Kerko: a
Kadri Tarelli: ‘’Dantja dhe të tjerë...’’
E enjte, 19.03.2020, 08:40 PM
“DANTJA DHE TË TJERË…….”
Korifenjtë
e letërsisë, në syrin e Shpendi Topollaj
Nga
Kadri Tarelli
Para
pak kohësh, në ditët e parë të pranverës 2020, Shpendi Topollaj, shkrimtar,
kritik dhe studiues i njohur, në kolanën e 50 librave, pas librit “Esse. Rreth shprehjeve mitologjike”, shtoi më të fundit botim, “Dantja… dhe të tjerë”, ku ka përzgjedhur korifenjtë
e letrave, ndër shekuj: Dante, Petrarka, Bokaçio, Shekspiri, Hygoi, Pushkini,
Tolstoi, Esenini, Cvajgu, Eminesku, Shollohov, përfshi edhe shkrimtarët tanë:
Fishta, Lazgushi, Kadareja e Dritëro Agolli, etj, etj.
Që
nga titulli në ballinë dhe portreti serioz i Dantes, kuptojmë, se kemi të bëjmë
me një libër studimor të përmasave të mëdha, që do ta quaja pa frikë një
antologji letrare, sepse flitet për disa nga figurat më të njohura të letërsisë
botërore, që ndikuan fuqishëm në kulturën e vendit të vet, përfshi edhe në kulturën
e popujve të botës, mes tyre edhe në botën tonë shqiptare. Megjithatë ia lemë
lexuesit mëndje ftohtë, të vlerësojë e të vendosë.
Jam
matur disa here të shkruaj për këtë libër dhe jam tërhequr, pasi kam gjykuar se
mos bie në përsëritje të fjalës dhe mendimit, meqenëse janë shumë autorë që kanë
shkruar për Shpendin dhe librat e tij, mes tyre edhe unë. Bie fjala, stili i
rrjedhshëm i fjalës artistike, mendimi i ngjeshur me shumë filozofi brenda,
analiza e hollë e kohës dhe rrethanave të ngjarjeve të ndodhura, gërshetuar me
shprehje e mendime të shumta nga filozofët e mendimtarët më me zë nga bota mbarë,
të futura aq lirshëm në shkrim, sikur bota dhe koha është shkrirë në një të vetme,
me personazhin, Dante dhe të tjerë. Të gjitha këto falë kulturës së gjerë dhe
kujtesës së paimagjinueshme të autorit, për t’i përdorur me mjeshtëri të pa
krahasueshme dhe të pa ngjashme me autorë të ndryshëm, të vjetër dhe të rinj,
duke shtuar në fjalën e tij edhe hollësi të tjera, të hedhura e të mbledhura me
kujdes në kohë të ndryshme, madje edhe në kohën tonë.
Një
vështrim i shpejtë i emrave të të shumë-njohurve, na fut në mentalitetin e
periudhës që jetuan dhe vepruan. Ku nuk munguan talenti dhe vullneti, lavdia
dhe ndëshkimi, fitoret dhe humbjet, përpjekjet dhe vështirësitë, mundimet e
tundimet, përplasjet, kundërshtitë, dëshirat, dashuritë, intrigat dhe pabesitë
e sundimtarëve, pushtetarëve, ziliqarëve, tradhtarëve, cinikëve, të pa aftëve,
të pasurve, të varfërve dhe njerëzve të thjeshtë, që i kënduan me shpirt magjisë dhe artit të fjalës, duke i
bërë pronë të tyre, në krenarinë kombëtare.
Pa
u njohur me përmbajtjen e këtij libri të magjishëm, kam përshtypjen se të
gjitha sa numërova më lart, kanë ndodhur veç e veç për secilin, si të thuash në
botë të veçuara, dhe të gjitha u janë shënuar në “pasaportën” e secilit. Por
kur i kemi bashkë në një libër të vetëm, bindemi se bota kështu ka qenë që në
lashtësi, me të gjitha të mirat, bukuritë, dobësitë, mangësitë dhe fëlliqësitë
e saj. Çuditërisht nuk ka ndryshuar asgjë! Ajo përsëritet në përmasa të
ndryshme, në vende të ndryshëm, në kohë të ndryshme dhe nga njerëz të ndryshëm.
