Kerko: a
Muharrem Kurti: Humanizmi dhe protesta artistike e librit me tregime ''Pesha e Lotit''
E marte, 26.05.2020, 10:56 AM
HUMANIZMI DHE PROTESTA ARTISTIKE E LIBRIT ME TREGIME “PESHA E LOTIT”
NGA
MUHARREM KURTI
Autori
Tahir Bezhani, tashmë i dëshmuar me librat poetik, dhjetë përmbledhje poetike,
që i shquan një figuracion i zgjedhur poetik, me përmbajtje-dhimbjen personale
dhe kombëtare, i prezantuar me monografi, gjashtë sish, dëshmi vlerash
arsimore, këngëtaresh-rapsod dhe luftëtarësh të lirisë, i sprovuar në kritikë,
me dy libra, dhe autor i dy librave me tregime, po tregon se përkushtimi jep
rezultat, edhe në krijimtari.
Natyrisht
objekt shkrimor, i imi, është libri me tregime “Pesha e Lotit”, i sapo dalë nga
shtypi dhe, mesazhi humanist i saj, po ashtu protesta, në shumicën e tregimeve.
Pa humbur kohë, mund ta quaj libër me përmbajtje humaniste. Në fakt vet autori,
niset nga ky parim i madh, përcaktues i njerëzimit, humanizmi, me tregimet e
tij.
Në
tregimet “Rrugët e vdekjes”, “ Darkë për të varfrin”, “ Mësuesi X”, “Pesha e
lotit të nënës”, nxjerrin në pah, humanizmin, përkatësisht mungesën e
humanitetit të shoqërisë sonë, e të klasës politike, përveçse barbarisë së
pushtetit pushtues te robërisë, e shekullit njëzet dhe njëzet e një.
Rrëfimet
e autorit në këto tregime përshkohen nga humanizmi, cilësi e lartë e krijueseve
të mëdhenj vendor dhe evropian, ndërsa nxjerrin në sipërfaqe të kundërtën. Atëherë
shtrohet pyetja: A jemi ne shoqëri humane? Apo e vuajmë të kundërtën?
Natyrisht, në atë shoqëri që mungon humanizmi, ceket nga humanistët, në ketë
rast vet autori, e kundërta.
Por,
le të analizojmë tregimet një nga një që kanë humanitet. “Rrugët e vdekjes”, ky
tregim ka për protagonist kryesor një
luftëtar të lirisë, që i duhet të nxjerr nga ferri i Dantes ( barbaria serbe e
luftës ), si në vrimë të gjilpërës, familjen e ngushtë, për në Shqipëri, për
t’i shpëtuar nga kasaphana karpatiane. Në ketë tregim ka humanizëm, përveçse
sakrificë dhe barbari të luftës, përveçse mbrojtjes së familjes nga zjarri i
luftës dhe plumbat vrasës të armikut, se, fillimisht ndihmohet një bashkëvendës, i gjendur në rrugë, në prag
të vdekjes, për ta qitë edhe atë në
Shqipëri, në vendin ku gjejnë shpëtim, Kosova dhe kosovarët. I ndihmuari i
gjendur në rrugë, vdes. I duhet varros.
Pra, nuk hidhet breg udhe, por varroset dhe pas lufte ua bën me dije familjareve
të tij, vendndodhjen e kufomës së tij. Në ketë tregim ka vepër humane në
rrethana çnjerëzore të luftës. Në ketë tregim, njihemi me lindjen e një miqësi ndërmjet familjes së protagonistit
të tij dhe familjareve të ndihmuarit, duke e varros në dheun e Kosovës për të
mos ta ngrënë bishat e egra, apo marrë
armiqtë dhe zhduk viktimën e luftës, fal këtij humaniteti, krijohet një miqësi
e thellë dhe e pandashme. Duke parë gjestin e ndihmuesit, shtrohet pyetja: A ka
sot në liri, humanizëm nga qeveritaret tanë? Mund të themi pak, ose aspak,
s’mund ta pohojmë tjetrën.
Te
tregimi “Darkë për të varfrin”, protagonisti i tij, ndanë nga ushqimet e veta
dhe ia dërgon atij që s’ka çfarë të hajë. Tejet akt njerëzor ky dhe social.
Mirëpo, shtrohet pyetja: pse kemi në liri, njerëz që nuk kanë çfarë të hanë?
