Kerko: a
Fitim Salihu: Tito diktatori dhe katundarët
E marte, 05.05.2020, 11:08 AM
Tito diktatori dhe katundarët
Nesër,
më 4 maj, bëhen dyzet vjet nga vdekja e Josip Broz Titos, Presidentit të
Jugosllavisë socialiste, të cilës i priu me grusht të hekurt për tridhjetepesë
vite. Ekziston një tendencë në qarqe akademike që Titoja të ravijëzohet për
disa nuanca më liberal në krahasim me diktatorët e tjerë të Bllokut Lindor.
Por, fakti se qe diktator hera-herës më i butë, nuk e bën jodiktator. Madje,
historiani i njohur Viktor Sebestjen do ta cilësonte Titon “po aq brutal sa
edhe Stalini”. Më duhet ta them këtë dhe t’i hedh siparin këtij shkrimi me këtë
sqarim duke pasur parasysh një tendencë rehabilituese për figurën e tij që
ekziston tejendanë ish-dominionit jugosllav.
Shkruan:
FITIM SALIHU
Së
pari, ekziston një keqkuptim. Dobitë potenciale që kanë mundur t’i gëzojnë disa
struktura të caktuara urbane – madje jo e tërë popullsia urbane, por vetëm ata
që ishin në ose pranë nomenklaturës – priren t’i paraqesin si dobi të të gjithë
popullsisë. Fotografitë nostalgjike të banesave shëmtueshëm të hirta e të zymta
në qendër të Prishtinës kanë qenë vetëm oaza në mes të një shkretnie sociale.
Nuk ke pasur nevojë të shkosh më larg – në Drenicë, Deçan e gjetiu ku e shihje
mesjetën me sy – por të ka mjaftuar të ecësh vetëm pak metra për të dalë në
Vranjec dhe paralagjet e tjera për ta kuptuar mjerimin ekonomiko-shoqëror. Jo
se qendra estetikisht brutale e Prishtinës ish kush e di se çfarë mrekullie
metropolitane, por periferia e saj dhe viset rurale të Kosovës ishin akoma në
“Botën e Tretë”.
As
fakti që mund të shkoje në bregdet nuk thotë gjë prej gjëje. E para, bregdetin
mund ta shijonin vetëm elita e kohës. E dyta, bregdetin nuk ua mohonin as
diktatorët e tjerë atyre që s’bëzanin. Edhe zhvillimi i hovshëm ekonomik e ka
një shpjegim – kreditë dhe borxhet e huaja. Zhvillimi ishte një fluskë, një
iluzion. Jetën që e shijuan rinia e fillimviteve ’70, do ta paguante rinia e
fundviteve ’80. Hiperinflacioni i kohës së ish-kryeministrit të fundëm
jugosllav, Ante Markoviqit, ishte shembulli më eklatant i asaj fluske që e
kishte azdisur Titoja.
Ajo
nuk ishte fytyra e vërtetë e Jugosllavisë së Titos. Fytyra e vërtetë e saj
ishte skamja e fshatit, papunësia e qytetit që shkonte gjithnjë në rritje dhe
UDB-ja – ajo ngrehinë kriminale që kultivonte sadistë të egër që kryenin
torturat më perverse, që përdhunonin vajza konviktesh, që tredhnin e sodomonin
të rinj fakultetesh, që rripnin lëkurën e të burgosurve politikë. Këto viktima
dhe familjarët e tyre jetojnë çdo ditë me makthin e rehabilitimit të atij
sistemi po aq sa edhe me makthin e atyre torturave meskine.
Për
dyzet e kusur vite të socializmit jugosllav, Kosova asnjëherë nuk e lëshoi
vendin e fundit në rang-listën e zhvillimit ekonomik, të pagës mesatare, të të
ardhurave për frymë, të shkallës së industrializimit, të zhvillimit
kulturo-arsimor, të rrjetëzimit infrastrukturor, të modernizimit të bujqësisë,
etj., sikurse nuk e lëshoi pozitën e parë për rajonin me numrin më të madh të
të burgosurve politikë për kokë banori, për numrin e të të ftuarve në “biseda
informative”, për diferencimet segreguese, për shkallën e represionit dhe për
fyerjet raciste e maltuziane që i pësonte çdo ditë “Šiptari” i gjorë, qytetari
i dorës së dytë të Jugosllavisë së dytë.
Natyrisht,
ndonjë trajtim më të mirë nuk e kishin as udhëheqja krahinore shqiptare,
ndonëse ata mendonin se e kanë. Kryekomandantit të partizanëve të Kosovës, Fadil Hoxhës, nuk ia dinin madje as
emrin. Në takimet e para pas lufte në Beograd atij i referoheshin thjesht si
“ky djali prej Kosmetit”. Për njëzet vite pas mbarimit të Luftës së Dytë
Botërore nuk ka pasur asnjë kryetar shqiptar të Komitetit Krahinor, për një
dekadë nuk ka pasur asnjë shqiptar në Komitetin Qendror të Partisë, ndërkohë që
u desh të kalonte një çerek shekulli që një shqiptari t’i besohej anëtarësia në
trupin më të lartë të saj, në Byronë Ekzekutive dhe kaluan dy dekada para se
t’i besohej anëtarësia në KEF – qeverinë qendrore federale. Ata jetonin shumë
më mirë se fshatarësia që dirgjej në prapambetje, por sadomos asnjëherë s’u
pranuan nga kolegët e tyre jugosllavë ndryshe pos si “Šiptari”, sado që shumë
syresh donin të besonin se në fakt ishin beogragjanë.
