Kerko: a
Sinan Gashi: Sakrificat e krijuesit për veprën e tij
E marte, 17.03.2020, 04:28 PM
SAKRIFICAT E KRIJUESIT PËR VEPRËN E TIJ
Shkruan: Sinan
GASHI
Nuk janë të rralla
njohuritë për sakrificën që bën shkrimtari për ta krijuar veprën e tij, ku përveç
dhuntisë dhe dijes, ai sakrifikon edhe kohën, shëndetin e çka jo nga vetja për
të thënë diçka të mirë dhe me interes për kohën, sa edhe për ta nxjerr dufin që
e mundon së brendshmi për të shëmtuarat që manifestohen në kohën e tij e ai, si
individ, nuk ka mundësi që t’i largojë ato, por vetëm një mënyrë e manifeston atë
pakënaqësi, duke thënë atë që duhet ndryshuar, e njëkohësisht edhe e ndjen veten
më të lehtësuar pas atij mesazhi shkrimor. Këtu është edhe reale e dhëna se
arti është lehtësuese e shpirtit të ngulfatur, pra është terapi shpirtërore.
Ndër krijuesit që ka bërë
një sakrificë të jashtëzakonshme në këtë drejtim, vetëm që të shpëtojë krijimtarinë
e tij nga asgjësimi, duke manifestuar tri mënyra preventive, po ashtu ta jashtëzakonshme,
është shkrimtari Robert Prifti
(1925-1993) nga Korça. Ai me këtë mbetet pa dyshim unik në letrat shqipe për
mënyrën e fshehjes së krijimtarisë nga diktatura, ngase ishte në shënjestër të
sigurimit të shtetit dhe po ashtu krijimtari e tij shprehte mjerimin shoqëror
në Shqipërinë e kohës, ku ai nxirrte dufin ndaj të shëmtuarave shoqërore..
Duke jetuar në sistemin
diktatorial, i cili përcjelljen e atyre që nuk u shkonin për shtati e kishte mënyrën
më perfide dhe më të shëmtuar, ani pse këtë intelektual të vyer e shumë të
përgatitur, e kishte degdisur sa andej sa këndej nëpër lokalitete të ndryshme,
për të përfunduar së fundi mësues të thjeshtë fshati, vetëm vullnetin për
krijimtari nuk mundi t’ia largonte për asnjë çast. Por, frika nga gjetja e tyre
shkrimeve, e pastaj përjetimi i kalvarit mu për shkrimet e tij, deri në burg a
pushkatim, ashtu siç i kishte ndodhur Vilson Blloshmit, Genc Lekës, Trifon
Xhaxhikës, Fazli Greiçevcit, Havzi Nelës e dhjetëra të tjerëve, kishte zgjedhur
tri mënyra për fshehjen e tyre, që edhe sikur t’i gjenin ato, në mënyrë që ai të
shpëtonte si njeri dhe njëkohësisht veprat
t’i shpëtonin si krijimtari: përdorimi i pseudonimit, shkruarja me llupë
dhe shkruarja në gjuhë të huaj.
1. Firmosja me pseudonime
E para, edhe pse të
gjitha ato vepra, jo të pakta në numër, ishin në dorëshkrim, i kishte firmosur
me dy pseudonime, Robert Elin dhe Trevor Elin, që realisht tingëllonin si
autor të huaj, duke menduar se këto do të merreshin se janë nga një autor i
huaj e, mbase, arsyetoheshin me një punë përkthyesi, e asgjë më shumë, kur edhe
interesimi i sigurimcave do të largohej pa ndonjë ndëshkim.
Sido që të jetë, vënia e
pseudonimit në vend të emrit të vërtetë rrëfen për një sakrificë kur, për arsye
objektive sistemore, nuk mund ta vejë emrin e vet, pra nuk mund ta përjetojë kënaqësinë
e dëshmimit dhe krenarisë e kënaqësisë që i sjell puna intelektuale, e cila nuk
është privilegj i secilit.
2. Shkruarja me llupë
E dyta, shkrimin e tyre
e kishte bërë me dorë dhe vetëm përmes syrit zmadhues të llupës. Nëse hiqej ajo,
ato ishin aq të vogla, gati të padukshme, sa nuk do i zgjonin askujt kureshtjen për t’u thelluar në
ato. Në fakt kishin pamjes sikur ishin vija koti, pa asnjë domethënie. Veç
tjerash, kjo mënyrë pune sjell një
torturë dhe përjetim tëpër të rëndë se, ana teknike është anormale dhe
lëvizja e lupus nga dora kur dora tjetër lëvizë për punë, krijojnë një
nervozizëm e lodhje, të cilat i mund vetëm dashuria tej mase për krijimtarinë
sa edhe ideali i pashoq.. tjera, kjo formë mikroskopike e lind dystimin se do të
hidhej si e pavlerë, nëse dikujt nuk i shkon mendja, në mos vetëm për
kuriozitet, që të deshifrojë këtë kaligrafi mistike. E, shkruesi, këso
radhe Robert Prfti, do të ishte tepër i
zhgënjyer nëse nuk do besonte se një ditë ajo do ishte në formë libri dhe do bëhej
pjesë e letërsisë shqipe, prë ta
faktikuar përjetimin e rëndë të autorit – shoqërisë, por edhe sakrifica dhe
talenti i autorit të zhbëheshin, pra do shkonin huq.
Dorëshkrimi nën llupë
3. Shkruarja në gjuhë të huaj.
E treta, ai në të
vërtetë ishte një poliglot; njihte tetë gjuhë të huaja (latinisht, greqisht,
frëngjisht, anglisht, rusisht, italisht, gjermanisht, spanjisht), por krijoi
vetëm në italisht, ani pse gjithmonë jetoi në Shqipëri dhe gjuhën e mëmës e donte
si asgjë në botë. Edhe këtë formë e mendonte se ishte një shpëtimtar, duke
menduar se pseudonimi emër i huaj, pastaj edhe gjuha po e huaj, përfundimisht
do të ishte një fshehje reale para atyre që e dinin se ai nuk ishte aspak i
kënaqur me sistemin dhe, gjithsesi, në veprat e tij kishte rrëfyer për
realitetin e hidhur të shoqërisë shqiptare.
Vetëm pak para vdekjes,
i kishte botuar disa vepra në Romë, në gjuhën në të cilën edhe i kishte
shkruar, ndërsa veprat e tjera, pas vdekjes, i biri po i përkthen në shqip dhe
natyrisht po e shohin dritën e botimit. Ndër to
ka poezi, tregime dhe romane.
Veprat janë:
“Le subcorticali epitaffi
di vita”, poezi, Roma,
”Divertimento col
pianto”, poezi, Roma,
“Aforismi e pensieri”,
Roma,
“Il sole dei morti“, tregime,
“I’occhio del Polifemo“,
roman,
“Il segno distrintivo
della violenca”, roman,
“La filicita della
paura“, roman,
“ I duo lehti di
Procoust “, roman.
Pos tri veprave që i pa
të botuara për së gjalli në Itali, veprat e tjera po i shqipëroi i biri dhe i
ka botuar shtëpia botuese Omsca në
Tirana.