Kerko: a
Ergys Mërtiri: Rama gënjen si derr edhe në frengjisht
E diele, 31.05.2020, 09:33 PM
Rama gënjen si derr edhe në frengjisht
Nga
Ergys Mërtiri
I
goditur keq nga mediat e huaja për aktin e shëmtuar të shembjes së Teatrit
Kombëtar, Kryeministri Rama kërkon me dëshpërim të shplajë sa të mundet nga
menderosja. Në përgjigje ndaj një raportimi të “Le Monde”, e cila e quajti
shkatërrimin e këtij objekti “një akt barbar”, ai dërgoi një letër, duke u
shprehur se gjithçka është thënë për këtë ngjarje është gënjeshtër. Në fakt,
letra e tij ishte një thes me gënjeshtra të shprehura paturpësisht, me shpresën
e vetme se të huajt nuk do të kenë nge ti vërtetojnë.
Përveç
mashtrimesh, Letra spikat edhe nga citatet patetike nga Shekspir, Kamy dhe
Bekon, të cilat i fut pa kuptim nëpër rreshta, si i zënë në faj, duke dashur të
dalë si admirues i kulturës, pas një akti që çuditi botën. Në fakt, arnimi i
një letre përgënjeshtrimi, me citate bajate, shkëputur pa kontekst e pa shije
nga emra të mëdhenj të kulturës botërore, është vetëm tregues i frustracionit
kulturor të krijuar tashmë nga imazhi i keq i aktit të tij barbar, por ato nuk
mund ta nxjerrin dot nga situata. Ato vetëm sa e shtojnë imazhin e një
provinciali të lodhur e kompleksiv, i cili bëhet qesharak ndërsa kërkon të
bjerë në sy, duke u shfaqur si modern e i lexuar.
Ndër
të tjera, Rama gënjen si derr kur thotë se ndërtesa nuk ofronte siguri, duke u
mbështetur mbi një inspektim të Institutit të Ndërtimit, pas të cilit erdhi
edhe vendimi unanim i Këshillit Bashkiak. Në fakt, kjo tregon vetëm varësinë e
plotë të anëtarëve të këtij këshilli, ku nuk ekziston pluraliteti, ndërsa të
gjithë e dimë se, ky këshill ka dalë nga zgjedhje pa garë, pas bojkotit të
opozitës.
Rama
ndërkohë nuk thotë se Institui i Ndërtimit, është thjesht një institucion
formal që, në papërgjegjshmëri të plotë, vlerëson duke pasur si kriter
vullnetin e Kryeministrit, jo parametra profesionalë. Ai nuk thotë se akti i
ekspertizës është bërë pa shkuar në terren për të bërë vlerësimin, duke shkelur
ligje, për të cilat ata që kanë firmosur janë denoncuar në prokurori. Rama nuk
flet gjithashtu për dhjetra ligje të shkelura e institucione të dubluara, të
cilat kanë mbushur Prokurorinë e Tiranës dhe SPAK-un, me kallëzime nga Aleanca
për Mbrojtjen e Teatrit.
Rama
nuk foli as për mënyrën sesi u mor e u zbatua ky vendim dhe një batare ligjesh
të shkelura në realizimin e këtij akti kriminal. Ai nuk tregoi se Këshilli
Bashkiak u mblodh fshehtas, në kohë pandemie, dhe se vendimi u zbatua pa
respektuar afatin ligjor prej 10 ditësh, për të mos lënë mundësinë që ai të
ankimohej në Gjykatën Administrative. Ai nuk tregoi as se objekti u prish pa
pasur ende një projekt të miratuar, e pa u bërë tenderi për kompaninë që do ta
ndërtojë.
Rama
gënjen paturpsisht kur rrezikun për shembjen e argumenton me faktin se objekti
është ndërtuar me tallash të parafabrikuar dhe ashkla druri. Dy godinat e
kompleksit teatror, ngriheshin mbi shtylla betoni dhe trarë druri të markuar
sipas standardeve të kohës (importuar nga Italia), ndërsa hapësirat ndaheshin
me mure pupuliti, një material shumë i avancuar për kohën, i cili e bën godinën
pa peshë dhe të qendrueshme, ndërsa ndihmon në izolimin akustik, mjaft të
rëndësishëm për natyrën e objektit. Inspektimi i arkitektëve të ftuar nga
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, ka nxjerrë që godina ishte në gjendje
jashtëzakonisht të mirë nga pikëpamja konstruktive dhe këtë e vërtetuan edhe
tërmetet e rëna gjatë vjeshtës së vitit të kaluar.
