambasadorit gjerman dhe hodhi
dyshime për rezultatet e këtij anketimi. Ishte i pazakontë ky reagim në të dyja
kuptimet, sepse vuri në dyshim një sondazh të dy institucioneve më të
specializuara ndërkombëtare në këtë fushë dhe refuzoi me mendjelehtësi faktin
se zëvëndësja e Isës, pra Vjosa, të ketë kuota më të larta se kreu i LDK-së ose
se kreu i shtetit!
Për
këtë arsye gjesti mohues iu kthye Isa Mustafës në bumerang. Nuk besoj se pati
njeri me mend në kokë që u pajtua me deklaratën e tij. Aq më pak me reagimin
ndaj ambasadorit gjerman. Ai korri atë që mbolli. Në vend që të vinte vetullat,
nxori sytë e tij. Nëse ishte disa km larg vlerave evropiane, në këtë rast ai
dëshmoi se fluturoi qindra km larg këtyre vlerave. Nëse dikush në Kosovë ende
shpresonte te roli dhe “akademikllëku” i Isa Mustafës, pas kësaj deklarate
zhgënjimi është i tejskajshëm. Çfarë kërkon t’i thotë kreu i Lidhjes
Demokratike anëtarëve, simpatizantëve dhe votuesve të kësaj partie? Se ai është
më i besueshëm se Vjosa osmani?! Se Vjosa nuk mund ta konkurrojë atë?! Se në
LDK nuk ka asnjë arsye të provohet për ndryshime politike demokratike?! Se
politika e Isa Mustafës dhe marrëdhëniet e tij me Hashim Thaçin e përmes tij me
Vuçiq dhe Daçiç janë ku e ku më dobiprurëse për Kosovën, sesa filozofia
politike e Vjosa Osmanit?! Se armiqësia e shpallur herë pas here ndaj Berlinit
është gjëja e duhur për Kosovën?! Se marrëdhënia dhe harmonia e kreut të LDK-së
me presidentin e vendit për pazare politike është më e mirë se zbatimi i
parimeve për qeverisjen e Kosovës?!
Cili
ishte mesazhi në deklarimet e zotit Mustafa? Për mua është shumë e qartë: Ai
është tashmë hapur pro politikave anti-Kosovë të Grenell dhe të tjerëve
politikanë euro-amerikanë të stanit të lobit serb dhe rus. Dhe ajo që më bën
përshtypje ka të bëjë me arsyen pse ai mban këtë qëndrim, madje me koston e
përballjes me miqtë dhe politikanët euro-amerikanë që ia duan të mirën
Kosovës?! Nuk mund ta kuptoj pse ky zemërim i tij ndaj Vjosa osmanit, ndonëse
mund të ishte i kuptueshëm një reagim ndaj kundërshtarit të tij politik, Albin
Kurti, i cili gjithashtu kishte një vlerësim në kuotat e mbi 60 për qind. Por
72 për qindëshi i kuotave të Vjosa Osmanit ishte vërtet një goditje e rëndë për
akademikun autokrat në krye të LDK-së.
Autokracia
e tij lidhet me rregullat e imponuara për konkurrencën zgjedhore brenda partisë
si dhe me intrigat e tij taktike. Intrigat taktike lidhen me talljen që Isa
Mustafa i bën partisë që ai drejton. Deri ditën e parafundit thotë se “nuk do
të kandidojë për kryetar”. Një ditë para kuvendit zgjedhor mbledh kryesinë për
të caktuar pasardhësin. Kur kryesia mblidhet “i lutet” atij që të mos heqë dorë
nga kandidimi. Dhe kështu ai del fitimtar intrigash, pasi ka luajtur rolin e
njeriut “modest” që “po sakrifikon” në emër të LDK-se e për LDK-në. Jo vetëm
kaq. Pasi bën pakt me djallin, thotë se Lidhja Demokratike dhe Isa Mustafa “po
sakrifikojnë” për Kosovën! Ndërkohë ai po sakrifikon Kosovën për pushtetin e
tij të pakuptimtë!