Një
keqkuptim i shpeshtë që ndodhë është edhe togfjalëshi “epoka e Rankoviqit”. Në
fakt, s’ka ekzistuar një epokë e tillë. Gjithnjë ka qenë epoka e Titos. Për aq
sa mund t’ia veshësh vetëm Kadri Hazbiut krimet e Enver Hoxhës, po aq mund t’ia
veshësh vetëm Rankoviqit krimet e Titos. Rankoviqi asnjëherë s’ka qenë mbi
Titon. Në rastin më të mirë ai ka qenë njeriu i dytë i tij. Por, të gjitha
krimet që kanë ndodhur në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore – masakra e
Tivarit, masakrat e Drenicës dhe Gjilanit, dëbimi masiv në Turqi, aksioni i
mledhjes së armëve, ndalimi i përdorimit të flamurit kombëtar, Procesi i
Prizrenit, shtypja e dhunshme e demonstratave dhe burgimet politike e maltretimet
nëpër burgje – kanë ndodhur në shtetin të cilit i ka prirë Titoja dhe pa
dijeninë e të cilit s’është bërë hiçgjë, sikurse në secilën diktaturë tjetër
moniste. E, Titoja as e shkarkoi Rankoviqin, në Pleniumin e Brioneve në
korrikun e 1966-s, se i qante zemra për shqiptarët, por sepse i dhimbsej
kolltuku, sikurse të gjithë diktatorëve të tjerë.
Kosova
vërtet shënoi disa përparime ekonomike, por ato ishin modeste dhe të
pamjaftueshme. Indikatori më i mirë është numri i madh i emigrantëve ekonomikë
që u detyruan ta lëshojnë Kosovën që nga vitet ’60 në drejtim të Gjermanisë e
Zvicrës, të cilët kryesisht vinin nga fshatrat e prapambetura. Indiktator
tjetër është edhe pakonkurueshmëria e shumicës së industrisë socialiste të
Kosovës në konditat e ekonomisë së tregut të lirë. Një indikator i tretë është
edhe shkalla e ulët e zhvillimit të fshatrave – një pjesë e madhe e fshatrave
në Kosovë për herë të parë rrugë asfalti dhe objekte shkollore kanë parë vetëm
pas çlirimit.
Natyrisht,
Titoja s’ishte i tillë, diktator, vetëm ndaj shqiptarëve. Qasjen e tij
staliniste e ka dëshmuar edhe në likuidimin e shokëve të partisë në Moskë që
para Luftës së Dytë Botërore duke i hedhur në kthetrat e NKVD-së së Berias e
Stalinit. Edhe më pas, krimet e tij janë gjithfarëshe – masakra e OZNA-s ndaj
15 mijë civilëve e pengjeve në Tezno të Sllovenisë, masakra ndaj 1,500 kroatëve
e sllovenëve në gropën e Barbarës, masakra e Velesit e janarit 1945, masakra e
20 mijë hungarezëve në Vojvodinë, vrasja e 50 mijë dhe dëbimi i 280 mijë
gjermanëve svabianë të Vojvodinës, ekzekutimi i rreth 11 mijë italianëve të
Istrisë, ekzekutimi i 20 mijë kundërshtarëve politikë në Kuçevski Rog të
Sllovenisë, burgosjet dhe torturat e 16 mijë kundërshtarëve politikë në
ishullin-burg të Goli Otokut, etj.
Ai
nuk u tregua më liberal as brenda sojit. Më 1948 i zboi nga vendi 5 mijë dhe
përjashtoi nga Partia 55 mijë “ibeistë” – anëtarë të partisë që nuk u pajtuan
me polemikën e tij me Stalinin dhe Informbironë, mësa më 1954 do ta dëbonte nga
partia Millovan Gjillasin, një ndër njerëzit e tij më të afërt të luftës, por
edhe të krimeve. Më vonë, vetë Gjillasi, i veshur me petkun e liberalit, do ta
akuzonte Titon për ndërtimin e një shteti diktatorial dhe një shoqërie
totalitare. Më 1968 Titoja do ta urdhëronte mbylljen e “Praksis”-it, zhurnalit
filozofik të Gajo Petroviqit e Danko Gërliqit me shokë, e cila paçka se ishte
shkollë marksiste e mendimit, për faktin që devijonte nga dogma titiste, u desh
të mbyllej, sado që aty botoheshin (dhe merrnin pjesë në “Shkollën verore të
Korçulës” që organizonte grupi i Praksisit) edhe emra eminentë të mendimit
filozofik të kohës, si Herbert Markuzeja, Erik Fromi, Ernst Bllohu, Gjergj
Lukaçi, Jyrgen Habermasi, Shlomo Avineri, etj. Në fillim të viteve ’70 Titoja
do ta niste “gjuetinë e shtrigave” edhe ndaj mendimtarëve liberalë brenda
partisë – sidomos ndaj Latinka Peroviqit e Marko Nikeziqit në Beograd dhe Savka
Dabçeviqit e Miko Tripallos në Zagreb – duke dëshmuar sërishmi se ai ishte një
diktator paranojak që nuk toleronte mendim ndryshe.