Rama
gënjen në mënyrë të ndyrë kur thotë se misioni i kësaj godine ishte i
përkohshëm, i kufizuar vetëm në argëtimin e ushtarëve italianë gjatë pushtimit
fashist. Teatri është ndërtuar para se Shqipëria të pushtohej nga italianët dhe
ishte një projekt i mbretit Zog. Ushtria nuk dislokohet në qendër të
kryeqytetit dhe nuk ka ushtri në botë që merr arkitektët më të mirë të vendit
të saj, për të ndërtuar një vend argëtimi ushtarësh, në qendër të kryeqytetit,
duke ndërtuar një kompleks arkitekturor shumë avangardë për kohën dhe të organizuar
shkëlqyeshëm me peizazhin dhe kontekstin urban përreth.
Rama
gënjen poshtërsisht kur thotë se Teatri nuk ka qenë monument kulture. Në fakt,
ka dokumente që provojnë se në vitin 2004 ky kompleks ka qenë në listën e
monumenteve të mbrojtura, por, përveç kësaj, në vitin 2000, me propozim të vetë
Edi Ramës (si ministër Kulture) dhe miratim të kryeministrit të atëhershëm Ilir
Meta, e gjithë qendra e qytetit, bulevardi, duke përfshirë edhe Teatrin
Kombëtar, shpallet ansambël monumental kulturor i qendrës historike të Tiranës.
Por edhe sikur këto të mos jenë të vërteta, fakti që sot Europa Nostra,
institucioni më i rëndësishëm për trashëgiminë kulturore në Europë, e ka marrë
në mbrojtje këtë objekt duke e konsideruar si monument të kulturës europiane,
mjafton për të kuptuar pafytyrësinë e kësaj çfarë na ofrohet.
Rama
gënjen në mënyrë kriminale kur flet për dy policë të plagosur (gjashtë tha
shërbyesi i tij Ministër i Brendshëm), dhe asnjë protestues. Nëse do të kishte,
qoftë edhe një polic të plagosur, ai do të bëhej telenovelë nga propaganda e
pushtetit. Ndërkohë Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka grumbulluar me dhjetra
foto e video që tregojnë dhunën, ënjtjet, gjakosjet dhe shenjat në trupat e
protestuesve të dhunuar nga policia.
Rama
gënjen në mënyrë ordinere kur thotë se ideja se kjo ndërtesë ishte zemra dhe
shpirti i kulturës shqiptare, është një legjendë e krijuar nga opozita. Nëse
kjo është një legjendë, ajo nuk është politike, por është krijuar nga një mori
e madhe intelektualësh, artistësh, studiuesish e shkrimtarësh, të rreshtuar në
mbrojtje të saj, përjashto këtu vetëm artistët rrogëtarë që kërcënohen
brutalisht me heqje nga puna apo ndërprerje projektesh nga xhandarët e qeverisë
kundër kulturës, apo edhe militantët banalë që, më shumë se në skenë, rolet më
të mira i kanë luajtur në fushatat elektorale të partisë në pushtet.
Peticionet
e turpit, të organizuara nga qeveria për ti detyruar aktorët e Teatrit Kombëtar
të nënshkruajnë pro shembjes së godinës historike të tyre, tregojnë vetëm
shëmtinë dhe dhunën që ky pushtet arrin të shkaktojë deri tek artistët. Nëse 101
nga 103 artistë nënshkruajnë për të kërkuar shkatërrimin e një ndërtese
historike si kjo, që ka angazhuar masivisht qytetarë, intelektualë e artistë në
të gjithë vendin (përfshi këtu edhe një mori artistësh nëpër europë, deri edhe
tek shkrimtarë fitues të çmimit nobel dhe institucione si Europa Nostra),
tregon se këtu ka diçka që nuk shkon. Një unanimitet qendrimi në rreth 99
përqind, për një projekt që gjen kaq shumë kundërshti, jashtë njerëzve të varur
nga pushteti, tregon më shumë mbi natyrën e pushtetit të kësaj qeverie dhe
diktaturën e rrogës që ajo ka instaluar.
Nuk
e di nëse francezët mund ti hanë përrallat e Ramës, por shqiptarët tashmë jo.