Kerko: a
Eshref Ymeri: Në gjurmët e një diskutimi në fillim të shek. XX
E enjte, 05.03.2020, 08:03 PM
Në gjurmët e një diskutimi në fillim të shek. XX
Nga Prof.
Dr. Eshref Ymeri
Shkak për hedhjen në kompjuter të shënimeve në vijim u bë
miku im i vjetër Fotaq Andrea, ish-ambasador, specialist i njohur i
frëngjishtes, përkthyes i talentuar dhe profesor i shquar i hulumtimeve rreth
jetës dhe krijimtarisë së eruditit të madh evropian Faik Konica dhe i vjeljes
skrupuloze të fakteve nga penat e arta franceze për shqiptarët.
Në ditët e fundit të janarit Fotaqi më dërgoi tre libra
nga Strasburgu ku jeton dhe punon. Të tre librat janë përkthime të tij nga
frëngjishtja. I pari titullohet “Nevoja jonë për ngushëllim nuk ka të
ngopur” dhe ka për autor shkrimtarin suedez Stig Dagerman (1923-1954).
Ky është një libërth me 64 faqe, në të cilin përfshihen
shtatë ese. Është një vepër befasuese. Të gjitha esetë janë një “kartolinë”
aforizmash të mrekullueshme për nga kuptimi i tyre, aq më tepër që autori ka
qenë fare i ri në moshë. Këtu po ndalem vetëm në dy prej tyre, të cilat kanë
një tingëllim mjaft aktual për mënyrën e qeverisjes së vendit tonë gjatë kohës
që Rama vazhdon të mbajë postin e kryeministrit:
“… një autoritet i përkohshëm që u
ngjall frikë administruesve të vet, duhet të jetë objekt i një mosbesimi shpëtimtar”.
“…shteti demokratik i epokës
bashkëkohore përfaqëson një varietet krejt të ri të çnjerëzimit që ngjason si
dy pika uji me regjimet autokratike të periudhave të mëparshme. Parimi “përça e
sundo” sigurisht nuk është braktisur…”.
Libri i dytë mban titullin “Para gijotinës”, me
autor Alber Kamy (Albert
Camus -
1913-1960).
Thelbin e
përmbajtjes së këtij libri e zbulon ish-Kryetari i Asamblesë Parlamentare të
Këshillit të Evropës Rasell Xhonston (Lord Russell-Johnston -
1932-2008), në një letër falënderimi publik që i dërgonte Fotaq Andreas në
gusht të vitit 1999 për përkthimin e kësaj vepre. Asokohe Fotaqi ishte
Ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë, Përfaqësues i përhershëm i
Shqipërisë pranë Këshillit të Evropës. Në atë letër thuhet:
“Lexuesit shqiptar, që në jetën e përditshme ndoshta përplaset me problemet
e pasigurisë e të krimit, i rekomandoj këtë vepër të Alber Kamysë. Në të ai do
të përqendrojë më shumë vëmendjen rreth një çështjeje të ndjeshme e me rëndësi
të madhe etike. Do të dëshiroja që ai të kuptonte se, përballë këtyre problemeve, dënimi me
vdekje nuk është zgjidhja dhe se në shoqëritë tona demokratike që duan të jenë
të qytetëruara, lufta kundër krimit lypset të bëhet me mjete, të cilat respektojnë
dinjitetin thelbësor të çdo qenieje njerëzore”.
Pra, në këtë libër,
Alber Kamy ngrihet kundër dënimit me vdekje, sepse kur një gjykatës, - siç
shkruan ai, - jep një dënim me vdekje, ai “vihet në fronin e Zotit”.
Libri i tretë, i
cili më nxiti posaçërisht për këto shënime, ka si autor Faik Konicën dhe
titullohet “Ese për gjuhët natyrale dhe gjuhët artificiale”.
Këtë vepër, të
botuar në Bruksel në vitin 1904, koniciologu i shkëlqyer Fotaq Andrea, ai që ka
krijuar atë që mund të quhet “shkenca e koniciologjisë”, e ka sjell në
gjuhën shqipe me një përkthim të përsosur. Përkthimin Fotaqi e ka paraprirë me
një ese-parathënie po aq të shkëlqyer.