Besoj se kjo përbën një vlerë për këtë përmbledhje libri kaq të arrirë, në
shërbim të lexuesit.
Besoj
se është e tepërt të komentoj secilin nga korifenjtë e botë së letrave, sepse
Shpendi i ka gdhendur e qëndisu portretet e tyre, aq bukur dhe me aq shumë dashuri, sa kam frikë se i dëmtoj
apo shëmtoj. Veç dua të ndalem tek diçka të veçantë, që autori e vendos në
libër më shumë kujdes: Jehona e tyre në jetën dhe kulturën shqiptare, si një
dhuratë perëndie dhe si domosdoshmëri jetike e kohe, në përmbushjen e
boshllëkut artistik e kulturor, të shkaktuar nga prapambetja dhe sundimi qindra
vjeçar. Ja si shprehet autori: “Duke i
mbyllur këto shënime, dua të shtoj, se poetët e përmasave të mëdha, mbeten ura
të fuqishme, që lidhin ishujt e popujve të qytetëruar”.
Janë
pikërisht këta gjigandë të letrave, që e nxorën në dritë botën dhe e ndryshuan
atë, duke i dhënë një shkëlqim të ri. Janë
intelektualët tanë, poetët, përkthyesit e jashtëzakonshëm, që i bënë ata të
flasin shqip, nga një herë më mirë se në gjuhën e tyre amtare. Besoj se e vlen
një citim i vogël nga Shpendi: “Në vendin
tonë, Tolstoi filloi të flasë shqip, aty nga viti 1930, kur edhe letërsia jonë
po merrte një hov të ri”. Mbase edhe këta tanët ishin poetë po kaq të
fuqishëm e të mëdhenj, që e ndjenin në shpirt frymëzimin dhe frymën poetike te
kohës, që ngacmonte e drithëronte edhe shpirtin e madhërishëm të popullit tonë
të shumë vuajtur. Bindemi kur lexojmë këto vargje të Pushkinit, që sikur i ka
shkruar enkas për ne shqiptarët, të sjella kaq bukur në shqip nga Lazgushi ynë:
“Mos u ngrys prej dëshpërimit/ nëse jeta
të gënjen./Hesht në ditën e trishtimit,/ rishmëz ditë e gazit vjen”. Ja
pse, diku si shkarazi, Shpendi ve në dukje edhe talentin edhe forcën e falës së
poetëve tanë, duke i vënë ballë për ballë gjigandët, me poezitë e tyre, duke i
lënë lexuesit të drejtën të bëjë krahasimin dhe vlerësimin.
Kjo
ishte edhe arsyeja që këta libra, mbaroheshin pa u vendosur nëpër raftet e
librarive. Ja si shprehet diku autori: “Prisnim
në radhë, ditën që furnizohej libraria”. Këtë detyrë të pa detyruar dhe
meritë vetjake të përkthyesve shqiptar, Shpendi e ka vendosur me shumë maturi
dhe në masën e duhur, duke na thënë, se kështu do të ndodhte dhe kështu ka
ndodhur. Nuk kemi pse çuditemi, veç duhet të krenohemi dhe lumturohemi për
vlerat letrare e filozofike të tyre, që u bënë pjesë e kulturës sonë, pjesë e
shpirtit tonë. Besoj se në heshtje autori, nëpërmjet citimeve dhe poezive të
tyre që këndojnë aq bukur në shqip, sikur u thotë përkthyesve të rinj: “Mësoni nga ata “të vjetrit”, sepse ata bënë
një “shkollë” të madhe të shqipërimit.
Nëpër
faqet e këtij libri, lexuesi do të gjejë “cikërrima”, që e ndërthurin botën me mjedisin
shqiptar. Çuditërisht, po ja që kështu ndodh në këtë botë, që nuk qenka kaq e
madhe sa na duket. Ja çka thotë Shpendi: “Ndihem
mirë kur e mendojmë, se akademiku shqiptar Selman Lameborshi, kur e pa se
pishat e bardha, që e rrethonin shtëpinë e Leon Tolstoit u thanë, i porositi
ato në Shkodër, prej nga iu dërguan me avion dhe, pasi i mbolli dhe u rritën të
shëndetshme, i bëjnë hije atij vendi të shenjtë”.
