Kerko: a
Haxhi Mehmetaj: Varreza princore e Banjës së Pejës
E diele, 31.05.2020, 06:25 PM
Varreza princore e Banjës së Pejës
Nga
Haxhi MEHMETAJ
Me
1974, kur po ngrihej hoteli Onix në Banjë të Pejës, pranë burimeve të ujit
termal në shpatin mbizotërues të një kodre u zbulua një kodërvarr princor,
çiftit bashkëshortor dardan, princit në moshën e pjekurisë dhe princeshës më të
re. Çifti princor u gjet i varrosur mbi një konstruksion drejtkëndor të shtruar
nga gurët e shtufit, të venë shtrëngueshëm në formë kalldrëmi, tipike për
varrime në tuma. Kjo mënyrë varrimi
njihet edhe nga shumë kodërvarre të Kosovës, të Shqipërisë dhe trojeve të tjera
ilire.
Mbi
shtrojën e varrit u gjeten një thesar i pasur arkeologjik i përberë nga armët,
stolitë dhe enëve luksoze të pikturuara – takëmit për pirje të verës. Sipas
natyrës së gjetjeve sikurse edhe pozicionit të tyre në varr mund të ndahen në
inventar të princit dhe inventar të princeshës. Nga inventari i princit veçohen
armët e hekurit, tashti të ndryshkura , tri përkrenare të tipit ilir, tri
fibula argjendi, një unazë argjendi, një salteleon argjendi, një qaforeje të
thurur nga perla qelibari, perla qelqi dhe guaska kërmilli dhe një mbajtës
bronzi i grihës në formë trekëndëshi.
Inventari
i princeshës përbehet nga një parë byzylykë argjendi më mbaresa të kokave të
gjarpërinjve, një parë byzylykët argjendi të tipit Mramorc, një parëgjilpëra
argjendi të tipit omega, një unazë argjendi, dhe një qafore e përberë nga 100
perla qelibari.
Varrit
të princeshës, të sjellë si pajë nusërie i kanë takuar edhe gjetjet e
pazakonshme për varre të femrave, tetë maje shigjetash bronzi, trefletëshe,
çfarë janë gjetur në Atenicë të Pazarit
të Ri dhe konsiderohen importe nga skitët.
Andaj më gjasë princesha do të ketë qenë nga Novi Pazari, ndërsa princi
vendas nga Banja e Pejës.
Thesari
arkeologjik i kodërvarrit të Banjës së Pejës i përberë kryesisht nga armët,
stolitë dhe enët e poçarisë, dëshmon për formimin e një shtrese të
aristokracisë princore ushtarake, në shek. VI – V para Krishtit, e cila kishte shije të hollë për vepra të
artit aplikativ, po edhe për zbrazje të kupave të verës. Kjo aristokraci ilire,
e quajtur në literaturën arkeologjike Princat e Argjendtë i kaparapri formimit
të Mbretërisë Dardane në shek. IV para
Krishtit.