Mendime
Enver Bytyçi: Territore dhe falje e kriminelëve serbë në këmbim të amnistisë për Hashim Thaçin?!
E enjte, 07.05.2020, 12:23 PM
Territore dhe falje e kriminelëve serbë në këmbim të amnistisë për Hashim Thaçin?!
Nga
Enver Bytyçi
José
Manuel Durão Barroso hoqi mantelin e shefit të Sigurisë dhe Politikave të
Jashtme të BE-së dhe veshi veladonin e priftit spanjoll pa ditë më parë kur
refuzoi të bëhej më Papë se”Papa” Hashim në raport me marrëveshjen
Kosovë-Serbi! Shkurt, u bë palë me politikat që çojnë në ndarjen e Kosovës, kur
tha se “Nëse palët duan, atëherë unë nuk mund të bëhem më Papë se Papa”.
D.m.th, nëse Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq janë dakord, pse të mos e
mbështesë dhe ai shkëmbimin e territoreve dhe ndryshimin e kufijve?! Ai e di se
me këtë politikë mbështet projektin për Serbinë e Madhe dhe rritjen e pranisë
ruse në Ballkanin Perëndimor. Dhe me këtë logjikë ai shkon në kundërshtim me
politikat që ia dikton funksioni që ai kryen në Komisionin Europian.
Nga
ana tjetër kjo deklaratë e Barroso i ka turbulluar më shumë ujërat dhe ka nxit
projektuesit e shkatërrimit të shtetësisë së Kosovës dhe ndarjes së territorit
të saj që të marrin kurajo për të punuar më fort në këtë drejtim. Presidenti i
Kosovës është më aktivi në këtë drejtim. Me një këmbëngulje prej Herkuli Hashim
Thaçi bën çmos që ta realizojë projektin e Aleksandër Vuçiq. Ndaj pa asnjë
paralajmërim axhende ia hipën avionit një herë në muaj dhe fluturon për në
Amerikë ose kryeqytete e qytete të ndryshme të Europës ku organizohen samite
ndërkombëtare e ku bëhet bashkë me presidentin e Serbisë. Siç e kemi vënë re
vazhdimisht nga videot dhe fotot e këtyre samiteve, edhe pse aty kanë marrë
pjesë personalitete politike të Kosovës, shoqëria dhe aranzhimi i sjelljeve,
fjalimeve dhe qëndrimeve të Hashim Thaçit ishin me zotin Vuçiq është i
jashtëzakonshëm.
Gjtihçka
dëshmon se Hashim Thaçi është rreshtuar me projektin serb të ndarjes së
Kosovës. Këtë fakt ai e ka pohuar në mënyrë të vazhdueshme gjithashtu
gojarisht. Dhe ajo çfarë është më e trishtueshme ka të bëjë me faktin se Thaçi
është investuar për kompromis me Serbinë, duke këmbyer territore me qëllim që
t’i shpëtojë Gjykatës Speciale të Hagës dhe krimeve që ka kryer ndaj
kundërshtarëve të tij politikë. Ne e dimë tashmë se kjo gjykatë u ngrit me
vendim të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, si dhe me
këmbënguljen e miqve e partnerëve të fuqishëm të Kosovës, pas akuzave të Dick
Marty ndaj zotit Thaçi.
Për
t’i shpëtuar gjykatës presidenti i Kosovës vendosi që t’i japë territore të
vendit të tij, Serbisë. Ndërkohë Serbia që të përfitonte më shumë nga kërkesa e
Hashim Thaçit për zhbërjen e Gjykatës dhe amnistinë e tij si i akuzuar për
krime gjakftohta, këmbënguli që edhe Kosova të japë amnisti për krimet serbe
kundër njerëzimit në Kosovë. Kësisoj presidenti i Kosovës në këmbim të jetës
dhe mazhit të tij i ka ofruar Beogradit jo vetëm territore, por edhe faljen e
kriminelëve serbë, të cilët shkaktuan në Kosovë 13000 të masakruar, plus mbi
2000 të tjerë të zhdukur, si dhe 20 mijë të përdhunuar. Ai ka shpreh
gatishmërinë e tij që të falë gjithashtu miliarda euro dëme materiale të
Serbisë në Kosovë.