Në
këtë përmbledhje autori nuk mund të linte jashtë tij edhe disa nga përfaqësuesit
më në zë të letrave shqipe, si Fishta, Lazgushi, Kadare dhe Agolli, të cilët i
nderon deri në adhurim. Kënaqësia është e dyfishtë, jo vetëm për jehonën
veprave të tyre, por sidomos me vogëlimat e përjetuara në takimet, bisedat dhe
diskutimet, përfshi edhe shakatë dhe humorin para gotës së rakisë, kur ka rastisur të jenë
bashkë në një tavolinë, si me Kadarenë ashtu edhe me Driteronë. Besoj se gjithkujt
i pëlqen të zbulojë diçka nga jeta e tyre, nga huqet dhe marrëdhëniet me të
tjerët, me familjen, me shokët, me politikën, me të përkëdhelurit dhe të
ndëshkuarit nga sistemi, etj. E panjohura na shtyn, që të gjejmë diçka edhe nga
vetja, në sjelljet, qëndrimet dhe veprimet e këtyre njerëzve të mëdhenj, që
janë të tillë në letra, por që janë njerëz po kështu si ne.
Një
veprim i pëlqyeshëm i autorit, është përfshirja në këtë përmbledhje edhe të
librit “Blloku”, të mjekut të nderuar Isuf Kalo. Janë dy shkrime interesante: e
para analize dhe kritikë ndaj veprës edhe e dyta, një replikë, besoj e duhur në
zallamahinë e thashethemnajës shqiptare, kur si të shtyrë nga dikush, merremi
me personin dhe jo me veprën, kur bëjmë kompetentin edhe kur nuk e kemi lexuar
librin, etj. etj.
Këtu,
secili nga ne mund të ketë dhe të mbajë qëndrime të ndryshme. Do të ishte keq
sikur të gjithë të mendonim njësoj, apo të vishnim kostum një ngjyrësh dhe këpucë
të një numri. Unë e përgëzoj për këtë veprim të matur e të mençur, pasi mjeku,
Dr. Isuf Kalo, pavarësisht se nga profesioni nuk i përket sojit të letrarëve,
ka bërë një vepër, që edhe kundërshtarët nuk gjejnë vend të fusin një gozhdë. Për
këtë më mjafton të përmend falët e Profesor Agron Fico, shkruar në artikullin e
tij kritik: “”Blloku” i Isuf Kalos dhe misteret e Enverit”, botuar në gazetën
“Telegraf”, ku me sinqeritet të merituar, thotë: “Ky botim provon, se edhe në Shqipërinë tonë, mund të shkruhen dhe të
botohen libra të cilësisë dhe nivelit evropian”. S’ka më bukur, kur të
mëdhenjtë vlerësojnë të mëdhenjtë!
Unë
pata fatin ta lexoj librin “Dantja….. dhe të tjerë”, që në dorëshkrim dhe këshilla
ime ishte, që të mos ngutej për ta botuar. Disa shkrime të fund-librit, mund të
ishin lënë për një libër tjetër dhe në vend të tyre të vendoseshin të tjerë autorë
të mëdhenj të letërsisë. Shpendi nuk më dëgjoi! Atij i falet, pasi është
kolonjar kokëfortë, por vura re se diçka i lindi në mendje: Të vazhdojë më tej
kolanën e Korifenjve.
E
rrëfej këtë ndodhi, pasi Shpendi, si kalimthi vetëm sa na thotë se po punon për
një libër të ri. Dhe, si pa pritur, pas do kohësh na jep në dorë librin e
botuar. Na le pa fjalë, pasi ç’ vërejtje mund t’i bëjmë në këto raste? S’kemi
ç’ themi, e ka huq të vjetër. Gjykoj se është huq i bukur, që e lezeton
shpirtin e tij poetik, njerëzor dhe fisnik.
Urime Shpendi, për
krijime dhe botime të tjera!
Kadri Tarelli
Durrës, më: 18, fillim
pranvere, 2020.