Sepse kemi pushtetar të papërgjegjshëm, që mbushin xhepat e vet dhe kontot e
veta, dhe as që qajnë kokë për të
varfrin, bashkë vendasit e tyre.
Te
tregimi “Mësuesi X”, i cili një jetë i ka shërbyer shoqërisë së tij, duke i
shpërndarë dritë të diturisë, sidomos gjatë rezistencës paralele, ku në Kosovë,
fal mësuesve ( mësuesit në ketë rast), u
mbajt mësimi shqip, edhe pa pagesë, nga mësuesit tanë, dhe shkolla shqipe
mbijetoj, nën robëri barbare, falë mësueseve, kurse në pensionin e lirisë sonë, detyrohet të
mbledh duqa të cigares, të hedhura, për të pirë. Mësuesi i harruar, dhe një
shoqëri që nuk i nderon mësuesit, nuk është humane. Mësuesi i braktisur, me një
pension të vockël, më të cilin zor siguron bukën e gojës, dhe nuk arrin të siguroj ilaçet e shëndetit të pleqërisë, s’ka ku shkon me keq. Prandaj,
mbledh duqa cigare-hedhurinë. Merreni me mëndë, po ta shikoj ish nxënësi i vet, ish-mësuesin e
tij, duke mbledh hedhurina, si do të ndjehet? Kurse klasa jonë politike vezullon nga luksi dhe pompoziteti krekosesh.
Pra, kemi institucione jo humane, raste të shumta sociale, njerëz që jetojnë në
mjerim ekstrem, edhe të mësueseve dhe të tjerëve, mjerisht dhe fatkeqësisht, në
lirinë e shumëpritur. Ndodh kjo, pse qeveritaret tanë, as që duan të ia dinë,
për mësuesit, për shumë të varfër, të cilët edhe kanë kontribuar që të arrihet
liria, duke mos kursyer shëndetin, mundin dhe besa edhe jetën, ndërkohë që
trajtohen mizorisht nga institucionet tona. E dhimbshme dhe e patolerueshme,
një situatë e tillë.
Te
tregimi “Pesha e lotit të nënës”, pasqyrohet fati i një nëne, e cila gjatë
robërisë, ngaqë nuk i ka djemtë në
shtëpi, se kanë qenë të detyruar të emigrojnë, për t’i shpëtuar urisë dhe
vdekjes së policit apo ushtarit serbo-malazez, behet shtyllë mbrojtëse e nderit
të familjes. Sa herë dëgjon ndonjë lëvizje në afërsi të shtëpisë, të lehura të
qeneve në errësirën e natës, kollitet si burrë dhe e ka të gatshme pushkën, që
të ndal ata që mund të ia cenojnë vajzat e shtëpisë, edhe më qëndresë, duke mos
kursyer as jetën e vet. Kurse, në prag të ndarjës nga jeta, është harruar në vetmi totale, fëmijët e të cilës janë
shkapërderdh në botë, dikur si emigrantë
politikë, tani si të rehatuar në botën
perëndimore, dhe as që duan të ia dinë që prindi i tyre po vdes në
pikëllim brenda mureve të zbraztë të shtëpisë.
Prindi i tyre mbyllë sytë, në vetmi, duke e njomë jastëkun me lotët e
vet dhe ua lë amanet bijve, që, kur të vijnë në vendlindje, t’i marrin aromë,
jastëkut të njomur me lot, që t’u kujtohet nëna e braktisur. Plagë e shoqërisë
sonë, e para luftës, e gjatë luftës dhe sidomos, e pasluftës. Një jetë-tmerr e
prindërve ( nëna) jo të pakta, të cilët po vdesin pa pranin e fëmijëve dhe të
fëmijëve të fëmije, sot. Një nënë e harruar që e mbyll jetën në vetmi, e cila, jo vetëm rriti djemtë, po
dhe mbrojti nderin e familjes, kur ata nuk ishin në shtëpi, dhe vdes e
braktisur. Shikoni sa thellë godet ky
tregim, më peshë loti të nënës së braktisur.