Në fundin e shek.
XIX dhe sidomos në vitet e para të shekullit XX, kishte filluar një diskutim i
ndezur rreth krijimit të një gjuhe artificiale për komunikim mbarëbotëror.
Ithtarët e krijimit të një gjuhe të tillë ishin të ashtuquajturit “esperantistë”.
Konica, si një filozof i shquar i gjuhësisë, si një erudit i
pakundshoq, del në mbrojtje të gjuhëve natyrale, duke iu kundërvënë “esperantistëve”
me një rreptësi shkencore të admirueshme, sepse gjuha “esperanto”, -
thekson ai, - si “gjuhë artificiale e përbotshme ul nivelin e
intelektit,.. është gjuhë kufomë… që zhduk letërsinë, artin e të shkruarit,
këtë botë të pafund e suvjektive”.
Megjithatë,
gjenialiteti i mendimit të tij, Konicës ia diktonte të vinte në përfundimin se
njerëzimi, në perspektivë, do të kishte nevojë për një gjuhë komunikuese në
nivel ndërkombëtar, të cilën ai, gjithsesi, e vlerësonte si një “gjuhë
ndihmëse” dhe absolutisht jo si gjuhë që të zëvendësonte gjuhët kombëtare.
Konica ishte i mendimit se si gjuhë ndërkombëtare në të ardhmen mund të
shërbenin ose frëngjishtja, ose anglishtja, ose gjermanishtja.
Rrjedha e ngjarjeve
gjatë një periudhe mbinjëshekullore vërtetoi në praktikë se Konica ka pasë bërë
një parashikim me të vërtetë gjenial. Prandaj Fotaqi, në ese-parathënien e vet,
thekson:
“Sot, kur ka kaluar mbi një shekull që nga botimi i këtij libri dhe kur
International english mbisundon si gjuhë komunikuese botërore (më 2017
anglishtja flitej si gjuhë zyrtare nga 75 kombe dhe 2 miliardë vetë), ky
parashikim i Konicës del më se i vërtetuar”.
Problemi i
komunikimit në një gjuhë ndërkombëtare
pati lindur asokohe edhe gjatë diskutimit për përparësinë e saj në përkthimin
e njëkohshëm ose përkthimin sinkronik (simultaneous
interpretation) në konferenca ndërkombëtare. Një diskutim i tillë u bë
shumë i mprehtë kur përkthimi sinkronik u përdor për
herë të parë në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1919.
Problemet e përkthimit sinkronik në atë konferencë, në
një mënyrë shteruese, i ka trajtuar autori spanjoll Jesús Baigorri-Jalón
(1953), përkthyes i anglishtes dhe i frëngjishtes. Ai ka qenë
profesor titullar i përkthimit gojor në Departamentin e përkthimit me shkrim
dhe me gojë të Universitetit të Salamankës. Është diplomuar në Fakultetin e
filozofisë dhe të letërsisë dhe po në Universitetin e Salamankës ka marrë
gradën shkencore “doktor” në fushën e përkthimit. Është autor i mjaft
artikujve shkencorë dhe i dy librave për përkthimin me gojë:
“De Paris a Nuremberg” (Nga Parisi
në Nuremberg), i botuar në Granada në vitin
2000 dhe i përkthyer në frëngjisht dhe në anglisht.
“Interpreters at dhe United Nations:
A History” (Përkthyesit në Kombet e Bashkuara. Një histori). Këtë
libër e ka botuar Universiteti i Salamankës në vitin 2004.
Në librin e parë bëhet fjalë për diskutimet që u
zhvilluan para fillimit të asaj konference. Diskutimet u vërtitën rreth
çështjes se cila duhej të ishte gjuha zyrtare që do të përdorej aty, do të
kishte një apo disa gjuhë zyrtare. Paraprakisht, le të kthehemi prapa në kohë.
