Kerko: a
Prend Buzhala: Nga ekstremizmi politik e deri te dialogu (I)
E diele, 24.05.2020, 04:12 PM
NGA EKSTREMIZMI POLITIK E DERI TE DIALOGU E MENDJA E HAPUR, I
(Kundrime
anash) 1
Nga
Prend BUZHALA
Jo
rrallë nga eksponentë të partive politike dëgjojmë shprehjet: "qeveri e
mashtrimit", "parti e mashtrimit", "politikë e
mashtrimit" etj. Për atë që qeveris, pa marrë parasysh cila parti vjen në
pushtet, do të quhet !qeveri e mashtrimit." Këtë slogan, pothuajse, si në
korin mikst, e përdorin gati të gjitha partitë. Kjo do të thotë se e vetmja
parti e vërtetë, që nuk mashtron, është partia e tij, është ai apo lideri i
tyre, është programi i tyre. Dhe, përpos kësaj shprehjeje, për t'i bindur të
tjerët se vetëm atë kryetar partie duhet ta pranojnë, vetëm atë parti e atë
program duhet ta përqafojmë; ndërkaq të gjithë të tjerët janë gënjeshtarë, janë
të dobët, janë pothuajse keqbërës kolektivisht: prej anëtarit të thjesht[ a një
amvisjeje a të riu në studime, e deri te akademiku, prej një punëtori a bujku e
deri te profesori universitar. Pra, kundër të gjithë të tjerëve u dashka për të
qenë sa më jotolerantë, sa më të ashër, sa më mizorë. Me një fjalë, të gjithë
këta Të Tjerët, duhet dërguar në ferr.
1. Ekstremizmi politik
ose satanizimi i kundërshtarit
Dhe
cilat janë Të Vërtetat që na i ofrojnë?
Janë
të gjitha ato që e karakterizojnë një parajsë: kopshtin me lule, punësimin,
lulëzimin... Për deri sa Të Tjerët ofrojnë të keqen e mashtrimin, krimin e
keqbërjen, Pala Ideologjike Partisë Personale ofron programin e vetë në emër të
Idealeve të Larta, Qëllimeve Sublime, siç janë Shteti, Patriotizmi, Kombi dhe
Shoqëria. Dhe harrojnë që, posa anëtari i Tjetrës Parti të futet në atë Vathë
Politike, menjëherë i lan mëkatet, bëhet i vërtetë, i pastër, i pamëkatë, posi
në ritualet fetare!
Populli
i Kosovës e ka provuar se çka ofronte partia e quajtur Lidhja Komuniste e
Jugosllavisë, kur u prodhuan vetëm armiqtë, disidentët politikë dhe në popull u
përhap Kulti i Të Burgosurit Politik si shpresë e së ardhmes për nja 50 vjet me
radhë; e ka provuar, ky komb (dhe të tjerat kombe) gjatë viteve '90, edhe
pluralizmin politik të regjimit millosheviçian, në emër të vlerave të
demokracisë: siç janë gjenocidi, persekutimi, diskriminimi në çdo fushë të
jetës. Prej vitit 1945 e deri më 1999, e gjithë kjo fushatë bëhej në emër të së
majtës.
Se
çka provuam pas luftës, po në emër të idealeve të larta Politike e Partiake, e
pamë: le të pyetet rinia dhe ajo e jep përgjigjen e saj. Duket sikur ende
mbizotëron mendësia e partisë-shtet, ku demokracia degradohet skajshmërisht për
hir të interesave vetjake e pasurimit vetjak e pa djersë: dhe për hir të këtyre
"qëllimeve të larta" kundër Tjetrit që pretendon të amrrë pushtet,
duhet të shfaqet sa më shumë dhunë, intolerancë, fyerje, përhapje gënjeshtrash
e propagandë, për ta përhapur sa më shumë dehumanizimin e shoqërisë, për ta
satanizuar sa më shumë kundërshtarin politik me sloganet: tradhtar,
antievropian, antiamerikan, ose për ta stolisur me fobitë e ndryshme kundër
këtij a atij religjioni, fobitë (frikësimet) kundër gjithçkaje tjetër. Fobia është
sinonim kompleksesh të frikësimit. Dhe frikësimi është mjeti që zgjedhin për
arritjen e qëllimeve. Frikësimi i regjimit millosheviçian përfundoi në luftëra
e shfarosje.
Po
frikësimet e sotme, ku përfundojnë?
Teodor
Adorno thotë se E Djathta ekstreme po ashtu mbështetet në pushtetin autoritar,
me adhurimin e Kultit të Pushtetit, apo "narcizmit në grup", por edhe
ideologjisë së konservatorizmit, për aq sa mbështeten në dogmatizëm të majtët.
Pra, ekstremizmat politikë shfaqen sa majtas aq edhe djathtas: prej fashizmi e
komunizmit e deri te fundamentalizmi fetar (Maslov, Adorno: të dy palët janë
jotolerantë, agresivë dhe autoritarë).
