Kerko: a
Sinan Gashi: Pseudonimet si ruajtëse të autorit dhe të veprës së stij
E hene, 01.06.2020, 11:59 AM
PSEUDONIMET SI RUAJTËSE TË AUTORIT DHE TË VEPRËS SË TIJ
Nga
Sinan GASHI
Duke mos i marrë si të rëndësishme disa gjëra të imëta në
dukje të jetë - krijimtarisë së shkrimtarëve, shpesh kemi injoruar atë që mban
në vete një vërtetësi dhe madje një domosdos- mëri për njohje dhe shpjegi m të
veprës së atij.
Kështu, pseudonimet, ose emra letrarë, siç quhen
përgjithësisht, janë krijuar nga hershmëria te krijuesit, që mendojmë se kanë
në vetë një histori, e cila shpjegon diçka të domosdoshme për subjektin krijues
dhe raportin e tij me krijimin e vet. Pseudonimet, pra, vihen ndonjëherë si
arsye e dashurisë, e atdhedashurisë, e frikës, e modestisë, e modës, e
krenarisë, e dyshimit të autorit.
Këso radhe po e elaborojmë vetëm njërën nga këto arsye të
firmosjes me pseudonime nga krijuesit letrarë, atë të frikës, ngase shkrimtarët
kanë një botë specifike, e cila vazhdimisht lakmon në atë që ende nuk është
parë, pra realitet i mëveshur me fantazi. Kjo edhe krijon pakënaqësinë me
aktualitetin dhe pastaj pasojat ndaj asaj. Kjo i afrohet bindshëm mendimit të
studiuesit meksikan Karlos Funetos, se në çdo shoqëri dhe në çdo ideologji,
shkrimtari është njeri jasht ligjit. Ai kështu është i pakënaquri dhe i
mospajtuari i gjithmonshëm.
Frika nga politika, pushteti, përkatësisht nga
ideologjia, ishte e pranishme për një kohë të gjatë, dhe madje mjaft krijues
kishin pësuar si personalitete, duke u ndjekur, persekutuar ose edhe burgosur
deri në dënime me vdekje, vetëm për shkak të fjalës së shkruar, përkatësisht
mendimit të thënë siç e mendon mendja e akëcilit. Kështu, në veçanti, një
gjysmë shekulli i shkuar la shembuj tepër tragjik të kësaj natyre, kur me
qindra intelektualë, ndër të cilët shumica shkrimtarë, përjetuan dhunën e
natyrave më bizare deri në asgjësim. Andaj, jo të gjithë nga këta krijues, vunë
emra të dytë, emra letrarë, për t’u fsheh nga syri i ciklopit shtetëror, në
mënyrë që të shpëtojnë ata si qenie njerëzore, e, ç’është më e rëndësishmja,
krijimi i tyre, që u barazohej me idealin, arsyen e ardhjes në këtë jetë.
Kjo, do thoshim, vlen për krijuesit e përkushtuar.
Disa nga shkrimtarët, pra, krijuan emra të dytë, të
tretë, të katërt e deri te i njëzeteshtati, vetëm që askush mos t’u bie në fije
identitetin zyrtar sa për t’i ndaluar si qytetar dhe si krijues, pra në mënyrë
që mendimi të thuhet e ata t’i shpëtojnë dënimit, kurse veprat e tyre
asgjësimit ose anatemimit.
Do materializuar këto mendime të posathëna, në mënyrë që
të bëhet më e kapshme objektivi i kësaj parashtrese.
