Kerko: a
Ndue Dedaj: Ku je Anton Çeta!
E shtune, 30.05.2020, 12:18 PM
A JE ANTON ÇETA!...
Nga
Ndue Dedaj
E
kemi nisur vitin 2020 duke bërë thirrje që të përkujtohet në mënyrë dinjitoze
30 - vjetori i Misionit të Madh të Pajtimit të Anton Çetës, i cili me 1 maj
1990 mblodhi 500 mijë vetë në vendin e quajtur Verrat e Llukës në Komunën e
Deçanit, Kosovë.
Asnjë
ushtri, asnjë parti, asnjë ngjarje tjetër tjetër e kombit e përmasave historike
s’i ka bërë dot bashkë kaq shumë njerëz, çka tregon fuqinë e jashtëzakonshme të
pajtimit ndër shqiptarë. Gjysmë milioni njerëz nuk i ka mbledhur në tubim asnjë
burrë shteti, cilido të ketë qenë, kryefirmëtar i Pavarësisë, Mbret i
Shqiptarëve, diktator komunist, apo lider i demokracisë, këndej dhe andej
Morinit, përpos Gjergj Kastriotit, pesëqind vjet më parë.
Por
kjo ngjarje kaloi pa asnjë fjalë në Tiranë dhe në Prishtinë. A thua pse?
Pajtimi
me sa duket është një virtyt vetëm i njerëzve të thjeshtë, por jo dhe i
udhëheqësve shqiptarë, kapërthyer nga interesat politike të pushtetit. Ndryshe
si do të ndodhte që burrat e shtetit ndër ne nuk merren vesh me njëri-tjetrin?
Mjafton të kujtohet konflikti apo mosmarrveshja mes Presidentit dhe
Kryeministrit në Shqipëri, mosmarrveshja mes Presidentit dhe Kryeministrit në
Kosovë?! Pa u shtyrë më tej, në ftohtësinë mes tyre të dy kryeministrave të
shqiptarëve!...
Post
skriptum: E kam shkruar dhe gjashtë muaj më parë, nxitja ime për të shkruar e
sensibilizuar për 100-vjetorin e Anton Çetës (1920-1995) ka qenë Ambasadori i
parë i shtetit të Kosovës në Gjermani, Dr. Vilson Mirdita, që para një muaji ka
kremtuar 50- vjetorin e tij të lindjes, duke e bashkëndarë atë me njerëzit e
Dheut të tij të origjinës, Mirditës.
Bashkë
me profesor Vilsonin, kërkues shkencor në fushën e përmirësimit gjenetik të
bimëve pranë Universitetit të Stuttgart-Hohenheim dhe gjithë bashkëkombasit
tanë jemi duke shpresuar se nuk do të mbyllet viti pa ia bërë nderet e duhura
shtetërore dhe akademike jubileut të 100 - të të Anton Çetës.