Kerko: a
Florim Zeqa: Një flamur t'Kosovës për Car Lazarin!
E marte, 05.05.2020, 12:13 PM
Një flamur t'Kosovës për Car Lazarin!
Shkruan:
Florim Zeqa
Ditë
më parë duke biseduar me një kolegë timin rreth marrëveshjes me Serbinë, ndër
të tjera më tha këto fjalë; "Po tutna mos jena hi në gjynah pak me ta që
kena shkrue", duke aluduar në klasën aktuale politike"!
Pa
frikë, ja ktheva unë. Nëse për asgjë tjetër, politikanët tonë mëkatet i bartin
për mos transparencë të veprimeve përgjatë dialogut me Serbinë dhe për pasurim
të skajshëm kundrejt një popullate të varfër. Ne i kemi komentuar dhe analizuar
veprimet e politikanëve tonë për aq sa ata i kanë bërë transparente
marrëveshjet me Serbinë në Bruksel.
Hashim Thaçi barjaktari,
Albin Kurti vjen i mbrami
Nga
dëshira për të marrë primatin e çdo gjëje për Kosovën, Thaçit i mbeti bajraku
në dorë, anipse punët i ka kryer dikush tjetër (ndërkombëtarët).
Tani,
jo Albini, por askush tjetër nuk mund ta pengoj legalizimin e ndarjes së Veriut
të Kosovës vetëm me fjalë pa veprime konkrete, të projektuar 21 vite më parë.
Asnjëri
nga politikanët kosovarë, përfshirë edhe Albin Kurtin nuk kanë arsye të
"rrahin gjoks" dhe as t'na shesin patriotizëm, për shkak se pjesa
veriore e Kosovës nuk është e ndarë nga
dje, para 6 tetorit, por është e ndarë plotë 21 vjetë më parë me vendosjen e
forcave ruso-francese të KFOR-it mbi urën e lumit Ibër në Mitrovicë.
Ku
ishin "trimat e xha Sulos" që nuk u organizuan për çlirimin e pjesës
veriore të vendit nga bandat kriminale serbe, siq po organizohen në mbrojtje të
pushtetit të kryeministrit të shkarkuar në mënyrë legjitime në Kuvendin e
Republikës së Kosovës.
Trimërinë
që po e provojmë ndaj njëri-tjetrit, sikur ta kishim demonstruar kundër
pushtuesve serb të pjesës veriore, do ta kishim kthyer jo vetëm Luginën e
Preshevës, me të cilën po abuzohet për konsum të politikës ditore, por do ta
kishim kthyer edhe Nishin.
Sovraniteti i shtetit
përfundon të Ura Ibrit në Mitrovicë
Problemi
është se patriotizmi ynë fillon dhe mbaron tek Ura e lumit Ibër në Mitrovicë.
Nuk po kemi forcë t'i kthejmë as tokat e grabitura nga Manastiri i Deçanit, e
lërë më të bëjmë diçka më shumë.
Të
paktën ish kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi (tani president i vendit), e
kishte provuar me 26 korrik të vitit 2011, që ta shtrijë sovranitetin edhe në
veri të vendit.
Mirepo,
para përmbushjes së misionit, gjegjësisht vënies nën kontroll të pikave
doganore në veri, policët e ROSU-se u sulmuan nga serbët e pjesës veriore në
Bërnjakë, mes fshatrave Varage dhe Zupç, me ç'rast nga të shtënat e
snajperistëve serbë u vra polici Enver Zyberi.
Megjithatë,
sovranitet të plotë shteti ynë në veri të Kosovës nuk ka as sot pas 9 viteve.
Gjithçka e arritur atje ka ndodhur si rezultat i negociatave me Serbinë në
Bruksel, shtet ky që kontrollon rreth 25 % të territorit të Kosovës.
Edhe
pse nuk u arritë qëllimi i mirë i Hashim Thaçit, të paktën për disa orë na bëri
të ndjehemi krenarë me kryeministrin e vendit tonë.
Deri
më tani, kush më pak, e kush tjetër më shumë, të gjithë liderët e partive
serioze politike i provuam në qeverisjen qendrore.
Ardhja
e Albin Kurtit në krye të ekzekutivit kishte ngjallur shpresat e shumicës së
qytetarëve për ndryshime pozitive, për luftimin e korrupsionit dhe krimit të
organizuar, për VETTING në sistemin e drejtësisë si edhe për shtrirje të
sovranitetit në Veri dhe në brendi të vendit (nëpër enklavat serbe).
Albin Kurti len shumë
për të dëshiruar...
Përveq
shkarkimeve në qeveri dhe borde të ndërmarrjeve publike, për këtë kohë të
shkurtër të qeverisjes, nuk ndodhi as përpjekja më e vogël e Albin Kurtit për
kthimin e tokave të uzurpuara nga Manastiri i Deçanit dhe të shtrirjes së
sovranitetit në Veri të vendit.
Në
vend të shtrirjes së sovranitetit të shtetit në tërë territorin e vendit, nën
qeverisjen e Albin Kurtit ndodhi ajo që nuk e kemi pritur, ndodhi ri-shtrirja e
Serbisë në Kosovë përmes heqjes së Taksës 100 %, futjes së qindra
"mantilbardhëve" dhe 1000 testeve për "Covid-19"!
Futja
e kamionëve nga Serbia me portrete gjigante të Putinit dhe Karagjiqit dhe
shkuarja e tyre deri në qytetin e Pejës pa u penguar nga askush, e shënon
kulmin e dështimit të shtetit në parandalimin e një provokimi sa të rënd, po aq
edhe paradoksal!
Përderisa
në të kaluarën, kur LVV-ja ishte parti opozitare jashtë kuvendit, kamionët me
mallra nga Serbia rrokulliseshin me të hyrë në territorin e Kosovës, sot me
Albinin kryeministër po hyjnë lirshëm dhe të zbukuruar!
Kjo
do të ishte normale për pushtetarët e deritanishëm, por jo edhe për Albin
Kurtin e premtimeve për "bashkim kombëtar" dhe ndryshime pozitive.
Është
e dhimbshme, që një lider nacionalist të kthehet në lider super të moderuar dhe
të nënshtruar nga Serbia!
Po
të mos ishte kështu, pasi u futën
kamionët e zbukuruar me portrete nga Serbia, të nesërmën Albin Kurti do duhej
ta testonte reciprocitetin me dërgimin e kamionëve nga Kosova në drejtim të
Serbisë me portetet e Adem Jasharit dhe Ibrahim Rugovës.
Mund
të gjenden mijëra arsyetime për këto lëshime të 'Qeverisë Kurti", por nuk
mund të arsyetohet më asgjë hezitimi për të depërtuar në Veri të vendit, qoftë
edhe në mënyrë simbolike me vendosjen e flamujve të Kosovës përkrah flamujve
serb ose të paktën, për nder të 4 vjetorit të vendosjes së shtatores së mbretit
serb, me ja vënë në dorë Car Lazarit një flamur t'Kosovës, për t'i treguar se
jemi bërë shtet apo t'ia vendosin peshkopit serb Sava Janjiq një flamur në derë
të Manastirit, për t'ia kujtuar se ndodhet në Kosovë e jo në Serbi!
Assesi
nuk bën të largohet nga pushteti Albin Kurti pa lënë gjurmë dhe pa na bërë
krenarë që e kishim kryeministër. Në të kundërtën, nuk kemi pse ta mbajmë gjatë
në mend qeverisjen e tij, përpos, si qeveria më e shkurtër në historinë e re të
Kosovës.