Vepra e parë që mua më ka intriguar vite më parë në këtë
drejtim, është ‘T’nnollunat e Shcypniis’,
autor i së cilës ishte prei gni Geget qi
don vennin e vet. Kjo vepër e kishte të trilluar madje edhe vendbotimin,
Skenderie, e mbase edhe vitin e botimit, 1898. Kjo në të vërtetë ishte një
libër histori shqiptare modeste e shtypur në Vjenë të Austrisë. Kjo fshehje
edhe për emrin e autorit sa edhe për vendbotim, ishte bërë ngase nuk e duronte
shqiptarësinë shkrimore - dokumentare pushteti aktual në Shqipëri. Fare vonë,
kur kaloi rreziku, u muar vesh se autor ishte shkodrani Stefan Curani, i njohur
edhe si Tefë Curani, që kishte studiuar ekonominë në Vjenë, kurse veprën e
kishte hartuar i shtyrë prej dëshirës që ta orientoi drejtë popullin e vet që
kishte humbur kahen e identitetit.
Pra këtu, vetëm përmes një emri - pseudonimi, mësohet për
shumëçka si nga fati i shkruesit, si nga rrethanat politiko-historike të një
popullate të tërë.
Edhe Naim e Sami Frashëri, dy krijuesit dhe eruditët
shqiptarë, fillimisht veprat e plota i botuan në Rumani, herë me iniciale –
sigla N.H.F. ose S.H.F., e herë edhe pa autor ose me tre
yllëza, sa kishte rrezik edhe të humbet përjetë autori, vetëm që ata mos të
rrezikoheshin nga pushteti otoman, ku shërbenin, sa edhe vepra e tyre të mos
ndalohej për shkak të tyre, pra ta marrin udhën e atdheut dhe ta kryejnë
misionin e paracaktuar. Duhet të përmenden veprat madhore ‘Istori e
Skënderbeut’ e Naim Frashërit që së pari qe botuar pa autor, ashtu si dhe vepra
e Sami Frashërit ‘Shqipëria çka qenë, ç’është e çdo të bëhet’. Përndryshe Naimi
kishte firmos edhe me siglën D. dhe
me pseudonimin Bir’ i Shqipërisë,
për vjershën ‘Nga na dolli shqipëtari’ që u botua në gazetën ‘Iris’ në
Bukuresht, më 1884.
Dihet madje fati i krijimeve letrare të Millosh Gjergj
Nikollës, i cili vetëm si Migjen kishte
mund t’a bëjë publike krijimtarinë letrare, sepse për politikën shtetërore të
kohës mendimet e tij ishin jo të dëshirueshme, ngase mendohej se nxitnin
revoltat për padrejtësitë sociale të kohës.
Por, nuk është vetëm ky. Madje, në vitet ’30 kishte më së
shumti krijime letrare, si në prozë si në poezi, që botoheshin në të
përkohshmet e shumta, në mos edhe vëllime të tëra, me pseudonime, si dhe më
vonë, duke heq dorë, jo pa dhimbje, nga autorësia, vetëm që krijimi të mund të
komunikojë me lexuesit, përkatësisht që t’i zgjatej jeta e veprës.
Është mirë të përmenden emrat e Musine Kokalarit që
firmoste me Muza,; Nexhat Hakiut si Ali Dëralla; Lazër Radi - Lazaredi, Malësori, Ushtima e Sharit
etj.; Astrit Delvina që la eshtrat burgjeve, firmoste me Astor, Hallë Remja, Zoti Koçija, Lek Copa etj.; Arshi Pipa - Ars e Surgens dhe Homo; Nonda Bulka: Chri –
Chri; Thoma Frashëri -Tom Furioso;
Dom Mark Dushi - Alphes, Shapi;
Gjikë Kuqali - Amicus Litterarum, Dajti
etj.; Mustafa Greblleshi - Lini i Cakës,
Grëb e Saj, Memli Mano etj.;
Mark Gurakuqi - Arbnori, Ma – Gu;
Xhemal Broja - Beatus, Plaku dhe Bromi; Pashko Gjeçi - Pa Gje, Pax dhe Surgens; Tahir
Dizdari - Bishtiqindija, Tadis,
Hjekakeqi etj.; Atë Danjel Gjeçaj - Pal
Duka -Gjini etj.; Marin Sirdani – Clementinus;
Mustafa Kruja njihej si Asim Xhenan
ose edhe Shpend Bardhi; Vinçens
Prennushi - Epri, Vallja popullore
etj.; Sejfulla Malëshova – Arbana, Laze
Kaleshi, Trebeshina, Lame Kodra etj.;
Tahir Kolgjini – Lok Limthi; Vasfi Samim Visoka – Mimoza, Agim Shkëndija,
etj., si dhe një dyzinë të tjerësh.