2. Nga konservatorizmi e
dogmatizmi e deri te etnopsikologjia e ekstremeve
Pothuajse,
si në shumicën e vendeve ballkanike, dhe shqiptarët u treguan në jetën politike
ekstremistë politikë. Veprojnë e mendojnë me etnopsikolgojinë e ekstremeve e
nëpër ekstremeve, pa çka se kjo mbulohet me atë sloganin e njohur marksist
Kritikë ndaj çdo gjëje e gjithçkaje".
Ekstremistët
e tillë shpallin vetëm beteja, "të gatshëm për luftë." Në këtë
gatishmëri, natyrisht, liderit nuk i mungon as qimja e flokut: janë të tjerët
që sakrifikohen për të, që burgosen apo që diskriminohen "për t'i fituar
të drejtat", prandaj ai gjatë tërë kohës lëshon britma për luftë, për
përleshje, për gjakosje. Tashmë anëtari i partisë nuk është anëtar i thjeshtë,
por një luftëtar: që duhet t'i bëjë keq partisë tjetër, që duhet ta denigrojë e
sulmojë anëtarin e partisë tjetër.
Patriotizmi
ka qenë një rrobe e përshtatshme për t'i mbuluar tiraninë e pushtetit, shtypjes
dhe mashtrimit konkret. E pra, vlera më e lartë, siç është patriotizmi,
papritmas shndërrohet në pseudo-vlerë, në rrobe mashtrimi. Në fakt, nëse më
alrt thamë që konservatorizmi e karakterizon të djathtën, (kësaj radhe, si
vlerë e saj, ndryshe nga konservatorizmi autoritar), apo revolucionairteti i së
majtës (po ashtu si vlerë), në përplasjet e reja politike, kjo ndasi shprehet
ndryshe: "Ndarja e vërtetë nuk është midis konservatorëve dhe
revolucionarëve, por midis autoritarizmit dhe liberalëve" (George Orwell).
Ndryshe,
demokracia njeh të drejtën e secilit për të folur e shkruar lirshëm, për të
manifestuar lirshëm, për të të bërë demonstratë pa frikë e që përbën edhe
vlerat e vetë Kushtetutës moderne. Porse jo rrallë shteti e policia, gjyqet dhe
institucionet e tij, shpesh japin shembullin e keq që ia mbajnë anën vetvetes,
të pasurve, të fuqishmëve financiarisht e politikisht, oligarkëve. Në këso
rastesh Fjalës së lirë i duhet të përleshet me dhunën e njëmendtë.
E
ç ‘vlera liberale shfaqen me këtë rast?
A
i duhet të jetë "liberal" qytetari i thjeshtë përballë një shtypjeje
të tillë?
Vetvetiu
pushteti i tillë është burim i radikalizmit dhe ekstremizmit. Tashmë Qytetari
radikal, i tradhtuar, i zhveshur nga të mirat dhe vlerat e demokracisë, sheh se
pushteti i tillë, autokratik, në rrënjën e tij është i gabuar, prandaj përligj
veprimin e tij radikal e revolucionar. Ai do ta shtrojë pyetjen: si është e
mundur që të ketë kaq shumë varfëri në mesin e një pasurie të pafund të të
pasurve? Autoritarizmat tanë tashmë janë treguar jo të urtë: kanë shkatërruar
"klasën e mesme" që e stabilizon shoqërinë ekonomikisht e në
pikëpamje ekzistenciale, dhe krijojnë blloqe të kundërta ekstreme
social-ekonomike: varfërinë ekstreme të një pjese të madhe dhe një pakicë që
pasurohet barbarisht. Trajtimi i i keq i varfërve me mashtrime elektorale, me
blerjen e shpirtit për qetësi, për pacifizëm total; shkërmoqet, kur në vend të
bashkëpunimit paqësor, bashkëpunimit të interesave sociale, ofrohet
indiferenca, moskokëçarja, harresa totale interesave të nevojtarëve, të
papunëve, funksionimit të biznesit, institucioneve tj, rëndimi me taksa,
paperspektiva për të qëndruar në Atdhe.
Nuk
është e habitshme, prandaj, përse regjimet autoritare, për t'iu ikur revoltave
të arsyeshme, prodhojnë konflikte artificiale, provokojnë gjakderdhje sociale.