Pra,
Titoja pa mëdyshje ishte diktator. Ai ngriti një shtet ku mbaje dhjetëra vite
burg vetëm sepse dëgjoje radio, sepse lexoje libra, sepse ngrisje dy gishta
lart ose sepse shkruaje dy shkronja – RK. Titoja nuk ishte diktator me të
dëgjueshmit. Në fakt, rrallë ndonjë diktator nuk ish i tillë me të dëgjueshmit.
Një diktaturë nuk qëndron dot në këmbë vetëm falë aparatit represiv, por i
duhet edhe aparati ideologjik, nomenklatura lokale dhe shtresa e mesme e
integruar dhe e heshtur me regjimin. Paskëtaj, asnjë diktator nuk ia mohon asaj
benefitet në këmbim të dëgjueshmërisë dhe besnikërisë.
Prandaj,
është për t’u kundërshtuar çdo përpjekje, sado e dëshpëruar qoftë, për ta
rehabilituar figurën e një diktatori. Njëlloj, është për t’u kundërshtuar
gjithsecila orvatje që rend t’iu këndojë me nota nostalgjie pseudopërparimeve
të kohës. Që këtej, është e gabuar maksima “Kosova ka degraduar këto njëzet
vite” sepse ajo nënkupton që dikur Kosova ishte e “graduar”. Kosova e Marshall
Titos – përjashto një oazë në qendër të Prishtinës dhe aty-këtu në tri-katër
qendra të tjera urbane – ka qenë jo vetëm vendi më i prapambetur në Evropë por
edhe shumëfish më i prapambetur sesa sot. Dallimi mes Kosovës dhe Maqedonisë
ose Bosnjes sot është thuajse i pavërejtshëm, gjersa në kohën e Marshallit
ishim vite larg tyre. Kosova e sotme ngec në shumë drejtime dhe mbase nuk kemi
mbërritur aty ku kemi synuar, por Kosova asnjëherë s’do të jetë aq keq sa ish
në atë kohë – qoftë me demokraci, qoftë me ekonomi.
Kosovën
e Titos e krymbte edhe injoranca e padija. Vetë Kardeli, krahu i djathtë i
Titos, kur e kishte vizituar Kosovën në vitet ’70 ishte ankuar se udhëheqja
krahinore nuk paska hapur universitet, por një ent social për akomodimin e
frustracionit ekonomik të të rinjve. Ajo nomenklaturë komuniste
kosovaro-jugosllave prodhoi ministra federativë me shkollë të mesme,
gjimnazista që bëheshin profesorë fakulteti vetëm sepse kishin qenë partizanë
dhe kryetarë të Kosovës që nuk e dinin çfarë quajmë Galeri të Arteve. Në
“Rilindje”, të vetmen gazetë ditore në gjuhën shqipe, mund të hasje faqe e faqe
për kaprojtë e vrarë të gjuetarit gjenial, shokut Xhavit Nimani, por gjer më
1968 nuk gjeje asnjë germë për Skënderbeun, anipse s’mungonin broçkullat prej
hagjiografisë nacionaliste serbe – që prej të bëmave të Stefan Deçanskit, gjer
tek shtypshkronja mesjetare kishtare e Graçanicës.
Tekembramja,
shpeshherë kritika për klasën e sotme politike bëhet nga pozitat klasore dhe
krahinore më shumë sesa nga ato politike. Mallkime e kukamë çjerrëse nga oaza.
Fatkeqësisht e gabimisht shumë syresh 1999-n nuk e përjetuan si çlirim
nacional, por si përmbysje klasore. Ndërkohë që kemi shumë arsye për ta
kritikuar mënyrën e qeverisjes së kësaj klase politike të pasluftës, shumëkush
e gjen shtegun më të shkurtër – jo atë të analizës sistemike ideopolitike, por
atë të urrejtjes e fajësimit krahinor – që jo rrallëherë merr konotacione
raciste: “po na qeverisin katundarët”. Asgjëmangut, asnjëherë nuk synoj t’i fus
në një thes të gjithë. Paçka që shumë syresh nuk mendojnë kësisoj, ngel
shqetësues fakti që aq shumë syresh mendojnë asisoj.
Marrë
nga www.gazetaexpress.com,