Pos në Shqipëri, edhe në Kosovë, pseudonimet si kushtëzim
i frikës pushtetore - ideologjike, u manifestuan gjatë atij gjysmë shekulli
socialist jugosllav, kur për hir të krijuesit e pësonte edhe vepra, ose në
raste për hirë të veprës e pësonte autori i saj.
Për ta konkretizuar mendimin edhe kësaj radhe, do
përmendim emra autorësh dhe pseudonimet e tyre, që janë bërë të njohur vetëm
kur ata i kanë deklaruar vetë, pas zhdukjes së lubisë ideologjike.
Një poet që nisi krijimtarinë në vitet ’30 dhe i vazhdoi
deri në vdekje (pushkatim më 1945), Emrush Myftari, i firmoste ato krijime
letrare poetike me pseudonimet Emrush
Rugova, Qytelija e Kosovës dhe Dyç
Muslia; pastaj poeti Esat Mekuli shkrimet poetike një kohë i fshehu pas emrave Sat Nokshiqi dhe Sat Hoxha;
poeti e shkencëtari Mark Krasniqi, gjatë viteve ’40, kishte
botuar me emrin Dushk Dukagjini.
Mureza (Xajë) Nura nga Gjakova, një intelektual e krijues
që përjetoi edhe vite burgu për bindjet e tij politike, disa poezi i kishte
botuar në të përkohshmet shqipe në Kosovë, me emër të së shoqet, Ganimete Nura.
Poeti Zeqir Gërvalla, që tashti jeton në Kanada, poashtu
kishte firmos me pseudonime të shumta, sa për një punim kishte mbase vetëm një
pseudonim, që për konkretësi do i përmendim disa, si: pseuginimin Hanemshahe Bajrami (emri i
bashkëshortes), Zeqir Gurra, Lalush
Shijaku, Sokol Llapi, etj.
Janë pastaj një numër studentësh të kohës, që në organin
e tyre ‘Bota e Re’, duke u fshehur pas emrave të rrejshëm – pseudo- nimeve,
donin ta thoshin mendimin që i mbyste në brendi, për padrejtësitë shqiptare që
u bëheshin në këto vise të Kosovës, edhe pse ende ata nuk kishin biografi të
dyshimtë te sigurimi shtetëror, si të ri që ishin.
Pra, vënia e një pseudonimi, nuk qenka thjeshtë një emër
tjetër ose dëshirë e autorit, por mbaka në vete shumë gjëra që pastaj kanë
shpjegimin e tyre, në mos të shpijnë te cytja për shpjegim, si diçka e natyrës
politike, ideologjike, etatiste, emocionale, sociale, psikologjike etj.
Duke e vënë në spikamë këso radhe vetëm pseudonimet, si
‘jashtësi’ të krijuesit, për ta njohur drejt dhe bindshëm një autor, në veçanti
ata të shekullit të XX, duhet studiuar edhe disa të quajtura imtësi, që
shpjegojnë dhe plotësojnë gjykimin dhe vlerësimin tonë.
Studiuesit e popujve tjerë veç e kanë mbaruar këtë mënyrë
studimi, si për kaligrafinë e veprës, kur ajo bëhej me dorë, që edhe ajo rrëfen
diçka, si edhe për ngjyrën e shkrimit të përdorur, vendin e shkrimit, kohën, e
tjerë.
Le të shpresohet se edhe na do ta kompletojmë këtë
njohuri – vlerësimin për ta.