Zhduken kufijtë midis konservatorizmit të vërtetë dhe demokracisë me sjelljen
autoritare; ofron "gjendje të jashtëzakonshme" në vend të
bashkëpunimit demokratik; ofron "mbështetje në ligjin" e forcës së
armatosur në vend të shërbimit real publik. John W. Dean, kur flet për
"Konservatorizmin pa ndërgjegje" që kishte ndodhur në Amerikë,
shprehet se "konservatorizmi shoqëror dhe neokonservatizmi kanë ringjallur
konservatorizmin autoritar, dhe jo në të mirë për konservatorizmin ose
demokracinë amerikane. Konservatorizmi i vërtetë është i kujdesshëm dhe i
kujdesshëm. Autoritarizmi është i nxituar dhe radikal. Demokracia amerikane ka
përfituar nga konservatorizmi i vërtetë, por autoritarizmi ofron telashe
potencialisht serioze për çdo demokraci. "
Ndryshe
nga ky konservatorizëm (i vërtetë apo radikal në SHBA), ndër ne profili i
ekstremistit politik është bartës i një ideologjia post-ideologjike. Kësisoj,
të pakënaqurit me gjendjen e vet, me papunësinë apo varfërinë, me gjendjen e
pashpresë, ata janë të stresuar, të tensionuar emocionalisht, së këndejmi ata
janë edhe të zhgënjyer, urrejnë në mënyrë irracionale, zemërohen dhe krijojnë
figurën e armikut që duhet urryer, mbasi shoqëria i ka margjinalizuar; mbasi
vuajnë nga inferioriteti (si të parëndësishëm për shoqërinë e familjen). Këtë
agresivitet të të pakënaqurve e shfrytëzojnë partitë ekstreme politike, për t'i
nxitur ata në veprime desktruktive, duke drejtuar andej edhe kah nuk duhet.
Kështu, ekstremizmi politik i Partisë Politike, me masën e të pakënaqurve, e
drejtojnë kah dhuna e jo kah veprimi konkret social, kah shkatërrimi i pronës
publike e jo kah përmbysja e padrejtësisë, kah armiku i shpallur e jo kah
burimi i të keqes me ligj e pa ligj.
3. Rrugëdalja te dialogu
i brendshëm
Nuk
është e habitshme, prandaj, përse shoqëria moderne, civilizimi eurperpndimor, e
ka si masë vlere të veten dialogun. Këtë e pranojnë tashmë edhe hapësira
jashtevropiane: “Mënyra më e mirë për zgjidhjen e problemeve dhe luftën kundër
luftës, është dialogu”(Malala Yousafzai, aktiviste pakistaneze).
Madje,
edhe nga vetë ekstremi i majtë, shpallet Dialogu Social (në Kosovë Ky dialog
social shpallet nga të gjitha partitë, të majta e të djathta, ani se është
sferë e të majtës).
Ndryshe
nga civilizimet tjera, dialogu është tipar dallues i civilizimit evropian, që
nga ditirambet e lashta greke, nëpërmes dialogëve filozofikë të Ksenofontit,
Platonit dhe Aristotelit, për të komunikuar një problematikë etike, kurse
nëpërmes zhvillimit (dialektik) të dialogut, nëpërmes shtruarjes së argumenteve
e kundër argumenteve, përzgjidhej një qëndrim autorial ose i bashkëbiseduesit,
për ta përcaktuar, së fundmi, definicionin e nocionit të caktuar.
Të
kësaj tradite të lashtë janë edhe urtitë tona popullore, alegoritë (tipat e
meseleve) etj; deri te shfaqja nëpër kuvende burrash. Ne i kishim sokratët
tanë, por jo edhe një Palton që t’i shkruante a shënonte fjalët. Nuk i kishim
as ungjilltarët tanë që t’i shënonin fjalët e veprimet e shenjta të sa e sa
figurave të tilla ilire-arbërore-shqiptare. As Jezusi as Sokrati nuk e kanë
shkruar asnjë rresht, por aty ishin ungjilltarët dhe platonët që t’i shënonin
fjalët e bëmat e tyre.
Në
hulli të kësaj tradite, edhe sot ekziston shprehja dialogu sokratik, për ta
shqiptuar a shfaqur një urti nëpërmes kuvendimit,. Te Platoni dialogu filozofik
merr edhe trajtë artistike. Te veprat e Platonit dialogojnë filozofët, poetët
dhe të rinjtë nga rrethi i Sokratit. Dhe aty ku figura qendrore e këtij
dialogimi është ajo e Sokratit. Dialogët ngërthejnë prirjen autoriale të
paraqitjes së gjallë të atmosferës, tematikës a problematikës së shtruar.
Këtyre skenave kuvenduese nuk u mungon as dramatika (takimi para vdekjes...i
Sokratit me miqtë). Nuk është e rastit përse, bie fjala, në shoqëritë
post-totalitare ose dhe autokratike, pushteti është detyruar të bëjë dialog me
disidentët politikë (si në Afrikën e Jugut apo në disa shtete aziatike). “Vetëm
dialogu me një disident mund të zëvendësojë dhunën në një shoqëri moderne
heterogjene, multikulturore, në një "botë me ndryshime kulturore të
qëndrueshme" (Anthony Giddens).
A
do të thotë kjo, që, duke mos e zhvilluar dialogun e brendshëm, ti mund ta
zhvillosh të të jashtmin, qoftë edhe me Serbinë?