Që prej zbardhëllimës së marrëdhënieve diplomatike në
Evropë, latinishtja ka pasë shërbyer si gjuhë e shkruar, rrjedhojë logjike kjo
e statusit të saj si gjuhë e perandorisë romake dhe e pasueses së saj, kishës
katolike. Përdorimi i latinishtes mbeti si normë deri në shek. XVIII jo vetëm
në sferën e letërkëmbimit, por edhe në atë të bisedimeve mes diplomatëve që nuk
e njihnin gjuhën e njëri-tjetrit. Gjuha e dytë më e rëndësishme në procesin e
këtyre marrëdhënieve, ishte frëngjishtja, e cila qe përdorur gjithnjë e më
shumë gjatë kryerjes së shkëmbimeve ose lidhjes së marrëveshjeve në periudhën e
hershme të shekullit XVIII, megjithëse latinishtja pati vazhduar të përdorej
deri kur shpërtheu revolucioni francez. Prestigji i frëngjishtes ishte, para së
gjithash, rezultat i veprimtarisë domethënëse diplomatike që zhvillonte Franca
në periudhën e sundimit të Luigjit XIV (Louis XIV - 1643-1715).
Kësaj periudhe i pati paraprirë aktiviteti i kardinalit Rishelje
(Richelieu - 1585-1642), i cili i pati dhënë shtysë shërbimit
diplomatik, të shoqëruar me përdorimin e frëngjishtes që kishte shërbyer si
model për vendet e tjera të Perëndimit.
Midis gjërave që përmenden për suksesin e frëngjishtes,
është edhe arsyeja që ajo është një gjuhë tejet e saktë, e pastër dhe elegante,
e përshtatshme për bisedime dhe dokumente diplomatike. Ky ishte një argument që
e patën përdorur jo vetëm francezët, por edhe disa amerikanë frankofilë në
Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1919. Sado e çuditshme të duket, këto
arsye nuk u përmendën më, sapo anglishtja fitoi statusin e ngjashëm me
frëngjishten.
Statusi i frëngjishtes, si një gjuhë vetëm e diplomacisë,
mbeti i pandryshuar gjatë shek. XIX dhe në dy dhjetëvjeçarët e parë të shek.
XX. Ajo vazhdoi të përdorej pothuajse në çdo takim dhe marrëveshje të
rëndësishme ndërkombëtare, si edhe në marrëdhëniet ndërqeveritare. Ndërkohë,
anglishtja po fitonte terren ca nga ca, me rritjen e autoritetit politik të
Britanisë së Madhe dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Më në fund,
anglishtja mori sipërinë dhe frëngjishtja e humbi privilegjin e gjuhës së
diplomacisë gjatë përgatitjes së Konferencës
së Parisit.
Rei Steinërd Beiker (Ray Stannard
Baker - 1870-1946), i njohur si gazetar, historian,
biograf dhe shkrimtar, ka qenë sekretar shtypi i Presidentit Uillson
(Thomas Ëoodroë Ëilson - 1856-1924). Në vitet
1922-1923, ai ka botuar në tre vëllime veprën me titull “Ëoodroë Ëilson and
Ëorld Settlement” (Udrou Uillsoni dhe popullimi i botës). Në këtë vepër
është interesant kreu me titull “Beteja e gjuhëve” (Battles of languages).
Megjithëse
ballafaqimi kishte kohë që kish nisur, beteja vendimtare mes frëngjishtes dhe
anglishtes u bë pak ditë para fillimit të konferencës, kur të gjitha rregullat
e procedurës së konferencës qenë përgatitur tashmë. Të gjitha rrethanat i patën
çuar delegatët francezë në përfundimin se frëngjishtja duhej të ishte gjuha
zyrtare e konferencës dhe e teksteve të marrëveshjeve, jo vetëm për shkak të
peshës së saj me një traditë të kahershme në gjuhën e diplomacisë, por edhe për
arsye se Franca kishte qenë teatri kryesor i luftës. Kjo i jepte frëngjishtes
një peshë të padiskutueshme në krahasim me gjuhët e tjera.
Delegatët e fuqive
të tjera kishin shtruar çështje për diskutim gjatë takimeve përgatitore.
Koloneli Eduard House (Edëard House - 1858-1938), kryekëshilltar
i Presidentit Uillson për politikën dhe diplomacinë evropiane, me një telegram të 20 nëntorit 1918 që e
dërgonte nga Parisi, njoftonte presidentin se autoritetet franceze dëshironin
që frëngjishtja të ishte gjuhë zyrtare e konferencës. Ai theksonte se kjo, deri
në njëfarë shkalle, do të ishte një
padrejtësi për vendet anglishfolëse që përbëjnë shumicën.