Te tregimet “Zyra numër 316”, në të cilin
pasqyrohet represioni i dhunës së okupatorit barbar karpatian, ndaj shqiptareve, që merreshin në biseda
informative, nga UDB-ja famëkeqe serbe
dhe ushtroheshin mbi ta lloj-lloj torturash mizore, vetëm e vetëm që ishin
shqiptar dhe dëshironin të jetonin të lirë në vendin e vet, në truallin e vet,
në shtëpinë e vet. Ky tregim na kujton atë periudhë të egër, në të cilën u
keqtrajtuan, madje u gjymtuan dhe dhanë edhe jetën, nëpër zyrat famëkeqe të
pushtetit, pushtues të Millosheviqit, shumë shqiptar. Te tregimi “Gazetat”, trajtohet aktualiteti i
ynë, i lirisë së ndyre nga politika vendase, e pa përgjegjshme, të cilin e
përshkon një ironi e kohës kot së koti, shumë zhurmë për asgjë, dhe që ka
kaluar në bezdi, dhe irritim, për qytetarin tonë, që ka pritur të mira nga
qeveritaret tanë dhe jo neveri ndaj tyre. Tregimi “Rrëfime i jetës dhe magjia e
dashurisë”, në të cilin gërshetohen fatet e dy ish të rinjve të dashuruar, të
cilët takohen në moshë të shtyre, në një dasmë, rastësisht, dhe e kuptojnë se
të dyve u kanë vdekur partneret, kështu është krijuar mundësia e bashkimit,
edhe në pleqëri për ta. Sa përrallore kjo dashuri. “Kujtim i mbjellë”, behet fjalë për një
kujtim dashurie që ka mbetur i ri. Një dashuri platonike, pre e rrethanave
prapanike të kohës, kur femra e shkolluar quhej e përdalë dhe kishte mjaft
barriera për të kaluar, apo penguar. Dy të dashuruarit, për t’i qëndruar
besnike dashurisë së tyre, të parealizuar, mbjellin një pemë, në oborrin e të
dashurit, frytin e së cilës ia jep e dashura, për ta ngrenë, në udhëtimi e
largët të tij. Një dashuri simbolike, kjo. “Jeta në rrathët e ferrit”, është
një tregim, që ka në qendër të tij një malësor mirditor, i cili detyrohet të ik
nga vendlindja dhe vendoset në Kosovë, ku përjeton të zezat e shumta të regjimit,
edhe djegien për së gjalli të fëmijës nga vuajtjet e varfërisë. Tragjikë e
familjes së mirditorit është edhe fat i keq i popullit të Kosovës. Ngjarjen e
rrëfen protagonisti në moshën tetëdhjetë e gjashtë vjeçare. Do të ndaloj te tregimi: “Historia e gjërave
të vogla”, që i dedikohet një prej burrave
në zë, të Gjakovës me malësi, Idriz Jahës së Smolicës, trim, dhe i
mençur, i familjes Jahkurti, i shkruar nga një smolicas, ku tregohet, përveçse
trimërisë së Idriz Jahës, mençuria e tij
shpëtimtare, që më një gjë simbolike, me një llullë, shpëton vendlindjen e vet
dhe rajonin nga represioni barbar i pushtuesit gjakpirës. Idriz Jaha, e njihte
karakterin e serbeve dhe malazezve, të cilët korruptohen, me pak send, dhe janë
të njohur, si raca më e korruptueshme, ndoshta në botë. Duke e njohur ketë ves
të tyre, protagonisti kryesor i tregimit “Histori e gjërave të vogla”, u ofron
një llullë dhe shpëton rajoni nga represioni. Ndonjëherë mençuria ka peshë më
shumë se trimëria dhe zgjidh ma shumë halle dhe situata kritike, se sa pushka.
Trimat e ditur, janë fatbardhësi e një
vendi. I tillë ishte Idriz Jaha i Smolicës heroike. Tahiri meriton respekt që e nxjerr nga
harresa ketë akt mençurie, të Idriz
Jahës.
Shikuar
në tërësi, autorin e shquan mprehtësia e syrit, për të kap esencën e temave të aktualitetit tonë dhe të
kaluarës së afërme. Madje, vërehet
depërtimi në thelb të mesazheve, të tregimeve, që e bën rrëfimin e tij mbresëlënës dhe përjetues. Për
mua këto tregime, shumica nga to, kanë një strumbullar, humanizmin dhe
protestën artistike, për çka e përgëzoj autorin dhe i dëshiroj suksese të
mëtejme, në lëvrimin e prozës dhe në përpunimin sa ma thellësisht të gjuhës
artistike, të prozës së shkurtër, në ketë rast. Autorit i dëshiroj shëndet dhe krijimtari të
begatë të mëtejme.