Kerko: a
Kadri Tarelli: Shaka e hidhur!
E enjte, 28.05.2020, 11:46 AM
Skicë
SHAKA
E HIDHUR!
Kohë
ngujimi në shtëpi, jo pak po më shumë se dy muaj. Unë për vete, bëja ç’ bëja
dhe kur dielli ngrihej lart e dita ngrohej, ditë pas dite shkoja nga Currila,
meqë edhe shtëpinë e kam fare pranë kodrës dhe zbres kollaj, pasi edhe rruga
është sheshuar. Në një nga këto daljet, përballem me Çanen, (kështu e thërrasim
shkurt), një mikun tim të vjetër mësues, tashmë në pension, që ashtu dalë nga
dalë, po zbriste poshtë rrugës për të lëvizur pak, deri tek shkolla që kemi në
lagje.
U
përshëndetëm duke shtrirë krahun, si ushtarët gjerman të luftës së II-të
botërore, për të mbajtur e respektuar “largësinë”, mes nesh. Pas pyetjes për
shëndetin, vijova:
-
Nuk ke frikë se të gjobisin, me që po del në qytet, poshtë tek rruga e madhe?
-
Nuk ma mban të shkoj larg, pasi e kam marrë një paralajmërim të fortë. – më tha
duke qeshur.
–
Si kështu? - E shtyj më tej muhabetin…..
dhe ai ndalon e më rrëfen:
-
Kisha dalë për të marrë diçka tek tregu të krijuar tashmë rishtaz pranë Muzeut
të Dëshmorëve, në Durrës, kur ndesha me një patrullë policie. Ishin dy vet, dhe
më i riu më drejtohet me mirësjellje:
-
Gjysh! Je jashtë fashës së lejuar, - dhe vuri gishtin mbi orën e dorës, - ndaj
mos u hallakat shumë dhe kthehu në shtëpi!
Mbeta
ngushtë, por përgjigjen e gjeta shpejt, sikur e pata në majë të gjuhës:
-
U vonova pak, se vajta regjistrova emrin tek “Leba”.
-
E mirë, mirë….! Po mos u vono, se ndryshe gjobitesh! - Më tha prerë djaloshi
polic, tashmë serioz e me ton zyrtar.
-
Lere se e njoh unë gjyshin dhe ja di hallin, - tha polici më i moshuar, që duke
qeshur e tërhoqi nga krahu për t’u larguar dhe diçka i pëshpëriti në vesh. Kot
i tha se më njihte, sa për ta larguar. Siç duket, me zë të ulët e sqaroi, se
“Leba”, është agjensi funeralesh, sepse pas tre-katër hapash u dëgjua një e qeshur
e fortë. Polici më i ri po qeshte me lot, e s’po e ndalte gazin dhe ashtu duke
u gajasur, më thotë:
-
Gjysh! Ta kam borxh një kafe edhe një raki dopio, sapo të hiqet karantina.
Unë
qesha me vete për gjetjen e bukur, që edhe mund at kisha ngrënë një gjobë të
majme, por edhe ata ikën duke kthyer kokën pas. Qeshën një copë rruge me fjalën
time.
-
Kam shpresë se, kur të çlirohet Durrësi, të dy policët do më njohin dhe do ta
pi me qejf një kafe, si shpërblim nga karantina. – kështu tha miku im i vjetër,
që do presë gjatë për kafen e premtuar.
Kadri Tarelli
Durrës.
Maj, 2020.