Britanikët e kishin
përcaktuar pozitën e vetë fare qartë, siç bënte të ditur Moris Henki
(Maurice Hankey - 1877-1963), ndihmësi kryesor i Kryeministrit britanik Lloi Xhorxh (Lloyd
George - 1863-1945). Ky i kishte dhënë udhëzime Henkit që anglishtja
të vendosej në konferencë në pozita të barabarta me frëngjishten. Francezët e
mbrojtën me thonjë e me dhëmbë statusin e frëngjishtes, si e vetmja gjuhë
zyrtare e diskutimeve. Megjithatë, arsyeja që Britania e Madhe, zotërimet
(dominionet) britanike dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin luajtur një
rol aq të rëndësishëm gjatë viteve të luftës, e shtonte më shumë peshën në
argumentet e tyre në të mirë të anglishtes.
Ministri francez Pisho (Stephen-Jean-Marie Pichon - 1857-1933) nguli këmbë që frëngjishtja të ishte gjuhë zyrtare e
diskutimeve dhe e rezolutave. Ai ishte i mendimit se delegatët mund të
përdornin gjuhën e tyre amtare që do të shoqërohej me përkthimin në frëngjisht.
Kryeministri anglez propozoi që frëngjishtja dhe anglishtja të njiheshin si
gjuhë zyrtare të konferencës. Ministri i jashtëm Italian Sonnino (Sidney
Costantino Sonnino - 1847-1922) shprehu parapëlqimin e tij për
frëngjishten, si të vetmen gjuhë zyrtare, por ai tha se në qoftë se do të ketë
më shumë se një të tillë, atëherë ai kërkoi që këtë status ta gëzojë edhe
italishtja. Uillsoni e mbështeti idenë e kryeministrit britanik, duke theksuar
me këmbëngulje se anglishtja ishte gjuha e hapësirave rreth Paqësorit.
Kryeministri francez Klemanso (Georges Benjamin Clemenceau - 1841-1929)
ishte mjaft i shqetësuar nga zhvillimi i diskutimeve. Nga njëra anë, ai e
pranonte që anglishtja ishte një gjuhë me një përhapje shumë të gjerë dhe që
kishte qenë instrument i institucioneve liberale. Nga ana tjetër, ai mendonte
se latinishtja, e cila në të kaluarën qe pranuar si gjuhë zyrtare në
marrëdhëniet diplomatike, tani duhej zëvendësuar me frëngjishten, sepse kjo
kishte një përparësi të madhe në saktësinë e saj të skajshme, shumë e dobishme
kjo për dokumentet zyrtare. Për këtë arsye, ai propozoi që tri gjuhë -
anglishtja, italishtja dhe frëngjishtja - të përdoreshin si gjuhë zyrtare në
konferencë, por në rast mosmarrëveshjesh, përparësinë ta kishte teksti në
frëngjisht.
Në këtë kohë,
ndërhyri Uillsoni, duke paraqitur një tjetër këndvështrim për këtë problem. Ai
e pranoi se frëngjishtja kishte qenë gjuha e diplomacisë në Evropë, por tani
kishte dalë në skenë një tjetër fuqi e madhe që nuk ndodhej në Evropë dhe që
flet anglisht. Ai propozoi që frëngjishtja dhe anglishtja të jenë gjuhë zyrtare
të konferencës.
Në marrjen e
vendimit, ndikoi një arsye me peshë: as Uillsoni, as Lloi Xhorxhi nuk flisnin
frëngjisht, ndërkohë që kryeministri francez Klemanso kishte jetuar në Shtetet
e Bashkuara, ishte martuar me një amerikane dhe anglishten e fliste shkëlqyeshëm.
Më në fund, duke e kapërcyer ndjeshmërinë franceze, u vendos që të dyja gjuhët
të ishin zyrtare. Teksti i marrëveshjes u shumëfishua në njërën faqe në
anglisht dhe në faqen tjetër në frëngjisht.
Santa Barbara, Kaliforni
04 mars 2020