Dhe
për ta realizuar këtë projekt anti-shtet, anti-pavarësi, anti-Kosovë,
anti-shqiptar, Hashim Thaçi ka mundur t’u bëjë presion gjithnjë më të shtuar
kundërshtarëve të idesë serbe të ndarjes në Prishtinë e në Tiranë. Në Prishtinë
ai mundi ta shndërrojë kreun e LDK-së në një vegël qorre në shërbim të tij. Ka
mundur me forma të ndryshme të neutralizojë (dua të jem gabim për këtë) Ramush
Haradinajn. Dhe mundi ta rrëzojë nga pushteti legjitim kryeministrin në detyrë,
Albin Kurtin. Vjosa Osmanit i vjen radha pas kryeministrit, nëse ajo do të
rezistojë! Në Tiranë Thaçi duket se i ka josh disa politikanë kryesorë që të
paktën të heshtin e të mos reagojnë fuqishëm kundër projektit serbo-rus për
ndarjen e Kosovës. Përjashtim bën vetëm Sali Berisha! E të gjitha këto i ka
arrit përmes shpifjeve të vazhdueshme te partnerët ndërkombëtarë, sidomos ata
amerikanë. Madje deri aty sa të gjithë kundërshtarët e idesë së ndërrimit të
kufijve t’i konsiderojë si “antiamerikanë”!
Trysnia
e Thaçit ndaj politikanëve kundërshtues ka funksionuar me ndihmën e Beogradit
dhe Moskës. Fushatën që ai udhëheq për projektin e Serbisë së Madhe e
sponsorizon Beogradi në forma të ndryshme, me para, kontakte, përçimin e
opinioneve dhe ideve të përbashkëta në kanalet diplomatike e jo diplomatike,
përmes miqësive të dyanshme etj. Asnjë hap diplomatik i presidentit të Kosovës
në këto tri vitet e fundit nuk është hedh pa sponsorizimin në forma të ndryshme
të Beogradit dhe Moskës. Madje edhe Edi Rama ka kontribute të mëdha
sponsorizimi prej miliona eurosh në këtë fushatë anti-kombëtare! Edi Rama për
momentin ka zgjedhur të heshtë, por sapo peshorja të anojë nga ideja e ndarjes
së Kosovës, do të zgërdheshet, duke i sfiduar shqiptarët me pyetjen frenuese:
“A ju thashë”?
Barroso
e di se projekti Thaçi-Vuçiq është është projekt i dy presidentëve dhe
kryeministrit të Shqipërisë. Ai i njeh në detaje aktorët e realizimit të
projektit, ashtu siç njeh edhe regjisorët, skenaristët dhe sponsorët e tij. Jo
pak herë Barroso ka sulmuar nga zyrat e qeverisë së Beogradit Kosovën, i
sponsorizuar nga Ivica Daçiç. Tashmë në Bruksel duket se ka ndërruar lëkurën,
për zakonin nuk e ka harruar! Sepse shefi i Politikave të Jashtme evropiane e
di edhe faktin se 90 përqind e popullsisë dhe e politikanëve në Kosovë janë
kundër këtij projekti shkatërrues për shtetin dhe për rajonin. Mos e thashtë
Zoti që edhe Barroso të punojë, njësoj si Mogherini, për interesat ruse e serbe
e ruse në Bashkimin Europian, kur paguhet për të kundërtën e kësaj! Megjithatë,
ai ka të drejtë kur thotë se “nuk mund të bëhet më Papë se Papa”, sepse edhe
Hashim Thaçi paguhet e është pasuruar me gjakun e qytetarëve të Kosovës për t’i
shërbyer interesave të Serbisë dhe të Rusisë në Kosovë!